Pesë gjëra që mësova duke punuar në call center

March 12, 2018 15:41

Pesë gjëra që mësova duke punuar në call center

Puna ime e parë ishte në një call center. Isha 18 vjeçe, vazhdoja fakultetin dhe më duheshin lekë. Aplikova në një call center të vetëm, sepse isha e papërvojë dhe e pa trajnuar, vetëm aty mund të konsiderohesha punonjëse e dëshirueshme. Intervistueses i pëlqeva dhe kalova në fazën tjetër. Ndoqa pesë ditë trajnim mbajtur nga një përfaqësuese e burimeve njerëzore që ishte entuziaste përtej arsyes dhe ditën e gjashtë u futa në punë.

Përvoja ime në call center zgjati dy muaj dhe ishin (ndoshta) muajt më stresues të jetës sime. Sidoqoftë, siç thonë që nuk ka libër të keq, nuk ka as një punë të keqe. Diç mësova dhe ç’nxura aty më vlejtën për gjithë përvojat e ardhshme.

Përpikmëria

E dija që të jesh në kohë është shumë e rëndësishme. Tregon respekt dhe mirësjellje. Kur fillova punë vura re drejtpërdrejtë kostot, dhe jo përfitimet. Nëse unë futesha në sistem qoftë një minutë më vonë nga ç’niste turni, më hiqnin ditën e punës. Nëse rrija në pushim qoftë një minutë më shumë nga 15 minutëshi i parashikuar, më hiqnin ditën e punës. Punoja katër orë në ditë dhe do të ishte çmenduri të mos i zbatoja rregullat. Ato dy muaj u trajnova të isha në kohë, kudo, kurdo.

Oratoria

Vendi ku punoja unë ishte më i rreptë nga call center-ët e tjerë në qytet. Në momentin që mbaronte një telefonatë, isha në pritje automatike të tjetrës. Pra, flisja katër orë pa pushim, gjashtë orë në javë. Mësova të përshëndes, të prezantohem, gjëra që ishin makth për një introverte si unë. Mësova të lexoj karakterin e personit “përballë” meje dhe t’ia prezantoja produktin ashtu si do të donte ta dëgjonte. Isha shumë e suksesshme dhe këto aftësi i përdora edhe në skenare të tjera. Si për shembull në intervista pune. Lexon punëmarrësin, dhe e paraqet veten si të kërkon vendi i punës.

Anglishtja

Për të njëjtat arsye si më lart, cilësia e anglishtes sime të folur u përmirësua dukshëm. Madje luaja dhe me thekset, në varësi të klientit. Mësova të shqiptoja fjalë më të komplikuara, fjalitë më rridhnin dhe s’ndjeja asnjë lloj hezitimi.

Dëgjo

Njerëzve u pëlqen të flasin për veten, pavarësisht kujt po i flasin. Në momentin që telefonata bëhej më miqësore, diku nga minuti i katërt, klientët hapeshin si petalet e një luleje në pranverë; ngadalë, por hapeshin. Duhet t’i dëgjoja me vëmendje që të mblidhja mjaftueshëm informacion për ta, e të zgjidhja strategjinë e duhur për t’i shitur produktin. Nuk mund të hamendësoja, përndryshe gjithçka do të dështonte dhe unë humbisja bonusin. Qoftë në marrëdhëniet personale, ose dhe ato profesionale, është jetësore të dëgjosh personin tjetër, e të komunikosh efektivisht.

Integritet

Puna në call center nuk ishte ëndrra ime dhe e askujt tjetër besoj. Sidoqoftë, mbetet punë, të siguron të ardhura në fund të muajit dhe duhet bërë me integritet. Çdo ditë jepja më të mirën time. Më konsumonte jashtëzakonisht, por e dija që nëse doja të paguhesha mirë, duhet të përpiqesha fort. Dhe funksionoi. Fitova goxha më shumë nga ç’prisja. Aty mësova që mundi paguhet./Anabel

l.h/ dita

March 12, 2018 15:41
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*