“Lufta” ndaj oligopolit në telefoninë celulare në vend, Plus Communication kontrakton një nga firmat më të mëdha ligjore në botë

August 30, 2016 13:19

“Lufta” ndaj oligopolit në telefoninë celulare në vend, Plus Communication kontrakton një nga firmat më të mëdha ligjore në botë

Plus Communication, kompania e vetme e telefonisë celulare me pronësi dhe menaxhim shqiptar, ka kontraktuar kompaninë K&L Gates, një nga firmat ligjore më të mëdha në botë e me eksperiencë të gjerë në çështjet anti-trust, për ta përfaqësuar atënë mbrojtjen e interesave të klientëve shqiptarë, për të siguruar që ata të përfitojnë në mënyrë efektive nga zgjedhje më të shumta, shërbime më të mira dhe çmime më të lira në tregun e telefonisë celulare në Shqipëri.

Plus Communication është themeluar në vitin 2009 si një kompani me kapital 100 % vendas dhe ka filluar ofrimin e shërbimeve në vitin 2010, duke u futur në treg si operatori i katërt.

Që në fillimet e veta dhe përgjatë viteve që operon, kjo kompani është përballur me vështirësi të shumta që kanë ardhur si rezultat i oligopolit, konkurrencës së pandershme në tregun e telefonisë celulare në Shqipëri, mungesës së ndërhyrjes nga autoritetet rregulluese apo ndërhyrjes së padrejtë të këtyre institucioneve shtetërore me vendime e dekrete, të cilat kanë penguar përfitimet e konkurrencës së ndershme sipas meritave ndaj konsumatorit shqiptar.

Plus Communication kërkon të hedhë dritë mbi marrëveshje të paprecedenta të oligopolit në tregun e telefonisë celulare në Shqipëri.

Rregullatorët nuk janë duke lejuar zhvillimin e një konkurrence sipas standardeve të BE-së dhe kjo duhet zgjidhur. Plus Communication dëshiron të bëjë të ditur qëndrimin kundër kësaj sjellje të paprecedentë të autoriteteve rregullatore dhe institucioneve të tjera shtetërore, të cilët nën presionin e operatorëve të tjerë kanë dështuar në punën që u lejon kuadri ligjor dhe misioni i tyre, duke penguar dhe vonuar të gjitha përpjekjet e Plus Communication në proceset e tyre operacionale dhe duke ndikuar drejtpërdrejtë tek interesat e klientëve shqiptarë.

Duke parë këtë situatë dhe nisur nga obligimi për t’i dhënë fund një herë e mirë sipas mendimit tonë, një sjelljeje abuzive të padrejtë dhe agresive, Plus Communication ka kontraktuar kompaninë K&L Gates, një nga firmat më të mëdha ligjore në botë e specializuar në ligjet e konkurrencës dhe çështjeve rregullatore, investigimit dhe politikave financiare.

K&L Gates do të dokumentojë dhe hedhë dritë mbi dështimet e autoriteteve shtetërore për të aplikuar parimet e konkurrencës dhe ligjet rregullatore të pranuara nga BE, si dhe vonesat në marrjen e vendimeve nga këto autoritete shtetërore. Si rezultat i punës që do të realizohet nga K&L Gates, Plus Communication mund të konsiderojë kërkesën për dëmshpërblim ndaj njësive rregullatore dhe operatorëve të tjerë të telefonisë celulare në Shqipëri.

K&L Gates LLP është një nga firmat ligjore më të mëdha në botë, e cila numëron mbi 2000 juristë dhe avokatë të punësuar në mbi 46 zyra të shpërndara në të 5 kontinentet, në shtetet si: SHBA, Kinë, Gjermani, Belgjikë, Hong-Kong, Mbretëri e Bashkuar, Australi, Francë, Itali, Poloni, Brazil etj. K&L Gates përfaqëson korporata të mëdha botërore, biznesmenë dhe pjesëmarrës aktivë të pothuaj çdo grupi industrial, si dhe entitete publike, insitucione arsimore, organizata filantropike dhe individë. Kjo firmë ka numrin më të madh të integruar të zyrave në botë. Skuadra e tyre anti-trust përfshin më shumë se 80 avokatë dhe juristë me zyra në 22 vende të botës, në SHBA, Evropë, Australi dhe Azi.

Praktikat e K&L Gates për çështjet e konkurrencës, antitrustit dhe tregtisë u renditën të parat në  edicionin e vitit 2016 të Firmave Ligjore të reja më të mira në Shtetet e Bashkuara. Firma renditet gjithashtu edhe në listën e kompanive më të mira për antitrustin, duke u vlerësuar për punën e saj në fushën e bashkimeve, blerjeve dhe buyouts (blerjes së aksioneve). Në Mbretërinë e Bashkuar, The Legal 500 rekomandon ekipin e K&L Gates për shërbimet e saj në çështjet ligjore të konkurrencës në BE. Anëtarët e grupit të tyre kanë luajtur rol kryesor në disa nga çështjet më komplekse në këtë fushë dhe janë të mirënjohur në Chambers UK, Global Competition Review dhe në International Who’s Who për juristët e biznesit. Përveç kësaj, për gjashtë vjet radhazi, K&L Gates është cilësuar në Law360 “Global 20″ si një nga 20 firmat ligjore me prezencën më të madhe globale,që ka trajtuar çështjet më të mëdha, më të rëndësishme ndërkombëtare përgjatë vitit të kaluar”.

August 30, 2016 13:19