Përmbytje, përmbytje!

Nga PELLUMB KULLA May 26, 2013 13:49

Përmbytje, përmbytje!

E thënë… Nuk i mungon asgjë e megjithatë, ndjehet që kyeministri i ngjirur i Shqipërisë vuan që në këtë fushatë nuk i ka ai gurët që ka në dorë Opozita. Oh, çfarë do t’i bënte ai qeverisjes!..

Për arsimin e lartë, fjala vjen… Për ata nja dyqind universiteteve private që kanë mbirë si këpurdhat në tërë territorin e vendit. Që me një llogari jo shumë korrekte mund t’i binte një universitet për cdo 123 fshatarë! Mbase, dy a tre universitete do t’I kursente, se është mëkatë të godasësh në tërësi, por ama shumicën… Ja, do të mjaftonte universiteti Kristal, me atë rastin e famshëm të italianit Renzo Bossi.

Historia: biri i politikanit italian Umberto Bossi, i kamur si tërë fëmijët e politikanëve të përjetshëm, vendosi të mbaronte studimet universitare, ngaqë pas një jave ia desh nevoja ta kish arsimin e lartë aty ku synonte të ngulej. Por për të mbaruar studimet e larta duheshin pesë vjet dhe qindra provime të rënda. E meqë pesë vjetët, sado të palosen e ngjishen, shtatë ditët nuk i nxënë dot, Renzoja kërkoi ta blinte diplomën. Në Itali kjo ishte e pamundur, por Mesdheu për kësi punësh ka vende të tjera veç Italisë. Është një vend, Shqipëria e Sali Berishës, parajsa e Mesdheut, ku gjallojnë universitete që për një dorë të mirë parash, e merr diplomën tak-fak: pa blerë as çantë shpine as kompiuter, pa dalë nga shtëpia, pa asnjë ngjitje shkallësh, pa asnjë provim, pa emocione. I vetmi mundim është firma e një çeku.

Renzo Bossi e mori diplomën e universitetit Kristal, pa shkelur asnjë sekondë në vendin e shqiponjave. Diplomën dhe dëshmitë e notave i mori me kënaqësi  në duar dhe, bile, iu lut një emigranti shqiptar t’ia lexonte se ç’thuhej në to. Të parën gjë që i lexoi emigranti ish ajo, që Renzo Bossi edhe në gjuhë shqipe nga katedra e Universitetit Kristal kish notën dhjetë!

Në mediat italiane ky skandal shkaktoi tërmet, por as edhe një qerpik nuk u drodh në Shqipërinë e kësaj qeverie. Dhe ky lëshimi i diplomave me para  nuk ishte një faj I thjeshtë. Ishte një nga krimet më të rëndë shtetërorë.  Këtu do të ishte rasti të dëgjohej klithma korale e atyre mijëra e mijëra të dipllomuarve jashtë dhe brenda vendit, në kohën e Zogut, të Enverit a të djallit vetë, përpara se ky tufan  korrupsioni i neveritshëm të fillonte të frynte kaq ashpër. Kjo gjëmë madhore i hedh pështymërat mbi stërmundimet e gjeneratave të tëra studentësh të përkushtuar të viseve arbërorë, përfshi dhe ato të autorit të këtij shkrimi. Ky fenomen poshtëronte tërë shënjtërinë e studimit, netët pa gjumë, kullimin e syve mbi manuale, stërlodhjen me termat e huaja, vrapimet nëpër shi duke mbajtur nën këmishë pranë zemrës për të mos lagur, dispensat, fjalorët. Ky fenomen sillte padrejtësisht në konkurim për vende pune të administratës shtetërore, që kërkonin zotër të vërtetë dhe jo nëpunës të fallsifikuar, të cilët zakonisht fitojnë edhe këto gara.

Ky atentat historik me përmasa të frikëshme kaloi pa u ndjerë, siç i  bën të kalojnë një drejtësi e infektuar nga një qeveri kriminale antikombëtare. Jo-jo, ndëshkime nuk u panë, por dhe zhurma u fashit, se qeveria shqiptare përdor një silenciator allasoj në të tëra bëmat e saj. Ajo fabrikon një zhurmë të dytë për të mbytur të parën. Vepron njësoj si ca mjekë popullorë, që kur u kërkon shërim për dhimbjen e kokës, të kafshojnë veshin dhe ti nuk ke më probleme me dhimbjen e kokës, se i ke me veshin pastaj!

Nxjerrja e diplomave me paratë e italianëve shfaqte qartë dukurinë mbi një mori diplomash universitare që u jepeshin injorantëve të sapopasuruar shqiptarë. Kjo ngritje e nivelit arsimor me para në dorë, nuk ish veçse një lloj përmbytje e re berishiane, si të tëra përmbytjet që u panë në këto njëzet e ca  vjet.

Do të më shkonte më mirë fjala inflacion, por përmbytja është më e afërta me dëmin që u shkakton ajo bukurive të vendit. Përmbytja në kuptimin e drejtpërdrejtë është një masë uji si imazh i fundit të botës, një shkretëtirë ujore. që i mbulon e i fsheh të tëra ujërat e tjera të bukura të pejzazheve: lumenjtë, përrenjtë, burimet, shatërvanët, kanalet e sistemuar,  sopet, kodrat e gjithëçka që formojnë pejzazhet e bukur natyrorë. Përmbytja nuk le të ngritura dhe ultësira, se i bën të tëra njësoj. Si përmbytjet e veriut, psh, që thuhej se ndodhin një herë në njëqind vjet dhe që në këto tetë vjet ndodhën njëqind herë!

Përmbytja në Shqipëri shihet në shumë fusha paralele. Në tabllonë e persekutimit komunist, si shëmbull tjetër. Ishin të shumtë ata që u pushkatuan, ata që vuajtën burgjeve dhe fushave të internimit. Por me dëshmitë e dhëna me dorë të lirë nga ca të përndjekur kuislingë që i kanë të lidhur telefonat vetëm me pushtetin e ish hetuesve të tyre, i tërë vendi dhe bota tej kufijve, u përmbyt me dëshmi përsekutimi e me të përndjekur që u nxirrnin gjuhën atyre që patën dalë pas dhjetra vitesh nga honet e ferrit.

Përmbytjen e betontë e sheh në ndërtime banesash, përmbytjet mashtruese i sheh në botime, në gazetari… E sheh në këpurdhimin e atyre televizioneve që ngjasin si binjakë, ngaqë çelen sapo blejnë katër kulltukët, mbi të cilët, ulen pas orës tetë të mbrëmjeve katër njerëz që grinden me njëri tjetrin për vlerat e burrave që mbajnë qeverinë dhe të burrave që duan ta përmbysin. Aq sa edhe po të kalosh para vetrinave të një shitore, ku ekspozohen mobila për dhoma pritjesh, të bëhet se matanë xhamit, ja-ja, do të dalë një moderator me kokë të rruar dhe katër debatuesit. E kokërruari duke u drejtuar gishtin e duke u zmbrapsur, do t’u japë falën të katërve që ka thirrur atje…

E pa dashur të listoj tëra përmbytjet dua të them se asnjëra nga këto nuk mund të krahasohet me pasojat rrënuese të asaj të arsimit universitar,

ku nivelet e përmbytjes kanë arritur lartësi të llahtarshme, duke lagur gjërësisht parlamentin, po-se-po, por edhe më lart, ku pjatalarës të suksesshëm, skafistë dhe doganierë me diploma të blera po kërcënojnë edhe qarqet akademike që nga pritet shpëtimi i vendit.

Për dijeninë e lexuesit, universiteti Kristal fillimisht u dënua që të mos pranonte studentë në vitin e ardhshëm shkollor. Pra iu kërkua që të pushonte për një vit sulmet që përmendëm më sipër. Pastaj dhe ky ndëshkim u arrit të mënjanohej dhe Kristali me universitetet të tjerë që, për nga numri, në ca qytete janë edhe më të shumtë nga gjimnazet, nuk kanë asnjë pengesë në  veprimtarinë e tyre të ndërgjegjshme kriminale.

Për këtë katrahurë kryepolitikani që në tërë këta vite të gjatë ka qenë në krye të punëve do të kish atë dëshirën e marrë  të kërkonte llogari dhe jo të përgjigjej.

Nga PELLUMB KULLA May 26, 2013 13:49
Komento

11 Komente

  1. ana May 26, 12:10

    Mos i fshini komentet,zoteri.Nuk kane asnje fyerje.

    Reply to this comment
  2. nik May 26, 13:14

    Keto lloj universitetesh e kane ulur standartin e injorances.Tani s’di te them kush quhet INJORANT.

    Reply to this comment
  3. Flamur Meta May 26, 14:07

    E nderuar Dita, i nderuar Kryeredaktor Adrian Thano. Që gazeta juaj ka arritur parametra të tillë me vlera unikale kanë meritë penat e forta që shkruajnë por unë do të vecoja të madhin Pëllumb Kulla. Jam i lumtur ta përshëndes nëpërmjet gazetës tuaj. Ing. Flamur Meta

    Reply to this comment
  4. diella May 26, 14:09

    Marr shkas nga ky shkrim i zotit Pellumb në të nderuarën Dita, qe Berisha nuk do të shpëtojë nga jeleku antiplumb edhe pasi të ikë nga pushteti në 24 qershor. Pasi ai është në hasmëri jo vetëm me tropojanët por sidomos me gjithë veriorët, kuksianë, hasjanë, dibranë, shkodranë, lezhjanë e deri fierakë e gjirokastritë. Ai kudo ku ka shkelur ka mbjellë përcarje vetëvrasje dhe hasmëri në popull kjo ka bërë që kur t’i ndodhë gjë nuk do të dijë kush se nga i ka ardhur.

    Reply to this comment
  5. hektor May 26, 19:41

    Jemi të gjithë të vetëdijshëm mbi dy standardet e kësaj qeverie joarsimdashëse. Janë prerë shirita, por sa janë ngjizur në shoqëri politika të frytshme të arsimit? Janë breza të tërë të papunësh që enden me diplomë por pa shpresë, në moshë për të punuar, por jo në kohë për të rinisur një tjetër drejtim jete; të pafundme paratë e harxhuara. Dështimi është i qartë e përgjegjësia shoqërore mbartet tek të gjithë ne!

    Zgjidhja vjen me votë.

    Reply to this comment
  6. krutani May 26, 19:44

    Ekziston një lidhje e ndërsjellë midis frymës së induktuar tek studentët e universiteteve sot, dhe frymës së injektuar tek klasat sociale, politike dhe ekonomike në të ardhmen. Për pasojë, mendësia e reflektuar në brezin e sotëm universitar do të jetë edhe mendësia e atyre që do të vënë në lëvizje ingranazhet e zhvillimit të së nesërmes. Qartësisht, kur shqetësohemi për nivelin e sotëm të shkollimit nëpër universitetet shqiptare, duhet të shqetësohemi edhe për fatin e Shqipërisë të pas 10 apo 15 viteve.

    Reply to this comment
  7. Gramoz May 27, 00:07

    me se fundmi te gjeta Z A THANO ZOTI I GZETES DITA ,E DITA 1000 TU BEFTE FALEMINDERIT SHUME QE NA MBAN LIDHUR ME MEMEDHEUN TONE DASHUR GAZETA JUAJ PASQYRON TE VERTETEN ,,,E LEXOJ ME SHUME DASHURI,POR ME LOT.PSEME LOT ./BEMAT DHE POSHTERSITE ,E ATYRE FASHISTEV QE ,QEVVERISIN VENDIN JANE KRIMINELE DHE TRADHETARE ,NE JEMI LARG ,NUK MUNDEMI TE BEJME DOT ASGJE .POR JU ME GAZETEN TUAJ MERUA ME TEMEN,LUFTONI ME MISH EME SHPIRT QETE XHDUKET AJO FARE E KEQE QE PO E HA SI KRIMBI DRURIN AJO QEVERI KUISLINGE ,QE PUNON NE DEM TE ATI VENDI E QE NEVE EMIGRANTEVE TE NA LENE TE VDESIM RUGEVE TE BOTES. TE LUTEM ZOTI THANO MBREHE MAJEN EPENES BEJE SHPATE DHE BJURUNI ASAJ LUKUNI UJQERISH SE NA SHKTERUAN VATANIN . RESPEKTE

    Reply to this comment
  8. Studenti May 27, 07:42

    Ju lumte goja dhe ju lumte dora z.Kulla.Shumekush e di kete te vertete te kesaj permbytje te vendit dhe zderhalljen tone universitare.Shumekush e mendon keshtu si ju, por duhet qendrimi i personave publike te kultures e te civilizmit qe e kane fituar statusin e fjales se besueshme si ju qe te kete peshe dhe vlere ne opinjonin qytetar.Por keta jane pak, disa jane tjetersuar nga pushteti, disa nga frika, disa nga leku, disa te tjereve keshtu u rri mire jeleku, disa te tjereve u mungon rradakja,tepeleku.Nu ka aventuriere ne bote me te guximshem se Salariu me klanin e tij qe te tallen me dijet ne emer te dijes.Absolutisht vepra e tyre eshte aventura me shkatrrimtare, qe do te lere pasoja ne breza.Keta matrapaze te pushtetit kane nxjerre ne çdo cep rruge, ne çdo skute, nen çdo ure shitblerjen e diplomave. Nje lukuni e madhe nepunsish administratash dhe te zgjedhurish te te gjitha niveleve jane perzgjedhur me diploma te blera, disa prej tyre as nuk e lexojne dot diplomen, disa te tjere nuk dine se ç’jane lendet ne çertifikaten e notave, disa prej tyre, dhe keta jane shume,”kane mbaruar universitetin”pa mbaruar shkollen e mesme.Kjo pohohet kudo, ne çdo mjedis njerezor, qyteti e fshati, me perjashtim te kupoles, qe mburret me turpin e vet, sepse ketu njerezit me injorante dhe antikulture jane ata me pushtet. Universitetin e konsiderojne tualet. .

    Reply to this comment
  9. tradita May 28, 00:04

    Nje analize medioker prej shpirtziu dhe nje nostalgjiku enverist qe eshte maskuar si i djathte. Kishe shkolle te madhe diplomatike ti zotrote kur berisha te emroj ambasador. kjo po, ishte nje budallallek i atyre qe te propozuan dhe Berisha te miratoj.

    Reply to this comment
  10. tradutore May 29, 08:01

    Salariu, siç e ka quajtur ai “studenti” ne komentin e tij, u ka bere shkollen e plepave “specialisteve” qe i nevojiten sa here ka nevoje te ndaje sukseset e pleshtave.As qe behet fjale per shkolle perveçse te thone “po” para e prapa, te shkojne per shkarpa dhe te çojne parate tek djali e vajza. Edhe brekushexhinjte e moçem beu, pashai, valiu i çmonin dhe i pyesnin njerezit e dijes dhe nuk i perbaltnin siç ben Salariu.Por ky eshte i teri shpellar i ziu, ka hapur 14 universitete publike dhe 52 private, aty ku nuk ia merr mendja njeriu sepse don te beje si ia do qejfi me sherbyesit e kupoles, siç ben macja dhe miu.Diplomat nuk i shet ai qe quhet analisti as nuk i merr parate e provimeve me liste ky lloji enveristi a djathtisti, por kete shkaterrim e ben shpellaristi me aventuren e nje donkishotisti me instinktin primitiv te pasurimit qe i sherben pushtetit te ketij soji militantisti-xhepisti.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*