Plani B(erisha) pas ikjes së CEZ

Erion HABILAJ November 12, 2012 12:01

Plani B(erisha) pas ikjes së CEZ

Në zonat debitore ka nisur t’u premtohet banorëve falja e borxheve të energjisë elektrike pas dëbimit të CEZ-it kundrejt votave për PD-në. Plani për falje masive të faturave të energjisë në kulmin e fushatës elektorale, në sirtaret e qeverisë. Kabllogramet amerikane dëshmojnë se si Berisha bëri të njëjtën lëvizje me FMN në fushatën e 2009

 

Në zona të veriut të vendit raportohet që ditët e fundit eksponentë të PD u premtojnë banorëve të zonave mospaguese që me ikjene CEZ-it, borxhet nuk do kërkohen më. Po u premtohen falje të faturave dhe rikthim energjie elektrike. Plani ka nisur të veprojë dhe këtë mund t’ia dështojë vetëm CEZ. Nëse CEZ do durojë edhe për katër muaj të tjerë, Berisha zor se do përballojë presionin e madh që do i bëhet dhe protestat që mund të shkaktojnë një valë efekti si ato të piramidave.

 

Në Tiranë flitet nën zë

Deklaratat nën zë për një skenar të tillë kanë kohë që qarkullojnë brenda ambjenteve të ministrive. Ikja e CEZ i le dorë të lirë Berishës të përdorë faturat e pashlyera si mjet për të maksimalizuar votat në zonët problematike me pagesën e energjisë elektrike.

Përkimi i presionit ndaj CEZ për të ikur nga Shqipëria – me fushatën elektorale të vitit që po vjen, është evident. Lëvizjet do qartësohen muajt në vijim, por ajo që dihet me siguri tani për tani është që kreu i qeverisë shqiptare nuk është fare i shqetësuar për largimin e CEZ nga Shqipëria, madje…

 

Presioni mbi CEZ

Ekzekutivi në forma nga më të ndryshmet, po nxit kompaninë çeke të braktisë vendin, pavarësisht se do lejë pas një shifër prej 300 milionë eurosh, një humbje kjo, kolosale plus shumën e garancisë së kontratës nga Banka Botërore që shndërrohet automatikisht në borxh të ri në kurriz të qytetarëve shqiptarë.  Por pak i interesojnë milionat e eurove një qeverie që kërkon me çdo kusht një mandat të tretë, pavarësisht keqqeverisjes dhe skandaleve të njëpasnjëshme.  Berisha e ka treguar jo vetëm një herë se nuk ka “shqetësime ekonomike” kur vjen fjala te interesat afatshkurtra elektorale.

 

Nuk do ishte hera e parë

Nuk do ishte hera e parë. Në prag të zgjedhjeve të fundit parlamentare, (11 muaj para tyre) u dëbua nga Tirana, Fondi Monetar Ndërkombëtar, sapo nisën të zbuloheshin skandalet me buxhetin elektoral. Berisha po ndjek të njëjtën taktikë me kaosin në energjinë elektrike. Në kabllogramet e ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, disa prej të cilave u botuan rreth një vit më parë, bëhej e qartë se Berisha e dëboi FMN-në vetëm e vetëm që të kishte dorë të lirë në përdorimin e buxhetit sipas interesave elektorale më 2009. Do ta përsëritë me CEZ dhe me Albpetrol nëse do ia arrijë.

 

CEZ e ka humbur toruan

Aktualisht CEZ kërkon me ngulm arkëtimet e prapambetura te qytetarët. Në këtë mënyrë pret dritat në mënyrë kolektive, edhe pse veprim i padrejtë. Në shumicën e rasteve (përjashto zona si Kombinati) banorët hidhen në protesta jo se nuk ka energji për furnizim, por sepse refuzojnë të paguajnë. Aktualisht energjinë e paguajnë abonentët e rregullt me kosto dyfish, edhe për humbjet apo me mbifaturimet. Por situata nuk mund të zgjatet më shumë, pasi CEZ kërkon paratë dhe vijon prerjet në zonat që janë debitore. Presioni i qeverisë (fillimisht nëpërmjet prefektëve) dhe protestat kolektive po bëjnë që CEZ të kthehet në Çeki e të shpall falimentimin. Në këtë mënyrë sektori i shitjes i kalon përsëri KESH-it si dështim në privatizim.

 

Dy janë rrugët…

Nëse CEZ do të qëndrojë ende në Shqipëri dhe do këmbëngul se zgjidhja e zinxhirit të boxheve duhet të nisë me pagesat e faturave të prapambetura, kostot do të vijnë në rritje për koalicionin qeveritar sepse energji nuk do ketë, kurse protestat dhe trazirat mund të shtohen.

Nëse CEZ ikën dhe shpërndarja kalon në dorën e qeverisë përsëri (qoftë edhe përkohësisht, deri në riprivatizim) kryeministri dhe të tijët kanë dorë të lirë në kulmin e fushatës elektorale t’u thonë abonentëve debitorë se do u falen borxhet e dritave, mjaft që të japin votën.

 

Humbjet, kolosale

Aktualisht CEZ edhe pas më shumë se katër vitesh vendosje në Shqipëri, raporton se humbjet janë të mëdha. Gati 50 për qind e asaj që shpërndahet nuk arkëtohet. Kujtojmë se në raportet zyrtare të qeverive të kaluara, deri në 2007, humbjet në rrjet ishin 20 për qind, dhe ato të pa mbledhura nga faturat diku tek 25 për qind. Pra luhatej kostoja me humbje nga 40-45 për qind. Kurse, aktualisht CEZ edhe pse ndërmarrje private, raporton se gjendja është përkeqësuar dhe borxhi i saj shkon në 300 milionë euro.

Nga ana tjetër institucionet ende nuk kanë shlyer borxhet, gjë që detyroi qeverinë të zbuste skandalin e kontratës së privatizimit ku i premtohej CEZ rritja 100 për qind çmimit të dritave, që të kalojë ilegalisht aktin normativ, edhe pse nul. Qëllimi ishte të merreshin 14 milionë dollarë të mbetur nga buxheti i qeverisjes vendore, bashki e komuna, dhe arkëtimin në CEZ. Por kjo penalizonte buxhetorët, ndaj dhe akti ka mbetur pezull, kurse shumë bashki po falimentojnë. Nga ana tjetër, pothuajse pjesa më e madhe e abonentëve në veri, për qëllime elektorale nuk paguajnë drita prej gati 10 vitesh. Falja e faturave kundrejt votës është e mirëpritur në kushte të tilla.

 

 

CEZ-Shqipëri, divorc brenda pak muajve të ardhshëm – paralajmëron Armitage e Bankës Botërore

 

Banka Botërore deklaroi disa ditë më parë se marrëdhëniet e CEZ me Shqipërinë “pritet të mbyllen me divorc brenda pak muajve të ardhshëm”. Deklarata u bë nga vetë Jane Armitage, drejtore rajonale e Bankës Botërore për Europën Juglindore.

Citohet Armitage nga VOA Neës: “Ne jemi jashtëzakonisht të zhgënjyer lidhur me privatizimin e sektorit të shpërndarjes së energjisë. Banka Botërore e ndihmoi qeverinë që të merrte një vendim lidhur me privatizimin, i cili ishte transparent dhe konkurrues. CEZ fitoi privatizimin dhe ne ishim shumë entuziastë, sepse CEZ ka përvojë të madhe dhe emër të mirë ndërkombëtar. Të gjithë pritnin që CEZ të ulte humbjet teknike dhe financiare dhe të përmirësonte mbledhjen e faturave nga konsumatorët. Por sot pas 3 vjet e gjysëm ne jemi thellësisht të zhgënjyer për këtë privatizim, njëlloj si qytetarët dhe qeveria shqiptare”.

Drejtorja rajonale e Bankës Botërore, ishte e qartë: “Situata është shumë e vështirë. CEZ dhe qeveria janë duke diskutuar për një rrugëdalje, ata kanë marrë avokatë dhe negociatat janë shumë delikate. Nga të dy palët ka shumë mosbesim mendoj se në pikën e tanishme kjo lidhje ngjan me një martesë, që i ka ardhur dita për divorc. Por problemet mbeten të njëjta; rritja e çmimeve, mbledhja e faturave, investimet themelore për të shmangur humbjet teknike dhe financiare; të gjitha këto janë sfida për kompaninë e re që do të pasojë CEZ-in, por për vetë CEZ-in koha ka mbaruar, nuk u arritën marrvëshje me qeverinë, dhe pas pak muajsh po vjen divorci mes tyre”. – A.N.

Në foto: Kryeministri Sali Berisha dhe Drejtorja e Bankës Botërore për Europën Juglindore Jane Armitage, gjatë një konference në hotel Tirana,  Shtator 2011 (LSA)

Erion HABILAJ November 12, 2012 12:01
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*