“Personat e papaguar të familjes mbi 16 vjeç”, a do të aplikohen gjobat kur punësohen?

November 17, 2017 17:08

“Personat e papaguar të familjes mbi 16 vjeç”, a do të aplikohen gjobat kur punësohen?

Tatimpaguesit që ushtrojnë veprimtarinë si persona fizikë të vetëpunësuar nuk do të gjobiten në rast se në vendndodhjen ku ushtrojnë aktivitetin evidentohen persona mbi 16 vjeç, të cilët kategorizohen si persona të papaguar të familjes.

Në këtë rast, pas kontrolleve që do të ushtrojë Administrata Tatimore nuk do të aplikohet gjobë për mosdeklarim të punonjësve në organin tatimor.

Gjithashtu Tatimet njoftojnë rastin kur të vetëpunësuarve iu lihet një afat kohor për të vërtetuar se personi është person i papaguar i familjes dhe që bashkëjeton ligjërisht me të vetëpunësuarin.

“Administrata tatimore informon të gjithë tatimpaguesit persona fizikë të vetëpunësuar se:

– Në rastin kur nga verifikimi dhe kontrolli në vendndodhjen e aktivitetit të personit fizik të vetëpunësuar, evidentohen persona mbi 16 vjeç, të cilët kategorizohen si persona të papaguar të familjes, Administrata Tatimore nuk aplikon gjoba për mosdeklarim të punonjësve në organin tatimor.

– Evidentimi i personit të papaguar të familjes bëhet nëpërmjet kartës së identitetit, lejes së drejtimit të automjetit apo pasaportës. Në rast se personi nuk disponon asnjë mjet identifikimi në momentin e konstatimit atëherë punonjësi i tatimeve pasqyron në akt konstatimin përkatës të dhënat e identiteti të tij, përkatësisht emri, atësia, mbiemri dhe ditëlindja. Në këtë rast, pas konstatimit, tatimpaguesit përkatës i lihet kohë deri në 5 ditë kalendarike që të vërtetojë pranë organit tatimor se personi i evidentuar në vendin e aktivitetit është person i papaguar i familjes ose që bashkëjeton ligjërisht me të vetëpunësuarin, sipas kuptimit në Kodin Civil.

– Si dokument që vërteton se personi është person i papaguar i familjes së personit fizik të vetëpunësuar shërben certifikata familjare e të vetëpunësuarit. Sipas Nenit 119, pika 1, Ligji Nr. 9920/2008, “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar si dhe pika referuese 119.2, e Udhëzimit të Ministrit të Financave dalë në zbatim të tij.

Është detyrim i çdo tatimpaguesi, person fizik i vetëpunësuar, që brenda 5 ditëve kalendarike nga data e aktkonstatimit që është mbajtur nga kontrollorët në vend, të njoftojë drejtorinë rajonale tatimore, e cila ka të drejtën e hyrjes në regjistrin e gjendjes civile nëpërmjet portalit e-Albania dhe vërteton faktin nëse punonjësi i konstatuar si i paregjistruar rezulton si person që bashkëjeton ligjërisht me të vetëpunësuarin”, thotë DPT.

Nga ana tjetër, Tatimet specifikojnë se pjesëtarët e familjes, që punojnë e bashkëjetojnë ligjërisht me të vetëpunësuarin, person fizik, sigurohen në mënyrë të detyrueshme, jo më pak se niveli minimal për degën e barrëlindjes, pensioneve dhe për sigurimin e kujdesit shëndetësor.

“Bazuar në VKM Nr. 77, datë 28.1.2015 “Për kontributet e detyrueshme dhe përfitimet nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe sigurimi i kujdesit shëndetësor”, paragrafi I, germa dh) pjesëtarët e familjes, që punojnë e bashkëjetojnë ligjërisht me të vetëpunësuarin, person fizik, sigurohen në mënyrë të detyrueshme, jo më pak se niveli minimal, për degën e barrëlindjes, pensioneve dhe për sigurimin e kujdesit shëndetësor. Çdo veprim abuziv i inspektorëve të administratës tatimore, që bie ndesh me parashikimet e shpjeguara në këtë njoftim duhet të denoncohet sa më parë nëpërmjet telefonit në numrin jeshil pa pagesë 0800 14 14, si dhe në rrugë elektronike ose shkresore pranë zyrave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve”.

November 17, 2017 17:08
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*