Plani sekret i PS-së për të shpëtuar Strazimirin nga arrestimi

March 30, 2016 22:49

Plani sekret i PS-së për të shpëtuar Strazimirin nga arrestimi

Pas lajmeve të tipit “Strazimiri drejt burgut” dhe kallëzimit penal për të nga PS-ja, një ekip i ngushtë drejtues i kësaj të fundit është mbledhur me urgjencë dhe ka vendosur komunikim direkt me Lulzim Bashën.

Arsye është shmangia e arrestimit të Strazimirit, deputetit i dyshuar se mbante një armë gjatë protestës te Parku i Liqenit, pasi kjo do të konsumonte mendimin që po ngjizet se reforma në drejtësi do të çojë në pranga Doktorin, qoftë edhe për një ditë, pasi… arrestimi i një deputeti është arrestim i një deputeti. Dhe nuk mund të digjet momentumi për një arsye kaq banale.

Ekipi i PS-së propozoi këto mënyra, të gjitha të lidhura pazgjidhshmërisht me largimin e Strazimirit:

1-Strazimiri strehohet në Lezhë tek Arben Ndoka, ish-deputeti që u konfrontua me të, pasi askush nuk do të dyshonte.

2-Strazimiri grimohet me kujdes që të ngjajë si Eduart Ndoca, deputeti socialist që thirret si “Kaubojsi”, meqenëse të dy mbajnë kapele të ngjashme dhe kanë pak a shumë një gjatësi. Këtu do të vihen në punë edhe mediat, që do ta fotografojnë Strazimirin e ndryshuar, duke peshkuar në Kune dhe do të japin lajmin sensacional: “Zbulohet “vëllai” binjak i Kaubojsit”. Ky mandej do të shkojë ta takojë dhe do dalin foto, ku mund edhe të thotë: “Të gjithë lezhjanët e mirë ngjajnë si unë”.

3-Mënyra e tretë është largimi nga Shqipëria. Meqenëse pamja fizike e deputetit demokrat nuk është e zakonshme, u propozua që të propozohet modeli i ndjekur nga shoku Gramoz, kur pasi u shpall kërkimi për të në kohën e qeverisjes së PD-së, u vesh si grua dhe kaloi kufirin me Greqinë. Ky propozim iu bë Bashës verbalisht, pasi duhet shmangur gjurma se edhe socialistët e besojnë se shoku Gramoz u vesh dikur si grua.

Propozimi është tepër konfidencial dhe parashikon një rast përjashtimor që është ndërhyrja e ambasadorit amerikan, Donald Lu, i cili meqenëse e ndoqi procesin e dekriminalizimit nga një incident i Strazimirit, mund të dalë e të deklarojë: “Je suis Genti”. Ose “Unë nuk kam frikë nga Genti”. Dhe atëherë çdo gjë do të neutralizohej me heshtje.

Rasti i dytë, që e bën çështjen urgjente është, hyrja në lojë e Baba Takut. Kjo do të ishte mina e të gjithë procesit, pasi siç u shpreh në takim një drejtues i vjetër i PS-së, “Spartaku do bindë Llallën me argumente të shohë aty ku duhet”.

March 30, 2016 22:49
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*