PETRO NINI LUARASI

February 14, 2020 13:43

PETRO NINI LUARASI

Moikom Zeqo

Më 17 gusht të vitit 1911 në rrugën kryesore kalldrëmore të qytetit të vogël të Ersekës, në mesditën e përvëluar, tellalli i pazarit, duke i rënë daulles, që i rrinte shtrembër në gjoks, të lidhur me rryp lëkure krahëqafe ecte ngadalë.
Klithte me zë jashtëzakonisht të hollë të padurueshëm: “Kolera”! Kolera”!
Tellalli ishte burrë i gjatë, skeletik, me kokë të madhe.
I binte daulles me gjeste groteste, me alarm të përhershëm në tërë qenien e tij, alarm, që ishte cilësia e parë e kryesore e profesionit të tij publik.
Koka e madhe i lëkundej sa majtas djathtas, fytyra e tij nuk kishte asnjë shprehje të përcaktuar, më poshtë se sa goja, më poshtë fytyrës, prej fundit të këmbëve ose prej gjithë pjesëve të trupit njëherësh, nga gjithë poret e lëkurës i shpërthente krisma.
Zëri për këtë njeri ishte vegla e tij e punës.
Në qytetin e vogël tellalli ekzistonte për njerëzit e tjerë vetëm kur ngrinte zërin për të njoftuar mjedisësit. Shkopijt e daulles së tij gjëmonin sikur goditnin kokat e njerëzve, që e tendosnin vëmendjen për një çast vrullshëm tek ai. pastaj kur çdo gjë binte në qetësi tellali harrohej dhe zhdukej menjëherë në kufirin e mos ekzistencës, por lajmet e reja, urdhërat e administratës, gjyqet, ankandet, fejesat, dasmat, vdekjet bënin, që fantazma e tij të fitonte prap peshën e humbur përkohësisht, pra, të dilte në mes të rrugës, të bëhej sërish njeri prej mishi, e duke torturuar gjithçka.

Zëri i tij ngrihej mbi botën me një të drejtë të pakundërshtueshme, me një kundërvënie e armiqësi me universin.
Në një farë kuptimi ai ishte kronika verbale e qytetit.
Ai njoftonte për taksat, emërimet, dhe detyrat shtetërore, për ditët e pazarit, skandalet, për gostitë e pritjet e bejlerëve, për dënimet me varje, faljet e Sheriatit, për festat fetare, për vizitat e peshkopëve etj.
Ai zotëronte kështu tërë protokollin ceremonial të çuditshëm të qytetit të parëndësishëm krahinor, të hyrjeve dhe daljeve të tij.

Por këtë herë zëri i tij kishte arritur efektin maksimal.
Fjala “Kolerë” tymonte prej tij e për një çast të ngjante se i tëri qyteti me pullazet e pjerrët, me gurët e sokakeve dhe kryqet e varreve do të mbulohej i tëri nga tymi.
Kjo fjalë instiktivisht ve në lëvizje gjymtyrët e njerëzve por më e çuditshmja ish se vetë tellalli ecte nëpër kalldrëm, duke u luhatur dhe me kontrast të plotë me gjëmën, që shqiptonte, i ngadalshëm dhe i plogët, pa u nxituar aspak.
Por këtë gjë mund ta kuptoje vetëm po ta vreje me sjhumë kujdes zëthirrësin e vjetër dhe skeletik të qytetit. Kishte herë herë një farë ndarje të pakuptueshme e jo njerëzore midis tij dhe zërit.
Ai lëshonte drejt njerëzve shqetësimin, por vetë s’ishte pre e shqetësimit.
Ai kryente detyrën për të cilën ishte i paguar. Daullja e tij gjëmonte si një rit arkaik, duke boshatisur rrugët dhe dhe shkretuar oborret e krejt pazarin e vjetër.

Disa dhjetëra hapa pas tellallit përplaste patkojt në strallin e rrugës kalldrëmore një mushkë, mbi qafën e fuqishme të së cilës përkulej një burrë i thinjur i hypur në samar, që e mbanin nga të dyja anët një fshatar meso burrë dhe një grua plakë, e veshur e tëra me të zeza, që ecnin anash mushkës në këmbë.
Burri i thinjur mbi mushkë dridhej nga spazmat e fytyra i binte mbi jelet e ashpra dhe të kuqërremta të mushkës.
Ai ishte mësuesi i gjuhës shqipe për tërë krahinën, Petro Nini Luarasi.

Gruaja plakë qe motra e tij Jane dhe fshatari quhej Koz Dhima e ish zoti i mushkës.

Tellalli i printe atyre në largësi, duke i nxjerrë jashtë territorit të qytetit.
Petro Ninin e zunë papritur e ankthshëm ethet e mëdha në hanin, ku kish bujtur natën. balli ju djersua, u zverdh në fytyrë dhe filloi të vjellë me ngulç.
U bë shumë keq menjëherë, me një shpejtësi më të madhe se sa ndodh zakonisht në rastin e etheve.
I ngërçuar e i sforcuar bëri përpjekje që të ngrihej e të nisej për udhë.

Por s’mundi, se nuk e mbanin këmbët.
Gjuha ju pre.
Trupi i telendisur e i dobësuar kaq befasisht iu bë si i huaj e nuk e zotëronte dot.
Megjithse nuk fliste dha të kuptonte që ta merrnin e ta çonin në fshat.

Motra e vjetër Jane duke thënë herë pas here “oi, oi, oi” dhe fshatari Kozi Dhima e ngritën mbi mushkën, që përplaste patkonjtë në gurishten e qytetit.

Zilja e mushkës tringëllinte, motra Jane thonte “oi, oi, oi”, fshatari Kozi heshtëte e mbante me duar trupin e Petros sipër mushkës, papritur, atëherë, kur nuk pritej fare, përpara tyre u shfaq fantazma e tellallit.

Trupi i tij skeletik dukej akoma më i gjatë se ç’ishte në realitet dhe i shtrëmbëruar, sikur të kishte një shtyllë vertebrore zikzake, por në fytyrën e tij të papërcaktuar sytë fshihnin një të fshehtë ogurzezë, në to shkëlqente një vagëllimë e muzgët tinzare.
Fytyra e tij ishte si maska e një demoni mesjetar dhe e tërë qenia e tij, gjymtyrët e thatë, daullja, të ecurit, ngjallnin tmerr por edhe neveri.
Tellalli iu nguli sytë në fillim me ngulm, kur u doli përpara grupit të vogël të ikësve dhe mekanikisht u ktheu shpinën dhe i ra daulles, duke klithur me një zë të hollë, që s’mund të thoje kurrë se ishte zë burri, gruaje, plaku, apo fëmije, me një zë, që qëndronte mbi gjininë njerëzore, klithmën alarmuese dhe shqetësimpërhapëse “Kolera”.

Qyteti krahinor u tkurr i tëri nga kjo fjalë fatale. Kozi Dhima shau me zë të lartë e flokët ju ngritën përpjetë e për një çast u bë gati të vraponte e të mbërthente tellallin e ta përplaste në kalldrëm me një tërbim të patreguar, ta shtypte me këmbë e ta zhdukte brenda në thellësi të gurëve, sa më thellë që të mos mundte kurrë as shpirti t’i dilte më në sipërfaqe.

Porsa i hoqi duart nga trupi i mësuesit të hypur në mushkë, i drejtoi prapë sepse trupi i tij qe gati të binte nga mushka për dhe.

Mësuesi Petro filloi të vjellë sërish mbi qafën muskuloze të mushkës.
Mushka kthente gjatë ecjes kokën e lëpinte qafën e saj.

Motra Jane kish kryqëzuar pëllëmbët e vogla e të zbardha nga pleqëria para vehtes me një dhembje të pafund në këtë pozë dramatike, “oi”-të, e saj kishin tendencë për t’u shndërruar në ulërima të papërmbajtshme.
Ajo ecte si e nemitur, vështronte të vëllanë në agoninë e tmerrshme, gati të zhdukej nga bota e të zvogëlohej nga që se ndihmonte dot. Dielli përvëlues i mesditës zjarronte i fiksuar mbi konfiguracionin e qytetit e të peisazhit të shterpët, stërrallor.

Tellalli i paraprinte në këtë dalje të pazakontë nga qyteti.
Zilja e mushkës tingëllonte si diçka jashtë kohës dhe ngjarjes, pa asnjë lidhje me fjalën “Kolera”, qytetin e vetë ngulçimat e mushkës së fortë.
Njerëzit ndigjonin tellallin e disa me panik futeshin e mbylleshin nëpër shtëpitë, por disa të tjerë shihnin nga anash kalldrëmit të gjerë e si prej bronzi të lashtë të kuqëruar nga Dielli, e tundnin kokat, e shoqëronin me sy kështu mësuesin e njohur, që përpëlitej nga spazmat e të vjellave mbi mushkë.
Zëri i tellallit u gjëmonte në vesh.
Ky zë shpallte emrin e sëmundjes dhe sekretin e kobëshëm të të vjellave.
Njeriu me “Kolerë” njihej pa përjashtim nga të gjithë.
Po i njëjti tellall para disa ditësh nëpër rrugët e pazarit të qytetit kishte lexuar mallkimin më të rëndë: çkishërimin e madh të peshkopit. Filloret të Kosturit për këtë njeri.
Ndërsa tellalli lexonte dokumentin kishtar, ai qëndronte përballë dhe nënqeshte gati si i gëzuar dhe i lumtur që dëgjonte mallkimin e vet.
Mësuesi ishte ndodhur rastësisht aty dhe ndryshe nga çpritej nuk u shqetësua fare, por u vërtit i qetë nëpër pazar, duke takuar njerëzit, që e përshëndesin.
Njerëzit mendonin, se ai ishte i jashtëzakonshëm e diçka më e madhe dhe e fuqishme se ndjenja e kuriozitetit i shtynte t’i afroheshin.
Ky njeri e treste frikën dhe e çvlerësonte krejtësisht, shumë thjesht, kuptimin e mallkimit më të rëndë.
Sfida që ai bënte autoriteteve dhe peshkopit grek të Kosturit që më tronditëse se sa mallkimi kishtar i bërë botërisht.
Kurrë ndonjëherë një njeri nuk qe mallkuar në këtë mënyrë dhe paradoksi qëndronte në faktin se ai ishte i lirë të shëtiste, bile të dëgjonte duke nënqeshur mallkimin që i bëhej dhe pastaj ta harronte sikur të kishte gjëra të tjera më të rëndësishme se sa ky mallkim për t’u marrë e për t’i kushtuar vëmendje, por më në fund çasti i zi dhe hakmarrja e kishës, e Perëndisë kishte ardhur. Këtë çast e shprehte plotësisht fjala “Kolera” dhe ceremoniali i shoqëruar nga daullja e tellallit, i largimit të mësuesit e dy të afërmve të tij ishte ceremoniali zbatimit në jetë të mallkimit kishtar të para disa viteve.
Askush s’do të guxonte të ëndërronte një fat të tillë për vete.
Kur ato dolën përfundimisht nga qyteti e zilja e mushkës nuk u dëgjua më, tellalli u kthye sërish mbrapsht, por këtë herë duke i rënë vetëm daulles.
Fytyra e tij qe si e deformuar nga një lodhje jo njerëzore.
Asnjeri në qytet nuk e dinte emrin e vërtetë të tellallit.
Për të gjithë ai ishte “tellalli” dhe emërtimi i tij qe përcaktuar nga zëri i tij dhe nga asnjë karakteristikë tjetër e karakterit.
Profesioni i tellalit qe i urryer: Tellallë bëheshin vetëm ata që kishin shkëputur tërë lidhjet me njerëzit e ktheheshin në një instrument folës i administratës perandorake.
Njerëzit e urrenin tellallin, sepse ai, ishte shpallësi i parë i ligjeve të reja lajmeve, ndryshimeve të autoriteteve dhe të informacionit të kohës, që në shumicën e tij zotërohej nga ngjyra e despotizmit të fesë dhe shtypjes e shfrytëzimit të popullit.

Tellallin e mëparshëm e kishin vrarë komitet e Spiro Ballkamenit.
Sipas urdhërit të autoriteteve ishte kapur një nga komitët e plagosur e mbasi e kishin torturuar më në fund e kishin varur në rrapin e madh të qendrës.
Ky rrap ishte trekëmbëshi natyror dhe i improvizuar i ekzekutimit të dënimeve me vdekje.
Tri ditë me radhë, tellalli i ri sipas urdhërit, qëndronte përballë të varurit, që lëkundej nga era, i mbështjellë me pëlhurë të bardhë dhe lexonte e lexonte mekanikisht duke përsëritur e përsëritur të njëjtat fjalë, duke i ngatëruar gjuhët e duke krijuar kështu një hibrid të të folurit, që kishte diçka të llahtarshme dhe në fund të fundit ishte krejt pakuptim.

Autoritetet kishin dashur të jepnin një dënim shëmbullor duke e ditur se shqiptarët do të reagonin ata kishin lënë pranë tellallit dy roja të armatosura si dhe një agjent civil, që vërtitej nëpër pazar për të studjuar fizionomitë e acaruara të njerëzve që do të dukeshin andej.
Për tre ditë me radhë nuk shkeli njeri në pazar. Tellalli fliste e fliste në mënyrë monotone e flokët ja merrte e shpupuriste me energji era, që lëkundte komitin e varur, që zotëronte me lëvizje e tij vertikale mbi hapësirë që i përkiste dhe qiellit dhe tokës dhe njëkohësisht asnjerit prej tyre.
Lëvizja e trupit të tij kishte ngjashmëri me lëvizjen e një hobeje, e cila mbahej nga dora e padukshme e një zemërimi dhe nervozizmi të madh, nga një gjymtyrë anonime, e madhe dhe e vetme e zgjatur befas nga trupi i tërë banorëve, nga i tëri qyteti, duke kërcënuar kështu dënuesit.
Mëngjesin e ditës së katërt tellalli, u gjend i vrarë, i rënë përmbys dhe këmbët e të varurit i vërtiteshin, i uleshin e ngjiteshin mbi kokën e tij të gjakosur sikur hiqnin një valle hakmarrjeje të lashtë.

Tellallin e kish qëlluar me plumb pisqolle mu në gojë dhe plumbi i kish dalë nga kafka mbrapa e dukej se kishte dy gojë: Që të dyja të përgjakura e të frikshme. Dy rojat turke kishin ikur me panik. Komitët kishin sulmuar qytetin, kishin marrë kufomën e shokut e me shpejtësi ishin larguar sipër në mal.
Fill mbas kësaj ngjarje qyteti mbeti për një kohë të gjatë pa tellall.
Dhe më në fund u shfaq në qytet njeriu, që pranoi dhe u emërua tellall.
Që ditën e parë ky njeri erdhi së bashku me enigmën e vet e me një kujdes të vazhdueshëm për ta ruajtur këtë enigmë.
Por të gjithë e kuptonim se ky njeri kishte përkrahjen e vazhdueshme e të dukshme të kishës së vendit.

Kur erdhi peshkopi i Korçës, mbeti qëllimisht përpara tij dhe e bekoi publikisht, ndërsa tellalli i ra në gjunjë dhe i puthi dorën.
Kjo gjë kishte bërë një përshtypje të madhe dhe në vend që ta hapte guackën e të fshehtës së këtij njeriu e kishte bërë akoma më të mbyllur.
Por historia e tij ishte mjaft e thjeshtë dhe në esencë ajo nuk paraqiste asnjë interes të vërtetë. Njeriu që qe bërë tellall i qytetit ishte biri ilegal i një psallti nga fshatrat e Kolonjës e për të cilin i ati, që kishte mbetur deri në fund anonim, ishte interesuar që ta dërgonin që në moshë të vogël për ta bërë prift pranë metropolisë së Korçës.

Dëshira për t’u bërë prift u rrit së bashku me moshën tek ky njeri dhe u bë një dëshirë e padurueshme dhe e pa kuptueshme, bile jashtë forcave të tij.
Ai ishte shumë i sjellshëm dhe e lavdëronin përherë për këtë zell.
Por pikërisht kur arriti në moshën e rinisë, në moshën, kur duhej të dorëzohej në mënyrë ceremoniale prift u konstatua me një habi të rëndë se ai s’mund të bëhej për jetë të jetëve kurrë prift.
Arsyeja qe sa qesharake aq dhe kuptimplote.
Ai kishte qëlluar qose, pa qime në faqe, pra, ishte, me një m,ungesë të përjetshme qimesh në fytyrë.
Por mjekra qe pjesë e përhershme e titullit kishtar të priftit, rekuizitë e tij kryesore.
Një prift qose do të qe një skandal i vërtetë.
Kështu atë e liruan nga shërbimet fetare të kishës. Ai do të luante menç nga kjo disfatë, që e kish origjinën qysh në lindje, por një rrugë zgjidhje u gjet.
Ai u lejua të futej në jetën civile, por përsëri do t’i shërbente kishës së shenjtë, tashmë në rolin e syve dhe veshëve të saj.

Mitropolia e Korçës mbante në fshehtësi një grup njerëzish agjentë, një lloj policie shumë të fshehtë, që i jepte informata dhe zhdukte heretikët e të guximshmit, sfiduesit e kishës, duke organizuar aksidente gjoja të rastësishme, ose, duke i frikësuar me kërcënime dhe shantazhe nga më të rafinuara.
Për vite me radhë ai besnikërisht e luajti këtë rol deri sa doli e nevojshme të lajmërohej tellalli i qytetit të Ersekës, me rekomandim të fshehtë të vetë peshkopit. Sot në mëngjes atë e kishin urdhëruar që të shqiptonte fjalën “Kolerë” në të njëjtin moment, kur në hanin e qytetit Petro Nini Luarasin e zunë ethet e shoqëruara me spazma të rënda.

Ai e ndjente, se sot kishte luajtur një rol nga më të rëndët dhe si rrjedhim me pasojat të rrezikshme për vetë atë.
Turbull, turbull në përfytyrimin e tij si në një tabllo inerte të ngjashme me një ikonë, i shfaqej paraardhësi i tij, tellalli i vrarë, me gojën e çaplyer, me plagën e madhe të hapur prapa kokës, me një dritë idealizuese shenjtori në kokën e tij dy gojëshe, si të donte të ulërinte e të thërriste njëherësh nga të dyja, por kjo qe e pamundur, krejtësisht e pamundur…

Post Scriptum, 9 shtator 1984:

Ideja për të shkruar për helmimin e mësuesit të gjuihës shqipe Petro Nini Luarasi, është nga ato ide, që nuk mund të harrohen lehtë.
Fragmentin e shkruar më 1979 e kam paraqitur më sipër.
\Pafuqishmëria ime për ta përfunduar këtë temë tashmë është diçka e njohur dhe e padyshimtë.
Si do ta shtjelloja unë këtë subjekt?
Dihet se Petro Nini Luarasi u helmua.
I kalëruar mbi mushkën si një me një Pegas të vdekjes ai zuri të villte dhe ndërsa mushka lëpinte të vjellat e tij shumë shpejt edhe ajo u gremis më kalorësin. Të dy dhanë shpirt mes ngulçeve të tmerrshme dhe të pabesisë bizantine të helmimit.
Hakmarrja ndaj Petro Nini Luarasit qe më tepër simbolike.
Mallkimi i shkronjave shqipe publikisht qe një ringjallje e inkuizicionit mesjetar.
Mund të mallkohet një njeri, një popull, një dru, një lule, një luan dhe një xhirafë.
Por nuk mund të mallkohen dot shkronjat.
Ky mallkim i shkronjave i dha forca të pazakonta mësuesit të vjetër të shqipes që të shkruante një libër me stil aforistik të quajtur “Mallkimi i shkronjave shqipe”. Libri i habitshëm, qe pamflet i thekshëm, nga ata, që mund të trondisnin shekujt.

Dikur, ky mësues ishte shprehur, se nëqoftëse do ta therrnin, do ta masakronin, atëherë le t’ja mblidhnin gjakun dhe të mbushnin me të shishet e bojës së shkrimit, ku të ngjyenin penat nxënësit e mitur të Shqipërisë. Mësuesi e parandjeu, e profetizoi asgjësimin e tij.
Ai u martirizua, jo duke e therrur me thika.
Helmi është më elegant, më i fshehtë, sepse vrasësit e tij e projektuan këtë vdekje duke patur një frikë të llahtarshme, se mos gjaku i shpërthyer nga plagët dhe nga trupi i mësuesit do të bëhej vërtet bojë shkrimi, gjë, që i tmerronte më shumë se gjithçka.
Helmimi i Petro Nini Luarasit të kujton të gjithë helmimet e pabesa dhe rituale në histori.
Ky helmim është një shfarosje e bardhë e jetës, e ideve.
Mund të helmosh biologjikisht një njeri, por si mund t’i helmosh dhe t’i vdesësh shkronjat?
Vite më parë e masakruan edhe mësuesin tjetër të shqipes Dhaskal Todrin, i cili kishte ngarkuar disa mushka me shkronjat metalike për të hapur një shtypshkronjë për botimin e librave shqip.
Gjaku i Dhaskal Todrit është një formë origjinale e një boje tipografike të purpurt dhe të amëshuar.

Kjo bojë tipografike është magjike dhe po aq e pashlyeshme sa ç’është vetë natyra, deti, malet, ajri dhe librat.

February 14, 2020 13:43
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*