Plaku që ka kapur prej fyti Italinë

Nga Elton Xhanari* August 4, 2013 20:40

Plaku që ka kapur prej fyti Italinë

Duke filluar nga mbrëmja e së premtes, Silvio Berlusconi është zyrtarisht një kriminel. Gjykata e Kasacionit, shkalla e tretë dhe e fundit e gjyqësorit italian, konfirmoi dënimin me 4 vite burg për mashtrim financiar. Me pak fjalë Berlusconi, nëpërmjet agjentëve të tij, ndërtonte sipërmarrje boshe në shtete ekzotike ku taksat janë pothuajse zero dhe fshehtësia bankare është maksimale, si ishujt Cayman. Këto sipërmarrje blinin të drejtat televizive për transmetim në Itali të filmave më një çmim X. Më pas rishisnin të njëjtat të drejta tek Mediaseti i po vetë Berlusconit me një çmim X + 10. Në këtë mënyrë shifra +10 rezultonte si një minus në bilancet e Mediasetit e cila paguante më pak taksa, dhe në të njëjtën kohë përfundonte në ndërmarrjet fiktive të krijuara nga vetë Berlusconi. Sipas tre gjykatave të ndryshme (Shkalla e Parë, Apeli dhe Kasacioni), tej çdo dyshimi të arsyeshëm, Silvio Berlusconi mashtronte arkën e shtetit dhe krijonte një arkë personale me para cash që mund të përdoreshin për çdo qëllim, si përshembull për të korruptuar deputetë (sipas akuzës së prokurorit në Napoli). Vetëm në dyvjeçarin 2002/2003 mashtrimi ishte prej 7,6 milionë euro, por sipas prokurorëve totali i vjedhur ndër vite përllogaritet të kapi shifrën 270 milionë euro (gjithçka që ka ndodhur para 2002-shit është krim i parashkruar, pra jo më i dënueshëm).

 

Mbi personin Silvio pasojat janë të rënda. Nga katër vite dënim me burg, tre janë falur nga një ligj i 2006-tës. Si pasojë, brenda një muaji, Berlusconi duhet të zgjedhi se si dëshiron ta vuajë pjesën e mbetur: arrest shtëpiak apo punë të dobishme tek shërbimet sociale. Edhe pse burgu nuk parashikohet për të moshuarit mbi 70 vjeç, ish kryeministrit do i tërhiqen pashaportat (normalja dhe diplomatikja). Poshtërimi për atë që njëzet vitet e fundit ka qënë protagonisti numër një i skenës politike italiane është dhe do jetë maksimal.

 

Mbi politikanin Silvio pasojat janë akoma më të rënda. Brënda gushtit pritet të votohet dëbimi i tij nga Senati, ndërkohë që për gjashtë vitet e ardhshme nuk mund të kandidojë në Parlament. Për më tepër, kur Apeli të ketë vendosur sërisht masën shtesë të ndalimit të mbajtjes së çdo posti publik për tre vjet, Berlusconi do jetë përfundimisht jashtë piramidës drejtuese të vendit.

 

Vendimi i gjykatës minimalisht respektohet dhe nuk komentohet. Mjaft interesant për tu komentuar, nga ana tjetër, është reagimi i Berlusconit dhe partisë së tij. Në ndonjë demokraci më të pjekur më në veri të detit Mesdhe, një politikan që burgoset me vendim gjykate të formës së prerë do kishte ulur kokën, kërkuar falje dhe do ishte eklipsuar diku larg. Por në Itali kjo gjë nuk ndodh. Përkundrazi, Berlusconi po luan me mjeshtërinë që i buron nga eksperienca dhe potenca në masmedia, rolin e të persekutuarit. Si një martir i plagosur kërkon që “demokracia të rivendoset”, që “të shërohet me çdo kusht kanceri i sistemit gjyqësor”, “që Presidenti i Republikës ta shpëtojë nga kthetrat e vendimeve gjyqësore të padrejta”. Përndryshe qeveria mund të rrëzohet, deputetët e djathtë mund të japin dorëheqjen, Italia mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme fill vjeshtën e ardhshme. Loja e zakonshme është mbrojtja ndaj procesit dhe jo brenda procesit. Shprehja e preferuar e të djathtëve është se “Kasacioni ka dënuar 10 milionë votues”. Si analfabetë institucionalë, grupe ministrash dhe deputetësh  mbrojnë tezën e liderit “legibus solutus” i cili, deri sa arrin të mbledhi vota, nuk mund të gjykohet nga askush. Edhe pse vjedh, korrupton, dëmton arkën e shtetit. Nëse populli e voton, prokuroria dhe gjykata duhet ta qepin dhe të tërhiqen. Ky është, në thelb, diskursi politik në gadishull. Antikushtetues dhe rrënqethës.

 

Halli i vërtetë i Silvios nuk është as dënimi me arrest shtëpie, as nderi, as morali, as fati politiko-ekonomik i Italisë. Pika e dobët është si gjithmonë xhepi, domethënë fati i Mediasetit dhe Fininvestit. Klithmat që dëgjohen nga oborri i Silvios kanë si qëllim të rrisin çmimin e mbajtjes në jetë të qeverisë. Asnjë fije floku nuk duhet shkulur nga perandoria e sipërmarrjeve të Berlusconit dhe asnjë fije floku nuk do i shkulet mazhorancës që mban në këmbë kryeministrin aktual Enrico Letta. Ky është pazari dhe të gjithë e dinë.

 

Në fund të fundit kishte të drejtë Valerio Onida, ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, i cili në një bisedë telefonike private botuar në media pa pëlqimin e tij tre muaj më parë, u shpreh lirshëm se “Berlusconi është një i moshuar që ka nevojë për mbrojtje. Shpresojmë të vendosi të shijojë jetën prej pensionisti dhe të lëri të qetë italianët.”

 

 

*PhD – E Drejta Kushtetuese Italiane dhe Europiane – Verona. Rubrika “Europa”. Shkruajini autorit në [email protected]

Nga Elton Xhanari* August 4, 2013 20:40
Komento

4 Komente

  1. Alda August 5, 03:50

    Te pakten vendet e tjera kane gjykata qe i denojne njerezit per krimet qe ata kryejn pavaresisht se cfare jane ose cfare kane qene Ndersa tek ne nje plak te rrjedhur kemi dhe nuk pyet as per gjykata as per prekurori Jo vetem qe nuk i pyet por ne vend qe ta fusin ne burg i fut ai ata Kete palo drejtesi qe ka ky vend eshte turp ta quash te tille.

    Reply to this comment
  2. lulezo lulezaime lulezo August 5, 13:45

    E pate or gjyqtare se ceshte gjykata ne itali dhe jo si ju plera qe plaku me antiplumb ju kthen si do vete, para, mbrapa, haram diplomen qe keni mare se patjeter ate ekeni marre me leke se po ta kishit marre me zotesi doti thonit plakut mere ik e mos na caj bythen natyrisht jo te gjithe jane te tille por them te tipit Zaganjori me shoke .

    Reply to this comment
  3. andi shkoder August 5, 16:47

    Shume i pozicionuar dhe aspak ne ekuilibra. Veçanerisht kur flitet per ministra dhe deputete si analfabete institucionale , ketu e ke tepruar. Mendo se te pakten eshte dhene nje vendim paçka reagimit dhe krahasoje me rastin Meta. Nese ata te italise i krahason me analfabete, çfare emri ti veme ketyre kafsheve ketu???

    Reply to this comment
  4. tol francezi it August 5, 19:30

    Ky mafioz rovinoi italine ,ndersa salehu albanine ,salehu dhe berluska e kane pak litarin .

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim