PËRSE SHKRUAJ

George Orwell March 5, 2016 22:03

PËRSE SHKRUAJ

Që kur isha fëmijë, mbase pesë – gjashtë vjeç, e dija që në moshë madhore do të doja të bëhesha shkrimtar. Midis shtatëmbëdhjetë e njëzet e katër vjeç provova t’a braktisja këtë ide, por e bëja me vetëdijen se po dilja kundër natyrës time të vërtetë dhe herët a vonë do t’i vihesha të shkruarit të librave.

Isha i dyti në familje nga tre fëmijë, si me njërin dhe tjetrin kisha një distancë prej pesë vjetësh e gjithashtu e shihja shumë rrallë babanë përpara se të mbushja tetë vjeç. Për këto e të tjera arsye ndihesha po aq i vemtuar dhe kisha zakonin tipik të fëmijëve të vetmuar që të fantazoja historira dhe shkëmbeja dialogje me personazhe imagjinarë, dhe mendoj se që në fillim ambicjet e mia letrare qenë të paqarta nga ndjesia e të qënit i izoluar dhe i nënvlehtësuar.

Bëra poezinë e parë në moshën katër – pesë vjeç, që e shkroi në letër nëna ime. Nga ajo s’kujtoj gjë, veç një tigër me thonj, por kam ndjesinë që ishte një kopjim i vjershës “Tigri!Tigri!” i William Blake. Njëmbëdhjetë vjeç, kur nisi lufta e Parë Botërore shkrova një vjershë patriotike, që u publikua në një gazetë lokale. Pak më i madh tentova të shkruaj ndonja dy herë një tregim të shkurtër që përfundoi një faliment i vërtetë e kjo ishte rezultati i punës ime në letër ato vite.

Kur isha i vogël imagjinoja të isha, të themi, një Robin Hood, por shume shpejt “histroria” ime ndali së qeni kaq vulgarisht narcize dhe filloi të bëhej thjesht një përshkrim i atyre që shihja e dëgjoja.

————————————-

Po jap gjithë këto informacione sepse nuk mendoj që mund të gjykohen motivacionet e një shkrimtari pa njohur diçka nga formimi dhe eksperiencat e tij të para. Duke mbajtur mënjanë motivet për të ushqyer veten me bukë, mendoj se janë katër arsye të rëndësishme për të shkruar, sidomos për të shkruar në prozë. Këto janë për çdo shkrimtar në nivele të ndryshme e herë – herë sipas atmosferës në të cilën jeton. Pra, janë:

  1. Egoizmi i thjeshtë. Dëshira për t’u dukur inteligjent, për të qenë i dëgjuar, për t’u kujtuar pas vdekjes, për t’u hakmarrë ndaj të rriturve që të mospërfillnin në fëmijëri, etj. Është hipokrizi që të shtiresh se ky nuk është një motiv, madje shtoj, i fortë. Shkrimtarët ndajnë këtë karakteristikë me shkencëtarët, artistët, politikanët,avokatët, ushtarakët, njerëzit e biznesit të suksesshëm; më shkurt, me kulmin e kulmeve të njerëzimit. Masa e madhe e qënieve njerëzore nuk është edhe kaq egosite e shfrenuar. Pas të tridhjetave kjo braktis ambicjen individuale – madje në shumë raste kjo arsye braktis gati komplet vetë sensin e individit – dhe jeton kryesisht për të tjerët, ose thjesht është nën peshën e mundimeve të punës. Por ka edhe një pakicë që është e vendosur të jetojë jetën e saj të plotë dhe shkrimtarët i përkasin kësaj kategorie. Do të thosha që shkrimtarët e vërtetë janë shumë më mendjemëdhenj dhe egocentrikë nga gazetarët, edhe pse më pak të interesuar për paratë.
  2. Entuziazmi estetik. Perceptimi i të bukurës në botën e jashtme, ose në fjalët e në përdorimin e tyre të drejtë. Kënaqësia e një trokitjes së një tingulli me një tjetër, në soliditetin e një proze ose ritmin e një tregimi të mirë. Dëshira për të ndarë së bashku një eksperiencë që provohet ndihet e një rëndësie të veçantë e s’duhet lënë të kalojë bosh.
  3. Impulsi historik. Dëshira për të parë gjërat ashtu siç janë, e zbulimit të së vërtetës së fakteve dhe regjistrimit të tyre për t’i përdorur ata që vijnë pas nesh.
  4. Qëllimi politik – duke nënkuptuar fjalën “politik” në termin më të gjerë të mundshëm. Dëshira për t’i shtyrë fjalët në një drejtim të caktuar, për të ndryshuar idetë e të tjerëve mbi cilën lloj shoqërie civile duhet të përpiqemi. Dhe një herë akoma, asnjë libër nuk është plotësisht jashtë influencave politike; opinioni se arti nuk duhet të ketë të bëjë fare me politikën është në vetvete një pozicion politik.

Për natyrë – duke konsideruar për “natyrë” nivelin e arritur në moshë të rritur – unë jam një person për të cilin tre motivet e para që përmenda do të kishin fituar mbi të katërtin. Në një periudhë paqësore do kisha shkruar libra të komplikuar e do të isha komplet jashtë detyrimeve të mia politike.

Por në fakt jam detyruar të bëhem një tip pamfletisti. Fillimisht shpenzova pesë vjet në një profesion që s’ishte për mua (Polizia perandorake në Birmani), e pastaj pësova varfërinë dhe ndjenjën e falimentit. Kjo forcoi tek mua urrejtjen për autoritetin e më bëri për herë të parë të shoh e kuptoj ekzistencën e klasave punëtore, përveç që puna në Birmani më kish ofruar të kuptoj natyrën e imperializmit, por këto eksperienca s’qenë të mjaftueshme për të më shtyrë drejt një orientimi të saktë politik. Pastaj erdhi Hitleri, lufta civile spanjolle,etj.

Në 1936 – 1937, lufta e Spanjës dhe ngjarje të tjera shtynë shigjetën e peshores, pas kësaj u binda nga ç’anë duhet të bëja pjesë. Çdo rresht i punës serioze, filluar nga 1936, është shkruar direkt ose indirekt kundër totalitarizmit dhe në favor të shoqërisë demokratike siç unë e konceptoj. Më duket absurde që në një epokë si kjo të mendosh se mund të evitosh argumente të tilla. Është thjesht të bindesh e të vendosësh se nga ç’krah do bësh pjesë.

Dhe sa më i vetëdijshëm të jesh për pozicionin tënd politik, aq më shumë ke mundësi të veprosh politikisht, pa sakrifikuar integritetin intelektual dhe estetik. Ajo që më shumë kam kërkuar të bëj në dhjetë vitet e fundit ka qënë të transformoj shkrimin politik në art. Pika e nisjes është gjithnjë një ndjenjë partizanllëku, një ndjeshmëri ndaj padrejtësive. Shkruaj sepse ka gënjeshtra që dua t’i denoncoj dhe preokupimi im është se dua të dëgjohem.

Çdo person që interesohet të shohë veprën time do shohë se ajo përmban mjaft propagandë, saqë një politikan profesionist do t’i quante të parëndësishme. Nuk mundem e s’dua që të braktis plotësisht vizionin e botës që kam kuptuar që në vogëli. Gjersa të jem gjallë e me shëndet të mirë do vazhdoj i apasionuar në prozë, të dua sipërfaqen e tokës dhe të mbledh objekte e prerje lajmesh të kota në gazeta. Por s’është e lehtë! Lindin probleme të interpretimit dhe gjuhës komunikuese dhe lind në formë të re problemi i vërtetësisë. Më ndodhte të mësoja gjëra që në Angli pak njerëz i dinin, pra, që njerëz të pafajshëm akuzoheshin me të padrejtë, gjëra për të cilat nëse nuk indinjohesha s’do kisha shkruar libra.

“Ferma e kafshëve” ka qënë libri im i parë ku me ndërgjegje të plotë bëra bashkë qëllimin politik me atë artistik. Kisha shtatë vjet që nuk shkruaja një roman, por shpresoj të shkruaj së shpejti një tjetër. Mbase do jetë një faliment, sepse çdo libër është një faliment, por unë di me njëfarë qartësie se çfarë lloj libri do shkruaj. Duke parë këto faqe, vlerësoj se e shkruara ime është shtyrë veç nga veprimtaria civile.

Por nuk dua që të mbetet veç ky impresioni final. Të gjithë shkrimtarët janë mendjemëdhenj dhe egositë e në thelbin e arsyeve të tyre gjithmonë ka një mister. Të shkruash një libër është torturë, si një periudhë sëmundjeje e rëndë. S’merret dot një aktivitet i tillë nëse nuk drejtohesh nga një demon i pakuptueshëm, të cilit s’i reziston dot. E sidoqoftë, është e vërtetë që s’mund të shkruash një diçka vërtet të lexueshme nëse nuk përpiqesh në mënyrë konstante të ruash mënjanë personalitetin tënd, duke qënë se proza e mirë është transparente si xhami i një dritareje.

Nuk jam i sigurt të them se kush janë motivacionet më të rëndësishme për mua, por di mirë ato motivacione që duhet të ndjek. E duke parë veprat e mia, bindem se kudo ku kam lënë pas dore qëllimin politik, tamam atje kam shkruar libra pa jetë; jam mashtruar nga hapa të padashur e fraza pa sens, nga figura të vakëta e një hipokrizi e përgjithshme.

 

Përshtatur nga libri i me ese i Orwell “Në barkun e balenës dhe ese të tjera” nga Besnik Terpollari / DITA

George Orwell March 5, 2016 22:03
Komento

2 Komente

  1. Sofra March 6, 09:00

    Orwell duhej te na ish shpjeguar qyshse u “hap” vendi drejt botes se lire.Keshtu do ish shmangur riinstalimi i ketyre 25 viteve totalitare.ferma e kafsheve dhe 1984 jane te pa vdekshem.

    Reply to this comment
  2. intelektuali March 6, 10:09

    Ne librin “Ferma e Kafsheve” DERRAT ishin bere BOSAT e Fermes se Orwellit, qe ngjanin si dy pika uji me DERRAT komuniste te Enverit qe si DOSE lakmitare kishte zaptuar Shqypnine dhe e kishte bere Vatanin si nje Ferme me Kafshe lloje lloje, por ku DERRAT-sigurimsa te Partise se Punes kishin nenshtruar te gjitha kafshet e tjera.

    Per fat te keq keta DERRA kane mbetur deri me sot dhe kane kapluar pushtetin dhe Shqypnine.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*