Pikëpyetjet mbi standardet e zgjedhjeve të 23 qershorit

NIAZI JAHO - INTERVISTE April 30, 2013 11:22

Pikëpyetjet mbi standardet e zgjedhjeve të 23 qershorit

Konstitucionalisti i njohur Niazi Jaho, në këtë intervistë për gazetën “DITA” ngre shqetësimin se a do të arrihen standardet ndërkombëtare në zgjedhjet e 23 qershorit. Ai tregon se sa alarmant është problemi me dublimet në listat e zgjedhësve që ka evidentuar ditët e fundit gazeta jonë dhe masat urgjente që duhen marrë nga intutucionet përkatëse për të mos prishur standardin e këtyre zgjedhjeve. Ndërkaq, ai shprehet se KQZ-ja aktuale me 4 anëtarë është jo vetëm jo funksionale, e papranueshme, por dëmton shumë rëndë standardin zgjedhor…

– Zoti Jaho, janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen deklarata nga përfaqësues të maxhorancës qeverisëse se zgjedhjet e 23 qershorit do të jenë të standardeve ndërkombëtare. Sa janë të bazuara deklaratat e mësipërme?

– Nuk preferoj të komentoj deklaratat e asnjë përfaqësuesi partiak apo politikani. Nëse këto deklarata kanë të bëjnë me shprehjen e vullnetit të tyre, këtë do ta vërtetojë praktika.

 

– Sipas jush, çfarë duhet kuptuar me shprehjen “standarde ndërkombëtare” të zgjedhjeve?

– Nëse zgjedhjet e përgjithshme dhe ato të qeverisjes vendore, vlerësohen të lira, të ndershme, demokratike dhe të pakontestuara, ato janë të standardeve. Kuptohet, niveli i standardit mund të mos jetë i njëllojtë. E, megjithëkëtë, kur në përgjithësi respektohen parimet bazë, mendoj se ato janë të standardeve. Përsosja e tyre kushtëzohet nga një sërë faktorësh objektivë dhe subjektivë. Nëse lexuesi ka nevojë të dijë diçka më tepër lidhur me këtë çështje, mund të sugjeronim njohjen me dokumentet e mëposhtme:

a) Dokumenti i mbledhjes së Kopenhagenit mbi dimensionin njerëzor të OSBE-së të 29 qershorit 1990, ku, veç të tjerave, bëhet fjalë për zgjedhje të lira, të fshehta dhe të barazvlefshme. Kështu, për shembull, zgjedhjet e lira – thuhet në këtë dokument – duhet të garantojnë efektivisht shprehjen e lirë të vullnetit të zgjedhësve në caktimin e përfaqësuesve të tyre. Shteti duhet të kontribuojë që fushata politike të zhvillohet në një klimë të drejtë dhe të lirë që të përjashtojë çdo presion administrativ ose kanosjeje që mund të ndalonte partitë dhe individët të paraqesin lirisht opinionet dhe cilësitë e tyre. Zgjedhësit duhet të votojnë pa patur frikën e sanksioneve (shih përkatësisht paragrafët 51 dhe 78, faqe 223 dhe 227). Paragrafë të veçantë të këtij dokumenti janë përmendur si në raportet edhe në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it lidhur me zgjedhjet në vendin tonë. Kështu, për shembull, raporti i fundit i OSBE/ODIHR-it mbas konstatimit të disa fakteve, i referohet paragrafit 54 të Dokumentit të Kopenhagenit, ku thuhet se duhet të ketë: “një ndarje të qartë ndërmjet shtetit dhe partive politike, në mënyrë të veçantë partitë politike nuk duhet të konfondohen me shtetin”. Ky paragraf është përdorur në ato raste kur inaugurimet e ndryshme janë shfrytëzuar për fushata elektorale me përdorimin edhe të burimeve njerëzore etj.
b) Kodi i Praktikës së mirë në çështjet zgjedhore miratuar nga Komisioni i Venecias në vitin 2002, ku paraqiten dhe zbërthehen parimet e trashëgimisë elektorale evropiane, siç janë parimi universal, i barabartë, i fshehtë dhe i drejtpërdrejt. Pas kësaj, për çdo parim jepet edhe raporti shpjegues i zbatimit të tyre.
c) Për një konceptim të drejtë se cilat zgjedhje mund të konsiderohen jo thjesht të pranueshme, por edhe të standardeve, mund t’i referohemi raporteve të OSBE/ODIHR-it të viteve 2001-2011.

d) Konceptimi dhe zbatimi i drejtë i nenit 45 të Kushtetutës sonë, ku sanksionohen parimet e zgjedhjeve, të konkretizuara këto edhe në Kodin Zgjedhor, mund të ishin gjithashtu një kontribut i vlefshëm dhe efektiv në drejtim të arritjes së standardeve ndërkombëtare të zgjedhjeve.

– Sipas jush, listat e zgjedhësve, nëse nuk janë të plota dhe të sakta, a mund të përbëjnë elemente të cenimit të standardit të zgjedhjeve?
– Në kodin Zgjedhor, hartimit dhe përgatitjes së listës së zgjedhësve i është kushtuar një pjesë e veçantë, ku përfshihen nenet 44-61. Në të parashikohen në detaje edhe shkaqet dhe procedurat e ndryshimit të ekstrakteve përbërës të zgjedhësve. Me zbatimin e kësaj detyre janë ngarkuar Ministria e Brendshme (Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile), kryetarët e njësive të qeverisjes vendore, si dhe KQZ-ja si organi më i lartë shtetëror i ngarkuar me administrimin e zgjedhjeve. KQZ-ja, sipas nenit 50, pika 3 e Kodit, ka për detyrë të mbikëqyrë procesin e hartimit të listave të zgjedhësve, administrimin e zonave të qendrave të votimit dhe numrit të zgjedhësve për çdo qendër votimi. KQZ-ja i kërkon informacion si Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, edhe njësive të qeverisjes vendore. Sipas nenit 61 të Kodit Zgjedhor, dy auditët teknicienë të emëruar nga KQZ-ja kanë të drejtë të kryejnë kontrolle në zyrat e gjendjes civile dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe t’i raportojnë KQZ-së edhe për të metat apo shkeljet që konstatojnë lidhur me listat e zgjedhësve. Mendimin e shprehur më sipër se hartimi i plotë dhe i saktë i listave të zgjedhësve është element përbërës i standardeve të zgjedhjeve, veç të tjerave, e bazoj edhe në atë pjesë të kodit të miratuar nga Komisioni i Venecias, ku thuhet se: “Mbajtja siç duhet e listave të zgjedhësve është me rëndësi jetike për garantimin e votimit universal”
– Disa të dhëna të publikuara në media evidentojnë shifra tepër të larta të dublimeve dhe mungesa në adresat e zgjedhësve. Ç’mund të thoni për këtë, zoti Jaho?

– Nuk e kam ndjekur këtë çështje dhe nuk mund të them se të dhënat e paraqitura janë ose jo të sakta. Kjo kërkon verifikim nga personat dhe institucionet e ngarkuara me këtë detyrë. Por mungesa e adresave ka qenë dhe mbetet serioze. Kështu, për shembull, në raportin e OSBE/ODIHR-it lidhur me zgjedhjet e 8 majit 2011, veç të tjerave thuhet se: “Afërsisht 40 për qind e votuesve në rang vendi nuk kishin kodin e veçantë të banesës” (Shih faqe 12).

– Veç verifikimeve dhe korrigjimeve që duhen bërë lidhur me dy çështjet e mësipërme, çfarë mund të ndihmonte në përgatitjen dhe publikimin e listës përfundimtare sa më të plotë dhe sa më të saktë të zgjedhësve?

– Do të ndihmonte ajo që deri më sot nuk është bërë. Konkretisht, zbatimin e nenit 52 të Kodit Zgjedhor ku bëhet fjalë për njoftimin (lajmërimin) me shkrim të zgjedhësve në banesat e tyre. Me këtë detyrë ligji ka ngarkuar kryetarët e njësive të qeverisjes vendore dhe Ministrinë e Brendshme që duhej të akordonte fondin për këtë shërbim, madje të ushtronte edhe kontroll mbi zbatimin e ligjit dhe udhëzimit të saj. Tërheq vëmendjen fakti se pse nuk jepet asnjë informacion në median e shkruar dhe as nga institucionet e ngarkuara me kontrollin dhe zbatimin e dispozitës së mësipërme të Kodit Zgjedhor. Kjo mungesë ose ky anashkalim mund të shoqërohet me pasoja të dëmshme.

– Me që ka lidhje me Kodin Zgjedhor, do të dëshironim mendimin tuaj edhe për zbatimin e teknologjisë së re elektronike për numërimin e votave, sidomos në qarkun e Fierit?
– Këtë problem nuk e njoh në detaje, por duke iu referuar Kodit Zgjedhor, mund të them se kompetenca dhe përgjegjësia për këtë është e KQZ-së. Kjo teknikë tek ne zbatohet për herë të parë. Fillimisht pati njëfarë euforie. U bë mirë që zbatim i i saj u parashikua vetëm në qarkun e Fierit dhe të Tiranës (për verifikimin e dokumentit identifikues). Sistemi elektronik i numërimit të votave duhet të garantojë ato qe përmendëm në shtojcën e dytë të seksionit të dytë të Kodit Zgjedhor. Sipas seksionit 3, testimi paraprak duhej të zhvillohej jo më vonë se 90 ditë para datës së zgjedhjeve. Siç dihet, ky afat nuk u respektua. Por, pavarësisht nga kjo, testimi dëshmoi disa mangësi. Sipas Kodit, KQZ-ja në përfundim të këtij testimi duhet të hartojë një raport që shqyrtohet në seancë publike. Kur në këtë raport konstatohen mangësi teknike, ato duhet të riparohen përpara ditës së zgjedhjeve dhe brenda afatit të caktuar nga KQZ-ja. Nuk jam në dijeni të ç’natyre kanë qenë këto mangësi. Nuk di nëse riparimi është i mundshëm dhe nëse po, në ç’masë. Sipas nenit 179/1 pika 7 e Kodit, KQZ-ja lidhur me ecurinë e përgatitjes dhe zbatimit të këtyre projekteve në mënyrë periodike, duhet të njoftojë edhe Kuvendin. Kam mendimin se në rast se pajisjet, për arsye të ndryshme nuk mund të funksionojnë ashtu siç parashikon Kodi, se defektet apo mungesat vështirë të riparohen brenda afatit të caktuar ose riparimi i tyre mund të jetë i pjesshëm, do të ishte mirë që kjo çështje të diskutohej seriozisht, të informohej jo vetëm Kuvendi, por edhe subjektet zgjedhore. Zgjedhjet duhet të jenë bindëse për saktësinë e përllogaritjeve në të gjithë treguesit e përcaktuar në ligj, përndryshe mosbesimi do të ishte i paevitueshëm.

– Po për KQZ-në, a mund të shprehni ndonjë mendim?
– Për këtë çështje jam shprehur edhe më parë në median e shkruar dhe atë elektronike. Kam mendimin se ky është një problem shqetësues. Nuk mund të vazhdohet në këtë mënyrë. Vetë anëtarët e KQZ-së (4 anëtarët) besoj se nuk ndjehen mirë. KQZ-ja është organ kryesor, më i larti i ngarkuar me administrimin e zgjedhjeve dhe shpalljen e rezultatit përfundimtar. Mendoj se nuk i shërbejnë zgjidhjes së çështjes deklarata se edhe me 4 anëtarë zgjedhjet mund të bëhen, madje duke kaluar deri në ekstrem se zgjedhjet mund të bëhen edhe pa funksionuar KQZ-ja! Ligjbërësi ka menduar një KQZ me 7 anëtarë. Kodi Zgjedhor ka parashikuar rastet kur mbledhjet konsiderohen të vlefshme edhe me 4 anëtarë. Por ato nuk mund të quhen të tilla kur kërkohet votim i cilësuar (vota “pro” e jo më pak se 5 anëtarëve të KQZ-së). KZAZ-të kanë kompetencat e tyre. Vendimet e tyre mund të atakohen në KQZ. Kompetencat e Kolegjit Zgjedhor nuk janë të njëjta me ato që ka KQZ-ja. Flitet dhe kërkohet që në këto zgjedhje të arrihen standardet ndërkombëtare. Për çfarë standarde mund të bëhet fjalë nëse KQZ-ja vazhdon të funksionojë me 4 anëtarë? Mënjanimi nga rendi i ditës i diskutimit të këtij problemi, pavarësisht nga qëndrimet refraktare që vazhdojnë të mbahen, nuk i shërben askujt: as subjekteve të caktuara zgjedhore, as zgjedhësve dhe as vendit. Përkundrazi, mendoj se pasojat do të jenë të dëmshme, do të ndihen dhe ndoshta do të jenë edhe të pariparueshme.

NIAZI JAHO - INTERVISTE April 30, 2013 11:22
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*