Petraq Qafëzezi: Si e shkruajta skenarin e filmit “Lulëkuqet mbi mure”

Fatos Puto / Aleks Kalemasi November 22, 2012 16:24

Petraq Qafëzezi: Si e shkruajta skenarin e filmit “Lulëkuqet mbi mure”

Ëndrra e pilotit dhe rebelimi i aviatorëve kursantë shqiptarë në ish-Bashkimin Sovjetik

 

Kritikat e zyrtarëve burokratë partiakë dhe transmetimi i filmit pas aprovimit nga familja e Enver Hoxhës.

 

Petraq Qafëzezi, inxhinier, aviator, si dhe autor i një sërë poezish dhe romanesh, tregon historinë se në çfarë rrethanash u shkrua skenari i filmit “Lulëkuqet mbi mure”, që mori shkas nga romani i tij “Bonjakët”, botuar në vitin 1972. Përse fillimisht filmi nuk u pëlqye nga zyrtarët burokratë të partisë? Si ndryshoi rrjedha dhe fati i tij pasi filmi ishte parë pa u shfaqur në familjen Hoxha? Nisja e karrierës me një dëshirë të hershme për t’u bërë pilot, dëbimi nga ish-Bashkimi Sovjetik dhe peripecitë e punësimit në atdhe..

 

Kush është Petraq Qafëzezi

Është i njohur më së shumti në opinionin publik shqiptar si autor tekstesh dhe pjesëmarrës i të gjithë festivaleve në Radiotelevizionin Shqiptar, deri në atë të 11-tin. Por ajo që i dha më tepër famë, ishte romani i tij autobiografik “Bonjakët”, që shërbeu edhe si bazë e skenarit të filmit të mirënjohur “Lulëkuqet mbi mure”. Filmi në fjalë fitoi atë mot çmimin e parë, si për regjinë, ashtu edhe skenarin. Por fama e tij nuk mbaron këtu. Petraq Qafëzezi mbetet edhe piloti i parë shqiptar, i cili në vitin 1958 u hodh  me katapultë nga një distancë e rrezikshme, pasi avioni me të cilin kryente stërvitje po rrëzohej në afërsi të bregdetit midis Fierit dhe Vlorës, pranë Pish Poros.

 

Ëndrra e pilotit

Petraqi, tashmë një i burrë i moshuar 77-vjeçar, tregon se jetën e tij e ka ndarë në tre etapa: nisjen e punës për të vënë në jetë dëshirën e tij të kahershme për t’u bërë pilot; studimet në Rusi si kursant i avancuar dhe kthimin në atdhe si projektues dhe arkitekt në Ministrinë e Ndërtimit.

 

“Ishte dëshirë e shumë të rinjve në atë kohë për t’u bërë pilotë, sepse me anë të këtij profesioni të jepej mundësia për të dalë jashtë vendit, të shikoje një botë tjetër”, nis rrëfimin e tij Petraqi.

 

Kursi i parë i aviacionit u hap në vitin 1958, në kohën që ai ishte në vitin e tretë të shkollë së lartë. Fillimisht kandidatët e parë për pilotë nisën punën në Tiranë, ndërsa më pas u zhvendosën në Qytetin Stalin (Kuçovë). Ishte koha kur sapo kishte filluar të ndiheshin acarimet e Shqipërisë me vendet e bllokut të Traktatit të Varshavës, me në krye Bashkimin Sovjetik. Fillimisht, gjatë vitit të parë, stërvitjet dhe trajnimet për pilotët shqiptarë nisën duke përdorur avionë me helikë, kurse në të dytin, me avionë reaktivë MIG.

 

Hedhja e rrezikshme me parashutë

Gjatë stërvitjeve të para, Petraqi tregon se pati një incident. Kursanti Jovan Kacorri ra me gjithë avionin e tij dhe gjeti vdekjen në një nga fushat e Fierit. “Ai ishte pjesë e grupit prej katër pilotësh ku bëja pjesë dhe unë, por pas ca kohësh, në një aksident të rrezikshëm do të përfshihesha edhe vetë”, kujton Petraqi. “Pistat për stërvitjet ishin ndërtuar në disa fusha, të cilat sheshoheshin më parë me buldozerë. Ne stërviteshim në zonën midis Fierit dhe Vlorës, në Pish Poro. Isha ngritur me avionin tim në një lartësi prej rreth 4000 metër nga toka. Ishte një moment që unë po zbrisja poshtë dhe më pas do të rikthehesha menjëherë lart, një veprim që bëhet shpesh në stërvitje të tilla. Si rregull, gjatë këtyre manovrave, dy krahët e avionit në fund të tij hapen në momentin e uljes për të minimizuar shpejtësinë. Kurse në ngjitje krahët mbyllen, me qëllim që të rritet shpejtësia e avionit. Pikërisht gjatë kësaj manovre konstatova se krahët mbetën të takuar dhe nuk i përgjigjeshin më komandave të mia nga kabina. Avioni filloi të ngjitej lart, por jo me shpejtësinë e duhur, deri sa shpejtësia ndali dhe avioni nisi të bjerë poshtë me shpejtësi, në një formë që pak a shumë njihet si forma e spirales ose turrielës. Tentova të njoftoj instruktorët që na komandonin, por në atë moment një tjetër pilot po komunikonte me qendrën dhe zëri im nuk u dëgjua.

 

Vendosa të hidhem me katapultë, megjithëse ajo që po bëja duke u hedhur nga 4000 metër lartësi ishte e rrezikshme, pasi zakonisht, pilotët e “stoperës” i kryejnë këto manovra në lartësi më të mëdha dhe afro 80 për qind e pilotëve që hidhen nga avioni në këto momente nuk shpëtojnë pa pasoja. Megjithatë, unë shtypa butonin dhe katapulta doli me shpejtësi nga kabina. Gjatë kësaj kohe, krahu i djathtë, në afërsi të bërrylit, m’u gjakos pasi kabina ishte e ngushtë dhe duhej të rrija me duar të ngjitura fort pas trupit. Gjatë rënies tregova kujdes që të mos bija mbi liqen. Poshtë dukej laguna e Nartës. Ka një teknikë në këto raste: kur je duke u hedhur me parashutë përdoret manovra e rrëshqitjes. Kjo bën që të mënjanohet kupola dhe të rritet shpejtësia, në mënyrë që të shmanget rënia në ujë.

 

Gjithsesi parashuta ishte e pajisur edhe me një varkë, e cila kishte bombolën e gazit që e frynte varkën bashkë me një kovë të vogël që mund të përdorej në rast se ajo mbushej me ujë. Megjithatë munda të largohem nga uji dhe rashë në një arë fshati, ku po punonin një grumbull grash. Ato erdhën menjëherë dhe njëra prej tyre grisi një rrobë, me të cilën më lidhën krahun e gjakosur.U mjekova shpejt e shpejt në ambulancën e fshatit dhe më pas u nisa drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë, ku bëra operimin e krahut.

 

Stërvitja e avancuar në Rusi dhe rebelimi i kursantëve

Në Bashkimin Sovjetik do të shkonin rreth 20 kursantë shqiptarë, pesë prej të cilëve (midis tyre edhe Petraq Qafëzezi), vinin nga jeta civile. 15 të tjerët ishin “skënderbegas” dhe të gjithë u vendosën në qytetin e Krasnodarit. Kishte një dallim të madh midis atyre që vinin nga shkollat civile dhe skënderbegsave, të cilët ishin mësuar me rregulla dhe uniformë që në moshë të vogël. Kursi për pilotët, që zhvillohej në Rusi, ishte më i avancuar, ndërkohë që Petraqit i ra shorti që nga stërvitjet me avionë reaktivë të kalonte në avionë bombardues. Ai tregon se atëherë shikohej me sy të mirë edhe nga homologët rusë, pasi ai ishte i pari pilot shqiptar që kish realizuar një prej hedhjeve më të guximshme me parashutë nga një distancë e shkurtër, duke shpëtuar gjallë. Petraqi flet me fjalët më të mira për 20 kursantët shqiptarë që shkuan në Rusi. Pothuajse të gjithë ata ishin të shkëlqyer në mësime. Të gjithë kursantët shqiptarë kishin mbaruar kursin e avionëve me helikë dhe tani ishte koha që ata të përgatiteshin për diçka më të avancuar. Kujdestari i tyre në Rusi ishte kapiten Titovi. Shumë shpejt kursantët shqiptarë do të konstatonin se do të trajtoheshin si fillestarë, megjithëse ata nuk ishin të tillë. Norma e ushqimit ishte e ulët, ndërsa uniformat që iu dhanë ishin njëlloj si të ushtarëve. Këto mjaftuan që kursantët të rebeloheshin.

 

Ja ç’tregon Petraqi për këtë rebelim: “Unë, si më i madhi nga të gjithë, isha përgjegjës i grupit dhe merresha çdo ditë më punët e zgjimit dhe organizimit të grupit tonë. Një ditë kur u thashë shokëve të ngriheshin pasi po shkonte ora e ngrënies së mëngjesit, ata nuk u çuan. Kishin nisur grevën dhe ishin pikërisht kursantët skënderbegas që kishin qenë nismëtarët e saj. Kjo ngjarje u bë problem i madh. Erdhi me urgjencë një gjeneral nga Rostovi dhe kur mësoi shkakun e grevës, na dha të drejtë. Gjenerali mbështeti grevën e shqiptarëve edhe për ushqimin, edhe për uniformën.Mirëpo kursantët skënderbegas vazhdonin të ngulnin këmbë “në të tyren”se përse nuk u ishin plotësuar kërkesat më parë. Për këtë ngjarje u njoftua edhe gjenerali shqiptar Halim Ramohito, i cili ishte atasheu ushtarak në Bashkimin Sovjetik në atë kohë. Ai erdhi menjëherë dhe u bë një mbledhje e shpejtë.

 

Unë nuk mora pjesë, sepse nuk dija gjë. Në mbledhje u insistua në gjetjen e shkaktarit dhe organizatorit të grevës. Duke qenë se unë isha më i madhi në moshë dhe nuk isha prezent, ata konkluduan se këtë punë e kisha kurdisur unë. E kështu, pas pak ditësh, erdhi urdhëri që unë dhe një tjetër kursant nga Tirana u shpallëm “të padëshiruar” në Rusi dhe duhej të ktheheshim menjëherë në atdhe. Kështu u mbyll karriera ime 3-vjeçare e pilotit dhe unë dola nga kjo histori. Kur mbërrita në Tiranë, ndodhesha në udhëkryq”..

 

Punësimi në atdhe

Pas mbërritjes në Tiranë, Petraq Qafëzezi shkoi në Ministrinë e Ndërtimit, ku ministër në atë kohë ishte Josif Pashko. Ai tregon se shkoi me po atë uniformë me të cilën kishte ardhur nga Rusia pasi nuk kishte rroba civile të përshtatshme. Pas kërkesës së tij për punë, zyrtarët e ministrisë i caktuan atë të specialistit të degës së kuadrit që mbulonte kurset profesionale dhe pak kohë më vonë, duke mos qenë komunist, atë e caktuan në drejtorinë e arkitekturës. “Në vitin 1966, – kujton Petraqi, – u hodh për herë të parë ideja e qarkullimit të kuadrove. Ka qenë një situatë mjaft e vështirë. Të gjithë rrinim si në ankth. Thirrej dikush dhe mbanim vesh: çfarë i thanë, kush iku, kush e ka radhën? Të gjithë pothuajse po e linin Tiranën dhe pas disa ditësh erdhi radha ime.

 

Më thanë të shkoja në Korçë, por unë ua ktheva: “Po shkova atje, humba si profesionist”. Më pas u diskutua që të shkoja në Elbasan, por fati e deshi që unë të përfundoja në Durrës. Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Durrësit, Sali Verdha, kishte kërkuar disa kuadro për në zyrën e projektimit që varej nga Ministria e Ndërtimit. Sapo u mor vesh kjo, përgjegjësi i kuadrit në ministri, Qamil Gavoçi, më dërgoi mua. Këtu u krijua bërthama e projektimit, bashkë edhe me tre të tjerë që erdhën nga Tirana. Fillova punë si projektues dhe arritëm të bëjmë projektet e rreth 40 objekteve të ndryshme në qytetin e Durrësit. Bashkë me Robert Seminin dhe Sokrat Moskon realizuam projektin e Pallatit të Sportit, transformimin e xhamisë, që u kthye në pallat kulture, kinoteatrin dhe shumë objekte të tjera me karakter social-kulturor.

 

Akuza e rreme për kunatin e dënuar me 20 vjet burg

Në mesin e viteve ’70, në kohën kur Petraq Qafëzezi punonte në zyrën e urbanistikës në Durrës,  bashkëshortja e njofton nga qyteti i Beratit se kunati i tij ishte arrestuar për pjesëmarrje në një grup armiqësor. Petraqi tregon se kjo gjë shokoi gjithë farefisin. Akuza për vëllanë e gruas së tij ishte se në bashkëpunim me djalin e Teme Sejkos dhe një person tjetër kishin patur si qëllim që të hidhnin në erë Kombinatin e Tekstileve “Mao Ce Dun” në Berat.

 

Vendimi i gjykatës ishte “vdekje me pushkatim” për djalin e ish-gjeneralit të flotës, 25 vjet burg për personin e dytë dhe 20 vjet për kunatin e Petraqit. Sipas Petraqit, kunati i tij u dënua pa të drejtë, edhe pse i biri i Teme Sejkos pati deklaruar për të në gjyq:“Këtë person nuk e njoh fare dhe ai nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen”. Kjo “njollë në biografi” do ta shoqëronte Petraq Qafëzezin gjatë viteve të mëvonshme.

 

Telashet që nisën me dënimin e kunatit dhe degdisjen e tij në Burgun e Spaçit, bënë që tre javë pas nisjes së punës në zyrën e urbanistikës në Durrës, të niste një tjetër transferim për Petraqin në ndërmarrjen e serave në Shkozet, gjithmonë në byronë e projektimit. “Për 2-3 vjet kam punuar pa lëvizur aty, derisa doli një tjetër vendim i Komitetit Qendror të Partisë, ku përcaktohej qartazi se kush hynte në pjestarët e trungut familjar, që në fakt ishin: djali, vajza, nëna, babai, motra, vëllai, vjehrra dhe vjehrri. Pra kunati nuk hynte në pjesëtarët e familjes. Nga fundi i viteve ’70, në Durrës u zhvillua një mbledhje e Lidhjes së Shkrimtarëve. Aty erdhi dhe Anastas Kondo, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë. Unë njihesha me të dhe pas mbledhjes ai më kapi për krahu për të shkuar për kafe. Kaq u desh dhe pas këtij takimi, sulmet në zyrën e kuadrit ndaj meje u ndërprenë.

 

Skenari i filmit, sulmi nga zyrtarët e paaftë

Zanafilla për përzgjedhjen e romanit “Bonjakët”, që ai të ekranizohej, ka nisur pas një sugjerimi që shkrimtari Vath Koreshi i bëri regjisorit Dhimitër Anagnosti. Ishte koha kur Anagnosti po kërkonte një skenar të ri për filmin e tij dhe Koreshi i sugjeroi romanin “Bonjakët”. Ai e lexoi dhe shprehu interesim për të, por skenari për filmin do të punohej nga e para. Petraqi tregon se i gjithë xhirimi i filmit u bë pa u shfaqur asnjë fragment. “Vetëm Dhimitri, unë dhe piktori i dinim xhirimet e tij. Gjithçka u mbajt e fshehtë. Gjithsesi, filmi sapo kishte mbaruar dhe u hapën fjalë se “së shpejti do të shfaqet një film i ri shumë i bukur”. Sidoqoftë do të ishte komisioni i posaçëm në kinostudio që do të vendoste për fatin e filmit dhe vendimtar do të ishte qëndrimi partiak që do të mbahej.

 

Ndodhi pikë për pikë kështu. Në sallën me vetëm pak persona, në një qetësi absolute, u bë shikimi i filmit. Në mbarim të tij, të gjithë anëtarët e komisionit në kinostudio na përqafuan. Pa mbaruar entuziazmi ynë, na thanë se në orën 20:00 krijuesit duhet të jenë përsëri aty se filmin do ta shohin njerëzit e partisë. Erdhën edhe ata. Përsëri salla bosh, me vetëm 4-5 vetë që e ndiqnin pa reaguar fare. Në fund nuk thanë asgjë. As na pëlqeu, as nuk na pëlqeu, por vetëm u shprehën: Shkoni tek zyra e drejtorit! Aty nisën pyetjet absurde, si: “Ç’është ky titull more, ç’janë këto “Lulëkuqet mbi mure”. Ne u thamë se është gjetur ky titull si simbol i kapërcimit të robërisë etj, etj. Më pas vinte pyetja tjetër: Po ky kujdestar frikacak ç’është? Çfarë doni të thoni me këtë?

 

Në një moment ndërhyri Dhimitër Anagnosti dhe tha se “këto nuk janë gjëra të sajuara, sepse vetë Petraqi është rritur në shtëpinë e fëmijës”. Me një fjalë na telendisën dhe dushi që na dhanë do të pasohej me një gjendje ankthi për disa ditë me radhë.

 

Megjithatë, filmi “Lulëkuqet mbi mure” mori miratimin e komisionit. Nga kjo situatë, Dhimitri thuajse u ngujua në shtëpi. Nuk dilte fare. Unë isha në hall për veten time. Kisha një gjendje ankthi dhe pasigurie. Në këtë kohë, meqë ishte fundi i vitit dhe Instituti i Studimeve dhe Projektimeve ishte mbrapa me veprat e 5-vjeçarit, më caktuan edhe mua që të shkoja për ndihmë. Pikërisht në këtë institut gjeta edhe vajzën e Enver Hoxhës, Pranverën dhe bashkëshortin e saj, Klement Kolanecin. Një mëngjes, Klementi m’u afrua duke qeshur dhe, pasi më përqafoi, më tha: “Na kënaqe me filmin!” Fillimisht nuk e kuptova, por pas disa orësh shkova e takova përsëri Klemin dhe i thashë: “Të lutem, unë kam blerë një gjel për Vitin e Ri. Më thuaj, ta ha i qetë apo jo?” Klemi më tha: “Pa merak, ha edhe dy po të kesh mundësi”! Pas kësaj shkova me vrap tek shtëpia e Dhimitrit. Trokita tek dera disa herë. Ai përgjigjej me frikë nga brenda: “Kush është?” Unë ia ktheva: “Dil jashtë se kam marrë lajme të mira”. Kështu dolëm të dy dhe pa hyrë mirë tek oborri i Lidhjes së Shkrimtarëve, të gjithë që na panë na uruan për filmin, madje edhe njerëz që nuk e prisnim. Filmi, pasi u shfaq për publikun, mori çmimin e parë si skenar dhe regji.

 

Rruga drejt artit

Petraq Qafëzezi kujton se ka nisur të shkruajë poezi që në shkollën e mesme, duke i botuar krijimet e tij kryesisht tek “Tribuna Letrare” dhe tek gazeta “Drita”. Janë mbi 50 poezi të botuara në këtë periudhë, por pa botuar vëllime poetike. Krahas poezive, Petraqi është edhe autor i rreth 40 këngëve që janë interpretuar nga festivali i parë deri në të njëmbëdhjetin në RTSH, si dhe pjesëmarrës në të gjithë festivalet e këngës në Durrës. Në shumë raste ka bashkëpunuar me kompozitorin Çesk Zadeja, ndërsa në Durrës me Shaqir Kodrën. Më pas, në vitin 1972, u botua romani i parë “Bonjakët”, i cili është një roman autobiografik.

 

Petraqi u rrit në “Shtëpinë e Fëmijës” nga mosha 3 – 13 vjeç. Pikërisht nga ky roman është marrë edhe skenari i filmit “Lulëkuqet mbi mure”, me regji të Dhimitër Anagnostit. Shumë shpejt libri arriti të botohej 3 herë, ndërkohë që është përkthyer edhe në greqisht. Ai ka fituar çmimin  e parë në konkursin kombëtar të zhvilluar nga Lidhja e Shkrimtarëve pas botimit të tij. Libra të tjerë të Petraq Qafëzezit janë edhe “Moshatarët” dhe “Rruga e fluturimeve”.

 

Fati i filmit në dorë të Nexhmije Hoxhës

Thashethemet që nisën për filmin “Lulëkuqet mbi mure” bënë që për të të interesohej dhe familja Hoxha. Filmi ishte shfaqur një mbrëmje enkas për familjen e tij dhe shpejt u mësua se ai ishte pëlqyer shumë, sidomos nga Nexhmije Hoxha. Megjithëse filmi evokon, midis të tjerash, edhe aksionet e lëvizjes antifashiste që sapo kishte nisur në vend, përsëri censura mund të kapej në çdo gjë dhe mund të ndodhte që filmi të mos shfaqej kurrë. Vetë Petraqi thotë se elementi që përdoret në film, që banorët e qytetit ku ndodhej jetimorja, merrnin herë pas here fëmijë jetimë për dreka ose darka, ka një të vërtetë. Kjo gjë ndodhte edhe në kohën që ai ishte vetë fëmijë në jetimore.

 

Ankthi për librin “Rruga e fluturimeve”

Romani “Rruga e fluturimeve” ka si subjekt përpjekjet e pilotëve të parë shqiptarë për të arritur në nivelin që kishin flotat ajrore të vendeve fqinj. Megjithëse libri kishte mbaruar së shkruari, Petraqi kujton se ai nuk mund të botohej pa pasur recensionin nga Ministria e Mbrojtjes. Në atë kohë, shef i shtabit të ushtrisë ishte Sotir Majko. “Ai më thirri dhe më tha se dy-tre kopje ua kishte dërguar pilotëve në një regjiment. Meqë prisja të më kthenin një përgjigje dhe kjo u vonua, unë e mora në telefon shefin e shtabit pas disa ditësh. Nga ana tjetër e telefonit më erdhi një zë i mekur dhe menjëherë kuptova se libri do të kishte probleme. U shqetësova shumë dhe pasi u konsultova me një shok vendosa të shkoj në Tiranë. Duke udhëtuar drejt Tiranës, copa-copa, se nuk kishte as tren, në Vorë mora vesh rastësisht se atë ditë kishte ndodhur një aksident tragjik: kishin vdekur dy pilotë në stërvitje. Kështu e kuptova se zëri i mekur i shefit të shtabit vinte nga ngjarja e rëndë, dhe jo nga libri im”.

Fatos Puto / Aleks Kalemasi November 22, 2012 16:24
Komento

2 Komente

  1. Ilir January 23, 03:20

    Petraqin e kam njohur ne Durres si autor tekstesh ne festivalin lokal por edhe ne ate kombetar por nuk e dija qe kishte qene edhe aviator apo qe punonte ne zyrat e projektimit. Qenka njeri me shume talente. I lumte. Filmi ” Lulekuqe mbi mur” eshte nga filmat e mij te preferuar. Sa here kemi bere shaka me shoket me batutat e filmit, sidomos te kujdestarit. Eshte film i mrekullueshem. I uroj Petraqit shendet dhe gjithe te mirat.

    Reply to this comment
  2. ALEKSANDER March 15, 14:59

    Eshte nje nga 5 filmat e mi me te preferuar.
    Edhe muzika e filmit eshte e mrekullueshme.
    Filmi “Lulekuqet Mbi Mure” meriton noten 10.
    I uroj Petraqit jetgjatesi.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*