Pesë ngjarjet më interesante që do të ndodhin gjatë kësaj jave

September 10, 2018 10:05

Pesë ngjarjet më interesante që do të ndodhin gjatë kësaj jave

 

Sapo kemi hyrë në një javë të re dhe, pavarësisht se nuk mund të themi se dimë gjithçka do të ndodhë përgjatë 7 ditëve të ardhshme, gjithsesi disa gjërave edhe mund t’iu paraprijmë. Ndaj, le të njihemi me ato më të rëndësishmet dhe ngjarjet më interesante që do të ndodhin gjatë kësaj jave.

E shtuna, për shembull, do të shënojë 10-vjetorin e kolapsit financiar të “Lehman Brothers”, e cila ishte asokohe banka e katërt më e madhe e investimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kur “Lehman Brothers” dorëzoi letrat për faliment, ajo pati një rol kyç në shkaktimin e krizës financiare globale dhe bankat në Britani e SHBA pësuan tronditje brenda pak orësh. Efektet e krizës ndihen edhe sot, me krizën financiare që ndryshoi botën dhe preku shumë njerëz.

Disa prej ish-punonjësve të “Lehman”-it do ta shënojnë këtë përvjetor me koktejle dhe katering, në një shfaqje që nga shumëkush është cilësuar “e neveritshme”.

Së dyti, për 4 ditë me radhë duke nisur nga e marta, Rusia do të zhvillojë stërvitjen e saj më të madhe ushtarake në thuajse 40 vite, ku do të marrin pjesë mbi 300 mijë ushtarakë.

Stërvitja masive do të zhvillohet në pjesët qendrore e lindore të Rusisë dhe do të mbështetet nga njësi ushtarake të Kinës dhe Mongolisë. Ato mbahen në kontekstin e tensioneve në rritje mes Rusisë dhe NATO-s, me këtë të fundit që ka dislokuar 4.000 trupa në Europën Lindore si kundërpërgjigje ndaj agresionit rus në Ukrainë.

Kremlini thotë se manovrat në fjalë janë të nevojshme, për shkak të “sjelljeve agresive dhe jomiqësore” kundrejt Rusisë. Ato janë të ngjashme, për nga shkalla e shtrirjes, me stërvitjet e vitit 1981, vit kur u simulua një sulm imagjinar ndaj NATO-s.

Hungaria gjithashtu do të jetë në qendër të vëmendjes. Qeveria e ekstremit të djathtë atje po përballet me një shqyrtim rigoroz në nivel europian. Të mërkurën, Parlamenti Europian do të diskutojë nëse Hungaria po i përmbahet sundimit të ligjit, e në rastin më të keq do të përballet me masa disiplinore.

Votimi në PE do të vendosë partitë euroskeptike, mbështetëse ndaj politikave antiemigracion të kryeministrit Viktor Orban, përballë atyre që shohin një kërcënim populist dhe nacionalist ndaj vlerave demokratike të Bashkimit Europian.

Debati pritet të zhvillohet pas një raporti të një europarlamentari holandez, që ka listuar shqetësimet ndaj qeverisë populiste të Orbanit, përfshi kërcënimin ndaj pavarësisë së gjyqësorit, lirisë së shprehjes, të drejtave të pakicave dhe trajtimit të emigrantëve.

Orban ka akuzuar shtetet e tjera europiane se po përpiqen të frikësojnë Hungarinë, në mënyrë që kjo e fundit të ndryshojë mendim mbi çështjen e emigracionit. Një procedurë e tillë ka vetëm një precedent në të kaluarën, ndërsa Hungaria mund të përballet me humbjen e të drejtave të votimit në nivel europian.

Së katërti, dita e parë e Vitit të Ri islamik për shumicën e myslimanëve në botë do të shënohet të martën, duke u bazuar në kalendarin hënor, sipas të cilit viti nis kur shihet hëna e re.

Data 11 shtator shënon nisjen e muajit të dytë të shenjtë në kalendar për thuajse dy miliardë myslimanët e botës, pas Ramazanit. Në shumë vende, kjo festohet si një ditë pushimi kombëtare.

Ajo përkujton të njëjtën datë të vitit 622 të erës sonë, kur Profeti Muhamed nisi udhëtimin e tij nga Meka drejt Medinës për të krijuar shtetin e parë islamik.

Mes vendeve të para që do të festojnë është Indonezia, vendi me më shumë myslimanë në botë, ku do të nisë gjithashtu edhe Viti i Ri “Javanese”.

Në fund, por jo më pak e rëndësishme, ky është edhe sezoni i “Mollës”. Nuk bëhet fjalë për frutin, por kompaninë “Apple”, “iPhone”-t e së cilës do të zbulohen këtë të mërkurë.

Shumëkush mund të pyesë se përse është kaq e rëndësishme kjo, kur bëhet fjalë thjesht për lançimin e produkteve më të reja të një kompanie. Eventi në fakt do të pritet me kërshëri, veçanërisht prej atyre që adhurojnë të kenë në xhepat e tyre pajisjet më të reja dhe më të fundit teknologjike të telefonisë celulare.

Thashethemet më të pabesueshme sugjerojnë se, nga e mërkura mund të njihemi me “iPhone”-n më të madh ndonjëherë, i cili thuhet se do të quhet “XS Max”.

a.s/dita

September 10, 2018 10:05
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*