Petro Cani, babai i kirurgjisë shqiptare, njeriu që e kishte frikë edhe vdekja

Kristaq Laka October 26, 2014 18:11

Petro Cani, babai i kirurgjisë shqiptare, njeriu që e kishte frikë edhe vdekja

Edhe sot, por ndoshta pas shumë e shumë vitesh, kur të mos jetë më brezi që e ka njohur e nxënësit e tij mjekë kirurgë të jenë në pleqërinë e thellë, kur të tregohen bëmat e një kirugu me emrin Petro Cani, “aventurat” që bëri në emër të jetës, në luftë me vdekjen, jam i bindur se do të thonë: po dëgjojmë një legjndë… Nuk besoj të ketë patur mjekë që të kenë operuar aq shumë njerëz në prag të vdekjes sa Petro Cani, e të këtë patur aq shumë sukses. E po të kishim mundësi t’i anketonim ata që janë gjallë, e të ringjallnim edhe ata që kanë vdekur, jam i sigurt se do të thonë: Ai vrau vdekjen që na kishte vënë nën thonj dhe na risolli në jetë. E prandaj, më shumë se askënd Petro Canin e urrente dhe e kishte frikë vdekja. Ai kishte lindur për të dhënë jetë…

Kushedi se sa partizanë operoi ai, Petro Cani, në luftë, ata që plumbi i gjente në betejë dhe i sillnin në “betejën” me djaloshin Petro. Bukuria rinore u kundërvihej tmerreve të luftës. Guximi dhe trimëria, dashuria te njerëzit do ta çonte atë drejt mrekullive. Ai, partizani Petro Cani i dha luftës më shumë se kushdo, i fali gjithçka e nuk mund të krahasohet me askënd. “Qe një fat i madh që ajo nuk i mori jetën. Ai pa vdekjen e të tjerëve dhe fundin e jetës së tij” – kështu shkruan për të Prof. Lluka Heqimi. E gjithë puna e tij, ishte heroike. Shumë herë u ndodh përballë sfidave… U ndodh ku ishte lufta, ku ishin spitalet partizane. Në malet e Vlorës, të Korçës, gjithandejnëpër Shqipëri, nëpër spitalet partizane.

Në Operacionin Armik të Dimrit, 1943, do të çvendosej spitali partizan nga Lavdari i Oparit në Bozdovec, Misras e Protopapë. Lumi i Protopapës buçiste si i marrë. Këtej lumi i egër, andej gjermanët edhe më të egër. Mes egërsish, u dëgjua zëri autoritar i Petros: t’i kalojmë të sëmurët një nga një, matanë lumit. Vetë rrëmbeu Ganiun, një partizan të rëndë që i kishte prerë njërën këmbë, e hodhi në kurriz dhe mespërmes ujt të ftohtë si brisk dhe egërsisë së dallgëve e kaloi matanë… Pas tij kaluan të gjithë. Në Dushar e Pyjet e Ostrovocës, u gjendën ballëpërballë bishave naziste. Në pritë… T’u zësh pritë edhe të sëmurëve!! Sharsi gjerman sharronte. Të sëmurët e partizanët që i shoqronin shtangën e s’dinin ç’të bënin. Kuajt vraponin e hingëllinin e skrofëtinin si të tërbuar, të çoroditur. Edhe ata i kishte zënë tmerri i luftës. Hingëllima e tyre u kthye në bori tmerri. Plumbat fishkëllenin… Dikush lëshonte klithmat e fundit të jetës. Ganiun, që Petroja e kishte mbajtur në shpinë, një plumb gjerman e zuri në kokë… Doktori i mbylli sytë… Lamtumirë, vëlla!… Vdekja jote na dhëntë jetë! Petroja ndjeu se këmbët i kishin ngrirë… Nuk i ndjente. E kjo për një mjek është më shumë se tmerr. Por lufta të jep energji të jashtzakonshme se e nxit urrejtja. Ballëpërballë me një gjerman. U përlesh fytafytas. Dhe ne forcën e trupit të tij gjigand e degdisi në humerë. Pastaj doktor Cani ra pa ndjenja. Gjithë natën mbeti në dëborë, ashtu i ngrirë. Katër partizanë e hipën në mushkë dhe e çuan në Grabockë. Ra në kllapi nga dhembjet e fliste përçart.

Vdekja e thëerriste ta merrte, doktorin që s’e kishte qasur atë për të tjerët… Por mjekun e madh do ta shpëtonin nënat e mëdha të luftës. Gratë trime të familjes së Myftar Grabockës me mjeksinë e tyre popullore, të cilat për dhjetë ditë e sollën në jetë… Ç’nuk i bënë! Edhe në pleh të ngrohtë e futën për orë të tëra derisa e shpëtuan. Diçka ndjenin nënat e mëdha, ndjenin se po shpëtonin të ardhmen e mjeksisë shqiptare, ai që do të bëhej gjigandi i punës, papërkulshmërisë e novacioneve, atë njeri që me rilindjen e tij do të lindëte kirurgjia shqiptare, baza e të cilës lindi në luftë, në male e në shtëpitë e thjeshta të popullit, ku gatuheshin idealet për lirinë e për jetën, për njerinë.

Figurën e ndritur e humane të Prof. Petro Canit, ata që menduan zbehjen e saj, dështuan. Koha nuk e zbeh kurrë figurën e atyre që i paraprijën kohës, që shikojnë drejt horizonteve të ardhmërisë. Se Petroja shikonte përpara, përpara drejt të fshehtave të shkencës së mjeksisë. Ndaj figurës së tij koha i ka dhënë e do t’i japë edhe më shumë shkëlqimin që meriton. Kushedi sa netë pa gjumë gërmonte nëpër libra e revista për të qënë në kontakt me mjekësinë përparimtare botërore.

Ai, në dhjetor 1958, mori titullin Profesor, i pari kirurg në Shqipëri me këtë titull. Si njeri me shpirt novator e kërkimtar, në ç’skuta të trupit të njeriu nuk e futi bisturinë… Më 5 tetor 1962, do të ndodhte një gjë tepër e rrallë edhe për botën. Prof. Petro Cani operon për herë të parë dhe me shumë sukses ekinokokun në zemër.

Njerëzve të mëdhenj nuk u del koha të bëjnë llogari për vete, të përzgjedhin. Ata kanë një përkushtim të lindur për profesionin e misionin e tyre. Ata i përzgjedh vetë koha dhe opinini. Ai shikonte të shpëtonte njeriun dhe nuk paragjykonte kë operonte, një njeri të thjeshtë apo një të madh. Kushedi sa herë në mesnatë a në orët e para të mëngjesit e thirrën në urgjencë dhe ai, kurrë nuk e tha “jo”, me disiplinën e hekurt të një ushtaraku të lindur, që s’di ç’është kundërshtia.

Hero?! Pse jo…

Në vitin 1964, pesëdhjetë vjet më parë, në një takim me një veteran të Luftës Antifashiste në Korçë, me nxënës të shkollës Pedagogjike “Petro Nini Luarasi”, ku isha edhe unë, na rrënqethi të gjithëve tregimi i jashtëzakonshëm i një njeriu që ecte mbi këmbë druri. Veterani foli për një mjek që i kishte prerë këmbët me sharrë druri pa narkozë në luftë për ta shpëturar, se gangrena po i ngjitej si gjarpër në gjithë trupin, po e çonte në vdekje. Ai tregoi se si gjatë operacionit ulërinte nga dhembjet e paimagjinueshme e, bashkë me të tek i sharronte këmbët, ulërinte po aq fort edhe doktori duke përsëritur: -Jepi fort,… më fort,… më fort… që të përballonte dhembjet më lehtë. Nuk e di ndoshta ndjente dhembje edhe doktori, tha në fund veterani. Mësuesja e letërisë, e ndjera Virgjini Pepo, përmes vezullimit të lotëve, tha: ishte një takim me një hero të gjalle, Pandi Kocaqin. Por Pandi, atëhere u ngrit mbi proteza dhe tha: Hero është doktor Petro Cani që më rrëmbeu nga vdekja e më solli në jetë. Por si unë pat plot të tjerë, tha invalidi i përjetshëm. Ai tegim na tronditi të gjithëve. Në përfytyrimin tonë ngrihej madhështor doktori hero, Petro Cani.

Ai nuk luftoi për emër, megjithatë, kirurgjia mori emrin e tij

Po e kujtojmë këtë partizan, këtë luftëtar të lirisë, këtë personalitet të madh të mjeksisë, në këtë mot të madh të jubileut të 70 – vjetorit të çlirimit të Atdheut, me respektin më të thellë e mallin më të madh duke i thënë: Përulemi për ç’ka ke bërë për njeriun, për mjeksinë e veçanërisht për kirurgjinë shqiptare që e nise në male me sharrë druri e mjete rrethanore, me thikë buke e gjilpërë të zakonshme, për jetën, për Shqipërinë… Burrat si ty i bëjnë nder kombit, burrat si ty kombi i mban e duhet t’i mbajë në vitrinën e tij për t’u mburrur, për t’i parë brezat, përtej syzave të ërrëta e për të na parë bota se nuk jemi prapa botës…

Me një bisturi superiore guxoi me forcën e talentit, me aftësitë e tij të spikatura. Ai foli në emër të humanizmit e të jetës njerëzore, ai i ngriti kult dinjitetit të mjekut, ai nuk luftoi për emër, po për t’i dhënë jetës emër, po kirurgjia vërtet mori emrin e tij, ai ësht nga ata intelektualë, nga ata burra të mençur e dinjitozë shqiptarë që njerëzit i kanë ngritur pjedesatal me dashuri, ndërsa politika gjendet përposh pjedestalit të tij… Po përmend një shprehje lapidare të Viktor Hygoit që tha për vdekjen e Volterit: “Meqënëse nga fronte vjen nata, le të vijë drita nga varret”.

Kush ishte Petro Cani

Lufta, në të vërtetë, i prish rregullat e jetës, por lind të tjera rregulla. Djaloshi me origjinë nga Bregu, nga Kudhësi i Vlorës, bir mjeku, pasi kreu shkollën e mesme në Korfuz, do të vazhdonte Universitetin e Athinës për mjeksi. Ishte në vitin e fundit të studimeve kur Atdheu i tij Shqipëria e vogël, do pushtohej nga fashizmi, i pari ndër shtetet e Botës, të rënkonte e nxihej nga fashizmi. Koha thirri djemtë e popullit t’i dilnin zot. Atë thirrje e ndjeu zemra e Petros, si dhe shumë e shumë studentëve të tjerë që studionin nëpër Evropë dhe do të ktheheshin pranë Mëmës, të luftonin që ta lironin. Pertrua la Athinën dh mori malet shqiptare, partizan. Ca ikën e lanë mes zjarrit të plumbave, djemtë e popullit kthyen dhe u përballën me plumbat…

E ai studenti i shkëlqyer, Petro Cani, do të bënte heroizma në Luftë e pas saj do të bëhej një fenomen i shkëlqyer i mjekësisë sonë. Lumturinë e tij e shikonte në atë se jetonte e punonte për jeten e të tjerëve. Ai e lindi kirurgjinë shqiptarë në male, e zbtiti nga malet dhe historia qe e provoi kete njeri ne vështiresitë më të mëdha, i dha shperblimin për të qene babai i kirurgjise. Dhe siç shprehet një ish- student dhe studiues i tij, “Shumë çelsa për të hapur dyert e mbyllura të kirurgjisë në atë kohë ishin në duart e Petro Canit. Ai udhëhoqi per 33 vjet rrjesht kirurgjinë shqiptare duke treguar nje vetmohim te pashoq”. Ai krijoi shkollën e kirurgjisë shqiptare, është ndër petagogët e parë të institutit të lartë të mjeksisë. Por në çdo pozicion që u caktua do të linte gjurmë e bistirinë nuk do t andante kurrë nga dora.

Petro Cani nuk ishte thjesht një mjek kirurg, ishte shumë e më shumë, ai në emër të vetmohimit e principeve të humanizmit e shkriu jetën e tij për kirurgjinë, i dha emrin e vet duke u kthyer kështu në baba të saj. Me vetmohimin e tij u shndërrua në një personalitet, në një simbol të mjeksisë shqiptare, të cilës i dha identitetin, lavdinë e krenarinë. Ambicja më e madhe e Prof. Petro Canit, që u shndërrua në moto të veprimtarisë dhe ëndrrës së tij, ishte shëndeti i popullit, të mos e lejonte vdekjen t’i merrte njerëzit para kohe. Vullneti titanik, talenti e afësia e spikatur e kirugut do ta kthenin atë në gjigand të kirurgjisë shqiptare.

Nuk ishte shaka të operoje Mehmet Shehun

Një natë, me qetësi të trazuar nga tallazet e politikës, pas orës 12.00 troket dera e shtëpisë së kryekirurgut të ushtrisë Petro Cani, që ndodhej brenda territorit te spitalit. Dy civilë dhe mjeku i rojes qëndruan përballë… Nuk kishte nevojë t’i thoshe: ka një urgjencë. Ai komunikonte me mimikë. U vesh vetëtimthi dhe u gjend në dhomën e katit të dytë, ku ruhej dhe dergjej njeriu i dytë i Shqipërisë, që ishte planifikuar për Kryeministër… E kishte kërkuar vetë ai që rënkonte. Rënkonte, ai njeri që në krye të partizanëve të Brigadës I s’kishte pyetur nga fishkëllimat e plumbave, rënkonte shtrirë ai që kishte çarë nëpër male nëpër tufane e suferina, që armiku s’ia kishte parë kurrë shpinën, që nuk kishte lëshur në jetën e tij kurrë një “oh”… Me sa duket vdekja po i avitej, e ai luftonte ta mposhtëte. 11 ditë e netë kishte që dergjej dhe rënkone. Mjekët, edhe mjekë sovjetikë, e mjekonin për malarje! Por Petro Cani, pasi e urdhëroi të kthej majtas, djathtas në shpinë, pacientin jo të zakonshëm, përcaktoi diagnozën: apendicit akut. U konsultua me dr. Shirokën dhe, pasi ranë në një mendje, Petrua urdhëroi: Të bëhet gati salla… Në moment erdhi urdhri nga lart: “Duam qind për qind garanci”… Ishte porosi e Enver Hoxhës… Mjekët e tjerë u tëroqën. Nuk mund të luhej me zjarrin… Petro Cani nuk u tund nga istikami. Ora katër e mëngjesit, ndërsa po hynin në sallën e operimit, mjekja ruse, Drizdova, që u caktua të merrte pjesë në ekipin e operacionit, shfaqi pasiguri për përcaktimin e diagnozës. Nuk mund të jetë apendicit-mërmëriti ajo… Ma nxirrni jashtë këtë doktoreshë disfatiste, bërtiti fort Petroja. Unë nuk e njoh disfatën. Operacioni me njeriun e jashtzakonshëm, Mehmet Shehu kaloi më se në mënyrë krejt të zakonshme. Ai u shërua, por operacioni tregohet si legjendë… Nuk ishte shaka të operoje Mehmet Shehun!

Kristaq Laka October 26, 2014 18:11
Komento

10 Komente

  1. andrea October 26, 18:40

    Nuk di pse ky shkrim ksq i gjate per kete mjek qe i perdorte njerezit si kavie per te treguar ambicjet e tij si kirurg i madh.im ate vdiq ne nje operacion te panevojshem te rekomanduar ngaky vetem se do ishte nerhyrja e pare ne vendin tone ne mushkerine e mje pacienti.nuk mohoj se ka bere shume te mira ne kirurgji..fola vetem per dhimbjen qe i solli familjes time.

    Reply to this comment
    • Osman October 27, 06:39

      Zoti Andrea! Sigurisht qe ajo qe shkruani duhet te jete e vertete! Kujtojeni babane tUja me respect!
      Megjithate Petro Cani ka qene nje njeri shume I perkushtuar. Jetonte ne Spital, per te qene gjithenje gadi per cdo pacient pavaresiht kush ishte. Ato qe thuhen e shkruhen perkohen e luftes jate te gjithe te verteta dhe heroizma te ketij doktori qe duhet kujtuar dhe respektuar per pekushtimin e tij!
      Dihet – ne te gjithe boten ndodhin – dhe fatkeqesia e babait tUaj sigurisht eshte e vertete dhe une Ju respektoj per kete!
      Megjithekete Petro Cani eshte ay qe shkruhet me siper dhe bejne shume mire qe shkruajne. Mehmet Shehun kishte frike/pasiguri per kohen edhe doktori shumei afte dhe I famshem Dr Shiroka. Ne kushtet qe e mori persiper Dr Petro CAni – ishte me te vertete nje guxim I madh. Dhe per fatin e tij te mire doli me sukses! Petro Canin e kam njohur. Nuk me ka bere ndonje sherbim mjekesor, por ….eshte ay qe shkruhet me siper! Eshte nder per ne qe jetojme ta NDEROJME NJE NJERI TE TILLE!

      Reply to this comment
  2. arkivistja October 26, 22:32

    Paska bere nje te keqe te madhe,kur ka sheruar kriminelin me te madh te shqiperise mehmet mutin,pse nuk ja u la ne dore ruseve se ata e dinin c’sojsez ishte monstra shehu edhe vete do te dilte i nderuar !

    Reply to this comment
  3. illo October 27, 00:04

    Tregime te tilla , per jerzit e shquar te Luftes , do te rivendosin imazhin e Luftes , qe e baltosen Berishet , Aleksander Mekset , Gramoz Pashkot , Ali Spahite dhe co. Azem Hajdari ka mijra te meta , por ka pasur vizion te qarte , per luften , qe na renditi me fitimtaret e luftes me te madhe , qe njef historia . Ka pasur dhe te meta ne lufte , nga komandat dhe drejtus te vecante , por kursesi nuk mund te mohoet epopeja , qe na ben krenar ne Europe dhe bote . Luften e bene shqiptaret . Ata qe cperfytyruan qellimin e luftes , ishin nje grusht drejtusish kryesor , qe duhen shquar mire nga historianet . Me nje te rene te lapsit nuk mund te tjetersohet historia , sic jane munduar ta bejne historianet extremiste , te te dy krahve , keto vite te tranzicionit problematik . I. Foto

    Reply to this comment
  4. treporti October 27, 11:17

    Qe kane merita keta mjeke kane,sepse kane operuar ne kushte lufte.Shoh ne hyrje te sanatoriumit bustin e dr.Ndroqit.Im ate u semur nga tuberkulozi ne 1960 dhe do te kishte vdekur sikur te hynte ne salle te opracionit per te hequr gjysmen e mushkerise se infektuar,sikurse vendosi dr.Ndroqi..E shpetoi nje mjek i ri me streptomicina,qe sapo kishin hyre ne Shqiperi ne ate kohe.

    Reply to this comment
  5. nini October 27, 12:25

    Respekt,nderim si njeri dhe si mjek,per BIRIN e Kudhesit,qe punoi per gjithe shqiptaret jug e veri me perkushtim.

    Reply to this comment
  6. plaku i mocem October 27, 14:12

    Respekt per doktorin e madh Petro Canin,kush e njeh dhe si familje,jane njerez fisnike,per kete eshte per t’u respektuar me teper.

    Reply to this comment
  7. mimi October 27, 15:57

    na vjen shume mire qe dikush shkruan dhe e kujton te madhin PETRO CANI ka qene dhe do mbetet legjenda e mjekesise shqiptare .PETRO CANI duhet te ishte respektuar me shume nga ministria e shendetesise ti vinin emerin e tij nje spitali se e meritonte gjithe jeten e tij punoi per te cuar perpara mjekesine e vendit .PO si gjithmone ne shqiperi respektohen ata qe se meritojne RESPEK TE MADH PER PREFESOR PETRO CANIN

    Reply to this comment
  8. katina October 27, 21:30

    gjoni Respekt per doktorin Petro Cani qe me bisturin e tij ka bere mrekulli duke rikthyer
    ne jete shume njerez nga jugu ne veri .

    Reply to this comment
  9. marjana February 4, 23:04

    Petro Cani,eshtë legjenda e mjekësisë shqiptare.Intelektual,shumë puntor dhe i dashuruar me profesionin,antikonformist me regjimin e kohës,dhe ndoshta për këtë e ka pësuar disa herë.Sic ishte i madh me fizikun e tij ashtu ishte i madh me zemrën e tij.Këtë e dëshmojnë njerëzit që i shpëtoi nga kthetrat e vdekjes.Petro Cani i bën nder Himarës,krahina nga e cila ka origjinën,por është nder i shëndetësisë shqiptare.Ai i takon një plejade të artë të mjekëve shqiptarë,që bënë emër duke i shërbyer me shumë dashuri , përkushtim e ndershmëri njerëzve,ndaj do të mbeten gjallë në kujtesën tonë,por është detyrë e shtetit dhe medias ti nderojë dhe të na i sjelle vazhdimisht në vemendje sic bën edhe gazeta Dita.Mirënjohje e respekt për punën dhe veprën e tij!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*