Plavë-Guci, persekutimi që vazhdon….

September 1, 2016 10:00

Plavë-Guci, persekutimi që vazhdon….

Nga Musa Kurtulaj

     Në Shkodër, në zonën Lezhë – Krujë, por edhe në Tiranë e Durrës, janë të shumta familjet e ardhura nga hapësira e Bjeshkëve të Namuna. Veçanërisht ato filluan të shpërngulen nga vatrat e tyre pas vitit 1900, për t’i shpëtuar terrorit serbo – malazez që avanconte me zjarr e hekur në gllabërimin e trojeve shqiptare. Sidomos kjo mjaft e theksuar nga viti 1912 e ne vijim. Shumë prej tyre mbajtën për mbiemra, emrat qyteteve apo fshatrave nga erdhën si Gucia, Plava, Pepaj, Haka, e tjerë. Kështu thirren edhe sot.

     Para vitit 1990, kur flitej për zonat e banuara të Bjeshkëve të Namuna të përtej kufirit të vitit 1913, theksohej se pjesa dërmuese e banorëve të tyre që kanë mbetur atje, janë asimiluar. Në shumicë ata u konvertuan nga shqiptarë në boshnjakë, gjuha shqipe atje është e papërfillshme pasi në sajë të atij konvertimi të imponuar me mënyrat më makabre, mësohej, flitej dhe shkruhej ne gjuhet republikave sllave brenda ish – Jugosllavisë.

    Me pak fjalë, kështu përshkruhej gjendja e shqiptarëve që kishin mbetur atje, ndërsa pjesa tjetër, që ishte dhe shumica, u detyruan të largoheshin për në krahina të tjera të Shqipërisë, në shtete të ndryshme të Evropës, dhe në Turqi e SHBA.

     Por edhe pas vitit 1990, pavarësisht ndryshimeve politike që përfshinë Ballkanin dhe në veçanti ish-Jugosllavinë me shpërbërjen e saj, pak a shumë kështu flitej për hapësirën e banuar te Bjeshkëve te Nemuna te përtej kufirit shtetëror të Shqipërisë. Gjithsesi, ndonëse në kushte mjaft të vështira për shkak të luftimeve në ish- Jugosllavi, filluan të rivendosen kontaktet e para njerëzore me këto zona, për të cilat në Shqipëri dihej aq sa ishte shkruar ne tekstet e historisë për qëndresën e shqiptarëve të dy qyteteve me rrethina, Plavës dhe Gucisë. Në këto tekste përmendej ne veçanti Lufta e Nokshiqit ne vitin 1879 -1880 për të mbrojtur Plavën dhe Gucinë nga ushtria e Krajl Nikollës, që donte ta shkëpuste këtë krahinë nga trungu amë duke shfrytëzuar Traktatin e Shën Stefanit dhe vendimet tragjike te Kongresit te Berlinit ndaj shqiptarëve. Ajo luftë u fitua nga shqiptarët, e cila pati për protagonistë dy figura madhore të kohës, gjeneralin popullor Jakup Ferri, dhe komandantin e shtabit të mbrojtjes së Plavës e Gucisë, Ali Pashë Gucia, i ngarkuar me ketë detyrë nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Historianet e kane cilësuar këtë lufte si të parën që filloi në mënyrë te organizuar për te mbrojtur trojet shqiptare, Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Autori i “Lahutës së Malcisë” Gjergj Fishta, i frymëzuar nga ajo qëndresë, e quajti Gucinë “Ora e Shqipnisë”! Më pas përmenden me theks më të veçantë vitet 1912 – 1920, ku rikthehen ushtritë malazeze dhe bëjnë masakra mbi Plavën dhe Gucinë, si hakmarrje ndaj humbjes që kishin pësuar në luftën e Nokshiqit dhe te Pepajt si dhe ne luftën për te marre Hotin e Grudën. Është kujtuar gjithnjë masakra më e përgjakshme mbi shqiptarët, ajo e Qafë Previsë ku 700 shqiptarë të kësaj krahine në vitin 1913 i detyruan te hapin varret dhe me pas i pushkatuan!Plave 1

     Ishte pikërisht kjo periudhë e përgjakshme që imponoi me çdo mjet fillimin e  procesit asimilues të shqiptarëve në Plavë dhe Guci, falë edhe vendimeve ekstremisht të padrejta të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës, që rikonfirmoi copëtimin e trojeve shqiptare ashtu siç kishte bere Kongresi i Berlinit. Asimilimi përqendrohej në ndërrimin e kombësisë dhe të fesë.Tregohen raste të shumta për metodat nga me çnjerëzoret, qe u përdorën nga ushtria malazeze ndaj shqiptarëve në ato vite, për realizuar asimilimin e tyre apo ne te kundert dëbimin me çdo kusht nga vatrat e tyre shekullore. Përshembull, ka ardhur deri në ditët e sotme tregimi gojor se si në atë periudhë ata kapën një grup njerëzish me influencë që i përkisnin besimit mysliman si dhe një prift katolik, dhe i izoluan së bashku në një mjedis të rrethuar. U dhanë afat 12 orë të mendoheshin dhe të vendosnin që të ndërronin kombësinë shqiptare e gjithashtu edhe fenë duke u kthyer në ortodoksë, ndryshe i priste ekzekutimi. Por, gjatë bashkëbisedimit mes priftit dhe besimtarëve myslimanë, u ra dakord që as të mos ndërronin kombësinë dhe as fenë. Prifti u shpreh se unë nuk do ta mohoj kombësinë shqiptare dhe as fenë katolike, e po kështu edhe ju mos e mohoni as kombësinë shqiptare dhe as fenë myslimane! Këtë vendim ata ua komunikuan autoriteteve ushtarake malazeze, të cilët, të tmerruar nga kjo vendosmëri sublime, urdhëruan pushkatimin e tyre menjëherë!

Ose një rast tjetër, i evidentuar nga studiuesi Ramiz Lushaj. Më 13 tetor të vitit 1912, forcat malazeze kapin Bajram Hysen Mekulin nga fshati Nokshiq, njërin nder luftëtarët shqiptarë me te shquar të asaj kohe. Ashtu te plagosur, e prangosin dhe e dërgojnë ne xhaminë e këtij fshati, e bashkë me te edhe bashkëfshatarët e tij si dhe gra e fëmijë. Komandanti malazez Milija Nikoliq, i bën thirrje që të ndërrojnë fenë dhe të deklarohet ortodoks me kombësi malazeze!  Nuk pranon! Atëherë skuqin një kryq të hekurt dhe ia vendosin në ballë, por sërish nuk pranon të ndërrojë as kombësinë dhe as fenë! E skuqin kryqin sërish dhe ia vendosin në anën e djathte te kraharorit, por qëndron i vendosur ne bindjen e tij si shqiptar! Sërish e skuqin kryqin dhe ia vendosin ne anën e majtë të kraharorit, por Bajram Hysen Mekuli qëndron i paepur duke rikonfirmuar përkatësinë e tij shqiptare e fetare, dhe me këtë betim plagët i marrin edhe frymën e fundit ! Komandanti Nikoliq nuk mjaftohet me kaq, ai i vë zjarrin xhamisë ndërsa bashkëfshatarët e tij u turren  mbi trupin e Bajram Hysen Mekulit, e morën dhe e varrosen, ndërkohë qe, ashtu si xhamia, edhe kullat e tyre tashme po kalleshin në flakë nga ushtria malazeze.

      Me fakte të tilla tragjike të pafundme, është e dëshmuar se si historia, qe do te vazhdonte ne ketë treve me dhunimin e pashembullt  nga shtetit serbo- malazez, u rezervoi shqiptareve te Plavës dhe Gucisë fatin me dramatik te asimilimit dhe largimit te dhunshëm nga vatrat e veta. Studiuesi nga Gucia, Sait Çekiq, i deklaronte gazetës Shekulli më datën 2 mars të vitit 2014 se nëse do të kishte pasur zhvillime normale kjo zonë, Gucia sot do të kishte mbi 100 mijë banorë, ndërsa historiani nga kjo trevë, Rexhep Dedushaj, ka shkruar se zyrtarisht, në vitin 1912, së paku 83% e banorëve të Plavës dhe Gucisë ishin shqiptarë.

   U zgjatëm disi me këtë përmbledhje në këndvështrimin historik, me qellim që lexuesi të ketë një përfytyrim më të qartë për ketë trevë, pasi për te është shkruar shume rrallë në organet e shtypit qendror të Shqipërisë!

     Po sot cila është gjendja? Nga bashkëbisedimi që zhvilluam ditët e fundit të muajit gusht me Sekretarin e Kuvendit të Komunës së Gucisë, Enver Dedushaj, mësuam se kjo komunë ka 4400 banorë, ku 41% janë shqiptarë, 43% boshnjakë ndërsa pjesa tjetër serbë, malazezë dhe myslimanë.  Po për te njëjtin problem u interesuam edhe në komunën e Plavës, dhe këshilltari për çështjet ekonomike ne administratën e kësaj komune, Ram Sinanaj, përmbledhtazi prezantoi këtë gjendje: Komuna e Plavës ka afro 9500 banorë, ku serbo-malazez janë rreth 20%, boshnjakë rreth 70% dhe shqiptarë 12%. Pra, të dyja këto komuna nuk kanë më shumë se 13.900 banorë!

    Pas këtyre të dhënave, kuptohet më lehtësisht drama 103 vjeçare e luginës shqiptare të Plavë – Gucisë, nga viti 1913 e deri në ditët e sotme, ku siç cituam më lart studiuesin Sait Çekiç, “se nëse do të kishte pasur zhvillime normale, vetëm Gucia do te kishte sot mbi 100 mijë banorë”!

      Por pavarësisht kësaj drame të llahtarshme, gjithsesi geni shqiptar në këtë trevë mundi të mbijetojë! Ne takuam shumë banorë të këtyre dy qyteteve dhe fshatrave te tyre, tek të cilët shpresa se gjendja do të ndryshojë për mirë kishte nisur të bulëzonte. Që nga viti 1997 ashtu si pjesa tjetër e shqiptarëve në Malin e Zi, edhe ata të Plavës dhe Gucisë kane votuar ne shumicën dërmuese për koalicionin me partinë e Kryeministrit, Millo Gjukanoviç. Ata nuk e mohojnë aspak se nën drejtimin e tij, shqiptarët në Malin e Zi u lejuan që të prisnin kosovarët në vitet 1999 që ishin detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre ne Kosove, për t’i shpëtuar regjimit shfarosës të Millosheviqit. E po kështu, më vonë, votuan që Mali i Zi të fitonte pavarësinë nga Serbia, ku dihet se vota e shqiptareve ishte përcaktuese për këtë. I vlerësojnë Kryeministrit Gjukanoviq edhe njohjen që Qeveria e tij i bëri shtetit te ri kosovar. Gjithashtu i përmendin edhe sanksionimin e të drejtës për përdorimin e simboleve kombëtare shqiptare, siç është Flamuri Kuq e Zi.

     Por nga ana tjetër shprehen kritikë për diferencimin qe akoma vazhdon t’u bëhet shqiptarëve ne administratën e institucioneve te qeverisë qendrore te shtrira në nivelin lokal e jo vetëm në ato. Sipas një studimi qe mundem ta sigurojmë konfidencialisht, rezulton se në trevën Plavë – Guci, institucionet qendrore shtetërore te Malit të Zi kane te punësuar 730 persona, nga te cilët vetëm 33 janë shqiptare ndërkohë qe, sipas përqindjes qe zë popullsia e regjistruar me kombësi shqiptare, duhej te ishin se paku mbi 26% e numrit të punësuarve ose 175 vete ! Pershembull, nga 157 efektive te policise kufitare, vetëm 2 janë shqiptare kur duhej te ishin 41, ndërkohë qe ne mbi 80 km gjatësi është vija kufitare i kësaj zone vetëm me shqiptarë (Shqipërinë dhe Kosovën)! Në policinë e rendit nga 83 efektivë, vetëm 2 janë shqiptarë kur duhej te ishin 22 ! Në gjykatën e Plavë-Gucisë me personel prej 16 zyrtarë, vetëm 1 gjyqtar është shqiptar kur duhej te ishin 4! Në institucionin e prokurorisë Plave – Guci janë 6 prokurore, asnjë shqiptarë kur duhej te ishin 2! Në shërbimin informativ janë 6 zyrtarë, asnjë shqiptar kur duhej të ishin 2. Në qendrën e çështjeve sociale janë te punësuar 16 nëpunës, asnjë shqiptar kur duhej te ishin 3! Në shtëpinë e shëndetit publik punojnë 101 persona, vetëm 3 shqiptarë kur duhej te ishin 26! Në drejtorinë e pyjeve janë të punësuar 37 persona, vetëm 1 shqiptar kur duhej të ishin 10! E kështu me radhë, e njëjta gjendje është edhe ne institucionet e tjera, te cilat nuk po zgjatemi për t’i renditur këtu. Ndërsa në institucionet e qeverisjes lokale janë të punësuar 233 persona, vetëm 17 prej tyre shqiptarë kur duhej të ishin të paktën 60.

     Duke biseduar rreth kësaj çështje qe evidenton vazhdimin e diferencimit te shqiptarëve në Plavë – Guci ndaj përfshirjes ne institucionet shtetërore dhe ato të pushtetit lokal, pedagogu ne pension, Binak Ulaj, shprehet se nuk çuditet aspak. Ai thekson se  është një strategji e kahershme qe ndiqet ne Malin e Zi, ne thelb të së cilës qëndron diskriminimi i shqiptarëve, pavarësisht mënyrave te kamufluara qe përdorën në kohë të ndryshme. “Po kujtoj se nëpunësi i parë shqiptar në këtë trevë mbahet mend te jetë punësuar aty nga vitet 1966 -1967, nëse mund të quhet nëpunës sa i përket profesionit daktilografist, i cili ka qenë Zeqir Halili nga fshati Martinaj. Dhe kjo ndodhi pasi u shkarkua Rankoviçi nga detyra, i cili njihet për persekucionin brutal të ushtruar ndaj shqiptareve ne ish-Jugosllavi gjate dy dekadave te para te pas Luftes se Dyte Botërore”, shprehet Binak Ulaj. Ai thekson se Podgorica zyrtare po vonohet që të tregohet e sinqertë me shqiptarët. “Me këtë dua të them se nuk ka rruge tjetër veç respektimit të të drejtave tona të sanksionuara me Kushtetutë dhe në marrëveshjet zyrtare për përfaqësimin e shqiptarëve, sipas përqindjes ne te gjitha nivelet e strukturave shtetërore, ndaj kot heziton e humbet kohë”, thekson Ulaj, duke shtuar se “vetëm me hapa konkret, te sinqertë dhe pa prapaskena punohet për ta fituar sado pak besimin e shqiptareve përkundër atij hendeku te thelle mosbesimi që është krijuar prej mëse një shekulli, aspak për fajin tonë, ndryshe Podgorica zyrtare e ka të kotë të shpresojë se do të mund të na gënjejë”!

 

September 1, 2016 10:00
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*