“Pleshti” shënon golin e 6000-të për Barçën në La Liga

August 19, 2018 12:31

“Pleshti” shënon golin e 6000-të për Barçën në La Liga

Ndërkohë që të gjithë presin të shohin sesi do të jetë Reali pa Cristiano Ronaldon, te Barça duket se asgjë nuk ka ndryshuar. Katalanasit janë gjithnjë e më shumë të varur prej Messit, e këtë e treguan edhe mbrëmjen e së shtunës, në sfidën e parë për La Ligën kundër Alavesit.

Alaves është skuadra e fundit që ka fituar në “Camp Nou” në një duel të kampionatit spanjoll, thuajse dy vite më parë, por kësaj herë ishte Messi ai që vodhi vëmendjen me një traversë pas një goditjeje dënimi, një shtyllë dhe në fund edhe golin e tretë për ekipin, pasi më herët kishte shënuar Coutinho.

Valverde ka një morì zgjedhjesh, me Coutinho, Arthur, Malcom dhe Vidal, por si për çudi vendosi të aktivizonte Sergi Roberton në të njëjtën linjë me Busquets dhe Rakitiç, duke lënë jashtë 4 emrat e mësipërm, prej të cilëve 3 të sapoblerë. Ndërsa sulmi iu besua Dembelesë nga e majta dhe Messit nga e djathta, një pozicion që rrallëherë e ka pasur gjatë sezonit të shkuar.

Alaves nuk u shfaq asnjëherë i rrezikshëm, por gjithsesi u mbajt mirë përgjatë pjesës së parë. Në pjesën e dytë ishte spektakli i të përhershmit, i cili si gjithnjë mbetet vendimtar. Fillimisht shënoi duke kaluar topin nën këmbët e lojtarëve që formuan “murin” mbrojtës, të cilët kërcyen për t’i bërë ballë parabolave “vdekjeprurëse” të tij nga goditjet e dënimit, por këtë herë e pësuan edhe nga poshtë.

Më pas erdhi radha të trondiste shtyllën, përpara se të shënonte Coutinho golin e dytë. Në kohën shtesë do të ishte një asist i Suarezit për “pleshtin”, ai që do të rezultonte në golin përmbyllës të ndeshjes.

Por, ai që do të mbetet gjatë në mendjen e Messit do të jetë goli i parë, jo vetëm për nga mënyra e shënimit dhe ekzekutimit të goditjes së dënimit, por sepse ishte goli i 6.000 për Barçën në La Liga. Leo ka qenë autor edhe i golit të 5.000-të për Barçën në La Liga, plot 9 vite më parë. E me sa duket, dekada e mbizotërimit të tij nuk ka përfunduar ende…

o.j/dita

August 19, 2018 12:31
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*