Përgjimet, Hasan Korvafaj imamit: Shite shtëpinë time, mi nis paratë në Siri

March 22, 2014 10:42

Përgjimet, Hasan Korvafaj imamit: Shite shtëpinë time, mi nis paratë në Siri

Thuaj vëllezërve që vijnë këtej të marrin rroba dhe xhepin plot se është e vështirë…”. Kështu e nis bisedën e tij, Hasan Korvafaj, me imamin e vetëshpallur të xhamisë së Mzezit, Bujar Hysa, i cili ndodhet prapa hekurave, si i dyshuar për rekrutimin dhe dërgimin e besimtarëve myslimanë shqiptarë për xhihad luftarak në Siri. Biseda është përgjuar nga policia dhe ndodhet e zbardhur e plotë në dosjen e Prokurorisë për Krime të Rënda, e cila po heton lidhur me grupimin e personave që dërgonin besimtarë në Siri, që sipas organit të akuzës, luftonin për llogari të organizatës Al-Nusra. Edhe pse në dosje nuk saktësohet, kjo mendohet të jetë ndër bisedat e fundit telefonike që Hasan Korvafaj ka zhvilluar me imamin e vetëshpallur, Hysa, para se ai të vritej gjatë luftimeve në Siri. ”

GSH” ka mundur të sigurojë pjesë të dialogut mes Korvafajt dhe Hysës, ku besimtari i vrarë në Siri, i lutet imamit të vetëshpallur të xhamisë së Mzezit, të porosisë besimtarët e tjerë, që do të bëheshin pjesë e luftimeve që të merrnin rroba dhe para, duke e cilësuar “se është vështirë”. Telefonata në drejtim të Hysës, është bërë nga një numër turk, që sipas prokurorisë, e kishte në përdorim Hasan Korvafaj. Mandej, Korvafaj, që sipas një raporti të Shërbimit Informativ Shtetëror, është deklaruar si i vrarë në Siri, i thotë Hysës se do të shesë shtëpitë e tij që ka në Shqipëri. “Shtëpitë dua ti shes ato që kam atje, se dua ti ble këtu. Deri në 40 mijë dollarë jepe”, shprehet Korvafaj, i cili lë të nënkuptohet se ndodhet në gjendje të vështirë për lekë. Bujar Hysa i përgjigjet që “jam keq pas operacionit”, mesa duket duke e lënë të kuptojë se nuk ka mundësi ta ndihmojë vetë.

Në një telefonatë të përgjuar po atë ditë, Hasan Korvafaj, shpreh shqetësim, lidhur me një prej miqve të tij në Shqipëri, i cili sipas tij, e ka mashtruar lidhur me çmimin e shitjes së shtëpive. “Më duket se ai po më mashtron. Mua më thotë i shita 30 mijë, ndërkohë i ka shitur 100 mijë”, thekson Korvafaj, i cili pak ditë më vonë ka gjetur vdekjen. Hasan Korvafaj, ka udhëtuar drejt Sirisë në korrik 2013. Bashkë me të drejt vendit në luftë kanë udhëtuar dhe bashkëshortja dhe tre fëmijët e tij. Zyrtarisht thuhet se Hasan Korvafaj ka gjetur vdekjen, ndërsa gruaja dhe fëmijët e tij ndodhen në Siri. Korvafaj sipas prokurorisë është një prej besimtarëve që u rekrutua dhe dërgua për xhihad luftarak në Siri.

Organizatori kryesor i rekrutimit dhe mandej dërgimit të besimtarëve në luftë, konsiderohet imami i vetëshpallur i xhamisë së Unazës së Re Genci Abdurrahim Balla, i cili ndodhet prapa hekurave. Gjithashtu nën arrest është vënë dhe imami i vetëshpallur i xhamisë së Mzezit, Bujar Hysa dhe gjashtë besimtarë myslimanë. Prokuroria ka shpallur në kërkim pesë persona të tjerë, mes të cilëve dhe imamin e vetëshpallur të xhamisë së Leshnicës në Pogradec, Almir Daci. Të kërkuarit dyshohet se ndodhen në Siri ose Turqi./GSH

March 22, 2014 10:42
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim