Plani për Evropën e Re

May 10, 2016 17:08

Plani për Evropën e Re

66 vite pas ngjizjes së idesë evropiane, Evropa duhet të rilindë. Të rimodelohet. Të rigjenerojë idealet, qëllimin dhe arsyen e ekzistencës së saj. Kjo, pasi ajo po rrezikon si rrallëherë çintegrimin më të thellë të saj. Çintegrim i përditshëm, i ngadaltë, gradual. Jo fizik, por moral. Apeli i fundit erdhi ditën e djeshme, nga një sërë personalitetesh të njohura evropiane, me kombësi të ndryshme, si Daniel Cohn-Bendit, Felipe Gonzalez, Guy Verhofstadt, etj. Apel për ndryshim, me synim ripërtëritjen e dinamikës evropiane, duke vënë në qendër të këtij projekti, qytetarin evropian.

Ndryshim, që ofrohet në një udhërrëfyes me gjashtë akse: përforcimi i demokracisë; iniciativa strategjike në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes; zgjidhje evropiane në lidhje me krizën e refugjatëve; fokus ndaj rritjes ekonomike, një politikë industriale e përbashkët dhe investim në industritë kyçe që mundësojnë punësim; përforcim i Eurozonës; përforcim i programit Erasmus, që mundëson zgjerimin e horizontit kulturor të të rinjve evropianë, për të inkurajuar barazinë e shanseve dhe të ndjesisë së përkatësisë të përbashkët.

Rikthim në histori

Ngjizja e idesë evropiane, e shpallur publikisht më 9 Maj 1950, nga ish Ministri i Jashtëm francez, Robert Schuman, sigurisht që ishte një projekt me frymëzim dhe mbështetje amerikane, e përqendruar rreth bërthamës franko-gjermane. Me një Britani që shikohej, jo pak e vështirë në bashkëpunim, prej këtij aksi. Tendencë, që Britania e Madhe e ka ruajtur dhe vazhdon ta ruajë në kohë, në marrëdhënien e saj me Unionin.

Jo rastësisht, pas prezantimit politik të idesë së një bashkimi fillestar evropian, qëndron Jean Monnet, biznesmeni francez i Konjakut, i njohur ndërkombëtarisht si njohës i mirë i anglo-saksonëve dhe me lidhje të forta amerikane. Edhe pse deklarata e 9 Majit 1950, u krye publikisht nga Ministri i Jashtëm francez, Robert Schuman, historianët e ndërtimit evropian, vlerësojnë se në themel të planit francez, për një formë të re të bashkëpunimit politik në Evropë, është mbështetja e gjerë amerikane, në sfondin e  marrëdhënieve me Monnet, si edhe mbështetja dhe interesi i qartë gjerman.

Gjermania e asaj kohe, kërkonte të shmangte masat e imponuara ndaj sektorit të siderurgjisë nga fituesit e 1945-s, që lidheshin me çmontimin e uzinave dhe masat, që impononte Autoritetit Ndërkombëtar i Ruhrit, i krijuar për të kontrolluar shpërndarjen e prodhimit mes tregut të brendshëm dhe eksportimit. Edhe në logjikën e kancelarit gjerman të asaj kohe, Adenauer, mbrojtës i këtij projekti, ishte thelbësore të ndalohej çmontimi dhe se evropianizimi i qymyrit dhe çelikut të mund të ishin pika e nisjes së një bashkëpunimi më të gjerë. Për më tepër, krijimi i një Autoriteti të lartë vlerësohej se, do t’i mundësonte Gjermanisë një pjesëmarrje me të drejta të barabarta me vendet e tjera, çka përkonte me synimin thelbësor të Gjermanisë.

Përtej idealit për ta bërë “luftën të paimagjinueshme dhe materialisht të pamundur”, sfondi në të cilën po kryhej shpallja e këtij bashkëpunimi, po njihte një sërë tensionesh apo zhvillimesh të brendshme, rajonale dhe ndërkombëtare, si lindja e dy shteteve gjermanë, fitorja e komunizmit në Kinë, nënshkrimi i Paktit të Atlantikut, një sërë marrëveshjesh dypalëshe të nënshkruara mes Bashkimit Sovjetik dhe demokracive popullore, shpërthimi i bombës së parë atomike sovjetike dhe nisja e një gare armatimi.

Tensione dhe zhvillime, që ndërthurën si interesat e diplomacisë së përtej Atlantikut, për krijimin e një bërthame apo të një poli të fortë bashkëpunimi në nivel evropian, duke u ofruar si strukturë e hapur edhe ndaj vendeve të tjerë evropiane, si interesat gjermane për t’iu shmangur detyrimeve të imponuara nga kampi fitues, po ashtu edhe interesat franceze dhe interesat e një kontinenti, që do të përpiqej të shmangte luftën duke bashkëpunuar dhe ndërvepruar në paqe.

Plani i ri franko-gjerman

Që prej shfaqjes së krizave dhe thellimit të tyre, thirrjet për rimodelimin e projektit evropian nuk kanë reshtur. Kriza, që si rrallëherë, kanë shfaqur ndasi të mëdha ideologjike. Jo vetëm në mënyrën se, si konceptohet Bashkimi Evropian, por edhe ndasi thelbësore në konceptime të brendshme politike, kulturore dhe sociale. Ndasi, që rënduan dhe vazhdojnë të rëndojnë mbi rrënimin e vlerave të rëndësishme të humanizmit, solidaritetit dhe ndarjes së përgjegjësive në momente të vështira.

Një rimodelim, larg kontekstit fillestar të bashkimit për sigurimin e paqes dhe shmangien e luftës në kontinent. Një rimodelim, ku vendet që nuk kanë dëshirë të angazhohen, të mos kenë mundësi të pengojë vendet e tjera që kanë dëshirë për të marrë më shumë përgjegjësi, vullnet për të avancuar në thellimin evropian dhe mbi të gjitha vizion për të shkuar drejt një të ardhme të sigurt.

Përgjatë vitit të kaluar, jo rastësisht, kemi dy dalje të rëndësishme publike të aksit franko-gjerman. Dalja e parë (qershor 2015) ishte nëpërmjet një letre-opinion të dy ministrave të ekonomisë së Gjermanisë dhe të Francës, Macron dhe Gabriel, ku mbështesin idenë e një Eurozone me bashkëpunim të përforcuar, nëpërmjet një rishikimi të arkitekturës institucionale të BE-së. Dalja e dytë, do të ishte vetëm disa muaj më vonë, (tetor 2015), në Parlamentin Evropian, ku kancelarja gjermane Merkel dhe Presidenti francez Hollande, do të mbështesnin sërish idenë për më shumë Evropë, me një Eurozonë të thelluar, me shumë përgjegjësi në fushën e politikës së jashtme të Unionit, si edhe përforcim të lëvizjes së lirë.

Evropa e dy klasave

Projekti politik për një integrim të thelluar të ndarë në dy grupe, ka kohë që është prezantuar. Një projektim federal, që synon thellim politik dhe ekonomik. Përforcim të mëtejshëm të Eurozonës, thellim të politikave fiskale dhe buxhetore, duke krijuar mundësinë për një rol më të madh kontrollues dhe stabilizues. Sigurisht duke nënkuptuar edhe lëshime të tjera të kompetencave kombëtare drejt atyre evropiane. Projektim, që imponon edhe skicim të një arkitekture institucionale. Idetë e propozuara në kohë përfshijnë krijimin e një dhome të dytë në PE, që mund të funksionojë si Senat ose në formën e një nën/Komisioni, krijimin e postit të një Komisioneri të Euros, i cili jo vetëm do të përfaqësojë këtë Eurozonë të fortë, të fokusuar mbi politikat fiskale, rritjen ekonomike, investimet dhe zhvillimin e punësimit, por propozimet shkojnë dhe në dhënien e kompetencave më të larta, si e drejta e vetos ndaj buxheteve kombëtare.

Pra, një thellim, i cili nuk do të kryhet mbi BE-28, por vetëm me vendet e Eurozonës (19 shtete). Në logjikën se, kush nuk ka dëshirë të integrohet në mënyrë më të thelluar, është i lirë të zgjedhë formën e integrimit që dëshiron. Njëkohësisht, në thelb projekti kërkon që këto vende që nuk dëshirojnë të angazhohen në mënyrë më të thelluar, të mos pengojnë vendet e tjera që kanë dëshirë dhe vullnet të angazhohen së bashku.

Teksa Eurozona do të jetë bërthama e një Unioni të thelluar, alternativat për vendet e tjera, që i referohen kryesisht ambicieve britanike, sugjerojnë një fokusim të thelluar tek Tregu i Përbashkët. Pra, propozohet një hap përpara drejt një tregu të brendshëm të integruar në mënyrë më të kënaqshme, me një përqasje të fokusuar në sektorë kyçë, si energjia dhe ekonomia dixhitale.

Mirëpo, ndonëse vëmendja britanike ka një interes të veçantë ndaj politikave të Tregut të Përbashkët, ajo është shfaqur vazhdimisht në kundërshtim të hapur, të skemës federale që propozon de facto një ndarje të Unionit, në dy grupe, ku grupi i vendeve të dyta do të jetë viktimë e vendimmarrjeve të grupit të klasit të parë, pasi është i përjashtuar nga procesi i vendimmarrjes.

Argumenti britanik ndaj kësaj ideje, ka ekspozuar rrezikshmërinë e legjitimitetit dhe funksionimit demokratik të Unionit. Kundërshtimet në kohë, të kreut të qeverisë britanike Kamerun, janë drejtuar si ndaj zhvlerësimit të fuqisë britanike në Union, por edhe të zhvlerësimit të fuqisë së eurodeputetëve britanikë në PE, nëpërmjet krijimit të një grupimi të zonës Euro në Parlament, apo një mini Parlamenti brenda Parlamentit të madh.

Përveç Britanisë së Madhe, të pakënaqur janë shprehur ndaj kësaj ideje edhe vendet e ish-kampit lindor. Këto vende së bashku me Britaninë e Madhe, Danimarkën dhe Suedinë, janë përpjekur të ushtrojnë presion politik, duke hedhur idenë e krijimit të një grupimi kundër balancues, ku mund të aderojnë të gjithë vendet, jo pjesë e Eurozonës. Qëllimi do të jetë balancimi i pushteteve dhe i presionit mbi politikat vendimmarrëse të grupimit të parë, me konture federale.

Por, përplasja e Unionit me kriza të njëpasnjëshme, dhe shfaqja kokëforte e vullneteve të caktuara kombëtare, jo vetëm në refuzim të ndërmarrjes së politikave të përbashkëta, por duke penguar edhe vende të tjera, në vullnetin e tyre për të bashkëpunuar më tej, ka krijuar një domosdoshmëri për shtytje drejt Projektit franko-gjerman. Projekt, që shikohet si zgjidhja më e afërt për ripërtëritjen e Evropës. Thjesht, kërkohet dhe pritet momenti i duhur. Ndoshta një moment simbolik, i ndërthurur me peshë historike, që sipas Verhofstadt mund të jetë edhe viti 2018, viti i përvjetorit të hyrjes në fuqi të Traktateve të Romës.

im.ta / Dita

May 10, 2016 17:08