Përse gjermanët janë shumë kursimtarë? Historia e këtij reputacioni

April 1, 2018 14:09

Përse gjermanët janë shumë kursimtarë? Historia e këtij reputacioni

 

Gjermanët njihen se janë shumë të kujdesshëm kur shpenzojnë paratë dhe janë të prirur të vënë disa para mënjanë si në kohë të mira edhe në kohë të këqija.

Por nga vjen ky reputacion?

Një ekspozitë në Berlin, e quajtur “Kursimet – Historia e virtytit gjerman”, shpjegon historinë pas kësaj “manie” kombëtare.

Megjithatë jo të gjithë e shohin këtë zakon të Gjermanisë si një virtyt. Kurnacëria e gjermanëve është prej kohësh në qendër të shumë barcaletave, ndërsa suficiti shumë i madh i qeverisë gjermane shihet me kriticizëm nga SHBA dhe FMN.

Sido që ta përceptoni tendencën e gjermanëve për të kursyer, është e qartë që ky zakon nuk erdhi rastësisht. Ekspozita tregon se mbi 200 vite reklamim nga bankat dhe qeveria kanë vënë në dukje rëndësinë e të vënit para mënjanë si garanci për të ardhmen. Kjo është rrënjosur dalë ngadalë në psikologjinë e kombit.

Shekulli XVIII

Ideja se një person i përgjegjshëm kursen për t’u kujdesur në të ardhmen për veten e tij dhe për familjen u bë pjesë e ndërgjegjes kombëtare në fillim të shekullit të 18-të.

Bankat filluar të vizitonin shkollat, duke u mësuar fëmijëve të kursejnë që në moshë të re. Shumë shpejt edhe shteti e pranoi këtë fenomen, çka solli një “shpërthim” në numrin e bankave të kursimit të bashkive në fillim të shekullit të 19-të.

Qeveria kuptoi shumë shpejt se bankat e kursimit shërbenin për disa qëllime njëkohësisht: ato ndihmonin në parandalimin e varfërisë, nga ana tjetër ndihmonin të garantohej kontrolli social, si edhe së treti ndihmonin komunat që kishin nevojë për fonde pas luftërave me Napoleonin.

Një arkë kursimi metalike e lëshuar nga Banka e Dresdenit pas vitit 1945

Të kursyerit në kohë të vështira

Kursimi ka qenë pjesë e jetës edhe në kohët e vështira në Gjermani. Gjermanët u inkurajuan të blinin bono lufte për të ndihmuar vendin gjatë Luftës së Parë Botërore. Mentaliteti i të kursyerit mbijetoi edhe gjatë krizës së pasluftës dhe inflacionit të lartë të Republikës së Vaimarit, edhe pasi vlera e kartëmonedhave gjermane u zerua në vitin 1923.

Kur Hitleri erdhi në fuqi në vitin 1933, i bombardoi gjermanët me propagandën se kursimi ishte detyra e tyre patriotike dhe se mund të kundërvepronte ndaj kapitalit financiar të çifutëve. Depozitat kapën majat dhe u përdorën për të financuar përpjekjet e luftës.

Pas Luftës së Dytë Botërore, bankat filluan të përshtasnin reklamat me jetesën në ndryshim. Nga viti 1970 e tutje, marketingu e adresonte të kursyerit jo si obligim moral, por si një zakon që të lejon të kesh prona ose të shkosh me pushime.

Edhe normat e ulëta të interesit e viteve të fundit nuk e kanë zbehur qëndrimin e gjermanëve ndaj kursimit. Ekspozita shprehet se “të patrazuar nga superinflacioni, krizat ekonomike botërore, apo interesat historikisht të ulëta”, gjermanët kanë mbajtur një normë të lartë konstante kursimi për një kohë të gjatë, pa pothuajse asnjë devijim të thellë dhe duke reaguar shumë pak ndaj zhvillimeve politike dhe ekonomike.

Dhe ja pse gjermanët kursejnë pavarësisht çdo gjëje. Kuratori i ekspozitës e përshkruan këtë mentalitet kursimi si unik. Për shumë qytetarë të Gjermanisë, të paturit një bilanc pozitiv është një synim që ia vlen çdo përpjekje./Scan

a.s/dita

April 1, 2018 14:09
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*