Peshku i dy botëve

October 15, 2019 13:02

Peshku i dy botëve

Moikom Zeqo

 

Historinë e pabesueshme të murgut shqiptar Agran Kuka, që ka jetuar në shek. XI-të në Durrës, e kam mësuar rastësisht.

Vesi i nëmur i bibliofilit më ka krijuar gjithmonë të papritura.

Duke shfletuar dorracakët e titujve të librave mesjetarë të Europës, jam endur në një mjegull të madhe informacioni, ku nëpërmjet disa titujve dhe përshkrimeve lakonike të përmbajtjeve nuk kam mundur të kuptoj ndonjë gjë më të thellë.

Në manualin bibliografik të Universitetit Saint Andrew në Skoci, të vitit 1793, përpiluar nga Dr. John Granwar, nuk dihet se pse një kopje e këtij manuali tepër të rrallë gjendej dhe në Arkivin e Bibliotekës Kombëtare të Tiranës, shoqëruar me shënimin  se qe sekuestruar në vitin 1945 nga biblioteka e familjes Vlora, gjeta papritur një subjekt interesimi të jashtëzakonshëm.

Në kapitullin e mbishkrimeve të regjistruara por ende të pabotuara mesjetare, manuali i Saint Andrew shënonte dhe emrin e dorëshkrimit në latinisht të një prifti german Gerhard Krysner, i cili në vitin 1398 kishte shërbyer si bibliotekar në rezidencën e papëve të Avinjonit, ku dhe kishte vdekur në 1403.   dorëshkrimi quhej “Traktat mbi të Pabesueshmen”.

Ky autor i kujdesshëm, me një erudicion të frikshëm, kishte koleksionuar disa nga ngjarjet më të habitshme dhe më të pakuptueshme në harkun kohor të shekujve VIII-XIII-të.

Aty kishte një fragment që lidhej me qytetin e lavdishëm dhe të madh të Bizantit, Durrësit, në brigjet e Adriatikut.

Të dhënat e këtij fragmenti bazoheshin në disa  dorëshkrime alternative të disa kronikanëve, që nuk kishin arritur të bënin emër, që kishin gjurmuar  arkivat kishtare, shumë pak të njohura në qytetet midis dy brigeve të Adriatikut.

Ata kishin regjistruar paralelisht një histori, që nuk kishin patur mundësi t’a kuptonin dhe as t’a argumentonin.

Historia i takonte murgut shqiptar Agran Kuka i cili kishte jetuar midis viteve 1014 dhe 1089.

Faktet qenë lakonike por dhe kontradiktore.

Murgu Agran kishte qenë në të vërtetë biri i jashtëligjshëm i peshkopit ortodoks të Katedrales së Shën Astit, Dhimitër Kantakuzenit, teolog dhe luftëtar i paepur kundër herezive, i njohur dhe vlerësuar nga familja perandorake në Kostandinopojë.

Mbiemri Kuka ishte në fakt i nënës së panjohur, një vajzë arberore nga një familje aristokratike në Durrës.

Nuk është ruajtur emri i saj.  Peshkopi ra në dashuri të papërballueshme me të-  çdo gjë u bë në fshehtësi të plotë.

Fëmia që lindi nga kjo dashuri misterioze qe Agrani.  Kur mbushi moshën 15 vjeç peshkopi e afroi në katedrale dhe bëri çmos t’a shkollonte dhe t’a stërviste me diturinë e krishtera.

Agrani qe një djalë me një adoleshencë të vrullshme, plot shpërthime dhe emocione të vrullshme.

Ai spikati si studiues.

Kishte një kujtesë fantastike.

Qyteti-port i Durrësit qe një vend i hapur ku vinin anije nga e gjithë bota.

Midis udhëtarëve kishte edhe dijetarë, magjistarë, madje edhe heretikë.

Në Durrës vinin edhe kalorës nga Franca dhe Skocia, Spanja dhe Venediku për të shkuar drejt Jeruzalemit.

Murgu Agran i takonte dhe bisedonte me ta.

Ai filloi të grumbullonte dorëshkrime të ndryshme.

Ai tashmë lexonte në latinisht, greqisht, hebraisht por njihte dhe disa gjuhë të Europës.

Murgu qe një djalosh i bukur me një trup elegant, mbante një mjekër të shkurtër dhe kishte sy të kaltër (ngjyra e syve të nënës së tij).

Midis thashethemeve të pashmangshme, pavarësisht disa revoltave shpirtërore, Agrani gjeti një paqe të karakterit, e pranoi faktin që ishte një bir ilegal i një peshkopi, ndonëse në publik dhe zyrtarisht një gjë e tillë nuk mund të thuhej.

Jeta e tij kishte një ngërç, dilemat e tij përvëluese e bënin që ti kushtohej tërë kohën studimit.

Në moshën 20-vjeçare murgu Agran e pati një zbulese.

Një shpërthim vegimi.

Atij i interesonin gjenezat dhe kuptimet e simboleve.  Kriptologjia qe afshi dhe kuptimi i jetës së tij.

Atij i ra në dorë një dorëshkrim anonim i shkruar në gjuhën katalanase por dhe vënde-vënde në latinisht ku flitej për simbolikën universale të figurës së peshkut.

Dihet se të krishterët e hershëm duke vizatuar figurën e një peshku parakuptonin vetë Jezu Krishtin.

Më pas ikonografia ndryshoi brutalisht, figura e Krishtit u paraqit me tiparet zeusiane, shoqëruar me simbole mbretërore sipas paradigmës së pakundërshtuar si mbreti i mbretërve.

Simboli i peshkut u zhduk, por pa e humbur rëndësinë e kohërave zanafillore.

Por murgu Agran ngulmoi më tej.

Enigmat nuk janë gjithmonë të njëjta.

Simbolet figurative alternohen, humbasin për t’u rishfaqur.

Befas murgu Agran, për shkak të vegimit hyjnor kuptoi diçka që nuk e kishte kuptuar askush gjatë shekujve.

Atij iu shfaq në ëndërr një peshk përbindësh.

Peshku kishte kokë njeriu, në trup mbante luspa dragoi dhe bishti i tij përfundonte në formën e dy gjarpërinjve gjithashtu me kokë njeriu.

C’përfaqësonte ky peshk madhështor dhe i llahtarshëm?

Murgu Agran kur shihte peshkun e ëndrrës binte në ekstazë.

Thuhet se ai mund të bisedonte gjatë ekstazës me disa kryeëngjëj të padukshëm të cilët nuk kishin emra.

Në dialog me ta murgu Agran mësoi diçka parake.

Ishte fjala për krijimin e  botës, në çastin kur Zoti i madh vendosi që nga kaosi dhe hiçi t’a shpallte krijimin e tij më në fund.

Pikërisht në çastin e ndërmjetëm tranzitor të krijimit të botës kishte patur në të vërtetë dy botë.

Bota e parë qe ujorja dhe e dyta tokësorja.

Këto dy botë kishin qenë paralele për shumë kohë.

Në secilën nga këto dy botë kishte qënie inteligjente.

Në fillim midis botës ujore dhe asaj tokësore nuk kishte patur probleme.

Edhe më vonë kur detet dhe oqeanet duket sikur u bënë të mëvetshme në raport me kontinentet dhe ishujt, njerëzit antijë e dinin se qe jetike paqja midis këtyre dy botëve.

Në shek. IV para Krishtit jetonte në qytetin e Durrësit një mbret ilir i quajtur Glauku.

Ai qe i plotfuqishëm por dhe i mençur.

Për të ekzistonte një mit.

Në rinnë e tij mbreti Glauku, duke u zhytur në ujërat e Adriatikut kishte parë një barishte të çuditshme të gjelbërt nënujore.

Ajo formonte një lloj pyllnaje të nëndetit dhe ngjyra e gjelbërt e saj qe dhe fosforente.

Glauku i tunduar e kafshoi dhe e përtypi një gjethe të kësaj barishteje, duke u bërë kështu i pavdekshëm.

Glauku doli në breg por tani ishte një qënie krej ndryshe.  Edhe ai e pati një ëndërr të pazakontë.

Iu shfaq shumë shekuj përpara murgut Agran peshku përbindësh.

Prej tij mësoi një gjë drithëruese; qëniet inteligjente të botës ujore, për arsye që nuk dihen, kishin grumbulluar një mllef për qëniet inteligjente të botës tokësore.

Mbretëria e ujrave kishte plot kalorës dhe heronj, me pamje njerëzore, lëkurëkaltër, me gjymtyrët e pajisur me kthetra dhe me membrana notuese.

Ata ishin të zemëruar me njerëzit e tokës dhe kishin vendosur të hakmerreshin.

Qëniet mizore ujore dolën një ditë nga bota e tyre dhe sulmuan njerëzit e tokës.

Beteja qe e llahtarshme, e gjatë dhe e ankthshme por heroi heroi i pavdekshëm ilir Glauku, i paralajmëruar nga ëndrrat e tij, që i shihte veç ai, e kishte menduar që më parë një strategji mbrojtjeje.

Ai shpiku disa pasqyra të mëdha prej bronxi të lëmuar dhe të shkëlqyer dhe duke reflektuar diellin bëri një mbrojtje paraprake të brigjeve të qytetit.

Kur qëniet ujore sulmuan, për shkak të shikimit të tyre të dobët u verbuan dhe bënin lëvizje të pakontrolluara.

Pra u mungonte logjika e fitores.

Para sulmit të tyre u shfaq në Adriatik tashmë figura konkrete e peshkut përbindësh të ëndrrës.

Glauku e sulmoi pikërisht atë duke e plagosur me shpatë në retinat e syve.

Qëniet ujore megjithatë vërshuan.

Sulmi i tyre qe i pandalshëm.

Glauku i kishte lajmëruar banorët e mbretërisë të ngjiteshin paraprakisht në majat e maleve.

Sulmi i qënieve ujore kuptohet që qe pa rezultat.  Atëherë ata u kthyen përsëri në botën e tyre për të qëndruar aty të fshehur në shekuj.

Murgu Agran qe i vetmi që e dinte këtë legjendë, thelbin e betejës.

Glauku për shkak të pavdeksisë që posedonte u largua në viset panteonike të qiellit.

Legjenda e tij pagane u shpërfill dhe u përbuz nga të krishterët.

Por ja që Agrani i krishterë nuk mund të qe indiferent ndaj kësaj legjende.

A thua rastësisht i qe shfaqur atij peshku përbindësh?

Pse vallë?

Nëse të krishterët e kishin adhuruar figurën e peshkut duke nënkuptuar Krishtin, çfarë dreqin simbolizonte peshku përbindësh.

Murgu Agran e shkroi një poemë profetike me vargje hekzametra në dy variante; në latinisht dhe në greqisht.

Ai nuk ia tregoi askujt këtë krijim.

Madje as atit të tij biologjik, peshkopit.

Ai shkonte shpesh në veri të qytetit, në brigjet e gjirit detar të Currilave.

Aty rrinte si i statujuar duke parë me orë të tëra me një përqëndrim masketik ujrat e kthjellta të detit.

Nuk dihet kush e zbuloi ekzistencën e poemës së tij të fshehtë.

Menjëherë e paditën tek peshkopi.

Ia vodhën poemën.

Peshkopi lexoi me lebetitje vargjet.

Kuptoi se ëndrra me peshkun përbindësh i kapërcente dhe i shkatërronte të tëra krijesat teologjike normale.

U drodh me pezmë, u tmerrua duke menduar se biri i tij, Agrani, nuk iste as më shumë as më pak por një njeri përbindësh.

E thirri të birin, e qortoi, e akuzoi.

U betua se do ta zhdukte nga bota.

Por nuk vendosi dot t’a vriste.

Gjithsesi, me anë të klerikëve të tij, peshkopi e izoloi tërësisht murgun Agran.

Agrani e duroi i qetë të gjithë këtë persekutim.

Një mesnatë u zgjua nga gjumi, u largua nga qela e tij e ngurtë dhe nëpër errësirë kapërceu kodrën me makje në veri të qytetit dhe zbriti brigjet prej argjili dhe shkëmbinj magmatikë të gjirit të Currilave.

Aty qëndroi gjatë pa lëvizur.

Kur shkrepi Dielli i mëngjesit mjedisi shkëlqeu profetikisht, murgu Agran pa befas në ujrat e detit peshkun përbindësh.

Ai lëvizte mes dallgëve dhe pas tij ngrihej një shkumë vigane fosforeshente.

Murgu Agran shpërtheu në një dënesë të pakuptueshme.

Sytë e tij të përlotur megjithatë shihnin qartë.

Ai e kuptoi deri në fund se nuk mund të ishte dot Glauku i pavdekshëm.

Përkundrazi, ishte një qënie njerëzore brishtësisht e vdekshme.

Peshku përbibdësh i kishte sytë të përgjakur.

Me një verbëri mitike dhe të kuçedërshme.

Agrani e pa përsëri pa u tutur.

Befas dallgët të shumëfishuara e përmbytën gjirin e Currilave.

Duke u zhytur përfundimisht në ujë Agrani e kuptoi metamorfozën e tij.

Ai tashmë përfundimisht mund të kthehej nënjë qënie ujore, për të braktisur gjithçka tokësore.

 

Ishte data 23 prill 1081.

Pikërisht këtë ditë nga perëndimi i detit Adriatik e sulmoi Durrësin flota e egër e anijeve vikinge të princit gjakpirës dhe të pathyeshëm norman, Robert Boemundi.

Nuk kam fuqi t’a shpjegoj më tej këtë subjekt.

A është një subjekt real apo fantazmagorik.

Ekzistenca e murgut Agran është e padyshimtë.

Po ashtu dhe sulmi i normanëve i provuar tërësisht dhe botërisht nga kronikat.

Vështirësia e të kuptuarit qëndron tek simboli i peshkut përbindësh.

Por ka dhe një vështirësi tjetër akoma më mistike, ajo midis dy botëve, tokësores dhe ujores.

Përmbytja biblike e Noas është një referencë.

Profecia e popullit Maja për një apokalips ujrash në vitin 2010 është gjithashtu një plotësim.

Askush nuk mund të kuptojë diçka përfundimtare.

Kumtet janë kudo.

Idea e një përplasjeje finale është e pazhbëshme dot.

Sidoqoftë subjekti i mësipërm është diçka superore, as kohërat pagane as të krishtera nuk mund t’a klasifikojnë dot.

Zhanri i rrezikshëm dhe i kushtueshëm i profecive mund t’a mëtojë, pa e zotëruar përfundimisht deri në fund. (1999 )

 

October 15, 2019 13:02
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*