Përkujtohet 102-vjetori i ngritjes së flamurit në Gorë, Dades i jepet titulli “Nderi i krahinës”

July 28, 2014 19:31

Përkujtohet 102-vjetori i ngritjes së flamurit në Gorë, Dades i jepet titulli “Nderi i krahinës”

Përkujtohet në Dardhas të Pogradecit ngritja e flamurit kombëtar nga 12 çeta patriotike me 800 luftëtarë gorarë, mokrarë dhe oparakë, të cilët 102 vjet më parë u mblodhën bashkë për t’u bërë ballë sulmeve xhonturke dhe për të çliruar Pogradecin.

Kjo ditë e shënuar për qarkun e Korçës do të ishte pararendëse e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë vetëm katër muaj më pas, më 28 nëntor 1912.

Kjo ditë përkujtohet çdo vit nga banorët përmes festave dhe aktiviteteve të ndryshme . Këtë vit, kësaj feste iu bashkuan edhe deputetët e qarkut: socialistët Arta Dade dhe Ilir Xhakolli dhe deputeti i LSI, Spartak Braho.

Shoqata Atdhetare Kulturore “Gora” i ka dhënë titullin “Nderi i krahinës” deputetes Arta Dade, me motivacionin “Për kontribut të shquar për krahinën dhe shoqatën”.

Deputetja socialiste u shpreh se ndihet e nderuar nga një titull i tillë dhe theksoi domosdoshmërinë e promovimit të kësaj treve në funksion të rritjes së turizmit, si atij vendas, edhe të huaj.

“Si deputete e qarkut kam nderin ta përfaqësoj këtë trevë me vlera të patjetërsueshme të historisë, trashëgimisë kulturore dhe monumenteve të natyrës që duhet të shfrytëzohen për t’i dhënë një impuls të ri turizmit, jo vetëm atij të huaj, por edhe nga Shqipëria, pasi ka mjaft që akoma nuk njohin vendet e mrekullueshme që ne kemi në vendin tonë të mrekullueshëm”, tha Dade.