Pesë poezi dashurie

January 11, 2020 13:49

Pesë poezi dashurie

1.

Vdes në puthjen tënde…

Unë vdes në puthjen tënde,
Po puthjes nuk i druhem,
Se jam një flakëz hëne,
Venitem, po nuk shuhem!

 

2.

Mos pyet…

Mos më pyet: “Pse,
Pse rri i mërzitur,
Dhe kaq i vetmuar
Si qiri i fikur?!”

S’më mban dot o zemër,
Se jam për të ikur,
Ka ardhur një engjëll,
Për të më kositur!

Një qefin të zi,
Më ke porositur…

 

3.

Pas “Lamtumirës”…

Dikur, kur shkrova “Lamtumirë”,
Pyeta veten pse u ngute,
Se përveç vdekjes s’ka në botë,
Asgjë më tjetër absolute!

Gjithmonë me vete kam menduar,
Ajo që shkoi iku u prish,
Por edhe çasti i kaluar,
Plotë me shkëlqim kthehet sërish!

Se jeta s’paska vetëm rrenga,
Nuk është veç helm e pelin,
Se vjen një ditë e shuhet brenga,
Papritur syri merr shkëlqim!

Kaluan nuk e di sa vite,
Dhe zjarri i parë u ndez sërish,
Në qiellin tim ti u përndrite,
Si një dhuratë perëndish!

Me dhimbje shtyj ditë, mote,
As unë as ti nuk kishim vdekur,
Në zemrën time ndjenja jote,
Ç’më kishte mbetur e paprekur!

Nga gjumi letargjik u zgjova,
Sa kisha fjetur nuk e di,
Të falem, zot, që e takova,
Sërish të parën dashuri!

 

4.

Gjendet e vërteta!…

Këndova nga zemra,
Në një shkretëtirë,
Dhe fjala dhe kënga
M’u bën xhevahir!

Këndova gjith’ jeta,
Këputa zinxhirë,
Gjendet e vërteta,
Dhe në shkretëtirë!

 

5.

Mbi një zjarr të tretur

Kur shuhet një zjarr,
Mbetet një dorë hi,
Kur shuhet një zjarr,
Dhe një dashuri!

Mbi një zjarr të tretur,
Mos u lodh më kot,
Se hiri i mbetur,
Zjarr nuk bëhet dot!

 

*****

Poezitë janë të autorit Arben Duka. Shkruar në 1999. Botuar sot në Dita. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë

January 11, 2020 13:49
Komento

3 Komente

  1. Konti Sbalta January 11, 18:05

    Liriku i perjetshem Duka!Na largo nga e perditeshmja jone e veshtire !

    Reply to this comment
  2. I juaji Edi Rama January 11, 19:47

    Faleminderit miku im Arben Duka per kete poezi qe me ke dedikuar mua…

    Reply to this comment
  3. Arben January 14, 00:55

    Talent

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim