Pjesa “tiranase” e Nënë Terezës

September 5, 2016 18:33

Pjesa “tiranase” e Nënë Terezës

Që nëna dhe motra e tashmë Shenjtores Tereza të Kalkutës, kanë jetuar në Shqipëri, në Tiranë, është mësuar pas viteve 90-të. Por detajet e tjera kanë qenë të panjohura. Në fakt, nëna e Gonxhe Bojaxhiut, Drandafille (Drane, ndryshe Roza) dhe motra Age kanë jetuar për 17 vjet bashkë me familjen e një personazhi të pazakontë shqiptar, Avni Zajmi.

Njerëzit e vjetër të sportit dhe “enciklopedistët” e personazheve të njohur të kulturës fizike në Shqipëri, padyshim e njohin emrin e Avni Zajmit. Ai mund të quhet me plot gojën, injektuesi i kulturës sportive në rininë shqiptare. Për ta ilustruar këtë, mund të themi se Avni Zajmi është ndër personazhet e rrallë që për aktivitetin dhe kontributin e tij, është nderuar me medalje nga dy regjime krejt të kundërta me njëri-tjetrin: Nga mbretëria e Zogut dhe diktatura komuniste e Enver Hoxhës. Dhe jeta e Avni Zajmit që kap një periudhë të gjerë kohore nga 4 gushti 1893 deri më 14 prill 1989, e ngjeshur me ngjarje për Shqipërinë, fsheh edhe detaje të tjera interesante, që do t’i zbulojmë në këtë shkrim.

Ai lindi në Vushtri të Kosovës, kreu shkollën e mesme në Stamboll dhe studimet e larta në Dizhon të Francës. Njohës i disa gjuhëve të huaja si frëngjisht, italisht, turqisht (dhe osmanisht) e arabisht, rinia e Avni Zajmit përkoi me shtrimin në plan të parë të çështjes shqiptare. Dhe në angazhimin e tij patriotik nuk mund të ndikonte figurë më atdhetare sesa ajo e Hasan Prishtinës, njëherësh kushëri i tij nga nëna. Si përfaqësues i nxënësve shqiptarë të udhëhequr nga deputeti i parlamentit turk Prishtina, Avni Zajmi kontribuoi në vitet 1908-09, në realizimin e mësimit shqip në shkollat e Shkupit. Mësuesi i gjimnazit të parë shqip u caktua Sali Xhuka, firmëtar i deklaratës së pavarësisë në Vlorë. Pikërisht katër vjet më vonë, Zajmi ishte sekretari i besuar kur Hasan Prishtina drejtonte kryengritjen e përgjithshme të Kosovës që i parapriu pavarësisë. Edhe kur në vitin 1924, Prishtina u caktua kryeministër, Zajmi ishte pranë tij. Për këtë aktivitet u internua dhe u burgos.

Por gjurmët e Avni Zajmit i gjejmë me shumicë sidomos në botën sportive. Në kohën që universiteti i Dizhonit i kishte ofruar katedrën e gjuhëve orientale, ai pranoi t’i përgjigjej thirrjes së qeverisë kombëtare që nxorri Kongresi i Lushnjes, për të punuar në atdhe. Dhe Zajmi nuk humbi kohë. Përveçse organizator i të parave gara atletike në Shqipëri e Kosovë qysh atë vit, ai organizoi mbi baza pedagogjike të modelit perëndimor, mësimdhënien e edukatën fizike në shkollat e Tiranës, duke qenë nismëtar i veshjeve të para sportive (paliçeta për vajza dhe pantallona të shkurtra për djem), në kundërshtim të hapur me fanatizmin fetar të kohës. Fillimisht instruktor në ministrinë e Arsimit e më pas mësues gjimnazi, ai ka qenë edhe i pari drejtor i Strehës Vorfnore, kur më 1 shtator 1920 e mori në dorëzim këtë detyrë nga administrata e Kryqit të Kuq amerikan, që e drejtonte deri atëherë. Një vit më pas, Zajmi themeloi organizatën rinore “Gjurmësia shqiptare” si pjesëtare e organizatës rinore botërore të Skautistëve. Edhe në emërtim, bie në sy shqipërimi i pastër i termit “scout”, nën sugjerimin e Mati Logorecit dhe Lumo Skëndos. Zajmi nuk mbeti thjesht një nëpunës: Ai udhëhoqi me mijëra nxënës të shkollave të Tiranës e qyteteve të tjera, në eskursione për njohjen e natyrës dhe historisë së vendit nga Veriu në Jug, të shoqëruara këto me veprimtari të gjithanshme sportive, si me ngjitje alpinistike, atletikë, lojëra sportive etj.

Avni dhe Shima Zajmi

Avni dhe Shima Zajmi

Nga ana tjetër, me shpenzimet e veta botoi dy numra të revistës “Gjurmësia shqiptare-Albanian boyscouts”, ku u bëhej jehonë bukurive natyrore dhe historisë së vendit tonë.

Me kaq sa thamë, kuptohet portreti i jashtëzakonshëm i një njeriu aktiv e të gjithanshëm, i prirë për të kultivuar tek të rinjtë bukurinë e trupit dhe të mendjes. Dhe iniciativat e tij ishin të gjithanshme; nismëtar i lëvizjes olimpike në Shqipëri, Zajmi ishte edhe ndër 10 themeluesit e sporteve të tjera si basketboll, volejboll, hendboll, regbi, e deri në patinazhin me rrota. Eshtë ndër organizatorët e parë të garave çiklistike në vend (kujtohet gara e parë me disqe druri për biçikletat), duke i shoqëruar pa asnjë ndërprerje përmbi 60 vjet, nga viti 1920 e deri në vitin 1980, kur ishte 87 vjeç. Gjithashtu pa ndalesë, ai botoi deri në fund të jetës pothuajse në të gjitha organet e shtypit sportiv, shkrime ku u bëhej jehonë vepriintarive sportive dhe problemeve të tyre, duke dhënë ndihmesën në njohjen dhe zgjidhjen e problematikave në këto fusha.

Me çimentimin e ndikimit të kulturës fashiste italiane në vitet 30-të, skautistët shqiptarë e ndërprenë dhunshëm aktivitetin. Avni Zajmi në krye të nxënësve kundërshtonte sa herë i jepej mundësia, nderimet ala-romana që u detyroheshin të rinjve shqiptarë. Derisa në vitin 1940, kur refuzoi të veshë këmishën e zezë, Avni Zajmi u pushua nga puna. Mbas kësaj largohet provizorisht nga Shqipëria për në Kosovë, ku zhvillon veprimtari praktike, duke themeluar në Vushtri edhe klubin patriotik të rinisë kosovare, me emrin “Hasan Prishtina”. Përndjekjet e serbëve, e detyrojnë në vitin 1944 të kthehet në Tiranë.

Por në jetën e ngjeshur e plot aktivitet të Avni Zajmit, spikat edhe një detaj shumë pak i njohur deri vonë: Për më shumë se 17 vjet, në shtëpinë e tij ka banuar familja e Nënë Terezës, nëna e bamirëses së shquar shqiptare Roza Bojaxhi, dhe e motra Agia.

Pas çlirimit, Avni Zajmi ndihmonte në zhvillimin e ballkaniadës së parë dhe organizimin e të gjitha veprimtarive kryesore sportive, sidomos çiklizmi e atletika që ishin sportet e tij të preferuara. Në vitin 1946, kur u kthye nga Durrësi ku ishte me punë, Avni Zajmi gjen në shtëpinë e tij tre palë qeraxhinj, dhe nga 4 dhoma që kishte gjithsej, 3 ishin të zëna prej tyre. Një nga këta mysafirë ishte familja Bojaxhiu (nënë e bijë), vajza tjetër e të cilës, Gonxhja, i ishte bashkuar një misioni bamirës katolik në Indi, dhe prej andej dërgonte letra në shqip.

“Ishte një shqipe të vjetër e shkruar në alfabetin e Kostandin Kristoforidhit. Unë”, do të pohonte më vonë Genc Zajmi, djali i Avniut, “i apasionuar si filatelist, këmbeja një pullë indiane me 10 të tjera italiane apo të shteteve europiane. Kuptohet që pullat nga India ishin të rralla për ne shqiptarët. Në familjen Zajmi dhe atë Bojaxhi, që ishin me besime të ndryshme fetare, ka pasur një harmoni më tepër se vëllazërore… Roza, (lokja siç e quanim), e ëma e Nënë Terezës, ishte një besimtare e devotshme katolike, e cila në dhomën e saj mbante të varur një kryq të stërmadh. Them marrëdhënie vëllazërore si një e vetme, jo pse sot dihet kush është Nënë Tereza, por realisht përdornim të njëjtën banjë e çdo enë kuzhine e kishim të përbashkët”.

Dhe vërtet, familja e Avni Zajmit, vëllai i të cilit ka qenë Haxhi Hafiz Sabit Zajmi, veprimtar i shquar dhe personalitet fetar në Kosovë, u shkri në një me të afërmit e Nënë Terezës. Në këtë atmosferë të spikatur tolerance fetare, e bija e Avniut, Dhurata, qysh në vogëli pothuajse është rritur nga Lokja. Vogëlushja e shoqëronte Roza Bojaxhiun në të gjitha ritet fetare që kryente kisha katolike. Nga ana tjetër Agia, e motra e Nënë Terezës, nuk mungonte në asnjë rast në gëzimet apo hallet familjare të Avni Zajmit, e sigurisht as në dasmën e Gencit.

Gonxhe dhe Agia Bojaxhiu

Gonxhe dhe Agia Bojaxhiu

Familja Zajmi u vuri në dispozicion Rozës dhe Agias një makinë qepëse, që ato të jetonin me atë punë. Tërë jetën ëmë e bijë u morën me rrobaqepësi, derisa vdiqën njëra pas tjetrës në vitet ’70. Në fakt, motra e Nënë Terezës, Agia, ishte e shkolluar dhe me shumë kulturë. Ajo fliste gjermanisht, serbokroatisht, turqisht e italisht. Për një kohë të shkurtër punoi përkthyese në “Radio Tirana”, pastaj në ambasadën jugosllave në Tiranë. Por me prishjen e marrëdhënieve me Beogradin, ishte makina qepëse ajo që u siguroi jetesën.

Varrimin e tyre familja Zajmi e ka bërë njësoj si për motrat e tyre, duke i shoqëruar në banesën e fundit me të gjitha nderet. Kur ka ardhur Nënë Tereza në Shqipëri, familja i dorëzoi asaj mjaft relike, sende familjare e disa punime argjendarie të thjeshta. Zajmët mbajtën vetëm makinën qepëse dhe librin e lutjes (ungjillin e Nënë Lokes). Ky libër ruhet si gjëja më e shtrenjtë, sepse është Ungjilli i përkthyer në origjinal nga Kostandin Kristoforidhi, botim i vitit 1872. Ky Ungjill ka gërmat e vjetra të alfabetit që kishte përgatitur Kristoforidhi, e ka lënë dhuratë Agia, kur i vdiq Lokja.

Bojaxhinjtë kishin edhe një djalë, Llazarin. I vëllai i Nënë Terezës ishte farmacist, dhe pasi u martua para luftës me një italiane nga Torino, ku edhe shkoi, më vonë u bë e pamundur të ruheshin lidhjet. Ndërsa kryetari i familjes, tregtari Kolë Bojaxhiu nga Shkupi, ishte një patriot e atdhetar i njohur. Rrëfimet intime të Nënë Lokes dhe Agias në familjen Zajmi, bëjnë të ditur se Kola u helmua nga shovinistët sllavë, një arsye më tepër që të afërmit e tij të largoheshin drejt Tiranës.

Për ta mbyllur me Avni Zajmin, ai sa ishte gjallë, edhe në moshë të shtyrë nuk ngurroi të imitonte veten në rininë e tij, kur u binte maleve të Shqipërisë më këmbë, nga veriu në jug. Ai iu ngjit malit të Çikës, Alpeve etj. Dhe gjatë kësaj kohe, gëzohej me rezultatet që arrinin sportistët e rritur dhe stërvitur prej tij. Dekoratës së dikurshme të Zogut, “Urdhri i Skënderbeut”, iu bashkuan më vonë “Urdhri Naim Frashëri – Klasi I”; “Urdhri i Punës, Klasi II” etj, e mandej titulli “Mësues i Popullit”, i pari për një mësues të edukimit fizik. Ai u shua në prill 1989, dhe pas vdekjes, Komiteti Olimpik Botëror e ka nderuar në vitin 1996 me dekoratën e “100 vjetorit të Lojrave Olimpike”.

Vetëm pak muaj më pas, në gusht 1989, Nënë Tereza do të vinte për herë të parë në Shqipëri, për të vendosur një tufë lule në varrin e nënës dhe motrës…

 

Përg. Alqi Koçiko

 

***

Në foton kryesore ndodhet  Agia Bojaxhi, motra e Nënë Terezës, dhe në sfond nëna e shenjtores, Roza, bashkë me Shima Zajmin.

September 5, 2016 18:33
Komento

10 Komente

  1. Lani September 5, 19:25

    I perkryer ky pershkrim i dites o Alki!Sikur te kishe folur edhe per Shen Terezen do te ishte dhe me interesante!Dote doja te dinja nese ke te beshe apo jo me Avniun se tere shkrimi i dedikohet Atij dhe mire ben xhanem se per ke nuk u shkruajt e perse jo edhe Avniu qe paskerka krijuar sportet ne Shqiperi e me gjere!Nuk na ke thene se me ç’fare sprti eshte marre Niçja jot dhe se ku ka shkelqyer a kontribuar ky !

    Reply to this comment
  2. Raimond vlonjati September 5, 19:38

    Shum shkrim i bukur dhe mbreslenes dhe qe te jep njohuri per njerez te shquar te kombit tone

    Reply to this comment
  3. Tulipani September 5, 21:54

    Që nëna dhe motra e tashmë Shenjtores Tereza të Kalkutës, kanë jetuar në Shqipëri, në Tiranë, është mësuar pas viteve 90-t???????More ALQI po dukesh nga artikulli qe je i RI.Kete e dinin te gjithe njerezit qe kishin pak njohuri kush ishte NENE TEREZA.Ato kan banu ne lagje 8,mbrapa mapos 6.Pallati i 2te kati 2 dera e mesit dhe te pallati 1 ka pas banu kushuriri i vet Mond Bojaxhiu.

    Reply to this comment
  4. Bashkim B September 5, 23:53

    Ne se Familja Bojaxhi ka jetuar 17 vjet prane familjes Zajmi pra ka qene prane tyre deri ne vitin 1963 dhe ketu ka nje shkeputje prej 10 vjetesh deri ne vitin 1973 qe Lokja e Agi vdiqen brenda dy viteve.Me duket se qellimisht lihet jasht historise se Lokes e Agit miqesia e tyre me Maria Krajen e cila eshte perkujdesur deri ne berjen e varreve te tyre.Nuk eshte e rastit qe edhe Nene Tereza a takua se pari me Marien kur erdhi ne Tirane.Mendohet se familjet Paluca (nga ishte vajze Maria) dhe Bojaxhi kishin miqesi 100 vjecare dhe kjo mund te vertetoje se Nikolla Bojaxhi ishte shperngulur nga zona e Malsise se Shkodres fillimisht ne prizren e me pas ne Shkup

    Reply to this comment
    • arbereshi September 6, 16:21

      Zonja Marie Kraja ka qene mikesha me e afert e familjes bojaxhi dhe ketu nuk ka azgje te qellimte, Lokja dhe Agia kane jetuar me gjithe mend me qira per 17 vjet ne shtepine e te nderuarit Avni Zajmi ne rrugen e kavajes perballe stabilimentit Mihal Duri, kane hikur qe aty nga viti 68-69 ne tirane te re. Lokja dhe Agia kane jetuar ne nje dhome me qera ne familjen Zajmi. Mardheniet e Zajmeve me Bojaxhijt ishin mardheniet e qiradhenesit me qiramarsin kurse mardheniet e z Marie Kraja me Bojaxhinjte ishi shume te vjetra dhe te trasheguara, Kete e dinte gjithe rruga e Kavajes ne ate kohe

      Reply to this comment
  5. iliri tjeter September 6, 03:19

    A doni me per Shen Terezen?
    Gjith shkrimi flet vetem per kete te panjohurin, Avni Zajmin, qe do ta beje te njohur autorii shkrimit!

    Reply to this comment
    • Bashkim B September 6, 23:50

      I lir Ndofta je i ri dhe nuk e njeh profesor Avni Zajmin qe ka qene teper i nderuar dhe i mirenjohur ne Tirane,por fjala eshte per ca te verteta qe edhe une si banor i vjeter i 21-shit i di Ndofta djali i Avniut kerkon te mbaje ca ndere qe ne fakt u takojne te tjereve,por besoj se eshte me e drejte te themi te verteten e plote dhe po e beme kete i bejme nder vehtes.

      Reply to this comment
  6. Mark uk September 6, 16:04

    Te part e Nana TEREZA jan nga Shiroka.Kush te doj te pyes Ahmet Osja dhe ju tregon edhe trojet qe ala duken.

    Reply to this comment
  7. arbereshi September 6, 16:09

    Dua te bej nje korigjim te vogel, ne foto ne plan te pare Dhurata Zajmi dhe ne sfond Lokja dhe Agia

    Reply to this comment
  8. lili September 6, 20:24

    O ilir,po vert et e meriton ky njeri kete shkrim se paska punuar bukur per rinine shqiptare.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*