Pikëpyetjet (jo të reja) rreth raportit media-politikë pas historisë së koncesionit të parkimeve

Bedri Islami February 17, 2015 13:08

Pikëpyetjet (jo të reja) rreth raportit media-politikë pas historisë së koncesionit të parkimeve

Më parë së të shtjelloj mendimin tim që dua ta ndaj edhe me lexuesit e DITA do të sjell disa shembuj për të vazhduar më tej, gjithnjë në idenë se cilat nënkrejsa janë ato që qeverisin në fakt segmente të rëndësishme të jetës së shtetit.

Edhe nëse një trazim i tillë duket si i parakohshëm, kjo do të ishte më mirë se të ishte një kohë pas, çka do e kishte bërë krejt të parëndësishëm edhe problemin që desha të shtroj.

Shembulli i parë: Presidenti Nishani nuk pranoi të bëjë dekretimin e shkrimtarit të shquar desident, Visar Zhiti si ambasador i shtetit tonë në Vatikan dhe për këtë përdori edhe sajesa të çuditshme juridike, mes të cilave edhe përmendjen e fjalës inkuzicion. Këtë të fundit vetë Kisha Katolike e ka pranuar, sepse ka qenë një fakt historik.

Por, pas këtij mohimi qëndron një shkak krejt i rëndomtë: në postin e tashëm është vendosur një zonjë e cila ka qëlluar të jetë motra e manjatit të medias Aleksandër Frangaj.

Presidenti nuk guxon të dalë kundër tij.

Sapo dy shkrimtarë të njohur, Dritëro Agolli e Kiço Blushi, bënë deklarata jo të matura rreth qëndrimit të kishës katolike, TV Klan bëri një emision special, me një gjuhë të pazakontë për vlerat intelektuale të shkrimtarëve, duke u përmendur gjithçka nga e kaluara e tyre dhe e prindërve të tyre.

Më shumë se sa një heretizëm ndaj shkrimtarëve gjithçka që u tha aty ishte një paralajmërim serioz për vetë Nishanin, i cili, me thënë të drejtën, nga e shkuara mban shumë më tepër mëkate politike dhe jo vetëm politike se sa mund të mbajnë të gjithë familjarët e Blushit marrë sëbashku.

Shembulli i dytë: bashkia e Tiranës tentoi të japë me konçesion për 35 vite parkingjet e kryeqytetit. Përmes këtij veprimi firma fituese, që ishte thuajse e shpallur, do të kishte fitime të pamenduara më parë, duke shfrytëzuar një territor publik. Duan apo nuk duan ato që e menduan këtë lloj konçesioni, opinioni publik mësoi se pronarja kryesore e Top Channel, dhe kunati i shefit të bashkisë, një njeri i lidhur me mikun e familjes Berisha dhe të linjës serbofile Basha, serboboshnjakun Fazlliq, e dëshironin koncesionin miliardar.

Si duket, reagimi i parë kryeministror ka qenë kundër këtij konçesioni dhe e vërteta është që kjo përkoi me lëvizje në Top Channel. Do doja të isha i gabuar, por shija e emisioneve të fundit, qoftë të Xhunglës apo të Ballës, lë pas një hije që nuk është në petkun e zakonshëm të informacionit në këtë media prestigjioze, njëkohësisht më e madhja në vend.

Dashje pa dashje ata të duken sikur lëshojnë mesazhin e qartë për qeverinë që të bëjë kujdes me të, sepse shumë lehtë gjithçka mund të ndryshojë në dëmin e saj.

Jam i bindur se qeveria e sotme nuk do të bëjë atë që bënte disa vite më parë Berisha me dhunimin e këtij grupi mediatik. Jam i bindur se nuk do të ketë gjoba marramendëse, cilësime mafioze, gëzime idhnake kur krijuesi i saj u largua nga jeta.. (sa shpejt harrojmë të vërteta të mëdha njerëzore), jam i bindur se nuk do të këtë kërcitje dhëmbësh. Por nuk jam i bindur në se qeveria do të qëndrojë apo do të thyhet ndaj kësaj që po ndodh sot apo nesër.

Shembulli i tretë: Ministria e Kulturës i jep pronarit të Ora News, Ylli Ndroqit një tokë të lakmueshme në pronat shtetërore të Kinostudios dhe ai ndërton aty pronat e tij. Shteti bën qoka me atë që zoti i ka dhënë qytetarëve, por për këtë si duket do të kërkojë dhe haraçin e tij. Politika redaktuese e këtij kanali të njohur TV, ka filluar të lëvizë drejt qendrës qeveritare, megjithëse dua të besoj se ende ka gazetarë me një personalitet të spikatur brenda këtyre studiove, si Ilva Tare, që do të mbajnë ende figurën e tyre të njohur publicistike. Të duket sikur me veprimin e papritur të Ministres është dashur të krijohet një ballancim mes qëndrimit të këtij kanali dhe News 24 që konsiderohet si antiqeveritar.

Shembulli i katërt: Radiotelevizioni publik shqiptar megjithëse po bëhen dy vite që nga ndërrimi i pushtetit, i cili ka dhënë sinjalet e tij kur ishte ende në opozitë për reformim të pazakontë të këtij institucioni, ende është në stanjacion. Figura me personalitet të padiskuteshëm brenda tij, dhe njëkohsisht me integritet, ndoshta ngaqë klanet politike nuk i shohin ende në shërbimin e tyre, lihen mënjanë. Dhe bëhen eksperimente të palakmueshme, duke e lënë ende atë në një variant klanor, për më tepër me eksperimente të dështuara.

Nëse do të ktheheshim në të një të shkuar jo shumë të largët, shpesh herë manjatë të shtypit apo botues të njohur kanë qenë krahët politikë të qeverive që kanë shkuar në këtë vend në vitet e fundit.

Të lidhur me pushtetin, qoftë edhe përkohsisht, ata janë bërë njëkohsisht edhe manjatë të ndërtimit, oligarkë financiarë, kanë përfituar prej pushtetit atë që shumë të tjerë as e kanë ëndërruar dhe jo rrallë herë, këtë e kanë bërë përmes presionit, lidhjeve të fuqishme e të dyshimta politike.

Gazeta e njohur e linjës pëdëiste “55”, e drejtuar nga Fahri Balliu në tetë vitet e qeverisjes Berisha, megjithese pa asnjë ndikim real në publik, jo vetëm do të merrte fonde të stërmëdha qeveritare, por përmes bijave e kunatave do të kishte nën vete tenderë të fuqishëm në fushën e ndërtimit, por edhe pjesë të liçencës për të vrarë në tragjedinë e Gërdecit.

Le të kthehemi në fillimin e këtij shënimi: Kush e qeveris shtetin?

Ne kemi zyrtarë, kemi struktura qeveritare, kemi parlament e president, institucione të pavarura, kemi gjithçka duhet për të bërë një shtet. Por deri tani është bërë një shtet lehtësisht i thyeshëm, dhe sidomos, që lehtësisht mund të thyhet edhe nga presioni i mediave, që në një kohë të caktuar janë të lidhura me klanet në pushtet.

Deri tani, për të gjithë, ka qenë e njohur se linja e informimit e TV Klanit ishte pro shqupasve, ajo e Top Channel ishte opozitë e qeverisë së shkuar, ABC News nuk ishte asgjë tjetër veçse vazhdim i Klanit, etj si territore të ndara, nga të cilat hidheshin poplat e akuzave ndaj atyre që i cilësonin kundërshtarë.

Linja informative është e drejtë e tyre, megjithëse është jo morale, nëse do të deformosh fakte e ngjarje si ka ndodhur jo pak herë për të marrë në mbrojtje afera të pazakonta korruptive.

Krijesa e përbashkët qeveri-media në ndarjen e pushtetit dhe, më e rënda, presioni i mediave për të ndikuar qeverinë dhe blerja e këtyre të fundit përmes përfitimeve financiare, është një dëm i pashoq që i bëhet aktualisht opinionit publik në Shqipëri. Këto paralele janë si ato ekuacionet që nuk kanë nevojë për vërtetim.

Përse ndodh kjo? Thjeshtë sepse jemi një shtet ende i pakonsoliduar në institucionet e tij apo se , duke qenë me një traditë të vakët të mediave të pavarura, ato bëhen lehtësisht pjesë e politikës dhe e shitblerjes së tyre?

Secila prej tyre ka hisen e vet. Prej disa kohëve është bërë e qartë se pushteti mud të merret më lehtësisht nëse një pjesë e mediave janë pro një strukture politike, ashtu si është i njohur fakti se një media mund të ngrihet në këmbë me patericën qe i jep qeveria. Praktika e medias së pavarur është ende e pakët, ende në sprovat e saj, dhe një shembull është DITA, që megjithëse vazhdon të cilësohet nga një pjesë si mbështetëse e qeverisë së sotme, në fakt është në të njëjtën linjë që ishte edhe më parë: saktësimit të së vërtetetës.

E vështirë të thuhet me siguri që edhe kjo qeveri, si ajo që shkoi, do të bëjë të njëjtat lëshime si edhe tjetra, do të ketë preferencat e saj politike dhe lëshimet financiare që bënte qeveria Berisha, do të shpërndajë tenderë dhe reklama sipas dëshirës politike. Por fakti që deformimet ligjore që janë bërë në qeverinë Berisha për të mbuluar matrapazllëkun politik me financimin e mediave nuk po ndreqen ende, mund të të jenë dëshmues i trembjes nga mediat e fuqishme, të cilat, duam apo nuk duam, tani kanë krijuar perandoritë e tyre, përmes së cilave lëvizin ose bien qeveritë.

Ky është edhe problemi më i madh.

 

*************

Karikatura shoqëruese: Medi Belortaja / DITA

Bedri Islami February 17, 2015 13:08
Komento

10 Komente

  1. Sandra February 17, 13:42

    Vjollca Hoxha beri nje vetvrasje me kete tentative te deshtuar grabitje te prones publike ne bashkepunim me grabitesin ordiner te Bashkise.

    Gjithe simpatija e krijuar tek publiku per Topin , qe i ka rrenjet tek gjenialiteti i bashkeshortit te saj te ndjere (prej te cilit ajo trashegoi vetem parate) dhe tek drejtuesit dhe stafi inovativ, moren nje goditje te pakrahasueshme. Top Media nga nje biznes fitimprures dhe inovativ, ku te gjithe ne kemi pjese nepermjet blerjes dhe reklamimit te platformes Digitalb, u shnderrua ne nje tregtare ordinere interesash, qe per hir te fitimit dhe monopolit, nuk e pati problem te shkelte mbi etiken, moralin dhe interesat ekonomike te qindramijrave Tiranasve te ndershem, qe do te duhej te paguanin 25% te rroges se tyre per te ecur ne rruge dhe per te parkuar poshte shtepise. Si thone te vjetrit “Po te ecesh pas brumbullit perfundon ne hale”. Po te ndjekesh Kunatin e pakta humbet cdo lloj nderi, etike, reputacioni. Sa grua budallaqe dhe c’keshilltare medioker!

    Reply to this comment
  2. lili February 17, 13:57

    Keto média asnje ndikim nuk Kane ‘sot rrnofte interneti !

    Reply to this comment
  3. Desert rose February 17, 14:52

    s’ke cfare te thuash me ,kur lexon te gjitha keto .
    rasti i Visarit mendoj se tregoi vertet se kush na qeveris . nuk besoj se kane fituar dhe aq shume ,duke mbrojtur sagen Frangaj .
    Top Chanel ,… s’di cte them ne fakt .Me duket e habitshme qe mund te mendohet manipulimi i opinionit publik pas gjithe asaj qe ata vete kane ber .Do beheshin si LSI
    Cfaredo lloj gjeje do u kujtohej blloku ose parkingu .
    megjithate nuk jam e sigurt ne kete . me ate shoqeri in civile qe eshte te ne ,cdo gjeund te ndodh ….memorje 5 minuteshe kemi si komb .

    JOSEPH PULITZER
    REPUBLIKA E JONE DHE GAZETARIA DO TE NGRIHEN OSE DO TE FUNDOSEN SE BASHKU . NJE MEDIA CINIKE ,DEMAGOGE ,MERCENARE ,ME KALIMIN E KOHES DO TE PRODHOJE NJE PUBLIK ,PO AQ PA VLERE SA VETJA !

    [ kerkoj ndjese Pulitzer , ne nuk na duhet republika .ne vetem jari dhe frangaj na duhet ]

    DITA ,te quditshem jeni , po ju nuk doni ndonje parking ? 😛

    Reply to this comment
  4. Xhimi February 17, 15:49

    Oktapodi Frangaj ka zgjatur tentakulat e ka pushtuat shtet, politik dhe perfitime. Sa me shpejt te kuptohet kjo aq me mire do te jete per popullin. Sa per Top Chanel me vjen keq qe zbriti shume shkalle te simpatise qe kisha. Kam besim tek Ora News e cila edhe po doli ndonjehere nga rruga e te drejtes futet shpejt se ka bazament te mire. Ne pergjithesi media shqiptare e ka kaluar cakun e te drejtave te saj.

    Reply to this comment
  5. Leko February 17, 18:25

    Jam dakord me Bedriun , me konkluzionet te cilat jane fakte rrenqethese se cfar ndodh ne kete vend….
    Ne lidhje me Top Chanel:

    Problemi nuk eshte kaq i thjeshte. Everteta eshte se pas aferes se koncesionit te parkingjeve, ka renie te konsiderueshme te besimit tek ky kanal, te cilin e vleresonim per novatorizmin dhe mendonim se do qendronte gjate si TV lider si i vetmi kanal qe nuk ka ne themelet e veta krimin.

    Ndoshta nuk duhet ta drejtojme gishtin tek Znj.Hoxha.

    I Zoti i punes ka ikur. Tani i Topit (Artan Hoxha)tanime nuk jeton me. Po te ishte gjalle, ai nuk do lejonte askend te futej neper te tilla labirinthe poshteruese. Kush i ben keto? I bejne ata qe e kane hale ne sy Top Chanel dhe kerkojne poshterimin e ketij Kanali.

    Uroj qe ne se ka mbetur ndonje dashamire i Tanit te Topit, te mos lejonin shhkatrrimin e ketij instiyucioni te vetem te fjales se lire ne Shqiperi.

    Reply to this comment
    • noma February 17, 20:46

      “ky kanal nuk ka ne themelet e veta krimin” – ??? Po pse Vajdin Lame , nje nga themeluesit e ketij stacioni dhe burimi i parave qe e krijuan kete kanal – ku i kane themelet valle?

      Reply to this comment
  6. hera February 17, 20:41

    po pse nuk u preket po kaq nga kembengulja e vazhdueshme dhe ende ne force e TOP CHANNEL per monopolin e digitalizimit dhe shkaterrimin e televizionit publik? Pse nuk u shqetesuat qe ne krye te AMA -s u vendos nje nga pjesetaret e ketij grupi mediatik? Pse nuk shqetesoheni kur zeri kritik apo servil i ketij televizioni leviz e ndryshon sipas interesave te biznesit? Pse nuk u shqetesuat kur stafi i plote i TOP CHANNEL -it, i ketij televizioni qe publikoi “bllokun e korrupsionit” te Ilir Metes, shkoi i teri ne ditelindjen banale te Ilir Metes dhe u ngriten edhe ne valle.. Top Channel eshte nje grup biznesi qe ka interesa te vetme dhe te pastra fitimi. Nuk na genjen mendja qe jane aty per ti sherbyer te vertetes dhe publikut. Tashme qe Partia qw mbeshteten erdhi ne pushtet – ata kerkojne shperblim. Dhe kete e bejne me arrogance, kercenim e agresivitet- sepse i tille eshte edhe niveli i atyre te mbeturve qe drejtojne aty. secili prej tyre vine nga bizneset e kafese, ndertimit ose asgjese . Sot jane me te lidhur se kurre e me ne aleance se kurre me KLANIN e frangajt sepse jane si dy pika uji te ngjashem e ne te njejtin front. Ambicja per te marre edhe biznesin e paturpshem te parkimit eshte vijemsi normale..pas gjithe ketyre me lart. Sa i perket ORA NEWS – i tmerrshem lajmi i faljes se tokes – nje akt skandaloz qe tregon se ky kryeminister ka fobi median – jo ligjin dhe jo e jo interesin e publikut. Vendimi qe ajo toke ti falej YLLI NDROQIT (te penduarit) eshte vendim i Kryeministrit – jo i Mirela Kumbaros.

    Reply to this comment
  7. gregori February 17, 22:41

    A do te vije nje dite qe pronat publike t’i kthehen publikut?
    Cili eshte ndryshimi midis shtetezimit qe beri Enver Hoxha dhe faljes (kundrejt rushfetit ne para qe merr X apo Y zyrtar) te probave publike?
    Ne rastin e pare prona e shtetezuar shkonte ne favor te te gjitheve, ne rastin e dyte u grabitet me dhune te gjitheve dhe i jepet si “shperblim” per sherbimet qe i ben pushtetit nje individi.
    Historikisht keshtu jane krijuar pronaret e medhenj ne Shqiperi.

    Reply to this comment
  8. ada February 17, 23:48

    Si ka mundesi qe Tirana trajtohet si çifligu i maskarenjve te zgjedhur per kryetare bashkie? Kush i lejon maskarenjte e zgjedhur si kryetare te bejne lloj lloj zullumesh ne kete qytet ku jetojme?
    NE dhe vetem NE, zgjedhesit e tyre. Megjithe maskaralleqet qe na behen diten me diell, vazhdojme si njerez inferiore e te nenshtruar te votojme o majtas o djathtas. Kaq te ngushte e kemi trurin sa nuk njeh rruge te mesme, sa nuk sheh zgjidhje alternative, o te kuqe o blu. Na vuri ne dileme te madhe Rama kur na bashkoi dy ngjyrat e na sajoi ngjyren e Rilindjes. Njerezit u hutuan keq, e votuan ngjyren vjollce se menduan qe kishte brenda edhe ngjyren blu. Kjo besoj eshte arsyeja e 1,000,000 votave, kurthi i blu-se brenda ngjyres se Rilindjes.
    Socialiste apo demokrate jane njesoj, batakçinj, pazarxhinj. Njerez qe sapo i jepet mundesia na rrjepin lekuren. Dhe koncensioni i parkimeve nuk po behet akoma realitet se bluja dhe e kuqja nuk kane rene akoma dakort ne pazar. Sapo te rregullohen % e ndarjes se parave, ta gezojme koncensionin!
    Mediat si KLAN apo TOP CHANNEL do vazhdojne si zakonisht duke i shkelqyer prapanicat qeverise se rradhes dhe duke mbushur arkat e tyre dhe xhepat e pronareve te tyre me parate tona. Dhe mbasi na vjedhin parate, na bejne edhe per budallenj duke na u hequr si media te pavarura.
    Hahahahahahaha…..

    Reply to this comment
  9. Socialisti bythpambuk February 18, 05:12

    Vetem nje zgjidhje ka : Krijimi i nje partie te re si Syriza ne Greqi .

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*