Përmbaruesit, një ilaç i hidhur, por i domosdoshëm

October 18, 2015 09:47

Përmbaruesit, një ilaç i hidhur, por i domosdoshëm

Dje në Tiranë, në një panel ku morën pjesë ekspertë nga të gjitha fushat e drejtësisë, vendas dhe të huaj, u mbajt një ceremoni mbi 5-vjetorin e krijimit të përmbarimit privat. Ceremonia si rrallë herë në raste të tilla, përcolli mesazhe të forta mbi profesionin e përmbaruesit, sistemin e drejtësisë dhe “kundërshtarin e të gjithëve: Drejtësinë e Munguar!”

Kjo ishte edhe deviza e fjalimit të Kryetarit të Dhomës së Përmbaruesve Privatë, Tedi Malaveci, i cili lëshoi një apel të fortë mbi pavëmendjen e shtetit për situatën e krijuar në tërësi në lidhje me institucionin që lidhet me ekzekutimin e vendimeve apo borxheve në Shqipëri, por edhe mbi sistemin e drejtësisë që duhet të identifikojë faktorët por edhe fajtorët e individualizuar të tij:

“Ne do ta kërkojmë fort, që shprehja e fillim-demokracisë sonë “bashkëfajtorë dhe bashkëvajtjes” të mos shërbejë më si referencë morale. Ka ardhur koha, kur ata syresh që e denigrojnë profesionin të quhen “fajtorë dhe përgjegjës” e t’i hapin rrugën asaj pjese të shëndoshë të profesionistëve që sigurisht janë shumica”

Me një gjuhë të drejtpërdrejtë ai atakoi edhe indiferencën e shtetit shqiptar që për vite me radhë nuk mbledh borxhet e tij:

“E si mundet të funksionojë një shtet kur nuk ka dëshirë apo fuqi të ekzekutojë detyrimet e veta?! – Miliona lekë vlera detyrimesh duhet të mbledhë shteti ynë, që të funksionojë normalisht, ku vetëm borxhi tatimor dhe doganor është mbi 1 miliard euro e ku çdo ditë e vit që kalon, ky borxh parashkruhet d.m.th. humbet – vetëm se askush nuk përdor mjetin ligjor për mbledhjen e tij: përmbaruesin gjyqësor.”

Me një aludim të fortë mbi rastin e “CEZ” dhe mënyrën e paligjshme të mbledhjes së detyrimeve me kompanitë që s’janë përmbarimore dhe s’kanë patur asnjë kompetencë ligjore për ta kryer atë që po diskutohet ende sot në arenën politike, si çështje korrupsioni masiv, ai shton:

“Nuk ka funksionarë të tjerë në Republikën e Shqipërisë përveç nesh këtu, në këtë sallë dhe 50 kolegëve që punojnë në zyrat shtetërore, të cilët kemi një tagër ligjor për të kryer detyra dhe akte të mbledhjes së borxheve apo detyrimeve. Dhe prapë shteti kreditor “fle”, duke mos e përdorur “armën” e vetme ligjore që ka… madje në raste më të shëmtuara ka gjetur të ashtuquajturit operatorë apo kolektorë ekstraproceduralë që tashmë janë kthyer edhe në subjekte të një komedie politike.”

Një tjetër mesazh i hapur mbi sistemin bankar në përgjithësi dhe “popullin debitor” në veçanti u lëshua si thirrje sociale që duhet të dëgjohet nga autoritetet gjyqësore, përmbaruesit dhe bankierët të cilët të gjithë bashkë kanë në dorë ekuilibrat dhe fatet sociale të familjeve shqiptare.

“Ne që i shohim duke i prekur plagët më të thella të shoqërisë sonë, e cila po kthehet çdo ditë e më tepër në një komunitet debitor, do të duhet të jemi më të kujdesshëm kur “t’u shërbejmë interesave të kreditorëve, duke treguar po aq zell e respekt për dinjitetin e debitorëve”. Kjo është një sentencë e detyrimit të profesionit tonë, por jo pa qëllim po e përmend, për një arsye morale. Ne që ushtrojmë një nga profesionet më të vështira, por edhe më të papëlqyera të botës, s’mund të jemi indiferentë ndaj aspektit social që hasim, gjithnjë brenda korrektesës juridike. Ndaj, na lind detyrimi të mos jemi thjesht lexues apo ekzekutues të verbër të vendimeve gjyqësore, evazive ose të paargumentuara apo të kontratave bankare me interesa e penalitete hiperbolike që s’mbarojnë kurrë… pasi një popull debitor nuk mund të ekzekutohet as nga vendimet e padrejta, e as nga përmbaruesit e tij.

Për herë të parë një vëmendje e autoriteteve internacionale u tregua për përmbaruesit gjyqësorë në Shqipëri. Këtë e tregoi prezenca e Presidentes së Unionit Ndërkombëtar të Përmbaruesve Botërore, Françoise Andrioux, e cila dha një mesazh të qartë për qeverinë dhe sistemin e drejtësisë në vendin tone, “Pa një përmbarim të fortë dhe ligjor nuk ka rrugë apo mundësi të prosperitetit ekonomik dhe mundësi reale për t’u bashkuar me komunitetin europian”.

October 18, 2015 09:47
Komento

1 Koment

  1. D October 19, 13:32

    Cfare jane Permbaruesit? Nje tufe hajdutesh antiligjore qe duhen zhdukur si zanat.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*