Plazhi i Divjakës, një ëndërr e bukur vere për ata që e njohin dhe që ia dinë vlerën

June 15, 2014 11:31

Plazhi i Divjakës, një ëndërr e bukur vere për ata që e njohin dhe që ia dinë vlerën

Plazhi i Divjakës ka qenë nga më popullorët dhe më të frekuentuarit në kohën e socializmit dhe më pas. Ai për brezat e vjetër ngjall nostalgi dhe mall, pasi në ato kabina, që, sido si qymeze pulash, kanë kaluar çaste të bukura të rinisë dhe të fëminisë së tyre. Një zonë e madhe e Shqipërisë duke nisur nga Korça, Elbasani, Skrapari, Berati, Mallakastra dhe, domosdo, Myzeqeja ishin frekuentuesit më të mëdhenj të këtij plazhi. Shumë prej tyre, për shkak edhe të kujtimeve dhe nostalgjisë, e frekuentojnë edhe sot sistematikisht. Plazhi i Divjakës ka rreth 50 vjet që ka filluar të funksionojë në mënyrë të organizuar nga shteti, pasi para këtyre viteve çdo gjë ka qenë në mënyrë primitive. Tani së fundi ky plazh ka marrë jetë dhe nga viti në vit po përmirësohet. Të vjen keq që emri i Divajakës lakohet herë pas here në media për ngjarjet e këqia që kanë ndodhur në të si, zbarkimi i Xhevdet Mustafës në vitet e fundit të periudhës komuniste, avioni i drogës dhe mushkonjat, këto kohët e fundit, duke mos përmendur bukuritë e rralla që ka si plazh, si natyrë, por edhe si ushqim.

 

Ç’ofron Divjaka!?…

divjaka_travel_magazine_4be9cc2e21ca30d18e37160a952ac21cNëse keni përfytyruar të zgjoheni në mëngjes dhe të shikoni nga ballkoni një peizazh magjepsës me atmosferën e mbushur me këngën e bilbilatë e pyllit, këtë ëndërr jua realizon Parku Kombëtar Pisha e Divjakës. Por nuk mbaron me kaq sepse në tjëjtin vend do të gjeni më shumë sesa keni menduar. Porsa lini pas brezin pyjor me pisha shekullore menjëherë fillon rëra e imët dhe pas saj deti i pafund me një vijë Imagebregdetare prej 12 km. Për të kaluar dhjetë apo pesëmbëdhjetë ditë në plazhin e Divjakës, në rërën kurative dhe qetësinë që të fal pylli shekullor me pisha, nuk duhet të shpenzosh shumë. Çmimet janë të arsyeshme dhe një drekë është e përballueshme edhe për ato familje me një pagë mesatare. Pjesa më e madhe e shërbimeve të nevojshme për pushuesit, ofrohen në plazh, ndërsa kërkesat e tjera mund t’i plotësojnë në qytet i cili ndodhet larg bregdetit vetëm 5 minuta me makinë. Në plazhin e Divjakës në shërbim të pushuesve janë rreth 600 dhoma fjetje, prej të cilave 50 janë banesa në pallat me të gjitha kushtet e nevojshme për ditët që do të zgjidhni të qëndroni. Nuk mungojnë as banesat private të banorëve të arreduara në mënyrë bashkëkohore për tu ofruar pushuesve një qëndrim sa më të këndshëm dhe shlodhës. Mikpritja e qytetarëve të Divjakës është një tjetër element që vihet re kudo e kurdoherë.

Kabinat e plazhit që janë ndërtuar para viteve 1990-të, pjesa më e madhe e tyre janë rikonstrukturuar në mënyrë moderne , të cilat tanimë ofrojnë kushtet e nevojshme dhe kanë krijuar ambiente të përshtatshme për pushuesit. Ndërsa pjesa tjetër nga ana strukturore lënë për të dëshiruar por shumë shpejt parashikohet të rehabilitohen edhe godinat e tjera të cilat do t’i japin pamjen e merituar plazhit të Divjakës dhe Parkut Kombëtar.

Në një reliev të mahnitshëm ku harmonizohen bukur, dielli, rëra, deti, pylli, klima e detaje të tjera të mrekullueshme të listës së gjatë që do të dëshironte me gjithë zemër një turist i huaj apo vendas.

 

Qetësi, komoditet, ushqim natyral dhe të shëndetshëm…

Ajo që ju ofron Divjaka, është qetësi dhe komoditet, ushqim natyral e i shëndetshëm e mbi të gjitha pushime shumë të përshtatshme për familjarë. Eshtë një fat që Divjaka bën pjesë në zonën bregdetare. Kushtet në të cilat ajo ndodhet favorizojnë zhvillimin e turizmit. Kjo përbën burimin më të madh të fitimit dhe njëkohësisht të investimit që vet banorët e kësaj zone kanë bërë dhe vazhojnë të bëjnë. Në sezonin turistik veç lokaleve të ndërtuara vite më parë, janë edhe lokalet e ndërtuar në brëndësi të shtëpive të pushimit apo edhe të kampit të punëtorëve janë edhe disa kioskëza të vogla që në të shumëtn e rasteve servirin pije freskuese me cmime më të lira se në ato të restoranteve apo edhe mjete për fëmijë plastike për të luajtur si në rërë ashtu edhe në det.

Në këtë vend ku dynden cdo ditë nga tetë mijë deri në dhjetë mijë pushues  në fund javë numuri i tyre shkon deri edhe 25 mijë, dhe ky është fakt i rehatisë dhe qetësisë që të fal ky vend.

 

…por edhe të tjera gjëra që nuk i gjen në vend tjetër

Për të parë mrekullitë që të ofron Laguna e Karavastasë, vijnë vizitorë nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, nga rajoni por edhe turistë të huaj. Turizmi i “bird watching” (vëzhgimi i shpendëve) në Divjakë, po fillon të zhvillohet dita ditës dhe janë të shumta kërkesat për këto lloj vizitash, të cilat më së shumti preferohen nga turistët e huaj. Të shikosh rrahjet e krahëve gjysëm metroshe të pelikaneve nuk ndodh çdo ditë të jetës. Këtë mundësi e ofron vetëm laguna e Divjakës. Të gjitha këto tregojnë potencialet e shumta që ka rajoni i Divjakës për zhvillimin e turizmit.

Distanca nga rruga nacionale në rrethrrotullimin e Çermës për në bregdet është 18 km dhe për të ardhur në plazh mund të përdorësh transportin publik.

 

Parku Kombëtar Divjakë

Kush ka lexuar dhe kush njeh historinë e Myzeqesë, me siguri nuk mund të anashkalojë Divjakën, pyllin e tij legjendar, ku rriteshin në natyrë dhe zbuteshin më pas buajt e egër, kuajt, madje edhe gjelat e egër. Ende dhe sot brezat 50-70 vjeçarë mbajnë mend filmin “Pylli i Lirisë”, me personazh kryesor, Vlashin dhe kalin e zbutur, që ishte një kalë i egër rritur e hazdisur pyjeve të Divjakës.

Edhe sot, pas atyre që kanë ndodhur në Shqipëri, pqërsëri pylli i Divjakës mbahet mirë. Në parkun kombëtar Divjakë-Karavasta gjithçka rrezaton bukuri dhe paqe. Ajo çka mund të vërehet lehtë është që harmonia, qetësia dhe bukuria nuk janë larguar ende nga kjo mrekulli e natyrës shqiptare, e cila nuk duket si vepër e njeriut. Parku i Divjakës është  një nga zonat me mbrojtje të zgjeruar në Shqipëri. Sipërfaqa totale  e parkut është 22.230 hektar prej të cilave 1200 hektar janë pyll me pisha. Është një nga vendet më të bukura dhe të preferuara për pushuesit përgjatë bregdetit Adriatik dhe është i shkëlqyer për turizëm, relaks, piknik, kërkime shkencore dhe studime të ndryshme së bashku me karakteristikat biologjike dhe shkrirjen me biodiversitetin ekologjik. Qytetarët e Divjakës gjithmonë e kanë ruajtur dhe mbroijtur me fanatizëm këtë “mushkëri” të qytetit. Në brendësi të parkut kombëtar Divjakë-Karavasta, mund të gjesh fare lehtë një mori speciesh, duke filluar nga shpendët e egër të llojeve të ndryshme dhe në veçanti ai më i spikaturi është pelikani kaçurrel, i cili zë 6.4 % të popullatës botërore dhe për të cilin duhet theksuar se është një shpend në zhdukje. Në Divjakë ndodhet pika perëndimore e folezimit të këtij shpendi në Europë. Gjithashtu në lagunat e shumta të parkut mund të gjejmë llojet e ndryshme të peshqëve, të cilët janë të dalluar për cilësinë dhe shijen e tyre. Levreku, qefulli, ngjala, dhe shumë lloje të tjerë peshqësh pak ose aspak mund të gjenden në zona të tjera të Shqipërisë. Së fundmi, është vënë re një rritje e numrit të vizitorëve,  për shkak të atraksioneve të shumta që ofron parku dhe punës së bërë nga pushteti vendor.  Ekosistemi i parkut Divjakë- Karavasta përfshihet në Konventën Ndërkombëtare të Ramstarit që prej vitit 1994,  gjë e cila e bën parkun me rëndësi të veçantë.

June 15, 2014 11:31
Komento

1 Koment

  1. megi July 20, 20:41

    Une jam nje pushuese nga berati kam shkuar ne cdo plazh ne shqiperi por edhe ne greqi po si divjaka nuk ka

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*