Përse çuditet shqiptari?

Nga VIKTOR MALAJ May 26, 2013 10:37

Përse çuditet shqiptari?

Që shqiptarët të çuditen sa më pak dhe të forcojnë besimin se qëndrimet e diplomacisë perëndimore përcaktohen nga parimet demokratike dhe jo nga xhepi i Podestës dhe i podestëve, duhet që zyrtari amerikan, që pritet të vijë në Tiranë këto ditë, të dëshmojë një qëndrim pa ekuivokë për ato po ndodhin tani në vendin tonë. Në këtë mënyrë, edhe respekti dhe dashuria e shqiptarëve për këto vende do të njohë vetëm rritje.

******

“Mençuria qëndron në të çuditurit” – Sokrati

E vërteta është se, sot, shumë shqiptarë nuk çuditen fare, edhe pse kanë një mijë arsye ta bëjnë një gjë të tillë kur shohin çfarë shohin dhe dëgjojnë kë dëgjojnë t’iu bëjë moral dhe t’iu tregojë rrugët e së ardhmes. Këta shqiptarë nuk çuditen sepse anormaliteti është aq i pranishëm në jetët e tyre saqë ka nisur të fitojë qytetarinë.

Mirëpo, janë një pjesë e shqiptarëve që, jo vetëm çuditen por edhe lemerisen kur shohin se para tyre, në sytë e tyre, në kundërshtim me arsyen dhe moralin e tyre, ndodhin gjëra që vijnë në kundërshtim me formimin e tyre dhe me respektin që ata kanë për të drejtën dhe të vërtetën. Nëse këta qytetarë janë edhe më të mençurit, atëherë thënia e Sokratit u shkon për bukuri.

Sot, fjalën e kam për çuditë që na i shkaktojnë të huajt, me qëndrimet dhe sjelljet e tyre, qëndrime dhe sjellje që mbërrijnë deri në fyerjen e inteligjencës së njeriut normal.

Natyrisht që një popull i pjekur dhe dinjitoz nuk duhet të presë receta nga të huajt për çdo gjë dhe, aq më pak, t’i konsiderojë të huajt si të dërguar të Perëndisë në tokën e tyre. Të mësosh nga eksperienca e huaj është mençuri, por, t’i kalosh fjalët dhe sjelljet e të huajve në filtrin e arsyes është tregues i dinjitetit personal dhe kombëtar. Fatkeqësisht shqiptarët nuk janë të lirë ta bëjnë këtë . Janë të sunduar nga një gënjeshtar megaloman dhe, njëkohësisht, servil e i nënshtruar ndaj të huajve, gjithnjë i gatshëm t’u plotësojë çdo kërkesë në këmbim të mbështetjes për të vazhduar sundimin.

Pavarësisht lirisë së kufizuar, shqiptari i përgjegjshëm çuditet kur dëgjon Institucionet Evropiane të monitorimit të zgjedhjeve të pohojnë se votat në Shqipëri janë numëruar  “keq dhe shumë keq në një të tretën e tyre” (në 2009). Dhe, pas këtij konkluzioni therës, pohojnë se rezultati është i pranueshëm ngaqë “zgjedhjet kanë bërë hapa përpara krahasuar me të mëparshmet”. Çuditet shqiptari, jo se nuk e kupton dot që keqnumurimi në masën 33 %, shënon regres të thellë në krahasim me zgjedhjet e mëparshëm, në të cilat keqnumurimi ishte 1%. Shqiptari çuditet se nuk i besohet që institucione të tilla, propaganduese të rrepta të parimeve demokratike për shtetin e së drejtës, të marrin haptazi në mbrojtje falsifikimin e zgjedhjeve dhe  falsifikatorin e tyre, Sali Berishën. I çuditur dhe i fyer shqiptari pyet veten: si është e mundur që, ndërsa një qytetar i kësaj bote nuk lejohet të hyjë në një shtet të BE kur në dokumentet e tij të identifikimit i është shënuar vendlindja me një shkronjë të gabuar, ndërsa një milion shqiptarëve iu “numërohen keq” dokumentet e votimit dhe kjo quhet normale!?

Nuk ka si të mos çuditet njeriu normal kur dëgjon deklaratat e zyrtarëve perëndimorë që bëjnë bashkëpërgjegjës si dhunuesit e zgjedhjeve, që falsifikojnë vullnetin e popullit, ashtu dhe të dhunuarit, opozitën që i përfaqëson. Ai vë re që diplomacia perëndimore “rreh me pambuk” Sali Berishën, të cilit ia pati dokumentuar dhunimin e zgjedhjeve të majit 1996 dhe, më pas, në korrespondencën e vet diplomatike e quan “kreu i trukimit të zgjedhjeve në Shqipëri” (shih dokumentet e publikuar nga Wikileaks); ai vë re, gjithashtu, që diplomacia amerikane shkruan në dokumentet e saj zyrtarë se “Popullit shqiptar i është hequr mundësia të ndërrojë lirisht qeverinë e vet” (shih Country Reports – 2012), por çuditet që qëndrimi i saj ndaj mohuesit të kësaj të drejte, nuk është në përpjesëtim me konkluzionin. Prandaj pyet: si është e mundur që qeveria amerikane, që ne shqiptarët e mbajmë për tempullin e demokracisë, nuk mban as qëndrim të çfarëdoshëm qortues ndaj atij që i heq popullit të vet mundësinë për të zgjedhur qeverinë që dëshiron?

Procesit të çuditjes nuk i ka shpëtuar as shqiptari më naiv. As ky nuk ka si të mos çuditet kur kujton se, para pak viteve, pa të alarmoheshin dy ambasadorë të shteteve kryesore të botës (BE dhe SHBA), ngase disa të rinj të qytetit të Lezhës protestuan kundër një banori të atij qyteti, që u vetëdeklarua homoseksual në “Big Brother Albania”. Ndërkohë që nuk i pa këta ambasadorë ta ngrinin fort dhe qartë zërin kur vullneti i një milion shqiptarëve, që votuan për zgjedhjen e kryetarit të bashkisë së Tiranës, u falsifikua “live” (me transparencë, bërtiste Saliu) në prani të tyre dhe të gjithë shqiptarëve.

Çudia bëhet e pashmangshme kur shohim që një zyrtar i lartë amerikan vjen me vrap në Shqipëri sapo hiqet ( në kundërshtim me ligjin ) një anëtar i KQZ dhe, në vend që ta dënojë aktin si përpjekje për manipulim të zgjedhjeve të ardhshme, e gjen të udhës të shprehet shumë i shqetësuar pse disa individë kishin demonstruar me parulla (personalisht isha kundër atij demonstrimi) para shtëpisë së një deputeti të shitur në ankand (?). Është normale për këdo të pyes: cili akt përbën rrezikshmëri më të madhe shoqërore dhe shkelje brutale të të drejtave të njeriut, një demonstrim i tillë paqësor, apo vrasja e katër demonstruesve të pafajshëm dhe kërcënimi që bën kryeministri në parlament për vrasje të tjera, madje duke veçuar hapur edhe kreun e opozitës?

Qysh pas zgjedhjeve të manipuluara të vitit 2009, shqiptarët kanë filluar të ngrenë pikëpyetje për sjelljet dhe qëndrimet e të diplomatëve të huaj. Por pas vrasjeve të 21 janarit, pyetje si të sipërmet dhe të ngjashme me to janë shpeshtuar. Përgjigjet që marrin qofshin me vend, qofshin të lëshuar  kuturu po zënë vend në vetëdijen e popullit. Ka ardhur koha që këtë realitet miqtë e vërtetë të Shqipërisë ta njohin dhe vlerësojnë.

Shqiptarët kanë nevojë për qëndrime jo vetëm të drejta, por edhe shumë të qarta. Me gjithë vullnetin e mirë që mund të ketë ambasadori amerikan në Tiranë, më duhet të them se thënia e tij e para pak ditëve se “Do të ishte e turpshme që Shqipëria ka këtë histori të zgjedhjeve të kontestuara…” duket sikur nuk i kullon, por i turbullon edhe më shumë ujërat e politikës tek ne. Nga kjo thënie duket sikur është turp të kontestosh një proces zgjedhor të dhunuar, pra të paligjshëm dhe nuk qenka turp ta dhunosh procesin, pra të kryesh krim. Qëndrimet as mish, as peshk ndihmojnë vetëm peshkun e madh të hajë të vegjlit.

Që shqiptarët të çuditen sa më pak dhe të forcojnë besimin se qëndrimet e diplomacisë perëndimore përcaktohen nga parimet demokratike dhe jo nga xhepi i Podestës dhe i podestëve, duhet që zyrtari amerikan, që pritet të vijë në Tiranë këto ditë, të dëshmojë një qëndrim pa ekuivokë për ato po ndodhin tani në vendin tonë. Në këtë mënyrë, edhe respekti dhe dashuria e shqiptarëve për këto vende do të njohë vetëm rritje.

Nga VIKTOR MALAJ May 26, 2013 10:37
Komento

1 Koment

  1. Dike Mullai thote- May 26, 12:38

    Te shpresojme qe Zyrtari AMERIKAN te njoh “Cudite” Shqiptare te permbledhura SAKTE ne artikullin e mesiperm. Ju falenderoj Z. VIKTOR MALAJ!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin