ANALIZA: Duke qenë “i paanshëm”, ai është i humbur. Pse “i treti i domosdoshëm” me natyrë të qëndrueshme po bie shpesh pre e anktheve

May 21, 2020 12:36

ANALIZA: Duke qenë “i paanshëm”, ai është i humbur. Pse “i treti i domosdoshëm” me natyrë të qëndrueshme po bie shpesh pre e anktheve

Nga Bedri Islami

Shumë vetë, pas fillimit të pandemisë dhe shtrirjes së saj në kaq shumë javë, duke parë reagimet e presidentit Meta ndaj vendimeve dhe qëndrimeve qeveritare, përgjithësisht si një filial i saj, menduan se mes tij dhe shefit të qeverisë, Edi Rama, ka filluar detanta e re politike që mund të sillte rishtas një darkë ngjalash në Gjirin e Lalzit, në vilën e stërmadhe të familjes.

Dhe kishte diçka që të shpinte në këtë mendim: befas, pas 2 marsit, kur Meta ra në gjunjë dhe thirri në ndihmë gjithë opozitën në paraqitjen e tij “mbi palët”, pra , pas kërcënimeve të vazhdueshme, të ashpra, të përforcuara edhe nga aktorë që e menduan 2 marsin si një skenë fatlume për të qenë të njohur pas harresës së madhe, Meta filloi të zbutet. Njeriu që kundërshtonte për gjithçka, herë me të drejtë e më shumë për inerci të qëndrimit të tij kundërshtues ndaj qeverisë, befas u duk se kishte nisur linjë të re, mirëkuptues, i arsyeshëm, bashkëpunues, i çiltër, mirëkuptues, sa që, nga njëra anë ithëtarët e opozitës u egërsuan me tradhtinë e radhës, ndërsa nga ana tjetër u mendua se tani nuk do të ketë më nevojë për atë komisionin parlamentar që merret me gjynahet e Metës, pasi gjërat po mbyllen.

Tani gjërat po shkojnë edhe një herë si ishin në fillimin e muajit mars, e ndoshta, edhe përtej tij. Presidenti, edhe një herë, si ka ndodhur gjatë gjithë mandatit të tij të deritanishëm, doli në fushëbetejën e tij politike, aty ku e ndjen veten më mirë dhe ku mund të jetë më i sigurt.

Të gjithë ata që menduan se do të ketë një pranverë të dytë mes tij dhe shefit të qeverisë, duke kujtuar 1 prillin e dikurshëm të aleancës së majtë, e ndjenë se akujt nuk kishin nisur të shkriheshin, por po zinin një kore të re dhe po bëheshin më të thepisur, për të qenë të gatshëm në përplasjen e radhës, që secilit i duket si përplasja finale.

Çfarë ndodhi në harkun e pak ditëve, të cilat ndryshuan edhe një herë marshin presidencial nën tingujt e opozitës?

Vërtet Meta ka qenë kaq shumë i preokupuar për godinën e Teatrit Kombëtar, sa që tani të gjitha thirrjet e tij, pas shembjes së saj janë drejtuar për shembjen e qeverisë, duke e ngritur nivelin e angazhimit nga një çështje administrative që po shkon drejt qasjes politike, në një çështje kombëtare, ku rikthehen edhe një herë akuzat e tradhtisë?

Ka pasur vërtet në të gjithë jetën e tij politike kaq angazhim nga vetë ai dhe të tjerët rreth tij për artin në përgjithësi, teatrin në veçanti, sa që tani u duket gjëmë e mbi gjëmë dhe kanë vënë kujën si meshtarë të vetëm të mbrojtjes së demokracisë?

Të hënën e shkuar, kur po përgatitej apo kishte filluar protesta e aktivistëve të teatrit, ku mund të isha edhe unë, mediat vizive paraqitën ardhjen e zonjës Kryemadhi, bashkëshortes presidenciale, në një nga markat e fundit të autove moderne. E qetë, e sigurtë në pamjen e saj, sportive, mospërfillëse ndaj gjithkujt, duke vrapuar shkoi të bashkohej me ata që mendon ende sot se do të jenë kauza e saj politike, pasi nuk ka gjetur asnjë tjetër. Do të ishte e mjaftueshme ajo ardhje “triumfatore” për të zhbërë gjithçka rreth mjerimit dhe kafshatës së bukës, e, për më tepër rreth hallit të saj për teatrin, të cilin nuk e kanë parë deri ditën që menduan se po bëhet kauzë.

Meta, si politikan, shquhet për nuhatje të pazakontë dhe krijues i rrymave të forta në politikë. I mësuar të jetë “i treti i domosdoshëm” në vitet e fundit, ai, më shumë se të tjerët, duke ruajtur animin e peshores nga ana e tij, është kacavjerrur në politikë dhe ka bërë politikë. Është bashkuar e ndarë me Nanon, është bashkuar e ndarë me Ramën, është bashkuar e ndarë me Berishën, rishtas bashkuar e ndarë me  Ramën, e gjithherë e ka ndjerë veten të qenurit dorë e fortë në politikë. Forca që krijoi dhe që po ia shkatërron e shoqja, deri më tani, ishte e domosdoshme. Tani ka filluar rënia, zbehja dhe mund të jetë shpërbërja.

Meta e di se duhet të dalë në skenë, tashmë si kundërshtar i rreptë i pushtetit. Pasi e provoi të ishte krahas tij në kohën  pandemisë, ai menjëherë e vërejti se nuk ishte i besueshëm, jo vetëm për socialistët, që e kishin harruar se ka qenë dikur i tyre, por po humbiste edhe aty ku mendohej se mund të ishte, në krye të forcave opozitare. Përbetimi që i kishte bërë jo shumë kohë më parë shefi i qeverisë një gazetari pranë Metës, se, do e shkatërronte atë, si duket nuk ishte harruar. Mbetej rikthimi tek të bërit i besueshëm i opozitës.

Natyrë e qëndrueshme, shpesh herë pre e anktheve, ai e ka kaluar një pjesë të jetës së tij politike në një gjendje lufte; rob i emocioneve më tepër se sa një skraparlli normal, ai është i rreptë për të mbrojtur vijën e tij dhe, po të kishte qenë shefi i opozitës, në vend të Bashës, ai me siguri që nuk do të kishte luajtur nga istikami i teatrit, duke luajtur edhe një rol tjetër të jetës së tij.

Gjuha e Metës është ajo e forcës. Stili i tij është agresiv, i drejtpërdrejtë dhe kërcënues. Në pozitën e presidentit ai nuk do të kishte mundur ta bënte këtë nëse do i përmbahej asaj që bën sikur i falet, Kushtetutës. Duke qenë i paanshëm, ai është i humbur; duke qenë mbi palët ai është jashtë rrethit të vëmendjes, duke qenë i heshtur, ai është i humbur. Nëse hesht ai, nëse është jashtë vëmendjes dhe i humbur, bashkë me të humb edhe ajo çka krijoi, LSI, dhe fillon një kalvar tjetër: gjykimi.

Ilir Meta e di se në të gjitha rastet që ka qenë i akuzuar atë e ka mbrojtur zhguni që ka pasur mbi vete; posti qeveritar apo presidencial dhe se zhveshja e tyre do të thotë përballja me shumë gjëra që mund të rikthehen.

Cilido njeri tjetër, ndaj të cilit do të kishte një video përgjim, të vërtetuar nga një strukturë nga më të larta hetuese si FBI, do të kishte pasur telashe me gjykatat. Nëse kjo strukturë e lartë u devijua nga një treshe e gjetur nga Pollo për ta bërë të pabesuar incizimin ministror, kjo ndodhi vetëm në gjykatën e korruptuar, por jo tek ajo që njerëzit besojnë.

Mjaftuan vetëm disa ditë dyshim mbi qëndrimin e Metës ndaj qeverisë në ditët e pandemisë dhe pikërisht nga ajo masë që kishte dalë ta mbështesë me 2 mars vërshuan aq shumë mallkime dhe shpërrallje akuzash dhe aferash, sa nuk kishin dalë asnjëherë më parë. Pra, dëshmuan se është lehtësisht i gatshëm për ta shitur.

Opozita sot është në një gjendje nokdauni. E trullosur, pa mendim real dhe pa një vizion të dukshëm. Atë që mundohet ta ndreqë Lulzim Basha ditën, nën një paraqitje të re, falë edhe këshilltarëve nga një vend i njohur për politikë racionale, ia prishin natën një tufë njerëzish, shumë nga të cilët përcjellin mesazhin e Berishës për një politikë ndryshe, duke mbetur ora e tyre në pranverën e vitit 1991.

Meta president e di se kjo opozitë kërkon të ketë një frymë tjetër, ashtu si është mësuar: agresive, të papërmbajtur, të ashpër në deklaratat politike, kërcënuese dhe jo si kërkon ta sjellë tani shefi i tashëm i opozitës, më të qetë dhe jo në tiparet e tashme shpërthyese.

Meta e do vendin e Bashës, pas tij është Berisha, por mundësia për ta marrë është e vështirë. Së pari, se Basha ka krijuar një grupim të ri pranë vetes, që megjithëse nuk shquhen për ide, janë të paktën luajalë ndaj shefit dhe mund të rrinë në politikë vetëm përmes pëlqimit të tij. Së dyti, Basha mund të rrëzohet vetëm nëse nuk fiton zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe si duket do e ketë të vështirë, në mos të pamundur t’i fitojë.

Megjithë zullumet e deritashme të qeverisë aktuale të mos kesh shpresë në fitimin e zgjedhjeve, është shkalla më e ulët e aksionit opozitar.

Meta kërkon përmbysje, për të ardhmen e tij dhe për sigurinë e pasurisë së tij.

Këtë mund ta arrijë jo duke qenë president në një mandat të përcaktuar që nuk ka shanse të shkurtohet nga ky grupim socialist, që shkarkimin e përdor si presion e jo si qëllim, por duke qenë faktor në politikë dhe, për më tepër, rishtas i domosdoshmi i qeverisjes.

Sa do ia arrijë kësaj?

Askush nuk e di.

Penduli i kohës së tij sillet në dy të krahët, ashtu si edhe ai vetë. Kur do të ndalet këtë nuk e di askush, megjithëse Rama do të kishte dëshiruar ta ndalte që tani, por si zakonisht, socialistët kanë britma shumë para zgjedhjeve dhe punë pak pas tyre.

 

May 21, 2020 12:36
Komento

9 Komente

  1. Lili May 21, 12:57

    Shkurt shqip keta per interesat e tyre cdo here gjejne zgidhje , po populli paguan per kete!!
    Edhe popullit litari ne fyt i ka ardhur, sa qe sado bashke te behen e ribehen nuk fitojne me sot!
    Sot populli eshte i gjithe kunder tyre, pos militantete e paguar!

    Reply to this comment
    • korçari May 21, 15:16

      Mendoj se z.Islami po perpiqet te duket realist ne analizen e tij dhe ne disa pika ka te drejte por nuk duhet te harroje se korrupsionin nuk e solli Rama ai ishte aty qe prej 30 vjetesh i futur ne çdo skute te shoqerise shqiptare ku shqiptari ne nje karrige shteterore zhvat ate qe ka hall dhe kjo ne te gjitha hallkat e shtetit.reformat per marrjen e dokumentave nepermjet internetit eshte nje nisme mjaft efikase kunder korrupsionit ashtu si dhe nxjerrja jashte sistemit te gjygjtareve apo prokuroreve te korruptuar madje si koka te tij sigurisht me ndihmen e vyer te SHBA dhe BE.Reforma ne arsim eshte e mireseardhur apo ndalja e ndertimeve paleje po ashtu pra po citoj:por si zakonisht, socialistët kanë britma shumë para zgjedhjeve dhe punë pak pas tyre.gje qe nuk eshte e vertete persa permenda me siper.Dhe se fundmi per te mos u lodhur z.Islami se kush ka punuar pergjigjen do t’a jape populli me votat e tij dhe sa per Like floririn nuk ka me gjygjtare te gjendur prej Pollos…

      Reply to this comment
  2. dardan I May 21, 13:29

    Shkruani me shkurt, Ilir Meta eshte nje politikan pragmatist: po pergatitet te marre nga dora e Sali Berishes kreun e PD.

    Reply to this comment
    • TV May 21, 15:09

      shshshshshssh ,

      eshte ber nji Pazare tashme dhe PD -ja do t’i kaloj

      nen dore FaMILJES Muta .

      Saliu po ja shet Metes PD-n dy Vila .

      Nji ne Sarand nji ne Vlore + Disa Miljona
      qe ala nuk dihet shuma e vertete ,por ka llafe se

      Fixi i Top-it eshte ne gjurme te tij .Do ket te forta shpresojm 🙂

      Reply to this comment
  3. K May 21, 13:42

    ….”naive” dhe qesharake! Dinake dhe hajdute! Hajdute dhe spiune! Spiune dhe vrases! Mendoni se ka ardhur fundi i ketyre letyrave?

    Reply to this comment
  4. tori May 21, 13:46

    Lili pergjithesisht jam dakort,por gjendja e lufta politike do jete e forte me deklarate kercnuese te papranushme per nje njeri normal,por te pranushme per shumicen e popullates qe kan mbushur qytetet e Shqiprise e qe kan kercenimin,agresivitetin e hakmarrjen si mentalitet e memdyre jetese te tyre te percaktuara,besoj qarte ne strukturen genetike te ADN se tyre.Gjendja e lufta e ashper police do vishtiresohet edhe ma shume sa me teper te afrohen zgjedhjes e sepse opozita jashteparlamentare do te kuptoj se po I humbet ato e si zakonisht do kete “prerje kokash” si baze e justifikimi .

    Reply to this comment
  5. gjermani i fundit May 21, 16:15

    Zakonisht I treti del teper. Prandaj del Meta. Personalisht mendoj se nuk eshte aq mafioz I madh, gjersa Tan Prifti I nxorri videon. Apo Tom Doshi e akuzoi percatentat. I bie qe Berisha, Rama s’do kene bere afera korruptive, se ndryshe do u dilte ndonje video. Po kujt do ia mbante? Sa per shitjen e PD tek Meta, boh, fantazi e papare. Po te supozosh se prapa Bashes ka sponsor me te medhenj nga Berisha, perfundon se jo vetem ky s’è ka ne dore pd-ne, por realisht eshte peng tek keta.

    Reply to this comment
  6. met--ber--bashic May 21, 22:48

    Meta eshte si topi i kandarit pa te cilin pshorja del jashte perdorimit ne shkretetiren shqiptare…………

    Reply to this comment
  7. mirel May 22, 00:22

    Do flasim prape nga e para per Meten. Per Ulajt, Fushen, Sinanin (jo nga Elbasani) per sportelistin, nuk kemi pse kujtohemi. Te mbllacitet Rilindja me Meten, nuk ka pune tjeter

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim