Përse do të mbahet mend kjo fushatë?

June 22, 2017 09:27

Përse do të mbahet mend kjo fushatë?

 

Nga Bedri Islami

 

Janë ditët e fundit të një fushate të pazakontë. Vështirë se do të përsëritet, aq më tepër se disa nga precedentët e krijuar kësaj here, do të harrohen shumë shpejt, megjithëse pasojat e tyre do të ndjehen në katër vitet e ardhshme. Dy muaj më parë, askush, jo vetëm politikanët, por edhe analistët më syzgjuar, nuk do të mendonin se kjo fushatë do të ishte e tillë, kufijtë e së cilës shkojnë nga groteskja tek tragjikja.

  1. Ndarja e pabesueshme e së majtës, si duket, do të jetë vendimtare. Tani askush nuk bën më fjalë për një koalicion paszgjedhor. Në të kundërt, nga gjithë akuzat e hedhura, pak kush mund ta besojë se këto dy forca kanë bashkëqeverisur në katër vitet e shkuara. Nëse dikush kërkon të përfytyrojë një qeveri të tillë, që nga shtatori i vitit 2013 dhe deri në fillimin e këtij viti, kur të plasurat e hedhura ende nuk të jepnin greminën ndarëse, shumë lehtë mund të mendoje jo një kabinet qeveritar, por një fushë beteje. Paska qenë një luftë e nëndheshme dhe që u shfaq brutalisht në momentin e fundit.

Më tepër se sa “larje hesapesh” në bazën e militantëve, gjithçka duket si një përleshje kupolash, ku krerët i janë vërsulur njëri-tjetrit “vendçe”. Janë trazuar dallgët, por nuk ka lëvizur fundi i ujërave. Por ndikimi i “dallgëve” të politikës është e mundur të trazojë gjithçka. Meta dhe Rama e kanë shpallur luftën: i pari kërkoi armatosjen e qytetarëve se i rrahën një militant, i dyti thirri në ndihmë policinë që me kapele nën sqetull të dalë e të mbledhë vota për të dhe dihet se si mund të mbledhin vota ata.

Siç ndodh në çdo duel, ata thirrën në ndihmë sekundantët: Meta thirri Berishën dhe kjo nuk është gjë e re; Rama thirri në ndihmë Nanon dhe kjo është gjë e re. I pari ka shumëçka në dorë, i dyti, tani për tani, vetëm çelësat e makinave ë tij, 007.

  1. Fushata filloi si asnjëherë tjetër: me opozitën në çadër dhe përbetimin e saj se nuk njohin asnjë zgjidhje tjetër, veçse çastin kur Rama, shefi i qeverisë, kokulur, do të dorëzonte tek shefi i opozitës dorëheqjen e tij dhe do të kërkonte ndjesë për “krimet”.

Basha, njeriu- çadër, e filloi në 18 shkurt aktivitetin e tij si kryetar i opozitës, e njohur ndryshe edhe si Shqup-i politik. Deri në mesin e shkurtit kishte vegjetuar, kishte pasur raste të ngritjes së kokës, si për Vettingun, por e kishte ulur shpejt. Në shkurt e kishte kuptuar se nuk ishte më në qeverisje dhe se, shumë lehtë, “tigrat e tigreshat” rreth tij, mund ta hidhnin tutje. Deri atëherë ai e kishte kuptuar politikën, ashtu siç kishte menduar se është qeverisja: “ i frymëzuar prej idesë së tregtisë, kishte shitur çfarë kishte mundur, të vërtetën, ndërgjegjen, deri nderin politik dhe mbi kokë i vardisej hija makbethiane e katër të vrarëve në bulevardin kryesor të shtetit.

Refuzimi i zgjedhjeve ishte një risi që opozita nuk e kishte bërë as në vitin famëkeq 1997, por po shkonte drejt saj si drejt një mirazhi. Zërat kundër po bëheshin minorancë, pasi lista e deputetëve të ardhshëm nuk dihej. Lista e deputetëve është e njëjtë me listën e borderosë dhe të përfitimeve. E vështirë të heqësh dorë prej saj. Ata që e provuan, tani janë jashtë.

  1. Befasimi i 17 majit. Kur gjërat po shkonin drejt mbylljes, u hapën dhe u hapën më shumë nga sa ishte menduar. Të përvëluar nga mostakimi, dy liderët kryesorë , u kthyen në Romeo dhe Zhuljeta. Si duket, sa herë që Basha thoshte “nuk takohem, veç për dorëheqjen e tij”, mendonte se “ kur do të takohemi”.

17 maji filloi si një ditë e zakonshme, por do të mbyllej si një natë e pazakontë. Meta i kishte ftuar më parë liderët e partive parlamentare për të gjetur një zgjidhje, por dera nuk ishte trokitur nga opozita. Tani opozita po e provonte shansin e saj dhe çuditërisht gjetën brenda dy nga tri partitë qeverisëse.

Tjetri kishte dy rrugë, ose do të mbeste jashtë dhe do të damkosej, ose do të luante lojën e tij. Bëri të dytën, por loja i kaloi përmasat e një marrëveshje. Rama, duke u kthyer nga Elbasani, kthim i zakonshëm, shkoi të bënte të pazakontën: marrëveshjen dypalëshe, duke i lënë të tjerët jashtë.

  1. Zemërimi i Ramës nuk është si zemërimi i Akilit, por edhe ai ka thembrën e dobët të tij. Kaq e madhe u bë mëria e tij ndaj aleatëve, saqë do të bëhej gati të pranonte disfatën e jashtme; dorëzimin e një pjese të pushtetit, për të arritur fitoren e brendshme të tij: ndëshkimin e dy partive aleate që po bëheshin ta trajtonin si djali plangprishës.

Një nisje e tillë nuk kishte ndodhur kurrë. Hutimi zgjati pak në aleatin kryesor, LSI. Fillimisht ishin pro marrëveshjes, megjithëse e dinin se do i godiste vetë ata, pastaj nisën fillesën e revanshit. Makthi i keq i socialistëve është Berisha, të cilin e kanë mundur kur kanë qenë bashkë, dhe, të cilët i ka mundur kur kanë qenë të ndarë. Meta shkoi tek Berisha për të dorëzuar ndarjen dhe ishte pikënisja e futjes së tij në lojë. Por, si radhë herë, ose më saktë, si në vitin 2009, me Berishën në krah ose krah tij. Biseda e atij mëngjesit do të zbërthehet pas zgjedhjeve: paralajmërimi është bërë.

  1. Meta del nga vetja. Në LSI ka një postulat që lidhet me autoritetin dhe besimin ndaj Metës, “askush nuk është ndarë prej tij pa e ndjerë veten më trim”. LSI është gjysmë parti e gjysmë detashment. Në kohën e zakonshme është strukturë e organizuar politike, në betejat zgjedhore është detashment.

Lideri i vendosur rastësisht, Vasili, nuk kishte as hijen, as aureolën dhe as takatin e një lideri që mund të mbante detashmentin të organizuar. Fillimisht Meta dërgoi atje alteregon e tij, Kryemadhi, dhe kur e mendoi se as kjo nuk mjaftonte, hyri edhe vetë.

Ai hyri si një dem në një dyqan çikërrimash dhe përmbysi gjithçka, nganjëherë duke shkuar në absurdin e një njeriu që për katër vite ishte sjellë “me qetësi dhe dashuri”. Ai doli nga vetja, nga roli i tij i ardhshëm si presidenti i një vendi dhe u bë më militant se militantët e thekur të tij.

Në fakt ai e bëri këtë pasi e di më mirë se gjithë të tjerët se, nëse nuk do të ishte futur, krijesa e tij, LSI, do të rrezikohej edhe njëherë si në vitin 2008. Tani nuk mund të hipë mbi stola drejt vendit të Kryetarit të Kuvendit, pasi kryetar është ai vetë. Atëherë hipi në majat e tribunave politike, duke mos e lënë Vasilin të rritej, që edhe ai vetë e di se nuk do të rritet.

  1. Heshtja e Berishës. E pamenduar. Njeriu i shkelmimit të çdo rregulli dhe i pasionuar pas mitingjeve, tani bën vetëm ciu ciu në rrjetet sociale. Ka heshtur për të gjithë, por edhe kur ka folur, nuk ka thënë asgjë. Para tij ka shkuar gjithçka, deri edhe një listë që i heq miqtë e tij, por ai nuk e ka kthyer kokën pas. Në mesnatën e 17 majit drejt tij nuk ka pasur asnjë telefonatë “luljane”, siç ndodhte pas çdo pushimi në takimet me ndërkombëtarët, ai e ka marrë vesh marrëveshjen vetëm pak minuta para të tjerëve dhe shumë orë më pas ka mësuar për veçoritë e saj, si të ishte krejt jashtë loje. Përsëri nuk është ndjerë. Ka heshtur.

Berisha e di se zgjedhjet janë të humbura, ashtu siç e di se, nëse PS do të qeverisë e vetme, ose me aleatë minorë, mllefi politik e jo vetëm politik i Edi Ramës  do të bjerë mbi të. Më e rënda: mbi familjen e tij, të cilët , edhe kur fitojnë në një vit deri në 1 milionë euro, edhe pse pa punë, askush nuk i pyet, të paktën për të larë gojën: Ku i gjete?

Duke e ditur se me Bashën gjithçka ka humbur, ai po përgatit kundërgoditjen e përbashkët me Metën, rikthimin e dyshes në pushtet, kësaj here përmes njerëzve të tyre të besuar. Nëse Basha ia arrin dyshes pushtetore, atëherë është i falur; nëse nuk ia arrin, ai do të presë zemërimin e Berishës. Pastaj rruga drejt Holandës për të do të jetë normalitet.

  1. Turrja në mediat vizive. Si asnjëherë më parë. Turravrap. Pa marrë parasysh se ku, në cilin orar, me cilin analist. Çdo natë, çdo pasdite. Pushtim i media. Aneksim sipas preferencave. E pandodhura, ndodhi. Në të njëjtën natë, në të njëjtën orë, në tri kanale TV janë tre liderët. Media turret drejt tyre. Përqafimi i akullit me zjarrin.

E veçanta është tek zemërimi i disa analistëve , që deri me 17 maj ishin bashianë fanatikë, bile shkonin edhe përtej tij. Të nesërmen ata u ndjenë të tradhtuar. Dukej sikur Basha i kishte prerë në besë. Kishin predikuar gjithfarë skenarësh, deri edhe djegie e rrëmujë, bojkotim total, pushtim institucionesh dhe befas u gjendën ku nuk e kishin menduar. Jashtë lojës. Analizat e tyre kishin qenë të kota. Ai i la në rrugë.

Thuajse të gjithë janë kthyer drejt LSI dhe Metës, megjithëse deri me 17 maj ai ishte i anatemuari i dytë i qeverisjes.

  1. Së fundi/ loja me qeverinë, ku një e treta është teknike, një e treta i takon kampit armik dhe një e treta, pjesa e qeverisë Rama, nuk janë në zyrat e tyre, por në fushatë.

Qeveria i është lënë teknikëve: detyra e tyre është përgjimi. Kush shkoi në miting, kur shkoi, me cilët foli, çfarë bindjesh ka, cilët ka shokë, dhe, kur gjendet sebepi, largohen nga puna.

Një qeveri të tillë, gjysmë kalimtare dhe me pjesën e larguar që pret të kthehet në pushtet,askush nuk e ka parë deri tani.

Tepsia e pushtetit është ndarë në tre pjesë, por secila kërkon jo pak, por sytë e tjetrës.

Kjo është fushata. Do të mbahet mend gjatë, si njëra nga ato që as nuk të ndezin, e as nuk të shuajnë.

As mish, as peshk.

Hibrid.

June 22, 2017 09:27
Komento

3 Komente

  1. anticensurë25642654 June 22, 09:57

    bedri
    “Dy muaj më parë, askush, jo vetëm politikanët, por edhe analistët më syzgjuar, nuk do të mendonin se kjo fushatë do të ishte e tillë, kufijtë e së cilës shkojnë nga groteskja tek tragjikja.”
    a e di se çdo të thotë kjo që ke shkruar??
    do të thotë se jeni qorra,të shitur,injorantë që nuk kuptoni asgjë dhe kur ndodh dhe jo më ta parashikoni!!
    kjo fushatë e një niveli spartakiadë estrade të koperativave u duk që pak pasi ngriti çadrën beduine gadafi fallco i hollandës!!që aty u duk dilentatizmi politik,infantiliteti mendor i politikës tonë,i analistëve tanë!!
    zotësija juaj e vetme është pasja e kohës për të zgjedhur fjalë të bukura dhe në pamje llogjike!!
    pjesën tjetër e keni materie të errët!!ajo materie që thuhet se egziston por akoma nuk e ka parë kush!!

    Reply to this comment
  2. korçari June 22, 10:19

    Z Islami thirja e Like floririt te partive te opozites kishte per qellim organizimin dhe bashkimin e te gjitha partive kunder Rames (Ketu bashkohet me qellimin e ruseve) duke e detyruar Ramen te beje marreveshjen e famshme me Bashen i detyruar nga hileja e Metes ,dhe tani Like blloku ne dore do te pranoje humbjen dhe besoj se do te kete nevoje akoma per nje avokat te zotin si ne rastin e videos se Priftit .Per maskarenjte gjithmone ka nje fund pa lavdi ose me TURP ,ky eshte fundi i Like floririt,Salehut,Bashes,Bodes,Imamit,Topallit,Pollos Palokes dhe shume paloqeve te tjere.(Ka dhe nga e majta)per emrat me vone.

    Reply to this comment
  3. Dielli June 22, 14:05

    Nje permbledhje e shkruajtur shkoqur dhe qarte, per cilindo njeri qe deshiron, vertete, te kuptoje cpo ndodh në dhe me “politik- (h)anet” tane ne kete vend.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*