Përse Berisha ktheu mendje për dorëheqjen?

July 1, 2013 14:11

Përse Berisha ktheu mendje për dorëheqjen?

Sali Berisha ka postuar pardje në Facebook një koment të një 16- vjeçari, nga ata që dëshiron t’i bëjë me të drejtë vote, që i kërkon Berishës të mos ikë nga kreu i PD-së. Postimi pason një sërë gjestesh publike të Berishës, të cilat e bëjnë të pavlefshme fjalinë e tij formale për dorëheqje nga Partia Demokratike, për të cilën ka një lloj kurioziteti, pasi dorëheqjen nga posti i kryeministrit ia mundësuan shqiptarët.

Shenja e parë e shëmtuar e mos ikjes së tij është shfaqja në mbledhjen e kryesisë së Partisë Demokratike në krye të tavolinës dhe drejtimi i mbledhjes. Ai u tha demokratëve para selisë se prej atij momenti ishte një i barabartë mes tyre, ndërsa një ditë më pas drejton mbledhjen e partisë dhe dikton dhe ndryshime statuti në favor të ogiçit të vet, që do lërë dezhurn tek partia.

Nga pikëpamja formale, pasi ai jep dorëheqje, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së drejton mbledhjen dhe kryesia miraton hapjen e fushatës zgjedhore në parti. Kjo jo vetëm që nuk ndodhi, por shumica e kryesisë vazhdonte mbante shënime kur fliste ai.

Shenja e dytë e fortë e mos ikjes së tij është dhe skema e zgjedhjeve në parti. Ashtu siç sillej me zgjedhjet në Shqipëri, kur për çdo herë ndryshonte rregullat, dhe për zgjedhjet në parti do të ndryshojë rregullat duke shpikur parimin një anëtar- një votë. PD është një parti që nuk ka asnjë inventar anëtarësh dhe çuarja me urgjencë e zgjedhjeve me këtë parim, do të bëjë që Berisha të aktivizojë një trupë votuese për t’i shërbyer përmbushjes së projektit të tij. Duke ju trembur idesë se drejtuesit e vejtur të PD-së kontrollojnë strukturat aktuale dhe mund të pengojnë Bashën të zgjidhet kryetar, Berisha praktikisht po shkrin strukturat e partisë për të legjitimuar zgjedhjen e Lulit në krye të saj.

Shenja e tretë janë kandidatët. Të përfolur deri tani në garë janë Lulëzim Basha për kryetar dhe Sokol Olldashi, Eduard Selami dhe Arben Imami për dekor. Njeriu që duket se do përdoret më shumë për dekor është Olldashi, pasi ai do të tentojë të bëjë sikur do të bëjë garë dhe do të jetë pjesë e lidershipit të ardhshëm të PD-së në ndonjë post të përkohshëm, derisa ta flakin në rrugë.  Imami dhe Selami janë secili më vete dy njerëz të gatshëm të përdoren për të siguruar mbijetesën në PD si njerëz që nuk prishin punë. Imami me këtë rast gëzon beneficet e fituara nga pushteti, ndërsa Selami heq merakun e rikthimit në SHBA, pasi mund t’i japin shansin të jetë sërish deputet po u soll mirë.

Si për ta faktuar se hija e tij qëndron mbi gjithë këtë proces, Berisha po përdor rrjetet sociale për të treguar se demokratët e vërtet kërkojnë rikthimin e tij, por ai thjesht është në krye të punëve derisa të caktojë pasardhësin.

Tashmë kjo punë është e përfunduar. Lulëzim Basha do të  jetë formalisht kryetari i ri i PD-së, dhe Berisha mendon se me këtë zgjedhje përveçse ruan kontrollin e vet mbi partinë, shpëton dhe Bashën nga rihapja e dosjes së rrugës Durrës- Kukës dhe hetimet për 21 Janarin. Partia Socialiste e ka në premtimet e saj elektorale se do riçojë dosjen e rrugës Durrës- Kukës në prokurori për të rihapur hetimet dhe do bëjë ç’është e mundur që gjykimi i 21 Janarit të mbështetet mbi hetimin e bërë nga FBI. Këto dy premtime e çojnë Bashën drejt bankës së drejtësisë dhe veshja e tij me imunitetin fallco të liderit të opozitës, duket se do jetë e vetmja masë mbrojtëse që Berisha po merr për të. Është kjo arsyeja që Berisha ktheu mendje nga dorëheqja e menjëhershme nga çdo detyrë dhe po vazhdon të jetë në krye të punëve në qeveri dhe parti, për të krijuar një imunitet të ri për mosndëshkueshmërinë e tij pas ikjes nga pushteti. Edhe pse nuk ka asnjë ngut të bëjë zgjedhje brenda dy muajsh, edhe pse e kupton se PD humbi mes të tjerash nga flakja e personaliteteve dhe zëvendësimi i tyre me Flamurin dhe Mesilën, edhe pse e di mirë se PD-ja refuzoi arrogancën dhe skandalet e Familjes së tij, ai është i pamëshirshëm. Ai e di se me këtë që po bën kjo parti, shkon parti e tretë në vend në zgjedhjet e ardhshme, por sërish preferon t’i shkojë deri në fund betejës për ta vdekur partinë e për ta marrë me vete në botën tjetër, pa lejuar që ajo të rithemelohet si një parti vlerash dhe personalitetesh që nuk kanë lidhje me historinë e Sali Berishës.

 

***********

 

Më poshtë është një pjesë e përgjigjes së Berishës për “16 vjeçarin Gentian” postuar sot në FB-në e Berishës. Dje Berisha postoi “kërkesën e Gentianit” që dëshironte që Berisha të mos ikte nga PD:

I dashur Gentjan,

komenti yt ne FB, qe u vendos dje pasdite edhe si status, u be me shpejtesi nje “bestseller” ne rrjetin tone social. Nga Insight rezulton se ka mbi 23.200 likes, mbi 2220 komente dhe eshte lexuar nga 360 mije persona. Une e kam lexuar dhe rilexuar ate, me shume kenaqesi dhe interes dhe me ka bere shume përshtypje. Vertete eshte shume mbreselenese.

Se pari dua te theksoj se me pasionin tuaj te jashtezakonshem per politiken, qe ne moshen 11-vjecare,  me rolin aktiv ne tre fushatat e fundit elektorale, me vleresimet e tua per arritjet e Partise Demokratike, pranimin nga ju te humbjes se PD-se, duke mos dashur kurre te bej profetin, por me dukesh si nje enfant prodige i PD. Une si mik po te rrefej se une, Sali Berisha, njeriu qe ti admiron, ne viziten time te pare ne SHBA, me mikun tim Gramoz Pashko, ne shkurt te vitit 1991, pyetjes se Sekretarit te Shtetit ne detyre, ne zyren e tij, se si po ecte fushata jone elektorale, iu pergjigja se pothuaj asgje nuk dime ose dime per fushatat, vetem cfare kemi pare ne TV-te italiane. Dhe une isha 46 vjec. Imagjinoje cfare pergjigje do te jepje ti sot, 16 vjec, per fushaten zgjedhore, me eksperiencen e tre betejave elektorale. Une te uroj nje te ardhme te shkelqyer ne politike.

Ne rrefimin tend te bukur dhe emocionues, me nje force te brendshme mahnitese, ne cdo fjale spikat krenaria per arritjet e PD-se si nje frymezim i vertete dhe burim i entuziazmit per ty. Vertete, arritjet e ketyre 5 viteve te Partise Demokratike na bejne te ndjehemi krenare me njeri- tjetrin, me Partine Demokratike, me Shqiperine.

(në këtë pjesë të “përgjigjes për Gentianin” rifillojnë ato që Berisha ka përsëritur në fushatë dhe në fjalimin e dorëheqjes dhe përsërit se PD-ja humbi nga programi që paraqiti ose nuk paraqiti në fushatë. Dhe më pas vijon:)

Keshtu pra, miku im, ne humbem duke mbrojtur vlerat dhe parimet qe ne besojme, lirite ekonomike te individit, konkurrencen e ndershme, drejtesine e vertete sociale dhe sic thote Cherchill, ata qe bien duke luftuar, ngrihen perseri. Dhe ne rame duke mbrojtur kauzen tone te drejte dhe shume shpejt do te ngrihemi ne nje fillim te ri, te fuqishem.

Se fundi, i dashur, si nje admirues i flakte i imi, ju shkruani se mezi prisnit te ndiqnit me shume admirim mbledhjet e qeverise apo ato te grupit parlamentar, te kryesuara nga une, si dhe veprimtari te tjera te miat. Dhe, vertete, tani nuk do te me shohesh ne TV te kryesoj me keto mbledhje, mirepo ti do te me kesh me afer se kurre, do te me shohesh ne krahun tend dhe te te gjithe demokrateve te tjere, 18 ore ne dite, ne cdo aktivitet ne parlament dhe kudo, duke luftuar se bashku si luane te vertete, gjersa PD-ja te fitoje perseri dhe ora e integrimit dhe zhvillimit te Shqiperise te ecin me shpejtesine e ores se PD-se.

Te perqafoj, Sali Berisha

 

 

************

Berisha: Një 16-vjeçar më shkruan “s’mund ta pranoj dorëheqjen tënde nga PD”

Kryeministri në detyrë Sali Berisha ka nisur të publikoj në faqen e tij në Facebook komente dhe kërkesa të anëtarëve të PD-së që i kërkojnë atij të mos jap dorëheqjen. Pak minuta më parë ai postoi këtë koment ku një i ri i thotë se nuk e koncepton dot qeverinë pa të në krye.

Më poshtë komenti i Gentianit postuar nga Berisha: Te dashur miq, ky eshte komenti i Gentjanit, nje 16 vjeçari i cili e ka postuar ate ne statusin tim te fundit. Me emocionoi ne menyre te veçante, ndaj dhe deshiroj ta ndaj ate me ju dhe ti plotesoj atij deshiren per ta vendosur mesazhin e tij si status timin: “Pershendetje Zoti Kryeminister. Une qe po ju shkruaj jam, Gentjan Kerciku 16 vjec. Kam filluar ta ndjek politiken qe ne vitin 2008 kur ju ishit kryeminister ne mandatin e pare qe te themi te drejten rezultoi shume i suksesshem. Kam qene pjesmarres aktiv ne fushaten e PD ne 2009, ne 2011 dhe ne 2013 ne Komunen e Farkes perkrah Fatbardh Plakut. Perfshirja ime ne fushata ishte vetem nje menyre e te shprehurit MBESHTETJEN E FUQISHME qe kisha per ty si Politikan dhe njeheresh si kryeminister. U lidha shume me politiken qe i vogel por ne te vertete isha i lidhur shume me Politiken qe ju benit zoti Kryeminister. E kam ndjekur hap pas hapi Politiken deri me sot. Madje me lejoni te ju tregoj dicka te bukur ne lidhje me kete.

Kur kishte Mbledhje te KM, Mbledhje te Grupit parlamentar te PD ose Mbledhje te Parlamentit mezi prisja te mbaronte mesimi qe ti ndiqja ato Live, madje disa here i kam ndjekur edhe ne shkolle Live nepermjet Androitit tim. Isha i lidhur shume me politiken. Madje ata qe me njohin me thonin o fiksuar pas politikes, sepse nuk ishte normale qe nje djale ne moshen time te ndiqte politiken me aq pasion. Shikoja cdo nate emisione qe trajtonin Debate politike sidomos emisionin e Blendi Fevziut OPINION. Ndiqja me shume pasion edhe drejtimin qe ju i benit qeverise shqiptare dhe te admiroja. Ishit Idhulli im me plot gojen. Ju ishit arsyeja sepse e ndiqja aq fuqishem politiken sepse admiroja Karrieren tuaj, admiroja karakterin tend, personalitetin tend por edhe natyren e humorit qe ju karakterizon. E mendoja qe nje dite do te isha edhe une atje ne gjirin e PD ne krahun tuaj. Une vleresoj jashte mase shume punen qe ju keni bere si Kryeminister i ketij vendi sepse ju e keni bere te prekshme kete pune te palodhur te juajen.

Une e pranova Rezultatin e ketyre zgjedhjeve ashtu si edhe ju por ate qe nuk mundem ta pranoj eshte Doreheqja nga Kryetar i PD. Jam ende i merzitur nga ky vendim i juaji sepse une ne te vertete nuk i konceptoj dot Mbledhjet e KM pa ju, nuk e konceptoj dot Parlamentin pa pranine tende, pa humorin tuaj.

Tani nuk e di me nese dua te vazhdoj te merrem me politike sepse pa pranine tende politika me duket e varfer. Por nje gje dua te te them se ju zoti SALI BERISHA keni qene, jeni edhe do te jeni kryeministri i shqiperise si dhe lider i PD…. Tani JU JENI LIDERI ME HISTORIK I SHQIPERISE. Ju uroj Shendet ne rradhe te pare juve dhe Zonjes suaj. Ju uroj gjithe te mirat ju dhe Familjes tende.”

July 1, 2013 14:11
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*