Nëse papritur përballeni me një dhimbje të fortë që fillon në qendër të gjoksit dhe rrezatohet më tej në zonën e qafës dhe pjesën e sipërme të shpinës, duhet të kërkoni menjëherë ndihmë të specializuar mjekësore. Kjo pasi, shenja të tilla janë tregues i patologjisë që në gjuhën mjekësore njihet si “Perikardit”, e cila ka të bëjë me inflamacionin e membranës së hollë si qese që rrethon zemrën
Çfarë është Perikarditi?
Fjala “Perikard” do të thotë “përreth zemrës”. Pra, perikardi është një qese indore në formë konike që rrethon zemrën dhe rrënjët e enëve të mëdha të gjakut që dalin prej saj. Ai përbëhet nga shtresa e brendshme që ka kontakt direkt me muskulin e jashtëm të zemrës (epikardi) dhe shtresa e jashtme që quhet perikardi parietal. Midis këtyre dy shtresave gjendet një sasi e vogël lëngu (lëngu pericardial) që vepron si lubrifikant për të lejuar lëvizjen normale të zemrës brenda gjoksit. Në pjesën e poshtme, perikardi ka kontakt me diafragmën. Perikardi i jashtëm është vetëm një shtresë e trashë qelizore që i përshtatet fort muskujve të zemrës. Kurse perikardi i jashtëm është më i trashë dhe më i ashpër. Ai përbëhet nga fibra të forta që e lidhin zemrën me kafazin e kraharorit dhe me diafragmën. Siç e theksova edhe më lart, në kushte normale, midis dy shtresave të perikardit gjendet një sasi minimale likidi, por nëse ka inflamacion, kjo hapësirë mund të mbushet më shumë me lëng. Pikërisht zhvillimi i këtij inflamacioni emërtohet “Perikarditi”.
Simptomat dalluese të sëmundjes
Shenja më klasike e kësaj patologjie është dhimbja, e cila fillon në qendër të gjoksit dhe rrezatohet në zonën e qafës dhe në pjesën e sipërme të shpinës. Në përgjithësi dhimbja është e fortë si thikë, por mund të jetë edhe më e butë (e shurdhër) ose në formë djegëse. Intensiteti i dhimbjes mund të jetë i butë, ose shumë i fortë, mund të fillojë gradualisht, por mund të fillojë edhe në mënyrë të papritur. Si rezultat i dhimbjeve pacienti paraqet vështirësi gjatë frymëmarrjes. Shumica e pacientëve ndjehen më keq në pozicionin shtrirë. Simptoma të tjera mund të përfshijnë ethet (të dridhura), djersitje, gulçim dhe vështirësi në gëlltitje. Kur perikarditi zhvillohet si pasojë e një infeksioni, simptomat klinike priren të zhvillohen shpejt, ndërsa kur inflamacioni zhvillohet si rezultat i sëmundjeve kronike, fillimi është më gradual.
Shkaktarët
Zakonisht perikarditi zhvillohet nga shkaqe të panjohura (idiopatike), por si shkaku më i shpeshtë janë viruset (virusi HIV më shpesh), bakteret (bakteri i tuberkulozit më shpesh). Ndër sëmundjet inflamatore më të shpeshta janë: Artriti reumatoid, Lupusi eritematoz sistemik, sklerodermia. Sëmundje inflamatore të zorrëve, por edhe sëmundje të tjera mund të jenë shkaktare të perikarditit, si për shembull hypotiroidismi (funksioni i ulur i gjëndrës tiroide), infarkti i zemrës, pamjaftueshmëria e punës së veshkave, traumat e ndryshme, terapia e rrezatimit, medikamentet e ndryshme.
Diagnostikimi
Diagnostikimi i perikarditit fillon me një anamnezë të hollësishme të pacientit (historia e sëmundjes) në lidhje më dhimbjen dhe karakterin e saj. Historia e kaluar mjekësore është e rëndësishme, pasi perikarditi mund të jetë ndërlikim i një sëmundjeje kronike, ose efekt anësor i medikamenteve që merr pacienti. Inflamacioni shkakton një zhurmë specifike fërkimi që mund të dëgjohet me stetoskop nga mjeku kur dëgjon zemrën. EKG (që tregon aktivitetin elektrik të zemrës) dhe ekzaminimi me rreze X (radiografi) mund të rezultojnë normal në fazat e hershme të perikarditit. Ekzaminimi me ultratinguj( EKO) është i rëndësishëm në përcaktimin e sasisë së grumbulluar të lëngut midis dy shtresave të perikarditit. Perikardiocenteza (merret lëng nëpërmjet një gjilpëre të hollë që futet deri në hapësirën perikardiale) mund të bëhet për të zbuluar llojin e infeksionit (viral, bakterial) dhe për të zgjedhur trajtimin e duhur.
Trajtimi
Trajtimi synon zvogëlimin e inflamacionit dhe kontrollin e dhimbjes. Sigurisht, trajtimi i shkakut mbetet thelbësor. Medikamentet që lehtësojnë dhimbjet janë të shumta, në varësi të shkakut dhe intensitetit të dhimbjes. Mund të përdoren preparatet josteroidë (jokortizonikë), por edhe preparate narkotike për kohë të shkurtër në rastin kur dhimbjet janë shumë të forta. Përdorimi i medikamenteve duhet të bëhet vetëm sipas rekomandimeve të dhëna nga mjeku specialist që ndjek ecurinë e sëmundjes.
Ndërlikimet që shkakton nëse nuk trajtohet në kohë
Tamponada e zemrës është ndërlikimi më i rrezikshëm. Nëse lëngu grumbullohet në sasi të konsiderueshme në qafën perikardiale (ku dalin enët e mëdha të gjakut), mund të ndikojë në funksionin e zemrës dhe të zvogëlojë presionin e gjakut.
Nëse lëngu grumbullohet gradualisht edhe simptomat mund të vijnë gradualisht, pasi zemra mund të përshtatet.
Por, nëse lëngu grumbullohet shpejt (për shembull gjaku në rastin e traumave) mund të kemi probleme serioze.
Tamponada e zemrës është emergjencë mjekësore. Pacienti mund të jetë në gjendje shoku, me tension shumë të ulët, vështirësi në frymëmarrje deri në pamjaftueshmëri të punës së zemrës (insuficienca kardiake). Kjo situatë mund të kërkojë perikardiocentezë për të ulur presionin e krijuar nga sasia e lëngut të grumbulluar. Një tub plastik për të drenuar lëngun (kateter) mund të lihet në gjoks derisa sëmundja themelore që shkaktoi tamponadën të jetë stabilizuar.
Inflamacioni i përsëritur i qafës perikardiale mund të çojë në formimin e dhëmbëzave në hapësirën midis dy shtresave të perikardit. Dhëmbëzat ngushtojnë lëvizjet e zemrës gjatë çdo rrahjeje duke ndikuar në sasinë e gjakut që pompon zemra, ose që kthehet në zemër. Sa më pak gjak të vijë në zemër aq më pak do të pompojë ajo në drejtim të organizmit. Megjithatë, sa më herët dhe në mënyrë adekuate të trajtohet sëmundja, aq më të mëdha do të jenë edhe përfitimet shëndetësore të pacientit.
p.k\dita