“Ky i ka qejf xhixhat. Do një gjashtëshe para vendimit dhe një dyshe pas”

May 4, 2016 10:04

“Ky i ka qejf xhixhat. Do një gjashtëshe para vendimit dhe një dyshe pas”

Një gjyqtar i Gjykatës së Tiranës, djali i tij, përfaqësuesi i palës në proces gjyqësor dhe një ndërmjetës u arrestuan mbrëmjen e së martës si të dyshuar për korrupsion.

Ibrahim Hoxha, i proceduar më parë në KLD për shkarkim nga detyra, sipas prokurorisë do të merrte shumën e 6 milionë lekëve nga shtetasi Dritan Jazexhi, i cili ishte në proces gjyqësor për një çështje pronësie.

Për të marrë paratë, gjyqtari kishte dërguar djalin e tij Ledion Hoxha, i cili mori shumën e parave nga i dyshuari si sekser Novruz Gajdja.

Hetimi ndaj gjyqtarit nisi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pas përgjimeve telefonike për një tjetër çështje që ishte në hetim dhe u finalizua me arrestimin e të dyshuarve pas dhënies së parave.

Në një njoftim për mediat, Prokuroria e Përgjithshme sqaroi se gjyqtari Ibrahim Hoxha kishte në shqyrtim një proces civil prone, ku njëra nga palët ishte shtetasi Dritan Jazexhiu.

Ky i fundit, me qëllim marrjen e një vendimi në favor të tij, ka kontaktuar me shtetasin Novruz Gajde, i cili kishte njohje me gjyqtarin Ibrahim Hoxha.

Në mesditën e datës 2.5.2016, shtetasi Gajde komunikon me gjyqtarin, me të cilin flet për një “gjashtëshe”, duke e lidhur këtë me procesin civil në të cilin ishte palë shtetasi Jazexhiu.

Pas këtij komunikimi, i dyshuari Novruz Gajde takohet me të dyshuarin tjetër, Dritan Jazexhiu, në lokalin e këtij të fundit dhe shkëmbejnë një sasi parash.

Pasditen e së njëjtës ditë, pas një komunikimi me gjyqtarin, i dyshuari Gajde takohet në një automjet me të dyshuarin Ledion Hoxha.

Pasi janë ndarë, në mjetin e shtetasit Ledion Hoxha ndërhyn Policia, e cila po i mbante nën vëzhgim lëvizjet e tyre dhe nga kontrolli gjen në mjet 600 mijë lekë (të rinj).

Nga hetimet dhe përgjimet ka rezultuar se shtetasi Gajde kishte hyrë si ndërmjetës te gjyqtari pasi kishte njohje të mëparshme me të. Ky fakt konfirmohet edhe nga përgjimet telefonike me palën në proces, shtetasin Jazexhiu, të cilit i thotë se “gjyqtari i ka qejf xhixhat”.

“Ky i do lekët përpara vendimit. Do një gjashtëshe. Pas vendimit do një dyshe. Ti e di, ky i ka qejf xhixhat”, thuhet në përgjimet mes Gajde dhe Jazexhiut.

Në një bisedë tjetër, paditësi në çështjen e pronësisë pyet ndërmjetësin nëse ja ka dhënë lekët gjyqtarit dhe ai i përgjigjet se do ja jap djalit.

Sipas hetimit ky fakt konfirmohet edhe nga komunikimet mes gjyqtarit dhe shtetasit Novruz Gajde, të cilët kanë shkëmbyer mesazhe përpara dhënies së parave.

“Ka rezultuar se në datën 2.5.2016, shtetasi Novruz Gajde, është takuar me shtetasin Dritan Jazexhiu, në dyqanin e këtij të fundit rreth orës 16:00-17:00, ku dhe ka marrë prej tij shumën prej 600.000 lekë, të cilat sipas marrëveshjes së mëparshme do t’i dorëzoheshin gjyqtarit”, thotë prokuroria.

Nga bisedat e mëparshme, ka rezultuar se shtetasi Novruz Gajde kishte planifikuar të takohej me gjyqtarin Ibrahim Hoxha, rreth orës 18:00 të datës 2.5.2016, ku dhe do bëhej dorëzimi i shumës së lekëve.

“Rreth orës 14:30 nga nr. i shtetasit Novruz Gajde, i është dërguar një sms gjyqtarit Ibrahim Hoxha, me përmbajtjen “Ku të takoj çunin dhe mbrapa takohemi bashkë..”, në vijim në orën 16:34 Novruzi, i nis përsëri sms Ibrahimit me përmbajtje “Jam në pritje ku do takohemi”.”

Dhjetë minuta më pas, Novruzi telefonohet prej shtetasit Ledion Hoxha, i cili i kërkon të takohen në një lokal në zonën e Vasil Shantos, në Tiranë.

Të dyshuarit janë takuar në automjetin e Novruz Gajdes, ku djali i gjyqtarit ka marrë paratë dhe më pas ka tentuar të largohet, por është ndaluar nga policia, e cila i ka gjetur dhe shumën e parave në makinë.

May 4, 2016 10:04
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin