Përurohen biletaritë elektronike, Kumbaro: Vendosim standarde europiane

October 10, 2017 18:34

Përurohen biletaritë elektronike, Kumbaro:  Vendosim standarde europiane

Në  Ministrinë e Kulturës u organizua përurimi  i Projektit të Biletarive Elektronike për 6 sitet e trashëgimisë  kulturore më të vizituara në vend, një projekt me vlerë 512.503 USD i cili është financuar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës.

 Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro tha përveç formalizimit, një sistem i tillë standardizon sitet tona të trashëgimisë dhe e vendos  kulturën  në  standardet  europiane.

 “Vijmë më 6 site të reja që pajisen më këtë sistem. Nuk është thjesht një makinë më shumë, është  në radhë të parë një hap drejt respektimit të ligjit për sa i përket formalizmit, fiskalizimit të të ardhurave që vijnë nga trashëgimia kulturore, por është një hap shumë i rëndësishëm në atë që e kemi të qëllimshme; rritje të shërbimit të standardit të cilësisë që ne ofrojmë në sitet e trashëgimisë. Në site si Kalaja e Beratit, Kalaja e Shkodrës, apo Parku i Butrintit  ku numri i vizitorëve po rritet në mënyrë befasuese, një sistem i tillë ndihmon në shpejtësinë e shërbimit, standardizon sitet tonë të trashëgimisë dhe e e vendos  kulturën  në  standardet  europiane” , u shpreh ministrja Mirela Kumbaro.

  Më tej Ministrja Kumbaro vlerësoi bashkëpunimin me Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim duke u shprehur se pas katër vitesh tashmë rezultatet janë të prekshme. “Tashmë kemi rezultate të prekshme në katër vite. Gjithë kaniteret e Trashëgimisë Kulturore në qendrat historike që kemi realizuar bashkë me shumë vështirësi si Kruja, Shkodra, Berati , Korça, Gjirokastra, Tirana  dhe së fundmi Vlora janë në fakt projekte ku kemi ecur bashkë hap pas hapi”, tha Kumbaro.

  Ndërsa Kryetari i Bordit te AADF-së Z. Michael D. Granoff tha se trashëgimia kulturore e një vendi nuk janë thjesht vetëm gurët, kalatë apo sitet e trashëgimisë kulturore, ajo është ADN-ja e një vendi për të parë nga e ardhmja. “ADN-ja e njeriut përmban informacionin gjenetik, ndërsa ADN-ja e historisë është trashëgimia kulturore”, tha  Granoff, drejtori i AADF

 Në fund, Ministrja Kumbaro dhe  Drejtori i AADF, Granoff inspektuan edhe serverin qendror në MK, nga  ku do të kryhet monitorimi online i  sistemit të biletarive në sitet arkeologjike të pajisura tashmë me këtë sistem.

 Projekti me vlerë prej 512,503 USD është financuar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe institucionet në varësi të saj. Projekti i cili filloi në 2014, u implementua në Kalanë e Beratit; Muzeun Kombëtar Ikonografik “Onufri” Berat; Muzeun Kombëtar “Skënderbeu” dhe Muzeun Etnografik, Krujë; Kalanë e Gjirokastrës dhe Parkun Arkeologjik, Apoloni. Më herët, nga AADF, janë instaluar biletari elektronike në Parkun Kombëtar të Butrintit dhe në Muzeun Historik Kombëtar.

 Qëllimi kryesor i projektit është rritja e transparencës në mbledhjen e të ardhurave nga shitja e biletave në qendrat e trashëgimisë kulturore.

Biletaritë janë të lidhura me një server qendror të vendosur në Ministrinë e Kulturës,  ku çdo shitje bilete regjistrohet në kohë reale. i gjithë ky proces mbikëqyret nga një sistem kamerash të cilat janë të lidhura me një njësi monitorimi në Ministrinë e Kulturës. Për operimin sa më të saktë të aparaturave, të gjithë stafet e institucioneve lokale që merren me shitjen e biletave u trajnuan nga kompania që implementoi projektin. Në vazhdim projekti parashikon suport teknik tre vjeçar deri në 2020 dhe potencialisht mund të zgjerohet në sitet e tjera të trashëgimisë në vend.

October 10, 2017 18:34
Komento

1 Koment

  1. devi October 11, 08:53

    Po per te blere qofte ne lokalin qe po nderton ne Butrint cfare biletash do te perdoren?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim