Përplasja në Universitetin e Tiranës, Kule kundër Konit. Shkak ndryshimet e Karabinës

August 17, 2017 16:09

Përplasja në Universitetin e Tiranës, Kule kundër Konit. Shkak ndryshimet e Karabinës

 

Emërimi i anëtarëve të rinj, përfaqësues të Ministrisë, në Bordin e Administrimit të Universitetit të Tiranës është konsideruar shkelje e autonomisë financiare dhe ndërhyrje në funksionimin normal të universitetit nga disa drejtues të fakulteteve.

Por rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni e konsideron legjitime dhe kompetencë të ministres këtë ndërhyrje të saj.

“Bordi i Administrimit është i përbërë nga 7 anëtarë, përfaqësues të stafit akademik që përzgjidhen nga Senati akademik, përfaqësues me mandat 5-vjeçar, si dhe përfaqësues të ministrisë së linjës, që emërohen nga ministri”, thotë Mynyr Koni për Top Channel, rektor i UT-së.

I kontaktuar në telefon, dekani i Fakultetit të Drejtësisë, profesor Artan Hoxha e konsideron të jashtëligjshme këtë ndërhyrje që shkel autonominë e universitetit, pasi sipas Hoxhës, ministrja përdor termin zëvendësim, që nuk është term juridik, ndërkohë që më parë duhej të shkarkonte bazuar në shkelje që 3 anëtarët mund të kishin bërë, e më pas të emëronte 3 emra të rinj.

Por duket se ndryshimi i emrave në bord fsheh interesa financiare, pasi është ky bord që shpall kriteret për përzgjedhjen e administratorit të universitetit, i cili kujdeset edhe për financat. Kriteret nuk janë shpallur ende që prej 8 muajsh, kur ky bord është konstituuar, dhe Universiteti i Tiranës ka funksionuar me kancelar.

“Kriteret për përzgjedhjen e administratorit janë kompetencë ekskluzive e Bordit të Administrimit”, u shpreh Koni.

Rektori Koni, vetëm para pak ditësh ka pezulluar kancelarin e UT-së, Robert Skënderi.

“Kam pezulluar kancelarin e universitetit, për arsye të mospërmbushjes së realizimit të detyrave funksionale të tij dhe të bllokimit institucional”, tha Koni.

Në deklaratën e Rektoratit thuhet se kancelari ka penguar kryerjen e auditit të brendshëm, si dhe shkelje financiare. Ndërsa burime të Top Channel thonë se, përplasja ndërmjet kancelarit dhe rektorit ka ardhur si pasojë e ndërhyrjeve në kompetenca.

August 17, 2017 16:09
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*