Peza dhe Mukja, përballja me historinë 75 vite më pas

September 16, 2017 10:43

Peza dhe Mukja, përballja me historinë 75 vite më pas

 

Prof. Xhelal Gjeçovi

(Vijon nga numri i kaluar)

Një pjesë e tyre do të bindeshin për nevojën e bashkimit, por kërkonin kohë, për t’iu qasur iniciativës për thirrjen e konferencës. Të tjerë, do të pranonin për të marrë pjesë në konferencë e do teë angazhoheshin në përgatitjen e saj. Por bisedat me disa nacionalistë nuk kanë qenë të lehta. Paragjykimet e rrënjosura me kohë, kishin lënë gjurmë të thella; ato i bënin këmbëngulës në pozicionet që kishin zënë, për rrjedhojë dhe dyshues e mosbesues, për gjithçka u thuhej e u ofrohej.

Prof. Xhelal Gjeçovi

I tillë ishte dhe Muharrem Bajraktari, njeriu i pushtetshëm i krahinës së Lumës. Bisedimet me të kanë qenë të vështira. Për të kontaktuar e biseduar me Bajraktarin u ngarkua në fillim Haxhi Lleshi, të cilin e shoqëronte dhe Ramadan Çitaku. Më pas atyre iu bashkua dhe A. Kupi. Në takimin e parë, Bajraktari u duk sikur pranoi ofertën, por me pas, do të ndryshonte mendim. Në takimet që vijuan ishte i drejtpërdrejt, por konfuz e i lëkundur. Nuk e kishte të vështirë që një gjë që pranonte sot, ta mohonte ose ndryshonte nesër. Gjatë bisedave, jo pa tension, u bënë të qarta arsyet e pozicionit që kishte zënë. Unë nuk mund të vij në një konferencë që e organizojnë çiliminjtë, do t`u thoshte bashkëbiseduesve, me të cilët njihej me kohë e tani po i quante çiliminj. Atë do ta organizojë unë e jo ju. Në Shqipëri, sipas tij, nuk kishte një Lëvizje serioze. Ajo nuk mund të bëhet me kalamaj. Edhe Konferencën, edhe Shtabin, për të cilët flisni ju, do t’i bëj unë. Lufta do burra. Lëvizje serioze ka në Jugosllavi. Ajo është Lëvizja e Drazha Mihajlloviçit. Me të jam lidhur unë. Përfaqësuesit e Frontit do të reagonin menjëherë: Po, qysh je lidhur me Mihajlloviçin, që njihet për armiqësinë ndaj shqiptarëve, që është betuar se do t’i zhdukë shqiptarët e Kosovës, përmes gjenocidit dhe dëbimit nga Kosova, që ajo të mos mund të shkëputet kurrë nga Serbia. Kurse kufijtë e Serbisë do t’i shtrijë deri në Durrës. Këto çështje, nuk janë për ju, do të ishte përgjigja për Bajraktarit. Për to, mendoj unë dhe do t’i zgjidh bashkë me Mihajlloviçin, pas lufte. Për këtë jam i bindur, pasi ai është burrë dhe e mban fjalën. (AQSH. Fondi 14. Materiale të Konferencës së Pezës, shtator 42, e të Konferencës së Dytë Nacionalçlirimtare, shtator 43).

Nga bisedat, u bë e qartë, se sa i thellë ishte hendeku që i ndante me Bajraktarin. E, në këto rrethana, nuk mund të shpresohej, që ai të aderojë në Front e të marrë pjesë në Konferencë. Më pas, me ardhjen e gjermanëve, ai dhe miku i tij, do të lidheshin dhe me ta, me marrëveshje e pakt mossulmimi, me ç’rast, dy palët zotoheshin të respektonin statuskuo-në, gjermanët sundimin e pa trazuar të Bajraktarit në krahinë dhe Bajraktari instalimin e ushtrisë hitleriane këtu dhe veprimet e saj kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Në këtë mënyrë, në prag të thirrjes së Konferencës, çdo gjë qe sqaruar përfundimisht. Tashmë, diheshin pozicionet e njerëzve të kontaktuar, mbi të gjitha diheshin e çmoheshin figurat që do të vinin në Konferencë, me predispozicionin e vullnetin e plotë, që t’i kontribuonin qëllimit për të cilin ajo po thirrej.

Tani çdo gjë ishte e qartë. Të gjitha dilemat, problemet e diferencat qenë diskutuar, sqaruar e sheshuar, për momentin. Kësisoj, në Pezë nuk do të shkohej për të rrahur “ujë në havanë”, që “njëri t’i binte gozhdës, e tjetri patkojit”. Çdo gjë që duhej, për të garantuar suksesin, ishte arritur, ishte gati. Delegatët qenë ndërgjegjësuar për shansin historik, që nuk duhej lënë të humbiste, për nevojën e krijimit të Frontit, si një organizatë që do të bashkonte e mobilizonte shqiptarët, pa dallim, në luftë për çlirimin e atdheut. Me këtë bindje do të ndërmerrnin rrugëtimin e gjatë, plot rreziqe, drejt Pezës; me këtë bindje do të miratonin unanimisht dokumentet themelore, dy referatet kryesore, të mbajtur në ditën e parë të punimeve,16 shtator 42. Njëri, për situatën politike, nga Ymer Dishnica dhe tjetri, mbi Këshillat Nacionalçlirimtare, nga Enver Hoxha, në të cilët argumentohej nevoja e krijimit të Frontit, misioni dhe detyrat që ai merrte përsipër të realizonte.

Me pranimin e tyre, finalizohej e i vihej vula procesit të nisur muaj më parë, ligjësohej e legalizohej krijimi i Frontit, si një organizatë e gjerë, e hapur, pluraliste, demokratike, që do të bashkonte shqiptarët, pa dallim, që ishin të gatshëm të ngriheshin në luftë, për të çliruar e shpëtuar atdheun. Në arritjen e këtij objektivi madhor të Rezistencës Shqiptare, respektivisht Lëvizjes Nacionalçlirimtare, rëndësi të dorës së parë ka patur, padyshim, programi që iu parashtruar delegatëve, për diskutim e miratim, një program kombëtar e jo partiak, që parashikonte, para së gjithash zgjidhjen e çështjes kombëtare, çlirimin e atdheut dhe rivendosjen e pavarësisë kombëtare, një preokupim i përbashkët i pjesëmarrësve në konferencë e, më pas dhe ndërtimin e një rendi demokratik, formën e të cilit do ta vendoste populli me votën e lirë. Kjo nënkuptonte, që ai nuk do të ishte rendi paraluftës, përgjegjës për mjerimin dhe prapambetjen e llahtarshme, në të cilën ndodhej shoqëria shqiptare, e sigurisht dhe për humbjen e pavarësisë kombëtare. Por, ai nuk do të ishte dhe një rend komunist, ballist apo legalist, por pluralist, ku do të kishte vend për të gjithë. Nëse, kjo nuk u arrite, përgjegjësia do te ishte e të dy palëve. E Frontit, që, ndryshe nga sa ishte vendosur në Pezë, më pas, në proces, do të përqafojë tezën leniniste “të gjithë pushtetin sovjetëve”, që do të thoshte “të gjithë pushtetin këshillave nacionalçlirimtare”, pa e ndarë atë me forcat e tjera. Ndërkohë, nacionalistët që bënin pjesë në organizatat “Balli Kombëtar” dhe “Lëvizja e Legalitetit”, bënë gabimin fatal, që do t’u kushtojë vendit, por dhe atyre, kur vendosën që, për interesa egoiste, klasore, për të ruajtur sundimin e privilegjet, që gëzonin para lufte, të braktisin luftën dhe bëjnë aleancë me okupatorët.

Rexhinald Hibbert, oficer i misionit britanik, në librin “Fitorja e hidhur. Lufta Nacionalçlirimtare në Shqipëri”, shkruan se me këtë hap, nacionalistët i hapën rrugë PK dhe Frontit Nacionalçlirimtar që, me kapitalin e fitimtarit të luftës, që ata braktisën, të marrin pushtetin e më pas të vendosin dhe diktaturën. Në fund të punimeve, Konferenca zgjodhi Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, të përberë nga tetë anëtarë, nga të cilët, pesë do të ishin nga radhët e nacionalistëve dhe tre anëtarë të partisë komuniste. Në këtë mënyrë, Konferenca e pajisi Frontin me çdo gjë që i duhej për të fituar luftën, me një program që pasqyronte kërkesat e procesit historik dhe shprehte interesat thelbësore të masave popullore e me një udhëheqje të gatshme t’i prijë popullit në luftë, pa marrë parasysh sakrificat e rreziqet dhe papritur kohë më të mira, siç këshillonin të ashtuquajturit baballarë të kombit. Konferenca përpunoi e miratoi, si pjesë të programit dhe dy orientime bazë, mbi të cilët do të mbështetej veprimtaria e Frontit. Ata kishin të bënin me raportet e brendshme, me faktorët politike e shoqërore në vend dhe ato të jashtme, me aleatët e Koalicionit Antifashist. Me to, Konferenca vinte piketat, përcaktonte shinat, në të cilat duhet të ecnin Fronti dhe lufta, që të mund të realizoheshin objektivat e programit, duke nënvizuar se çdo devijim apo mosrespektim i tyre, do të ishte me pasoja, do t’i fusnin Frontin dhe luftën në qorrsokak, duke rrezikuar mos arritjen e tyre.

Orientimi i parë kishte të bënte me kërkesën për të respektuar deri në fund karakterin e luftës. Lufta, që po ndërmarrim, u theksua nga delegatët, nuk do të ishte një luftë klase, luftë civile, por një luftë patriotike, nacionalçlirimtare. Ajo nuk drejtohej kundër klasave apo grupeve të caktuara shoqërore, por kundër okupatorit. Shqipëria kishte një armik dhe ai ishte okupatori fashist italian, që kishte shkelur pavarësinë e atdheut dhe ata që do t’i bashkoheshin ose do të bashkëpunonin me të.

Së dyti, Konferenca e bëri të qartë, se Lufta Nacionalçlirimtare nuk do të ishte e izoluar, por pjesë e pandarë e Rezistencës Europiane, respektivisht Aleancës Antifashiste Botërore, të cilës i prinin tri Fuqitë e Mëdha Aleate: Britania e Madhe, BS dhe SHBA. Me këtë orientim largpamës, do të sigurohej mbështetja e fuqishme e aleatëve dhe bashkëpunimi me lëvizjet çlirimtare të popujve dhe vendeve fqinje të rajonit e më gjerë, që u bënë një faktor shumë i rëndësishëm për arritjen e objektivave të luftës së përbashkët kundër nazifashizmit.

***

Konferenca e Pezës, 16 shtator 42, me vendimet që mori, i çeli një perspektivë të re e të sigurtë Rezistencës Shqiptare, respektivisht Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Kjo është dhe arsyeja e jehonës së gjerë e të menjëhershëm që ajo pati anë e mbanë vendit. Mirëpo, një zhvillim i tillë, i papritur i situatës, do të shqetësojë okupatorin por dhe qarqet nacionaliste, që nuk morën pjesë e nuk qenë dakord me mbajtjen e saj. Reagimet e të dy palëve do të ishin të menjëhershme; të okupatorit, që shtoi dhunën e terrorin në vend, por dhe grupimeve të caktuara nacionaliste që, të alarmuar nga ky zhvillim i papritur për ta, ndërmorën me nxitim veprime, jo në drejtimin e duhur.

Nacionalistët e udhëhequr nga Mitat Frashëri do të deklaronin se nuk njihte as Konferencën e Pezës dhe as Frontin Nacionalçlirimtar të krijuar aty, duke shkaktuar kështu të çarën e parë në çështjen e unitetit kombëtar, në një moment të vështirë për vendin. Në nëntor 1942, nacionalistët e këtij grupimi shpallën themelimin e Ballit Kombëtar. Mos njohja e Frontit, refuzimi për të aderuar apo bashkëpunuar me të, e sidomos fushata e sulmeve, që do të niste menjëherë, në një kohë që armiku ishte pushtuesi dhe goditjet duheshin përqendruar ndaj tij, e jo ndaj njeri-tjetrit, paralajmëronin situata jo të mira, në raportet midis dy forcave kryesore politike.

Megjithatë, nuk reshtën përpjekjet e disa figurave të rëndësishme, në të dy kampet që të kapërcehej kjo situatë e t`i hapej rruga mirëkuptimit e bashkëpunimit në dobi të luftës e të vendit. Produkt i këtyre përpjekjeve ishte Mbledhja e Mukjes, në datat l,2 dhe 3 gusht 1943.

Mbledhja e Mukjes

Mbledhja është konsideruar si edicion i Konferencës së Pezës, vazhdim i saj, pasi si në Pezë, edhe këtu, çështja që i mblodhi ishte bashkimi i forcave për të luftuar kundër okupatorit. Por, përfundimet nuk do të ishin ato që priteshin për arsye se, në vend të luftës kundër okupatorit, në plan të parë, në bisedimet në mes tyre, u vu çështja e pushtetit, një çështje që gjithnjë i ka ndarë e i ka përçarë forcat politike, jo vetëm tek ne. Vendimi për krijimin e Komitetit të Shpëtimit të Shqipërisë, i kërkuar me këmbëngulje nga krerët e Ballit, do të bëhej molla e sherrit, që do t`i fuste bisedimet në një konfrontim të ashpër, të panevojshëm e të parakohshëm, pasi nuk kishte ardhur ende koha për të ndarë atë, që kryeministri aktual, e quan tepsi, pra pushtetin. Do të duhej dhe një copë rrugë për të arritur këtu. Kësisoj, lufta rrezikonte të futej në një rrugë pa krye, pasi, me marrëveshjen e arritur, organizmat drejtuese, këshillat nacionalçlirimtare, në të gjithë hallkat e nivelet, në bazë e në qendër, përfshi dhe Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe Shtabin e Përgjithshëm të UNÇSH, fshiheshin ose ktheheshin në organizma formale, pa kompetenca, pasi ato, në bazë të marrëveshjes, i kalonin komitetit të sapokrijuar.

Kjo që po ndodhte nuk qe parashikuar nga udhëheqja e Frontit. Ngritja e një organizmi të tillë, nuk figuronte në platformën e bisedimeve, që ajo kishte miratuar në Këshillin e Përgjithshëm, rrjedhimisht delegacioni i tij nuk qe deleguar, nuk kishte mandat që të diskutojë e, aq më pak, të vendosë mbi këtë çështje. Pranimi për të diskutuar e miratuar propozimin për krijimin e Komitetit, ishte një lëshim i pa justifikuar, që i bëhej BK, një devijim nga platforma e miratuar në Këshillin e Përgjithshëm e nga udhëzimet, që i qenë dhënë delegacionit, gjatë ditëve të zhvillimit të bisedimeve, të cilat, ai nuk kishte qenë në gjendje, t`i mbronte. Nuk kishte arsye që të veprohej në këtë mënyrë,që të fshiheshin,me një të rënë të lapsit, organizmat e ngritura në Pezë, për të organizuar e drejtuar luftën. Mukja nuk u bë që të fshijë Pezën, organizmat që qenë ngritur aty, por që ato të plotësoheshin e të kompletoheshin dhe me përfaqësues të Ballit. Ato e kishin justifikuar veten, e kishin drejtuar me sukses, deri atëherë luftën. Ky trend që mori mbledhja, do të krijojë reagim e shqetësim në udhëheqjen e Frontit. Në letrën që Enver Hoxha do t`i shkruante me urgjencë Ymer Dishinices, theksohej, ndër të tjera, se, me pusullën që na dërgoje (është fjala për njoftimin e parë të Dishnicës), ne mbetemi në errësirë, pasi nuk marrim vesh se çfarë po ndodh aty. Në takimin e dytë, që keni bërë, na duket se orkestrën e ka drejtuar Balli dhe ai ka mundur t`u imponojë vullnetin e dëshirat e tij, që mbledhja të diskutojë ato çështje që i interesojnë atij…

Në vijim të komunikimit, delegacioni do të udhëzohej që, për t`i prerë hovin revanshit të krerëve ballistë, t`u kujtojë atyre qëndrimin ndaj okupatorit, një kartë që mendohej se do t`i vinte ata në vështirësi. T’u kërkoni, theksonte Enver Hoxha, që të shprehen se çdo të bëjnë me marëveshjet e lidhura me oku -patorin,sidomos me Protokollin Dalmaco-Kelcyra,të arritur në bisedimet e marsit 43, midis A.Këlcyrës e N. Vlorës, antarë të KQ të Ballit me R.Dalmacon, kryekomandant i forcave italiane të pushtimit, që parashikonte koordinimin e veprimeve të përbashkëta kundër Lëvizjes Nacionalçlirimtare. T`u thoni ne se vazhdojnë t`u përmbahen obligimeve që rrjedhin prej tyre, apo do t`i anulojnë e dënojnë. Shpjegime duhet tu kërkoni dhe për pranimin nga disa figurave të rëndësishme të Ballit, të posteve të ofruara nga okupatori në administratën kuislinge, si ministra, deputetë, prefektë etj. (Shih letër këmbimin në mes E. Hoxhës e Y.Dishnicës, AQSH.Fondi 14).

Siç shihet dhe nga përmbajtja e kësaj letre, Fronti Nacionalçlirimtar ishte i gatshëm të bashkëpunonte me çdo forcë politike, pavarësisht orientimit ideologjik, por me kusht që të angazhohej në luftë, e krahas kësaj të njihte dhe organizmat e ngritura në Pezë, për organizimin e drejtimin e Luftës. Ato qenë krijuar nga populli, si organe pluraliste dhe gëzonin besimin e mbështetjen e tij. Balli, sipas Frontit, në se do vërtetë bashkim apo bashkëpunim në luftë, duhet të dërgojë përfaqësuesit e vet në këto organizma e jo të kërkojë që ato të fshihen e të likuidohen Pjesëmarrja e përfaqësuesve ballistë, do të sillte ndryshime pozitive në përbërjen e tyre; do të thellonte karakterin pluralist, duke bërë që balancat e Frontit, të anojnë dukshëm nga forcat nacionaliste. Në këtë mënyrë, shkohej drejt heqjes së monopoli të Frontit në luftë dhe ndarjes së përgjegjësive dhe me forcat e tjera, një kërkesë kjo dhe e aleatëve, veçanërisht e anglezëve.

Problemet dhe kërkesat e shtruara nga delegacioni i Frontit, sidomos ato që lidheshin me qëndrimin ndaj okupatorit, krerët e Ballit nuk pranuan as të diskutoheshin, duke i konsideruar insinuata pa baza. Në të njëjtën kohë ata këmbëngulën që mbledhja të miratojë krijimin e Komitetit të propozuar prej tyre, duke e vënë atë si kusht për vazhdimin e bisedimeve. Në situatën e krijuar, për të shpëtuar bisedimet e për të evituar përçarjen në mes dy forcave politike, në pamundësi që të kontaktohej e të merrej pëlqimi i udhëheqjes së Frontit, që ndodhej larg vendit ku zhvilloheshin bisedimet, delegacioni vendosi të nënshkruajë marrëveshjen, në tejkalim, siç e pranon dhe vet Dishnica, të kompetencave, duke shpresuar se me këtë lëshim do të arrihej objektivi kryesor, futja e Ballit në luftë. Mirëpo, nuk mendonte kështu Enver Hoxha që i ndiqte punimet, pavarësisht distancës, me vëmendjen e duhur dhe pa ankthin e palëve aty, duke peshuar me qetësi pasojat e një hapi të tillë. Në rrethana të tilla nuk do të vonojë reagimi i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, që, me iniciativën e Enver Hoxhës, do të vendosë të anulojë marrëveshjen. Vendimi u miratua dhe në Konferencën e Dytë Nacionalçlirimtare, shtator1943. Duke folur në Konferencë,Y.Dishnica, kryetar i delegacionit u kërkoi delegatëve që, në analizën e kësaj ngjarjeje, të mbanin parasysh situatën, në të cilën u ndodhëm, pasi edhe ju e dini fare mirë se me kë kishim të bënim, se edhe ju i njihni ballistët, dini gjithashtu dhe përbërjen e delegacionit tonë, ku, pa dashur të përmendë emra, ndonjëri prej tyre, nisi të lëkundej nga presioni i udhëheqësve të Ballit e nga thirrjet e Mitat Frashërit, përse s`e doni ju Kosovën,kur në thelb të kundërshtimit nuk ishte Kosova, pasi kjo çështje qe kapërcyer pa vështirësi, me pranimin e formulimit të propozuar nga Fronti, që “Çështja e Kosovës të zgjidhej pas lufte, me vetëvendosje”, siç parashikohej në Kartën e Atlantikut. Halli i krerëve të BK ishte gjetkë; ishin ethet e pushtetit,që, papritmas, u kërkua që të zgjidhej medoemos aty, në tavolinë, me qëllin që evenimentet e pritshme, një zbarkim i mundshëm i forcave aleate, që ndodheshin të dislokuara në Italinë e Jugut, për të cilin flitej poshtë e përpjetë, ta gjenin Ballin, jo jashtë loje, jashtë pushtetit që po ngrihej, por brenda, në zemër te tij; një faktor, jo dosido, por të dorës së parë.

Siç shihet situata ishte mjaft problematike, me shumë të panjohura dhe zgjidhjet duheshin menduar mirë, pa u nxituar. Megjithatë, delegatët e Frontit gjykuan se gjithsesi rëndësi të dorës së parë kishte vazhdimi i bisedimeve, që të arrihej medoemos, jo pranimi me fjalë e premtime, por angazhimi real i forcave të Ballit në luftë. Balli, nga ana e tij, siç u tha, kërkoi dhe vuri si kusht për vazhdimin e bisedimeve, miratimin më parë të propozimit për krijimin e Komitetit. Ne, thote Dishnica, kundërshtuam e luftuam, pavarësisht se ato nuk janë shënuar në proces verbalin e mbledhjes.

Kurse, M.Gjinishi do të theksojë, ndër të tjera, se me marrëveshjen që firmosëm, i binim kryq luftës, fitoreve të arritura me gjakun e dëshmorëve dhe sakrificat e popullit; e bënim Ballin ortak në luftë, pa luftuar, i dhamë çfarë deshi, biles dhe kreun e komitetit, duke zhvlerësuar e çuar drejt likuidimit organizatën e Frontit. Përgjegjësia, për këtë që ndodhi, bie në radhë të parë mbi mua dhe Dishnicën, jo se ne kishim pak më shumë shkollë, por sepse i njihnim mirë ballistët,dallaveret e tyre. Përballë tyre, nuk pinin ujë ndershmëria dhe sinqeriteti i Dishnicës. E bëmë këtë gabim dhe meritojmë çdo ndëshkim…

Në këtë mënyrë, Fronti dhe Balli humbën shansin për t`u bashkuar apo bashkëpunuar në luftë për çlirimin e vendit,e pse jo dhe pas lufte,për ndërtimin e një rendi demokratik, siç u projektua në Konferencën e Pezës. Ambiciet për pushtet nuk i lënë që të ngrihen në nivelin e përgjegjësive që kërkonte koha e të krijonin kështu dhe një traditë të re, në çështjen e unitetit, të bashkimit apo të bashkëpunimit në mes forcave politike,që do te ishte me vlerë dhe për ditët tona. Por, kjo nuk na çudit. Shqiptarët dhe forcat politike shqiptare kanë dhënë prova se e kanë të vështirë të ndërtojnë një bashkëjetesë apo dhe bashkëqeverisje normale e të qëndrueshme në dobi të vendit. Nga kjo pikëpamje, ata kanë ngelur aty ku ishin.

September 16, 2017 10:43
Komento

4 Komente

  1. A nuk shihni ku ju coi socializmi? September 16, 10:54

    Historia pas 75, thotë që :
    Sa e lumtur do ishit mor shqiptar,
    Këta sadiste ti kishit vrarë
    75 vjet më pare…

    Me mirë të ishit, bashku me Itali,
    qysh atehere, se tani te mbytur e te paqarë!
    Me mirë t’a kishte abortu e Ema, Enverin e te tjere…
    A nuk e shihni ku ju coi socializmi?

    Reply to this comment
  2. ELIOT September 16, 19:45

    E kane bere ne foto enverin si Tarzani ;;;;; hipokritet ;;; sahanlepiresit ;;;;; enveri ishte palluqe ;;;dhe NE MUKJE TE GJITHE E DINE SE SERBET E PRISHEN FJALEN /// PAKTIN E PARTIVE … SEPSE SI INTERRESONTE BASHKIMI I SHQIPTAREVE …. DHE KESHTU HUMBNIN KOSOVEN …DHE ENVERI E PRISHI PAKTIN PER INTERESAT E VETA PERSONALE ……MERCI …

    Reply to this comment
  3. Balta September 18, 04:33

    Konferencen e Pezes e organizuan jugosllavet me udhezimet e Kominternit sllav bolshevik. Miladin Popoviçit i meriton t’i ngrihet nje permendore atje.

    Reply to this comment
  4. Guri Naimit D(Dh.Xh.) September 18, 16:37

    Faleminderit i ndruar Pr. Xhelal Gjecovi.
    Me dashamiresi;

    Guri Naimit D.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

SONDAZH

NËSE NË TIRANË KANDIDATI PS + RILINDJE, ERION VELIAJ DO TË KISHTE PËRBALLË SI KANDIDAT TË PD, LULZIM BASHËN, PËR KË DO TË VOTONIT:

Shiko rezultatin