Plagjiatura që ‘vret’

April 25, 2019 02:32

Plagjiatura që ‘vret’

I nderuar z.Kryeredaktor

Plagjiatura, ashtu si edhe huazimi i termit shpreh, nuk është një fenomen shqiptar. Përkundrazi ajo është një dukuri që po luftohet në të gjithë botën me forcë, nepërmjet politikave të shumta për ruajtjen e pronës intelektuale.

Ajo çka duket të jetë tërësisht shqiptare është menyra se si ne po e trajtojmë plagjiaturën: me indiferentizëm e supe të ngritura.

Për shembull, gjatë katër mandateve të kancelares Angela Merkel dy ministra të kabineteve të saj, një në 2011 dhe një në 2013 janë dorëhequr, pasi universitetet përkatëse u kishin revokuar titujt akademikë për plagjiaturë të pjesshme në tezat e tyre.

Përtej diskutimeve se akuzat për abuzim me pronën intelektuale ishin politike dhe të pabazuara, anëtarët e qeverisë bënë çfarë ishte e nevojshme duke mos lënë vend për të dyshuar mbi integritetin e kabinetit.

Pavarësisht kahut politik apo pozicionit zyrtar, politikanët shqiptarë të akuzuar për plagjiaturë shpesh nuk e kanë marrë mundimin të komentojnë jo më të hedhin poshtë këto akuza, që, si duket, humbin edhe rëndësinë kur merr parasysh se me çfarë tjetër janë akuzuar e akuzohen politikëbërësit tanë.

Trazues në zbulimin e bërë nga studiuesi Vladimir Kola për artikullin e Sherës, Shahinit dhe Dostit nuk është vetëm fakti se dëshira për një rresht të shtuar në CV, përtej meritës, ka ‘infektuar’ vetë akademinë shqiptare.

Tronditës është lloji dhe përmasat e plagjiaturës.

Ndërsa kohët e fundit janë shpeshtuar rastet e plagjiaturave të veprave letrare, si në rastin e poezive të të madhit Kadare, këtu bëhet fjalë për një artikull të mirfilltë akademik. Këto artikuj pritet të kontribuojnë për thellimin e dijeve drejt për drejt, jo të‘mashtrojnë’ lexuesit e fushës mbi nivelin e njohurive personale.

Për më tepër, autorët e këtij publikimi (nëse mund të quhen të tillë), kanë pasur guximin jo vetëm të kopjojnë fjalë për fjalë faqe të tëra nga artikulli origjinal por edhe ta bëjnë këtë ne gjuhën angleze, këtë lingua franca të akademisë.

Fatkeqësisht, kjo nuk lë vend për qasjen pozitive se kemi të bëjmë me një ngjashmëri të rastësishme, duke ngritur dyshime se ky veprim për disa është aq normal, sa nuk merret as mundimi për ta kamufluar disi.

Me siguri, kompromentimi i rektorit të komanduar  të UT është i rastësishëm dhe rrjedhojë e suportit që ka dashur t’i japë disa studentave aspirues që kanë keqpërdorur besimin e tij, të pavetëdijshëm për konsekuencat.

Sidoqoftë, ngjarja duhet adresuar me shpejtësi. Ministrja Shahini, e mirëarsimuar në universitete që nuk u mbyllën për mospërmbushje të kritereve dhe njohëse e politikave arsimore siç është, e di mirë se cilësia dhe integriteti i mësimdhënësve është po aq i rëndësishëm për studentat, në mos më shumë, se uji i ngrohtëdhe bibloteka online.

Në fund të fundit, autonomia që universitetet gëzojnë si vatra të dijes nuk mund të lejohet të jetë vetështerruese e të ndikojë negativisht në shumë aspekte intelektualët e ardhshëm të një vendi.

Edona Llukaçaj

April 25, 2019 02:32
Komento

1 Koment

  1. Vasili April 25, 20:17

    A je e marre a shtihesh mre dona?
    Ne dhe demokracine e kemi nje plagjiature te legalizuar,por qe ne realitet, funksionon si nje diktature perverse orientale-komuniste.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*