Përzgjidhet kompania për ndërtimin e bypass-it të Fierit

Redaksia Online March 18, 2013 23:13

Përzgjidhet kompania për ndërtimin e bypass-it të Fierit

Kompania italiane “Serenissima” do të ndërtojë bypass-in e Fierit. Marrëveshja është nënshkruar nga ministri i Transportit, Sokol Olldashi dhe përfaqësues të lartë të kësaj kompanie. Ministri Olldashi, tha se, kompania italiane ka bërë ofertën më të mirë në rreth 39 milionë euro dhe ndërtimi i kësaj vepre do të sjellë zhvillim rural për zonat nga ku do të kalojë. Bypass-i i Fierit do të jetë i gjatë 22 kilometra dhe do të lidhë autostradat Lushnje-Fier me Levan-Vlorë. Ndërtimi për këtë vepër kishte ngecur që në Qershor të vitit të kaluar për shkak të mungesës së financimeve.

Pas nënshkrimi të marrëveshjes për financimin e bypass-it mes ministrisë së financave dhe BEI e BERZH, ministria e Transportit hapi tenderin për kompanitë në muajin Shtator të vitit 2012. Në total morën pjesë rreth 11 kompani, ku “Serenissima” dha ofertën më të ulët me 39 milionë e 698 mijë euro. Punimet për përfundimin e kësaj vepre pritet të zgjasin rreth 24 muaj.

Redaksia Online March 18, 2013 23:13
Komento

1 Koment

  1. Fshati i internuar edhe në demokraci July 23, 07:28

    Fshati i internuar edhe në demokraci

    Shtyllasi është një fshat internimi, i ngritur në vitet e “arta” të diktaturës, ku fillimisht shërbeu si kamp pune për kanalin vaditës Vjosë-Levan-Fier. Pasi përfundoi kanali, të burgosurit politikë i çuan për të ndërtuar vepra të tjera, ndërsa në Shtyllas sollën familje të internuara nga të gjitha krahinat e vendit. Shtyllasi mbetet gjithmonë një mozaik dhimbjesh e krahinash për të gjithë Shqipërinë, që nga Veriu deri në Jug. Të gjitha ato familje patën fatin e keq të internimit. Ato iu nënshtruan një trajtimi çnjerëzor, që nga puna e detyruar, banimi në kushte skandaloze si dhe mbikëqyrja e rreptë nga ana e Sigurimit të Shtetit. Shumë banorë të këtij fshati, me prejardhje nga familjet e internuara, përfunduan në burgje ose në arrati. Në vitin 1991, me ardhjen e demokracisë, banorët u larguan prej fshatit dhe Shtyllasi, dalëngadalë, u kthye për ta në një kujtim të frikshëm i së kaluarës së tyre tragjike. Nga ligji famëkeq nr. 7501, familjet e tyre, të internuara ne këtë fshat, fituan tokë si të gjithë të tjerët, atë tokë që për vite me radhë e kishin vaditur me gjak, djersë dhe lot. Kështu, ata që mbetën në Shtyllas hapën toka të reja, të mbjella me vreshta dhe ullinj. Në një pjesë të tokave të tyre kalon edhe “by-pass-i” Levan – Fier. Kuptohet se për tokën e zënë paguhet një çmim i caktuar nga qeveria.

    Mirëpo ky çmim nuk është i njëjtë për të gjithë. Levani, i populluar nga “agallarët” e rinj, të ardhur nga zonat e Jugut, e ka çmimin e tokës 1600 lekë për m2; Shtyllasi e ka 299 lekë për m2 lekë dhe Pojani, 868 lekë për. Përse ky diferencim kaq i madh?! Epo Levani, është i kuadrove të partisë dhe Pojani ka qenë i lidhur ngushtë me Partinë. Ndërsa Shtyllasi, fundja qendër internimi ka qenë. Miqtë e mi më treguan të dokumentuara të gjitha përçapjet e tyre dëshpëruese që kanë bërë deri më sot, për ta ndrequr këtë “gabim” që qeveria demokratike e PD-së e pati bërë “pa dashje”. Por deri më sot, s’ka asnjë përgjigje shpresëdhënëse. E njëjta tokë, në të njëjtin vend, përkundrazi, ajo e Shtyllasit duhet të kishte vlerë më të lartë se ajo e Levanit dhe e Pojanit, sepse është tokë pjellore. Mirëpo, të përndjekurit, me sa duket, duhet të mbetet gjithmonë të përnjekur, ndërsa të privilegjuarit e djeshëm duhet të jenë përjetësisht të tillë. O e keqe, sa thellë janë rrënjët e tua! Tragjikomedia e tranzicionit të tejzgjatur shqiptar nuk ka mbaruar ende. Ajo vazhdon të luhet ethshëm mbi kurrizin e një populli të tërë dhe veçanërisht, mbi kurrizin e të të përndjekurve. Në rastin e Shtyllasit është e pranishme dhe një aferë korruptive ku dy pjesë anësore të rrugës nga 25 mijë m2 do t’i marrë një pronar anonim italian për të ndërtuar dy parkingje gjigante. Këto vepra mbajnë vulën e Berishës, ndërsa fshatarëve u është thënë të heshtin se kjo punë ka marrë fund. A ka drejtësi në këtë vend? Jo!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*