Përse ndryshimi klimatik është një problem arsimimi

Filipe Calderon July 14, 2016 18:35

Përse ndryshimi klimatik është një problem arsimimi

Ndryshimi klimatik na prek të gjithëve ne, por ne ende nuk po veprojmë aq shpejt sa duhet për të zgjidhur shkaqet e saj, për të matur dëmin dhe për t’u përshtatur me pasojat. Shumë njerëz nuk e kuptojnë rrezikun e ndryshimit klimatik ndaj ekonomisë globale dhe strukturave sociale. Dhe, për fat të keq, shumë që e kuptojnë nuk i përfillin përfitimet e thella që do të sjellë ndryshimi global drejt energjisë së qëndrueshme dhe të pastër.

Sipas një studimi të fundit Pew, shtatë nga dhjetë amerikanë të klasifikuar si të pavarur politikë nuk ishin shumë të shqetësuar se ndryshimi klimatik do t’i dëmtonte ata. Edhe më keq, kërkuesit e Universitetit të Jeill zbuluan së fundmi se 40% e të rriturve në botë nuk kanë dëgjuar ndonjëherë për ndryshimin klimatik. Në disa vende në zhvillim, si India, kjo shifër shkon në 65%.

Këto shifra janë dekurajuese, por ato mund të përmirësohen. Studimi i Jeill arriti në përfundimin se “edukimi priret të jetë parashikuesi më i fuqishëm i ndërgjegjësimit publik mbi ndryshimin klimatik”. Duke investuar në arsim cilësor, ne mund të shohim se si brezi i ardhshëm do të shkojë në rrugën e duhur në adresimin e këtij problemi global.

Arsimi dhe veprimi klimatik ndërveprojnë së bashku në tre mënyra. Si fillim, arsimi mbush hendeqet e dijes. Duke kuptuar se si ndryshimi klimatik ka pasur tashmë një impakt në jetën e dikujt, kjo sjell përfitime praktike. Kjo është veçanërisht e vërtetë për popullatat e varfra që janë gjithashtu më vulnerabile ndaj problemeve me të mbjellat dhe katastrofat natyrore, si rrëshkitja e dheut dhe përmbytjet, shkaktuar nga ndryshimi klimatik. Popullatat që duhet të rindërtojnë nga zeroja gjithë jetën pas një katastrofe të re nuk i kapin mundësitë e zhvillimit të shpejtë. Duke kuptuar se bota e tyre po ndryshon – dhe se gjasat e katastrofave në të ardhmen po shtohen – këto popullata mund të ndërtojnë rezistencë dhe të mësojnë të përshtaten me presionin e papritur dhe të ngadaltë të një klime në ndryshim.

Së dyti, edukimi ndryshon apatinë. Duke ditur masat e nevojshme për të zgjidhur ndryshimin klimatik, kjo hap mundësi të reja për zhvillim ekonomik. Investitorët globalë duhet të kuptojnë se zgjidhjet e qëndrueshme mund të shtojnë mirëqenien dhe të krijojnë mundësi ekonomike shtesë. Për shembull, në Nigeri arsimi dhe teknikat e përmirësuara të fermerëve ndihmuan në dyfishimin e të ardhurave të fermerëve për më shumë se 1 milionë njerëz, ndërsa rikthyen në shina disa toka shterpë. Në SHBA, në vitin 2014, kishte më shumë punë që vareshin nga energjia diellore sesa nxjerrja e qymyrit.

Ende, shumë njerëz këmbëngulin se zbatimi i masave për të pakësuar efektet e ndryshimit klimatik është shumë i kushtueshëm ndaj mënyrës sonë aktuale të jetesës. Sipas studimit Pew, thuajse shtatë nga dhjetë njerëz besojnë se për shkak të kufizimeve teknologjike, atyre do t’u duhet të bëjnë ndryshime madhore në stilin e jetesës. Kjo nuk është thelbi, dhe edukimi mund të ndryshojë llojin e skepticizmit që pengon mundësitë për bashkëjetesë me klimën.

Së fundmi, edukimi ofron dijen teknologjike të nevojshme për të ndërtuar një të ardhme më të mirë përmes inovacionit – që përfshin energjinë e pastër dhe të sigurt, bujqësinë e qëndrueshme dhe qytetet inteligjente.  Zgjerimi i aksesit ndaj edukimit do të çonte në më shumë inovacion lokal – sipërmarrës që pikasin mundësitë për të zgjidhur problemet vendase. Në shkallë globale, ne nuk mund të mbështetemi te qendrat e dijes si Silicon Valley apo Oksfordi për të zhvilluar një zgjidhje të artë për problemin klimatik. Zgjidhjet mund të vijnë nga qendrat teknologjike, por ato gjithashtu do të vijnë nga fshatrat dhe qytetet në zhvillim, nga fermerët dhe prodhuesit me perspektiva të ndryshme për botën që i rrethon. Dhe kjo do të krijojë një cikël virtuoz. Është më e lehtë që njerëzit e arsimuar të migrojnë dhe të integrohen në shoqëri të reja, duke ndarë dijet që kanë mbi shpinë.

Fatmirësisht, brezat e rinj sot janë më të arsimuar dhe më të zotuar të pakësojnë gjurmën e tyre prej karboni në botë sesa brezat e mëparshëm. Ata po çajnë rrugën dhe po na detyrojnë të gjithëve të rimarrim në konsideratë veprimet tona. Por ne duhet të zgjerojmë disponueshmërinë e arsimit kudo në botë për të siguruar se përpjekjet e tyre nuk do të shkojnë dëm.

Në njohje të rëndësisë së arsimit, qeveria e Norvegjisë, nën lidershipin vizionar të kryeministres Erna Solberg, ka krijuar Komisionin Ndërkombëtar të Financimit të Mundësisë së Arsimit Global, ku unë jam anëtar. Ne do të takohemi këtë javë në Oslo dhe unë shpresoj se ne do të përballemi me sfidat e kohës sonë dhe do të veprojmë duke ditur se arsimi është aseti më i mirë për të zgjidhur problemet, të cilin ne e disponojmë.

Zgjidhja e rreziqeve që vijnë prej ndryshimit klimatik nuk është vetëm një detyrim ekzistencial; është gjithashtu një mundësi për të ecur përpara drejt një rruge zhvillimi më të pastër, më produktive dhe më të drejtë. Vetëm një shoqëri globale e arsimuar mund të ndërmarrë veprimin vendimtar që nevojitet për të na çuar përpara.

Filipe Calderon July 14, 2016 18:35
Komento

1 Koment

  1. Arben July 15, 08:06

    BEN VAKI EDHE ESHTE KESHTU SIC THOTE KY.

    SA ESHTE MUNDESIA QE SOT NE TOKE TE VIJNE ALIENET, AQ ESHTE EDHE MUNDESIA TE JENE TE VERTETA KETO PERRALLA.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*