Persefoni Treni, një nga dallëndyshet e para të rralla të arsimit shqiptar

Persiana Treni June 28, 2015 11:54 Updated

Persefoni Treni, një nga dallëndyshet e para të rralla të arsimit shqiptar

Kur isha fëmijë jo rrallë këndoja këngë, më së shumti ato të Persefoni Trenit. E vogël kur isha, vetëm kaq kisha mësuar, kaq dija për Mësuesen e Madhe aq të rëndë, aq të admirueshme, në vitet e shkuara, me të vërtetë heroike.

Njeriu ka gjëra që nuk i harron për tërë jetën. Për mua, më e paharrueshmja mbetet një fotografi ku përpara shumë e shumë mësuesve të Korçës e të Pogradecit të fiksuar nga një fotograf (në një përurim) jam edhe unë, autorja e këtij libri. Qysh atëherë, vështrimet miqësore, përkëdheljet e tyre, më nxitën që shkollën, diturinë të mos e lija kurrë në hije.

Veprimtaria e atyre personaliteteve të ngjizur me dashurinë për arsimin kanë luajtur një rol të rëndësishëm, sa duket qartazi sikur nuk është e mundur t’i ketë krijuar një njeri i vetëm idetë çlirimtare kombëtare, guximin dhe aftësinë për të zbuluar botën e brendshme të korçarit, të pogradecarit, të shqiptarit, të cilët kurdoherë mishëruan ndjenjat e forta dhe marrëdhëniet shoqërore e pasionante për gjuhën shqipe.

Puna titanike i ngriti në altarin e lartë të lavdisë së përjetshme. Fati ynë i madh është që ata nuk u dorëzuan kurrë! Sikur të bëheshin të pasur me joshjen e parave të “gjitonëve”, sa e varfër do të ishte arsimi shqiptar!

Jam e sigurt që kjo tablo e shkurtër është një nga ato që tregon se çka qenë gjenia e arsimdashësve. Ndërsa për Persefoni Trenin, profilin e së cilës kam marrë përsipër ta jap nëpërmjet këtij shkrimi, kam ndier në vite bukurinë, kam parë në fytyrën dhe veprën e saj një velaturë “brilante”, që ruan një tejdukje elegante. Duke shkruar për të, e kuptoj fort mirë se zor që të gjendet ndonjë tjetër që të ketë ecur ditën dhe natën më shpejt se ajo.

Sot me këtë portret të Persefoni Trenit me siguri, të dashur lexues të mençur, ju do të gëzoheni, do të krenoheni, do të mendoni dhe duartrokisni  për të. Nuk i përjashtoj politikanët. Ç’rëndësi ka që e shkrova unë! Mund ta shkruante edhe një tjetër, duke e lenë atje ku është: në Panteonin e Mësuesisë.

Prej saj, në kujtim të saj, kam marrë edhe emrin Persiana.

Kush ishte Persefoni Treni

Kur njihesh me jetën e veprimtarinë e mësueses Persefoni Treni, takon shpesh çaste të tilla. Jeta e kësaj mësueseje veterane është vetë historia, vetë rruga nëpër të cilën eci arsimi shqiptar. Ajo është nxënëse e shkollës shqipe që krijoi Rilindja Kombëtare, është mësuesja që doli nga shkolla e Rilindjes, e edukuar dhe e brumosur me ndjenja patriotike e demokratike, që mbrojti e përhapi me vendosmëri idetë e Rilindjes, është mësuesja që më vonë i shërbeu me besnikëri arsimit shqiptar në çaste të vështira e kritike për vendin, është mësuesja veterane që herë pas here i sjell brezit të ri, në raste të ndryshme, kujtimet e veta nga lufta dhe përpjekjet e popullit tonë për liri e dituri.

Persefoni Treni, mësuesja e devotshme e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, u lind në Korçë në një familje patriote. Babai i saj, Lluka Tira, ka përderdhur shpirtin e tij për përhapjen e gjuhës shqipe në Korçë, në Berat e gjetkë me librat të shumtë shqipe, që ia dërgonin me vështirësi shqiptarët e mërgimit nga Bukureshti, Stambolli, Sofja dhe Egjipti. Duke e parë në këtë vështrim, autoritetet osmane e burgosën. Pasi doli nga burgu, ai nuk i pushoi përpjekjet për të “hedhur rrënjë të thella në zemrat e shqiptarëve”, gjuha shqipe.

Etjen që kishte për gjuhën shqipe ia “injektoi” edhe së bijës, Persefonit. Më 1897 e regjistroi në Shkollën e Vashave në Korçë. Në atë shkollë si nxënëse dhe, më vonë, në atë shkollë si mësuese (1906) ndriçoi puna e saj te nxënësit, ndriçoi ndjenja e dinjitetit vetiak te njerëzit e varfër, të uritur, analfabetë. Dhe në këtë punë pasionante dhe fisnike ndihej embëlsia e fjalës shqipe, ajo gjuhë që kishte erën e shëndoshë të atdheut shqiptar.

Në vitin 1909 (janar) u krijua shoqëria letrare e grave shqiptare “Ylli i Mëngjesit”. Kjo shoqëri kishte në parim konceptin për t’u bërë pishtare të abece-së, domosdo Persefoni ishte një nga organizatoret kryesore të kësaj shoqërie.

Persefoni, bijë patrioti e vetë patriote, martohet më 1910 me Pando Trenin, i lidhur edhe ky me lëvizjen patriotike, anëtar dhe disa herë i zgjedhur sekretar i shoqërisë “Dëshira”. Ata ishin, në të njëjtën kohë, bashkëshortë dhe bashkëpunëtorë për çështjen e Atdheut. Pas vitit 1913, Shkolla e Vashave u mbyll, sepse vendin e pushtuan palët ndërluftuese të Luftës së Parë Botërore. Gjatë kësaj kohe propaganda serbo-greko-turke nuk la gjë pa bërë për të shuar ndjenjën kombëtare.

Në 10-vjetorin e dytë të shekullit, në rrethin e Korçës, lufta midis shkollës shqipe dhe propagandës e shkollës greke mori formën e një dueli të hapur për jetë e për vdekje. Në këto vite të vështira, Persefoni u përgjigjet përsëri nevojave të arsimit shqip dhe fillon si mësuese në shkollën shqipe të Pogradecit.  Ajo nuk ishte një mësuese e rastit, pasi i takoi të  jetojë, punojë dhe të rritet bashkë me rilindësit e tjerë. Gratë dhe vajzat nuk ia shqisnin sytë dhe bukuria e saj (e fytyrës dhe shpirtërore) kurdoherë dukej një bukuri shqiptare. Ndihej e qetë, kur shikonte fijet e fletoreve të nxënësve të mbushura me gërma shqip…

Patriotët pogradecarë e morën vesh se elementë, që punonin me serbin deshën ta asgjësonin, prandaj caktuan dy rojë të armatosura ta shoqëronin dhe ta merrnin nga shkolla. Vendimi i patriotëve në mbrojtje të mësueses ishte një shprehje e dashurisë për shkollën shqipe dhe për vetë Persefonin, tanimë të kthyer në simbol të fuqisë së një kombi të tërë.

Në vitin 1925 ajo u sëmur. Pasi u shërua nuk e pranuan më në punë. Menjëherë ajo gjeti vend në Shkollën Amerikane “Kenedi”, deri në vitin 1933, kur ajo shkollë me vendim qeverie u mbyll. Nuk deshi të martirizohej. Ndoshta më shumë se të tjerët kishte lindur për të qenë e lumtur në lakadredhat e rrugës, jo të lehtë. E adhuronte të folurën e ëmbël shqipe, Korçën dhe rrugët plot kalldrëme e bline, e adhuronte liqenin e Pogradecit, por më shumë adhuronte natyrën e njerëzve modestë.

Çkishërimi!…

Në vitin 1908, para se të fillonte viti shkollor, Presefonin bashkë me të atin e saj, e thirrën në Mitropoli te dhespoti grek, Jakov, i cili në fillim u mundua t’i bindte me të urtë që të hiqnin dorë nga gjuha shqipe, se, sipas tij, kjo gjuhë ishte e mallkuar nga Zoti! Madje, iu premtoi shuma parash edhe punë në shkollat greke. Persefoni dhe i ati nuk iu bindën dhespotit dhe u larguan prej tij plot urrejtje. Dhespoti grek në kundërshtim me ungjillin, organizoi një ceremoni në kishën e Mitropolisë, ku çkishëroi Persefonin, të atin dhe i mallkoi, duke shuar qirinj në katran, gjë që dëshmonte skllavëri të popullit të pa fe dhe të mallkuar nga Zoti.

“Botëshkronja”, një vepër endé në dorëshkrim e Persefonit

Kohët e fundit në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit u grumbulluan mjaft dokumente, që hedhin dritë në veprimtarinë pedagogjike të Mësueses së Merituar, Persefoni Treni. Përkrah mësuesve të njohura, motrave Qiriazi dhe gjithë brezit të mësuesve të atyre viteve, ajo dallohet  për një punë të kujdesshme e plot pasion për edukimin e brezit të ri. Kjo vërehet edhe përmes dorëshkrimeve, korrespondencave, ditareve, shënimeve dhe teksteve në dorëshkrim, që ka lënë. Këtë pasuri e plotëson më së miri edhe materiali fotografik. Nga dorëshkrimet e ruajtura nga mësuesja Persefoni Treni paraqet interes të veçantë punimi tekst-shkollë me titull “Botëshkronja” (pjesa e parë), ndërsa pjesa e dytë ende nuk është gjetur. Ky dorëshkrim në formë teksti shkollor, pa autor, është përdorur nga mësuesit e shkollave shqipe. Emrat e tyre janë të viteve 1908-1912. Alfabeti është ai i Stambollit, gjë që dëshmon se punimi ka qenë hartuar para se të mblidhej Kongresi i Manastirit. Ndërkaq fletoret dorëshkrim si: Ditarë, kujtime, tekste mësimore, tema të historisë së natyrës, të gjuhës shqipe, të psikologjisë, mësim jete, hartime e të tjera, së bashku arrijnë në rreth 600 faqe.

E lënë në harresë!…

Në mars të vitit 1980, Persefoni, në moshën 92 vjet u nda nga jeta! E lanë pa pension 1946 deri 1964. Në vitin 1962, me rastin e 50-vjetorit të Pavarësisë, e ftuan në  Vlorë, ku i dhanë medalje për veprimtarinë patriotike. Pas këtij dekorimi me ndërhyrjen e prof. Petraq Pepos në vitin 1964, iu akordua pensioni minimal 250 lekë në muaj.

Vetëm në vitin 1988, Seksioni i Arsimit të Korçës u kujtua të bënte propozimin dhe ajo të merrte dekoratën, “Mësuese Merituar” për t’i larë borxhin në vitin 1978. Ndërkaq, në Kinostudio u punua me dashuri, ëmbëlsi dhe përkushtim atdhetar për filmin “Mësonjëtorja”. Stefan Bardhi, që tregohet në film, përfaqëson Pando Trenin, që ishte i dënuar nga qeveria turke dhe vinte herë pas here në Shqipëri fshehurazi. Asnjë falenderim dhe asnjë fjalë për mësuesen prej së cilës morën gjithë historinë e shkollës…!

Me rastin e 60-vjetorit të hapjes së Shkollës së Vashave, Seksioni i Arsimit në Pogradec propozoi t’i jepej dekorata “Mësuese e Popullit” dhe nga “lart” u kthye përgjigjja: “Pse s’e bën Korça kërkesën?” Një pyetje cinike dhe dashakeqe, që nuk i mungonte maskaradave të pushtetit totalitar. Megjithatë këtë dekoratë ia ka dhënë prej kohësh populli.

Ajo është e gjallë nder ne, si sot, si në ditët që do të vijnë: Mësuese e lartësive eterike, një lule në Skurorën e bukurisë së arsimit shqiptar.

 

Foto stilografi

Në vitin 1931, kur Persefoni festoi 25-vjetorin e fillimit të punës së saj si mësuese, Shkolla Amerikane i dhuroi asaj një stilograf të porositur e të sjellë nga Shtetet e Bashkuara, ku sipër tij ishte shkruar emri saj “Persefoni 1931”. Një mrekulli e gdhendur, një vlerësim i mençur. Këtë stilograf e disponon si relike edhe sot vajza e Persefonit.

 “Fjeta dhe ëndërita, u zgjova dhe gjeta se jeta është detyrë”

Me rastin e mbarimit të vitit shkollor në Pogradec, në ceremoninë e organizuar ajo u foli prindërve për dashurinë ndaj Atdheut, për nevojën e madhe të arsimit, si për djemtë edhe për vajzat.

“Fjeta dhe ëndërita, u zgjova dhe gjeta se jeta është detyrë, ka thënë një i ditur, ka nisur fjalimin Persefoni. Duke vazhduar se jeta e njeriut është e lidhur me plot detyra. Detyrë të madhe ka prindi për fëmijën dhe fëmija për prindin, po më e shenjtëruara detyrë e njeriut është ajo për kombin e vet. Ai që s’do veten e tij, thotë fjala, po si mund të tregojë njeriu dashuri për kombin? Duke mbajtur duart në gji? Jo…! Është tradhtar edhe frikacak ai që s’punon për kombin e tij… Le të mos kursejmë fuqitë tona, mendjen tonë, sepse mëmëdheu ynë pret ndihmë nga çdo njeri, në çdo mënyrë që të mundim! O motra dhe vëllezër! Sot mëmëdheu pret ndihmën tonë, ta ngjallim, ta zbukurojmë! O motrat tona! Prej nesh pret ndihmë mëmëdheu, mos pandehni se jemi gra dhe s’jemi të fuqishme për asgjë, le të përpiqemi t’i ndihim me atë që të mundim dhe do të shohim se do t’i sjellim mjaft shërbim”!…Përderisa jam shqiptare, për të gjithë jam arsimdashëse”, ka mbyllur mes duartrokitjesh që nuk pushonin fjalimin ajo.

Mbi kalë për të hapur shkollën shqipe në Pogradec

Në kujtimet e saj Persefoni tregon një histori të veçantë, për çeljen e shkollës, se si një qeveritar francez në Pogradec, gjatë një bisede që pati me përfaqësues të palës shqiptare dhe përfaqësues të palës serbe, të cilët ishin dhe drejtues të idesë “Naccertania” (program i serbëve si ai i “Megalidhesë” i grekëve – Vorio Epiri) u thotë: “Cili të mbërrijë i pari mes përfaqësuesve tuaj në Pogradec, deri sonte në mesnatë, unë do t’i jap çelësat e godinës dhe do të çelet shkolla, pikërisht nga ajo palë që do paraqitet e para!”

Persefoni që atë kohë ndodhej në Korçë, teksa i shoqi ishte në mërgim, e njoftuar nga patriotët e Pogradecit, miqtë e babait të saj, mbylli pas vetes derën e shtëpisë së saj. Dhe për gjithë natën, udhëtoi me kalë për të shkuar në Pogradec. Dhe ia del. E vetme, nxitimthi, padyshim. Ishte një formë gare rreth 100 vjet më parë. Dhe për të arritur e para i duhej të udhëtonte natën, për të marrë në dorë çelësin. Jo atë magjikun, mos mendoni kështu! Flitet për një çelës të vërtetë, origjinal, çelës dere, me të cilën do të çelej shkolla. “Vendosa ta mbyll shtëpinë dhe të shkoj atje ku më prisnin me mirëdashje.

Frynte era dhe binte shi. Pa u gdhirë mirë arritëm në Pogradec para shtëpisë së qeveritarit frëng. Çfarë të bëja tjetër, në mos të bisedoja? U paraqita e para dhe pa asnjë kundërshtim mora lejën për hapjen e shkollës shqipe”- shkruan jo në kujtimet e saj.

Në vitin 1920, mbasi shkolla e Pogradecit rregulloi personelin e vet, unë u largua që aty duke u emëruar në fillim të vitit 1920 deri në 1922 në shkollën e djemve nr. 2 dhe më vonë në Shkollën e Vashave nr.3 në Korçë.

Mësuesit e parë (Rilindës) të Korçës

 Naum Veqilharxhi (Mësues i Popullit), Persefoni Treni (1888-1980), Gjergji Canco (Mësues i Popullit), Zihni Selenica (Mësues i Merituar) Nikolla Naço, At Dhimitër Ballamaçi (1850-1914), Leonidha Vangjel Çika (1852-1935), Gjerasim Qirjazi (1861-1894), Spiro Anastas Xega (1861-1953), Petro Nini Luarasi (1865-1911), Baba Braho Qesaraka (1866-1930), Sevasti Qiriazi, Parashqevi Qirjazi (1880-1970), Nuçi Naçi (1871-1927), Dhosi Havjari (1872-1947), Sotir Peci (1873-1932), Afez Ali Korça (1874-1957), At Kristo Negovani (1875-1905), Leonidha Naçi (1875-1945), Tefik Rushit Panariti (1876-1963), Stefan Kondillari (1880-1912), Feim Sali Dervishi (1884-1968), Shaban Adem Qyteti (1885-1969), Sabajdin Qyteti, Isuf Gjata, Hasan Maliq Porodina (1889-1928), Ilo Mitke Qafzezi (1889-1964), Sterio Spasse (1914-1989), Prof. Sotir Kuneshka (1912-1992), Kristaq Fundo, Petraq Peppo, Efigjeni Pendavinji (1893-1963), Aleko Minga, e shumë e shumë të tjerë…

 

Persiana Treni June 28, 2015 11:54 Updated
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*