Përqafimi i modelit të krishterë nuk përbën islamofobi

Alfred Lela November 11, 2012 12:39

Përqafimi i modelit të krishterë nuk përbën islamofobi

A është Shqipëria islamofobike?

Po është. Në blogosferë ama, ku anonimët bëjnë kërdinë duke u sjellë si misionarë e profetë por, falë Zotit, nuk i ndjek askush përveç frustrimit të tyre që s’u ndahet e s’u ndahet. Në median qendrore, atë që në anglisht quhet mainstream, nuk ka mbërritur ende dhe nuk besoj se do të ndodhë. Në këtë rast na shërben për mire ajo që në çdo rast tjetër themi se na shërben për keq: duke qenë një vend i vogël ku të gjithë njohim të gjithë, gjë që pengon një frymë kritike të shëndetshme, nuk besoj se dikush do të dalë me të madhe në faqe shtypi, ekran apo radio të anatemojë muslimanët, apo katolikët të themi, kur një orë më pas do të ndeshet me fqinjin e tij musliman apo katolik.

 

Prandaj gjithë vreri është zhvendosur online ku t’i mund ta shash tjetrin me rrënjë fshehur pas një emri të sajuar a një maske që të lejon jeta jote e dyfishtë në internet, të cilën nuk mund ta kesh në qytet. Më anë tjetër, është gabim të etiketosh si islamofobi mendime të shfaqura në mediat qendrore, të cilat më shumë shohin aspektin etik apo estetik të fesë, në këtë rast muslimane, sesa ndalen te programi i saj religjoz. Të thuash se Shqipëria është vend islamofobik do të thotë që me dashje të mos i vëresh lutjet masive në qiell të hapur në sheshin qendror të kryeqytetit apo thirrjen e autoriteteve për flijimin me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë së një mijë deshëve.

 

Nuk besoj se ka fobi ndaj Islamit në një vend ku një pjesë e konsiderueshme e popullisë i përket këtij besimi; çdo rrëshqitje drejt një gjendjeje të tillë paralajmëron rrezik për të gjithë. Por, për të qenë të hapur e për të mos luajtur rolin e fqinjit i cili për të shmangur përballjen në lagje e shfryn vrerin në internet, është mirë që dy-tre gjëra të thuhen. Të llojit etik dhe estetik, duke shpresuar se ata që e kanë islamin në zemër të dëgjojnë me dorë në zemër e jo me inat në sy. A mundet islami shqiptar të jetë më i butë, siç edhe ka qenë, se islami wahabist i Lindjes? Në dy praktika të paktën: muezinët, e inçizuar, që këndojnë këngën e lutjes në 5 të mëngjesit dhe e bëjnë këtë në një gjuhë që mund të ketë qenë e Profetit, por nuk është e shqiptarëve.

 

Në arabisht. Duke kuptuar se ajo që është e shenjtë për ndjekësit e një besimi nuk është kurrkund e tillë për ata që besojnë diku tjetër: p.sh., faleni paganizmin, te gjumi i tyre. Pse duhet që feja e dikujt të futet në dhomën e gjumit të dikujt tjetër? A nuk duhet të jetë feja diçka private? Nëse kërkon të demonstrohet, a nuk dëshiron të jetë diçka më shumë se e sferës shpirtërore? Këtu jemi prapë përballë asaj situatës: liria jote mbaron ku fillon e tjetrit etj. etj. Këtyre pretendimeve etike dhe estetike mund t’ushtohet edhe kahu orar i historisë. Shqiptarët, disa herë, me hir apo pahir, janë vendosur në kahun anti-orar të historisë. Të kujtojmë pushtimin osman dhe regjimin komunist. Tani në liri, ata deri në dëshpërim kërkojnë të jenë në anën e drejtë të historisë.

 

Kanë qëmtuar si të tillë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian. Do të ishte ekzagjerim i padrejtë në fakt, që t’u kërkoje shqiptarëve që të mos frymëzohshin nga një aleançë protestanto-katolike shtetesh, vetëm se ajo është e tillë, por nga Lindja ku iluminimi i fundit ka ndodhur para shumë shekujsh. Kërkon më pak se pragmatizmi shqiptar për të bërë zgjedhjen mes botës arabe dhe asaj Perëndimore. Sidomos kur shqiptarët kanë qenë për 40 vjet në Hoxhën, kush ka të drejtë t’u kërkojë që një diktator komunist ta zëvendësojnë me një ajatollah islamist. Në Lindje, prej shekujsh, nuk gjendet as edhe një model i vetëm sipas të cilit Shqipëria dhe shqiptarët të mund të shohin. Mes një modeli anglo-sakson, apo një tjetri taliban, khomenian, mubarakian, al assadian, pra qoftë islamist apo laik që vjen nga Lindja, nuk është fort ‘hyjnore’ t’u kërkosh shqiptarëve të zgjedhin të dytin.

 

As Zoti nuk do ta falte. Shqiptarët e kanë bërë zgjedhjen dhe rezistença e tyre ndaj modelit të dytë nuk duhet marrë si islamofobi. Duhet qortuar modeli dhe te ai duhen parë shkaqet e rezistencës së shqiptarëve. Sa thuhet më lart, kjo përplasje për modelet, ndihet edhe në gjirin e Komunitetit Musliman shqiptar dhe shpresojmë, si në çdo rast tjetër, që të fitojë qasja liberale. Ka qenë pikërisht liberalizmi i muslimanit shqiptar që ka mbajtur poshtë çdo shpërthim islamofobie dhe ata duhen falenderuar për këtë. Islamofobia, katolikofobia, ksenofobia e çdo fobi që ka të bëjë me tjetrin si të huaj nuk është kurrë lajm i mirë.

Alfred Lela November 11, 2012 12:39
Komento

6 Komente

  1. ani November 16, 07:08

    fatkeqesisht nje rremuje kjo e autorit ku kalon nga nje informacion ne tjetrin.
    autor, Shqiperia nuk eshte as Itali e as Greqi, por nga ana tjeter eshte as Turqi e aq me teper Egjypt, Siri apo Saudi.
    Shqiperia dhe Kosova jane vende evropiane, por me shumice myslimane. Kete nuk po e kuptoni ju dhe koleget tuaj.
    Sipas ketij realiteti duhet te vijne dhe zgjidhjet per Shqiperine.

    Reply to this comment
  2. genti November 16, 08:02

    Z. Lela shkruan “Në dy praktika të paktën: muezinët, e inçizuar, që këndojnë këngën e lutjes në 5 të mëngjesit dhe e bëjnë këtë në një gjuhë që mund të ketë qenë e Profetit, por nuk është e shqiptarëve.”
    Jam i mendimit qe kembanen e kishes qe bie ne CDO ORE ta ndryshojme me nje bori…nuk shikoj te ankohet njeri per ding-dongun e kembanes…. po nejse. Te shpikim lutje te tjera, e jo ato qe na vijne nga vatikani, sepse nuk jane shqip, kurse zgjimin e Krishtit ta bejme ne oren 12 te dites, e jo ne 12 te nates, si thoni ju z. Lela?

    Reply to this comment
  3. Zamir November 16, 13:46

    Ne nje kohe kur edhe vete hebrenjte e pranojne Islamofobine, si dhe tubohen edhe per te miren e tyre nga pasojat e Islamofobise ne territoret ‘anglosaksone’ :

    http://www.jewsagainstislamophobia.org/

    Ne nje kohe kur edhe shtypi jugperendimor e shquan me sy te lire kalimin nga antisemitizmi te islamofobia

    http://breziiri.com/2011/08/04/nga-antisemitizmi-tek-islamofobia-evropa-ne-mes/

    Ne nje kohe kur shtypi i hemisferes (jo blogosferes)safi katoliko- perendimore veren “nje lufte fetare brenda kontinentit”:

    http://www.presseurop.eu/en/content/article/2652561-new-war-religion

    Z. Lela kerkon te na hedhe hi syve se Islamofobia nuk gjendet ne Shqiperi! Edhe nje here ndoshta sipas Leles jemi i vetmi vend ne bote qe brigjet tona nuk preken nga “tallazet e fobite fetare mbareboterore “, sepse jemi shkemb granit buze Adriatikut.

    Shume nga deklarimet e z.Moisiu, nje pjese te konsiderueshme edhe pse jo te gjitha te z.Kadare, fundekrye deklarimet e fortlumturise se tij z.Ndreca, e shume e shume te tjereve …kuterbojne Islamofobi. Eshte tjeter gje qe muslimanet shqiptare nuk e kane problem te perballen edhe me gladiot e rinj mediatike, pasi jane perballur ne vite me me radhe me .kryqezatat mediatike ne Shqiperi “te soj e sorollopit Pamela Geller” ne versionin e gjuhes shqipe.

    Madje aq nuk u ben pershtypje muslimaneve ky murlan i rishtareve ” te fese te te pareve”, saqe edhe pse kane ne krye te institucionit te tyre( me detyrim percaktim) inxhinierin ultrakomunist gollobordas, Selim Muca – safi Islamofobik – ata nuk e vene ujin ne zjarr qe te heqin qafe nga KMSh-ja, se do te bezdiseshin me shume nga ndonje rishtar me frymen e Selimit, por me fuxhutin e rinise. Nuk ia vlen te biesh nga shiu, ne bresher. E jo se ia kemi friken a fobinë shiut a bresherit. Por ngaqe shiut ia kemi marre doren edhe kur falemi ne trotuar e shkallare, edhe pse Selimi ‘falet si pulë hungareze ne kondicioner”. Ky mund te jete qari i jomuslimaneve ne Shqiperi qe mund te rregullojne sipas qejfit te dhenat me Censusin.. Le ta mendojne njehere sikur kreu i tyre te ishte me dosje dhe te bente punen e tjeterkujt. Prandaj, kjo i ben muslimanet shqiptare me imunitet nga cdo lloj trysnie e furie “ne emer të… popullit, perendimit, anglosaksonise, frankmasonerise, katolicizmit a ortodoksise”. Per shkak se, kokat qe ulen me te shumenumerta ne gur a trotuar, ne zheg e acar, behen edhe me te forta e te pathyeshme, sesa kokat qe ulen ne qilimin e bute e te trashe, duke pasur ne krah ‘kushtezuesin e temperatures’.

    Jo me kot thuhet se ektremet puqen. Nje anti-Hoxhist i flakte si Lela bie pa dashje me qellim ne prehrin e nje politikani kryesor te politikes shqiptare qe qysh ne ne gjeneze mbart mbiemrin PRIFTI.

    Z. Lela po thote se Shqiperia eshte nje oaz ku nuk ka Islamofobi, por muslima5te e numerit “te konsiderueshem” duhet te jene me liberale ndaj Perendimit

    .

    Reply to this comment
  4. julian November 16, 13:51

    Artikullin tuaj e keni nisur si njeri neutral dhe e keni mbyllur si nje islamofob i kalsit te pare.

    Ka shume artikull me cfare mund te debatosh por une po merrem vetem me njeren fundin e tij.
    “Mes një modeli anglo-sakson, apo një tjetri taliban, khomenian, mubarakian, al assadian, pra qoftë islamist apo laik që vjen nga Lindja, nuk është fort ‘hyjnore’ t’u kërkosh shqiptarëve të zgjedhin të dytin.”
    Modeli jua i preferuar Anglo-sakson ka ideuar, sponsorizuar dhe mbajtur ne pushtet te gjithe ata diktator qe ju permendi perfshi dhe talebanet dhe me duart dhe heshtjen e tyre jane duke vrare me mijera njerez te pafajshem ne te gjithe ate rajon qe ti permend.
    Ne nuk duam te zgjedhim ndermjet atyre diktatoreve qe permendi ju dhe modelit anglo-sakson te bbc qe kapin femijet neper zyrat keto 30 vjetet e fundit apo modelit anglo-sakson te vjedhjes se pasurive natyrore te gjithe botes dhe varferimin te atyre vendeve ku vjedhja behej me ligje nderkombetare. Por duam nje model moral dhe njerezor qe te gjithe te jetojme ne harmoni pa vjedh njeri tjeterin.
    Sugjerimi im eshte qe heren tjeter ta shkruani artikullin duke u thelluar me shume ne histori dhe jo duke pare lajmet merrni shembull nga kolegu juaj amerikan Chris Hedges

    Reply to this comment
  5. tirana November 17, 20:52

    Lela nuk e ka mare vesh qe sistemi i demokracise perendimore eshte ngritur mbi luften kunder kishes. Kur qenka perqafuar ky modeli i krishtere? A i kupton ky robi termat qe perdor?

    Reply to this comment
  6. Bashkimi Europian, shkurt Cimi November 18, 13:30

    Europa e Bashkuar nuk eshte aleance “katoliko-protestante”, jo vetem per faktin se shumica e popullsise europiane eshte ateiste, por edhe per ate se greket e bullgaret qe jane pjese e ketij bashkimi, nuk jane as protestante e as katolike.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*