Përse makthi grek është larg mbarimit

September 8, 2018 09:17

Përse makthi grek është larg mbarimit

Greqia nuk është më nën tutelën e institucioneve europiane dhe FMN. Komente optimiste të shumta përshëndetën lajmin. Pikëpamje që eseistja eurokritike, Coralie Delaume nuk e mbështet, në një intervistë për Figarovox. Për të, situata sociale e vendit mbetet e rënduar dhe e ardhmja ekonomike e financiare e Greqisë është shumë e errët

FIGAROVOX.- Që nga 20 gushti 2018, Greqia nuk është më nën tutelën e Bashkimit Europian dhe FMN-së. A ishte me të vërtetë një “ditë historike”, siç thonë udhëheqësit? A ka shpëtuar Greqia?

Coralie DELAUME.- Jo. U kënaqëm duke blerë pak kohë, gati sapo shkatërrojmë ekonominë e vendit.

Dalja e një prej anëtarëve të Eurozonës thjesht është shtyrë. Miti i pakthyeshmërisë së këtij të fundit thuajse është ruajtur, pavarësisht se kërcënimet e “armiqve Grexit”, të krijuara nga kreditorët e Athinës në vitin 2015, e kanë dëmtuar atë. Mbajtja e euros në Greqi, pavarësisht gjithë vuajtjeve të duruara nga populli, është për disa, dëshmi se kjo monedhë është e pavdekshme. Kjo do të ishte e para në histori, por në të njëjtën kohë, ka të bëjë me besimin e fortë për sa u përket marrëdhënieve të liderëve tanë me euron. Siç e shpjegon politologu belg François Foret, “euro është në vetvete një shenjt i ri europian që justifikon të gjitha sakrificat ekonomike, sociale dhe kulturore”.

Shkurtimisht, mbajtja e Greqisë në Eurozonë ka shtyrë perspektivën për të parë shpërbërjen e e euros. Përveç kësaj, vendit i ka kushtuar shtrenjtë: Tsipras dhe Syriza kanë abuzuar me gjithçka në të cilën ata besonin. Ata hoqën dorë për t’u dhënë fund masave shtrënguese. Greqia është e destinuar për të qenë e dobët për një kohë të gjatë. Kthesa e vogël që pati nga rritja e vitit 2017 (1.4%) pasi humbi më shumë se një të katërtën e PBB-së që prej fillimit të krizës, a nuk është provë se shëlbimi nga asketizmi është i mundur?

Ne, gjithashtu shtymë momentin kur Greqia do të dështonte pagesën e borxhit të saj dhe ku kreditorët – të cilët pavarësisht se janë 80% të përbërë nga institucione europiane (Banka Qendrore Europiane – BQE, Mekanizmi i Stabilitetit Europian – MES, Fondi Europian i Stabilitetit Financiar) dhe shtete europiane – do t’i nxirrnin nga xhepi i tyre. Pasi ne nuk i dhamë para Greqisë, ne ia huazuam.

Për arsyen e vetme që Greqia të mund të sigurojë shërbimin e borxhit të saj. Tani për tani, kjo i ka sjellë të ardhura kreditorëve, pasi Athina paguan interesa. Midis 2012 dhe 2016, në vetëm katër vjet, BQE pati 7.8 miliardë fitime nga titujt e borxhit grek. Ka qenë gjithmonë çështja se këto shuma duhet t’i rikthehen Greqisë, por gjithnjë ka një arsye të mirë për të mos e bërë këtë. Eurogrupi u angazhua sërish në qershor të këtij viti, por vetëm mbi fitimet e obligacioneve greke të përfituara duke filluar nga 2017, jo mbi ato të arritura në vitet e mëparshme. Për më tepër, këto regrese do të mbeten “të kushtëzuara nga mbajtja e reformave e pranuara nga Greqia”, siç tregohet në njoftimin e Eurogrupit për këtë çështje. E thënë ndryshe, ne sigurohemi që politika e masave shtrënguese do të vazhdojë.

Gjermania ka bërë para edhe në kurriz të Greqisë pasi Berlini tani është i lirë në tregje. Borxhi i saj shërben si një “strehë e sigurt” për investitorët që kërkojnë investime pa rrezik. Kjo i lejon asaj të kursejë shumë para, por ajo nuk jep hua falas. Shifrat e Ministrisë gjermane të Financave (të cilat u detyruan t’i japin në Bundestag për t’iu përgjigjur një pyetjeje parlamentare) raportojnë një fitim të mrekullueshëm neto të Berlinit mbi Athinën midis 2011 dhe 2017.

Gjermania ka fituar 3 miliardë euro në sajë të borxhit grek. Me pak fjalë, deri më tani, kriza greke u ka sjellë fitime kreditorëve. Por ditën që Greqia nuk do të paguajë më, do t’u kushtojë shtrenjtë. Qeveritë e shteteve kreditore do ta kenë të vështirë ta justifikojnë çështjen ndaj opinionit publik që është gjithnjë e më armiqësor ndaj Bashkimit Europian.

A do ta ndërpresë Greqia domosdoshmërisht shlyerjen e borxhit të saj, d.m.th. në pamundësi për të paguar?

Kjo është ajo që thotë FMN prej disa vitesh! Të paktën që nga viti 2015, kur ai tregoi në një raport (Raporti i FMN-së nr. 15/186) se “borxhi grek ishte totalisht i pazbatueshëm” dhe propozoi që të fshihej pjesërisht.

Me fakte, a do të thotë kjo që Greqia do të mbetet, nën kujdestari deri në vitin 2060?

Ka pak gjasa që Eurozona të vazhdojë të ekzistojë në vitin 2060. Sa i përket Greqisë, ajo padyshim mbetet nën kujdestari. Ose nën “mbikëqyrje të përforcuar”. Kjo është ajo që Pierre Moscovici shpjegoi më 20 gusht: “Greqia do të jetë në gjendje të financojë veten në tregje dhe të përcaktojë politikën e saj ekonomike. Është një vend krejtësisht i lirë, por ka një mbikëqyrje më të madhe”. E lirë, por nën mbikëqyrje të përforcuar! “Lufta është paqe. Liria është skllavëri. Injoranca është forca”, shkruante Orwell te “1984”. Ne kemi të bëjmë me të njëjtën semantikë të çmendur me udhëheqësit e Bashkimit Europian…

Në fakt, po, siç e tha dhe Klaus Regling, shefi gjerman i MES në një intervistë në qershor 2018 në të përditshmen greke “Ta Nea”, një “sistem paralajmërimi i parakohshëm, – do të mbetet në fuqi, – derisa të gjitha paratë të jenë ripaguar”, domethënë deri në vitin 2060. Bëhet fjalë sigurisht në mbajtjen e masave të vazhdueshme shtrënguese, sepse “zbatimi i reformave është një detyrë e përhershme. Nuk ka përfunduar kurrë. Dhe kjo është e vërtetë për të gjitha vendet e botës, për të gjitha vendet e Bashkimit Europian dhe për rrjedhojë, për Greqinë”.

Cila është gjendja sociale e Greqisë sot?

Të gjithë treguesit janë alarmues dhe gjithashtu, të gjithë e kuptojnë. Numrat në shtyp janë rritur, njëri më i habitshëm se tjetri.

Papunësia me siguri ka rënë në 20% pasi u rrit deri në 28% në kulmin e krizës. Por pagat janë të ulëta dhe vazhdojnë të ulen. Sipas një sondazhi të publikuar nga faqja “keeptalkinggreece.com”, i kryer në fillim të vitit në Athinë dhe në rajonin e saj, më shumë se gjysma e të punësuarve në vitin 2017 kanë qenë me kohë të pjesshme ose për një pagë nën 500 € në muaj, që do të thotë se punonjësit e varfër janë legjione. Përveç kësaj, pagat paguhen në mënyrë të rastësishme, më vonë për 42% të punëtorëve.

Ndërsa niveli i papunësisë te të rinjtë është 43%, shumë prej tyre po largohen nga vendi. Midis 350,000 dhe 420,000 njerëz (shifrat ndryshojnë sipas studimeve) u larguan nga vendi gjatë periudhës mes viteve 2008 dhe 2016. Krahasuar me një popullsi prej 11 milionë banorësh, ky është një numër i lartë, duke shtuar dhe shkallën e ulët të fertilitetit (më pak se 1.4 fëmijë për grua), gjë që e çon vendin në ulje të popullsisë dhe drejt plakjes. Përveç kësaj, shpesh janë të rinjtë e kualifikuar të cilët emigrojnë, që do të thotë se ata nuk do të ndihmojnë në rimëkëmbjen e vendit.

Gjysma e grekëve jetojnë në një pension pleqërie, të tyre ose të një të afërmi, por numri i pensioneve ka rënë mesatarisht me 40% që nga viti 2010.

Pensionet janë reformuar 14 herë. Gjendja shëndetësore është përkeqësuar dukshëm dhe 40% e familjeve lënë pas dore kujdesin për arsye financiare.

Një studim i kryer mbi mostrat e marra nga ujërat e zeza në Athinë tregon rezultate të habitshme: ndërsa konsumimi i barnave antibiotike dhe antiinflamator ka rënë, konsumi i barnave psikotrope (benzodiazepine dhe ilaçet kundër depresionit) u shumëzua me 35. Në katër vjet! Dhe e dinim se shkalla e vetëvrasjeve ishte rritur ndjeshëm (+ 35% midis 2008 dhe 2017). Kostoja njerëzore e masave shtrënguese është e madhe dhe nuk ka perspektivë përmirësimi në afatshkurtër.

A ka mësuar diçka nga kriza greke, Bashkimi Europian?

Jo. Bashkimi Europian sillet në mënyrë të çuditshme dhe dogmatike: nuk nxjerr mësime. Sipas tij, është në dorën e popujve europianë të nxjerrin mësime: gjithçka që ndodh janë gjithmonë ata në faj. Shembulli grek tregon se ne nuk mund të thyhemi nga masat shtrënguese e duke e parë në kuadrin aktual kombëtar dhe ndërkombëtar. Ai që përpiqet, menjëherë është goditur dhe i nënshtrohet një magjie të përafërt me atë të një vendi të mposhtur dhe të pushtuar. /Monitor

 

o.j/dita

 

 

September 8, 2018 09:17
Komento

1 Koment

  1. Arben September 8, 12:03

    Po keta sikur e kaluan lumin??!!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*