Personazh / 13 vite në Bllok dhe… sa e varfër!

Entela Resuli March 30, 2016 09:00

Personazh / 13 vite në  Bllok dhe… sa e varfër!

Kush ka kaluar në ish-Bllok dhe nuk e ka parë këtë grua!? Ajo, prej 13 vitesh lyp çdo ditë në rrugën “Ismail Qemali”. Herë vetëm dhe herë e shoqëruar nga vajza e saj e madhe, Sonila kërkon të holla duke e pasuar me urimin: Të ectë mbarë! E ulur në një stol, e mbuluar e gjitha nga veshja, pret që t’i rrëshqasë ndonjë monedhë ndër duar. Në bisedë me të mësuam se lypja ka qenë puna e saj e parë dhe e vetme, deri më tani.

Nëna e 2 vajzave, përpos gjendjes së vështirë ekonomike, ka kaluar edhe në situata traumatike familjare.

Na tregon se është martuar 17 vjeçe. Sot është nënë e dy vajzave, 13 dhe 9 vjeçare. Pas disa vitesh martesë, ndërkohë që ishte bërë nënë me vajzën e dytë, i jep fund martesës. “Burri vetëm pinte dhe me më rrihte. Nuk sillte asnjë lek në shtëpi, ndërkohë që unë u detyrova të dalë në rrugë për të lypur. Punë nuk gjeja dot. Ai nuk punonte. Nuk kisha zgjidhje tjetër, rruga ishte mundësia e vetme për mua” – na tregon Sonila, ndërsa sheh me vëmendje kalimtarët. Shumë prej tyre që janë punonjës apo klientë të zonës i njeh dhe i përshëndet me dashamirësi, duke i dhënë edhe vajzës ndonjë sugjerim: lëre atë se e njohim!

Sonila Qerimi na tregon se shtëpinë e ka te Ura e Babrroit, në një barakë buzë lumit. Ndërsa çdo ditë merr urbanin dhe vjen në Bllok, në vendin e saj të përhershëm, rrëzë një peme pishe. Largohet që aty kur fillon e bie drita, e njerëzit bëhen më indiferentë ndaj atyre që kërkojnë para.

Baraka që ka vendosur buzë lumit në zonën ku banon e ka bërë që të jetojë në ankth gjithë këto vite.

“Sa herë që bie shi, jetoj me frikën: më mori lumi tani, më mori pastaj. Ndërsa këto kohë na kanë thënë që do të na heqin fare që aty. Një Zot e di se ku do të na çojnë. Unë s’kam as shtëpi, asgjë, veç asaj barake”.

Sonila Qerimi

Sonila Qerimi

Qerimi ka dhe një problem serioz me shëndetin. Ajo është mbi peshë. Thotë se  trupi i saj ka ndryshuar shumë pas lindjes së vajzës së dytë. Nuk është peshuar asnjëherë dhe nuk di të na thotë se sa kilogram është. Madje ka edhe humor kur na thotë se “kam frikë mos thyej kandarin”. Por për shkak të peshës e ka shumë të vështirë të gjejë rroba për të veshur.

“Sa më shumë kalojnë ditët aq më tepër rëndohem nga këmbët. Më dhëmbin. Nuk eci dot dhe kam shumë të ënjtura” – thotë ajo ndërsa mundohet të na i tregojë edhe pse e ka me siklet. Kur e pyesim nëse është vizituar ndonjëherë, na tregon se mjekët i kanë thënë se ka infeksion, por ka marrë vetëm receta dhe asnjëherë ilaçe, pasi nuk ka mundësi t’i blejë ato. “Me 26 mijë lekë të vjetra që më jep shteti në muaj, nuk mund të siguroj asnjë ilaç për vete. Një gjilpërë kushton 9 mijë lekë. Jam shumë e sëmurë, vuaj nga astma”, shton dëshpërimisht.

Nuk do ta besoni, por Sonila është vetëm 33 vjeç. Nëna e dy vajzave thotë se nuk di shkrim e këndim. Vajzën e madhe e ka hequr nga shkolla, se nuk ka mundësi t’i blejë librat, ndërsa e dyta shkon në klasën e dytë.

“Ndihem e pambrojtur! Kur vijnë dhe na ndihmojnë, na sjellin oriz e makarona. Kam nevojë për një

Sonila Qerimi

Sonila Qerimi

strehim. Për një zgjidhje konkrete, këto ndihmat që na sjellin jo se nuk i duam, por nuk na bëjnë punë. Shtyjmë një javë dhe kaq. Problemi është çfarë do bëhet për mua dhe vajzat e mia, në të ardhmen” – pyet ajo.

Ditët e saj më të mira janë kur fiton 5-6 mijë lekë të vjetra në ditë. Ndërsa në ditët e festave çon më shumë para në shtëpi. Mesa duket njerëzit e lëshojnë më shumë dorën.

Është grua. Është nënë. Është e sëmurë dhe e pastrehë. Çfarë ndodh me kategori të tilla, që nuk janë pak, në Tiranë, por edhe në rrethe!? Nëse mendoni se në ish-Bllok ka vetëm të pasur dhe rini që shpenzojnë para, gaboheni, është edhe Sonila, e cila megjithëse ka 13 vite që e frekuenton këtë zonë… është ende e varfër.

Entela Resuli March 30, 2016 09:00
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*