FOTO – VIDEO: 5 historitë më të pabesueshme të mbijetesës

January 31, 2016 23:48

FOTO – VIDEO: 5 historitë më të pabesueshme të mbijetesës

Njerëzit janë krijesa të brishta, ndonjëherë mjafton një marrëzi e vogël për t’i dërguar në botën tjetër: një pakujdesi në marrjen e barnave, një rrëshqitje në momentin e gabuar apo ushqimi që ngatërron ezofagun me laringun dhe jeta të ikën si pa e kuptuar. Por ka edhe rrethana të tjera kur njerëzit tregojnë anën e tyre të pathyeshme të shtyrë nga shpirti i mbijetesës për të përballuar situata nga më ekstremet. Pesë nga këto raste janë sjellë nga revista amerikane online “Cracked”, cituar nga DITA.

I bllokuar nën ujë për tri ditë, shpëton

Harrison Okene nuk kishte nga ta dinte se karma e tij do t’i kishte punuar një reng të keq më 26 maj të këtij viti. I riu punonte si kuzhinier në një rimorkiator dhe pas disa ditësh do të celebronte dasmën e tij. Por para se të përjetonte ditën më të lumtur të jetës së tij iu desh të kalonte nëpër tmerrin e tri ditëve ku iu kërcënua seriozisht jeta.

Atë mëngjes, Okene sapo ishte zgjuar dhe ndodhej në banjon e anijes kur dëgjoi goditjen e një dallge gjigante që e fundosi anijen 100 metra nën sipërfaqen e ujit. I bllokuar në thellësinë e abiseve, ai lëvizi përmes korridoreve të anijes që po mbusheshin ngadalë me ujin e akullt. Pasi mori disa kanaçe Coca-Cola dhe konserva, gjeti një hapësirë relativisht të sigurt me një xhep ajri për të marrë frymë.

Kuzhinieri i ri arriti të mbante larg ujin duke i bllokuar muret e anijes me dyshekë. Por, çfarë e përkeqësonte më shumë situatën ishin peshkaqenët që silleshin rrotull reliktit në kërkim të ushqimit. Okene mundi të dëgjonte përpëlitjet e tyre teksa ushqeheshin me trupat e shokëve të tij të ekuipazhit. Veç kësaj, ajri i mbetur në strehëzën e tij do t’i lejonte të merrte frymë normalisht edhe për pak orë.

Por ja që ai mbijetoi për 62 orë falë asaj mrekullie të fizikës të quajtur “Ligji i Boyle”-s: Kur presioni atmosferik rritet, gazet bëhen më të dendur dhe dioksidi i karbonit i emetuar nga Okene thidhej nga uji i ngrirë i detit. Ndërsa kompania e anijeve dërgoi një skuadër shpëtimi, Okene e dha sinjalin që ishte aty duke i rënë njërit prej mureve të rimorkiatorit me çekan. Pas operacionit të shpëtimit dhe periudhës së kaluar në sallën e reanimacionit, Okene iu rikthye planeve që kishte lënë në mes dhe një javë më vonë vuri kurorë.

Harrison Okene

Harrison Okene

Djaloshi që “kalëroi” një tornado

Matt Suter ka një histori të paimagjinueshme për të treguar: si ia doli që shpëtoi nga syri i ciklonit në 2006-n mbetet akoma mister. I riu nga Missuri ndodhej në ruletën e gjyshes së tij, ndërsa koha po përkeqësohej ndjeshëm. Kështu i riu mendoi që të ngjitej mbi divan për të mbyllur dritaren e kabinës, por menjëherë ndjeu lëkundje të forta të automjetit-shtëpi. Portat nisën të përplaseshin dhe mobilet brenda shkonin nga një cep në tjetrin.

Suter e kuptoi që bëhej fjalë për një tornado kur u thith nga vorbulla dhe kaloi mbi një mur i cili kishte vrarë 5 persona, por jo të riun nga Misuri që u gjet 398 metra larg nga ajo çfarë kishte mbetur nga rulota e gjyshes së tij. Më e bukura ishte se i riu kishte pësuar vetëm disa gërvishtje sipërfaqësore.

Matt Suter

Matt Suter

11-vjeçari që i mbijetoi aksidentit ajror në mal

Ishte 19 shkurti i vitit 1979 kur Norman Ollestad Jr, në atë kohë 11 vjeç, po fluturonte bashkë me të atin drejt malit Big Bear për të marrë trofeun e fituar një ditë më parë në garën e skive. Fatkeqësisht aeroplani “Cessna” me të cilin po udhëtonin u përfshi nga një stuhi, dhe u përplas mbi një mal që ngrihej në 2.600 metra lartësi.

Babai i Ollestad-it dhe piloti i aeroplanit vdiqën në vend, të vetmit që mbijetuan ishin ai dhe e fejuara e babait, Sandra, e cila kishte shembur kokën dhe shpatullën. Fëmija i cili nuk kishte veshur as dorashka, por ishte i pajisur me një dozë të fortë instikti mbijetese, mori përsipër zbritjen nga mali duke tërhequr edhe Sandrën me vete. Fatkeqësisht, në një moment gruaja rrëshkiti dhe ra në humbëtirën që s’i dukej fundi para syve të vogëlushit.

Pavarësisht kësaj humbjeje, Ollestad nuk u pushtua nga paniku dhe vazhdoi zbritjen që zgjati plot 9 orë. Kur mbërriti me këmbë në zonën e parë të banuar, ishte në gjendje të mirë shëndetësore.

Norman Ollestad Jr me të atin

Norman Ollestad Jr me të atin

Ata të dy “nënshtruan” cunamin

Më 19 korrik 1958, një pjesë shkëmbi prej 30.6 milionë metrash kub u shkëput dhe ra në gjirin e Alaskës, Lituya, duke ngritur një dallgë 524 metroshe të lartë, e cila shkatërroi gjithçka që ndeshi gjatë rrugës së saj.

Atë ditë, Howard G. Ulrich dhe djali i tij 8-vjeçar Sonny kishin vendosur të dilnin me barkë. Rreth orës 22.15 u zgjuan nga ai që dukej një tërmet por jehonte si një bombë. Të dy e panë këtë paradë madhështore uji që po u afrohej dhe Ulrich, teksa i jepte një dyshek shpëtimi të birit i tha: “fillo të lutesh bir”.

Mesa duket lutjet u dëgjuan, sepse anija e Ulrich jo vetëm që nuk u përfshi nga furia e ujit, por përkundrazi e gjeti veten mbi dallgën gjigante që vazhdonte të përplasej para dhe mbrapa në gji duke përfshirë dhe shkatërruar gjithçka.

I “nxorën gjoksin” bombës atomike dhe mbetën gjallë

Burrat më kurajozë që kanë shkelur mbi tokën tonë të blertë janë: kolonelët Sidney Bruce dhe Frank P. Ball, majorët Norman “Bodie” Bodinger dhe John Huges, si dhe kameramani Geoge Yoshitake. Ata panë nga afër shpërthimin bërthamor në shkretëtirën amerikane.

Në videon që regjistroi pamjet rrënqethëse të, shihen 5 burra që qëndrojnë në këmbë dhe afër mbajnë një tabelë të madhe në të cilën shkruhet “Terren zero, popullsi 5”. Menjëherë më pas dy avionë lëshojnë mbi kokat e tyre pajisjen bërthamore që shpërthen në 5.000 metra lartësi. Burrat tronditen nga fuqia e shpërthimit, por në minutat pasardhëse dhe gjatë gjithë kohës në vazhdim shfaqen të qetë.

Objektivi i demonstrimit që u realizua më 19 korrik 1957, ishte që amerikanët të besonin se nuk kishte asnjë pasojë të rrezikshme për shëndetin nga përdorimi i armëve bërthamore. Në fakt këta burra nuk u mbrojtën në asnjë mënyrë nga rrezatimet, e vetmja veshje me të cilën kameramani mund të mbrohej ishte një berretë beisbolli. Natyrisht që e dimë se mbetjet bërhamore janë të dëmshme për shëndetin dhe pavarësisht kësaj, të gjithë ata që morën pjesë në eksperiment jetuan gjatë.

Dy prej tyre vazhdojnë të jenë akoma gjallë. Fakti që secili prej tyre u prek nga tumori në një fazë të caktuar të jetës duhet të jetë thjesht rastësi. /Dita/

January 31, 2016 23:48
Komento

2 Komente

  1. lola February 1, 09:55

    Keto jane mrekullira. Sikur te ishin me te shpeshta.
    Duke lexuar kete artikull me bene te reagoj me jeten time. Duhet ta marim me seriozisht stervitjen fizike. Duhet te kemi nje trup te forte per te perballuar dhe veshtiresi ekstreme.

    Reply to this comment
  2. monoteisti February 1, 13:36

    Besimi ne Jezuesi, s’ka lindur kot.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*