Po kthehet shtypi tradicional në “Tech Start Up-s”?

Nga Ervin Goci January 31, 2015 12:29

Po kthehet shtypi tradicional në “Tech Start Up-s”?

Viti 2014 ka qenë një nga vitet më tronditëse përsa i përket botimit të mediave të shkruara, duke u fokusuar kryesisht në tregun amerikan, sidomos tek dy media prestigjioze, si “New York Times” dhe “New Republic”(revista liberale 100-vjeçare), po dhe media pak më periferike, të orientuara nga përmbajtja cilësore si “First Look Media” apo “Revista Good”. Natyrisht nuk kemi parasysh kursin normal të tkurrjes së tregut të reklamës në median e shkruar, e cila është reflektuar në zgjerimin e tregut të reklamës dixhitale si zgjatim i brand-it të medias së shkruar, po më tepër flasim për prirjen e deklaruar hapur nga këto dy media, për kthimin e tyre në njësi eksluzivisht të orientuara drejt audiencës dixhitale, në modelin e blogjeve tepër të suksesshme që po korrin para pafund në tregun dixhital, si UpWorthy, Gawker, Buzzfeed.

New York Times, megjithëse mbetet nga mediat tradicionale më të suksesshme në tranzicionin e kalimit të përmbajtjeve online, bashkë me “The Guardian”, e konsideron tërësisht të pamjaftueshme, pasi ka arritur pikun e pagesave për akses në Wall-in e saj, megjithë filtrat për llojin e përmbajtjeve, të kombinuar me aftësinë blerëse të përdoruesve të saj. Pra, rentabilizimi i faqes dixhitale në modelin e zgjatimit të modelit të medias tradicionale, është tërësisht i pamjaftueshëm, siç e thotë dhe raporti i “Times” 96 faqe mbi gjendjen e medias, të cilin blogu “Digiday” e ka përmbledhur në këto pesë pika:

a) Rentabilizim më të mirë të eksperiencës së lexuesve në faqe, në bashkëpunim me sektorin e biznesit.

b) Emigrimi i pamasë tek rrjetet sociale, zhvlerëson përqëndrimin vetëm te cilësia në print.

c) Kujdes më i madh seç duhet për kokat e lajmit në faqe të parë, kur përdoruesit vijnë nga dyert anësore të rrjeteve sociale.

d) Vetëm një e treta e vizitorëve të Times, ndërveprojnë me “Home Page”-in.

e) Mbivlerësimi i aftësive gazetareske, mbi rekrutimet në sferën dixhitale, dhe nënvlerësimi i aftësive dixhitale, për shkak të rekrutimeve në print.

Nëse do t’i përmblidhnim në një fjali këto konkluzione të nxjerra nga raporti i Times, do të thonim se shqetësimi i madh është se investimi te media në print, nuk shfrytëzon potencialin e të ardhurave nga terreni dixhital, por për të arritur këtë, kërkohet ristrukturim tërësor të konceptit të medias, në staf, editori, shpërndarje, dhe llojin e angazhimit të audiencës.

Kjo ngjarje mesa duket nuk ka qenë dhe aq pjesë e rutinës menaxheriale, sepse të nesërmen e daljes së raportit, në mënyrë të paprecedentë u shkarkua kryeredaktorja Jill Abramson, dhe për pak kohë u shkurtuan 100 punonjës – të gjithë tek pjesa e editorisë, dhe shumë pak new republic e paranga pjesa e biznesit dhe menaxhimit, siç vë re “New York Observer”.

Shumë më tronditës është rasti i revistës shekullore “New Republic”, tradicionalisht e parë si revista që ka moderuar debatin kombëtar në Amerikë, mbi çështjet më të mprehta. Me ndërrimin e pronësisë në vitin 2012, duke ia lënë stafetën një prej aksionerëve të Facebookut, Chris Hughes – gjithmonë nën presionin e mosfalimentimit dhe për ruajtjen e imazhit të revistës – duket se gjërat ndryshuan thelbësisht.

Vendimi i pronarit të ri për të ndryshuar në rrënjë formatin e revistës, nga një njësi e orientuar eksluzivisht ndaj përmbajtjes, me shtrirje tematike shumë të gjerë dhe gazetari të thelluar, në një media të orientuar drejt formatit “tech start-up”, apo siç dhe shprehet vetë CEO i ri i “New Republic”, Guy Vidra: “Digital Media Company” – duke ndryshuar dhe lokalitetin e revistës drejt New York-ut, me kompozim të rinovuar në konfigurimin e redaksisë, kompetencave brenda stafit, hierarkinë e menaxhimit, me figurë të parë editoriale aksionerin kryesor – madje ai i jep të drejtën vetes që të shkruajë deri gjysmën e editorialeve të revistës.

Arsyet janë të njëjta, sindromat të njëjta: Media arkaike, e shqetësuar vetëm për përmbajtjen (content- oriented), me publikime tepër distante në kohë për të ingranuar audiencën në forma interaktive, mbingarkesë me staf për prodhimin e përmbajtjeve dhe shumë pak njerëz të aftë për të implementuar transformimin dixhital në koncept, madje dhe stafi i cilësuar si shumë i vjetër për këtë transformim.

Rezultati: 2/3 e stafit japin dorëheqjen, 36 nga 38 editorë (redaktorë), të brendshëm dhe të jashtëm japin dorëheqjen, me kryeredaktorin në krye – revista kalon në kolaps total, aq sa vihet në dyshim botimi i numrit të rradhës.

Rasti i “New Republic”, tronditi të gjithë hapësirën mediatike në Amerikë dhe në fakt nxorri në dritë të diellit, jo thjesht krizën e një mediumi, por të gjithë industrisë së informimit, e manifestuar në konceptin e llojit të gazetarisë që duhet të ofrojnë mediat, statusin e gazetarit në kohën e epërsisë së blogjeve online me bazë klikimi, raportet mes sektorit të biznesit dhe menaxhimit, me atë të editorisë, modelin i ri pronësisë, të pronarit-editorialist dhe menaxher, lloji i vendimarrjes, me epërsinë e stafit menaxherial ndaj atij editorial – ku në majë të hierarkisë qëndron CEO, i cili mundësisht të vijë nga eksperienca të sukseshme nga blogje me fitime të menjëhershme.

Këto janë disa nga dilemat që dalin në pah nën trysninë e tërë këtyre ndryshimeve, dhe nëse do të duhej që të bënin një përmbledhje të modelit të ri të medias që na ofrohet, në kuadrin e dixhitalizimit, do të veçonim:

Pronari – kryeredaktor, njw pronar që kujdeset në vetë të parë, si për menaxhimin, po ashtu dhe për përmbajtjen, duke i parë këto dy aspekte gjithmonë e më të lidhura.

Artikuj jo shumë të gjatë, të zëvëndësueshëm me intervale kohore që përputhen me ritmet e angazhimit të përdoruesve në mediat online.

Riformatim të përmbajtjes në përmbajtje-produkt, ofruar me intervale të shpeshta.

Modele biznesi larg mediave tradicionale, të ngjashme me Start-up-et – të projektuara për të angazhuar audienca dixhitale.

Tematizim, shkurtim i rubrikave dhe këndeve që mbulohen me raportim, duke shkurtuar stafin editorial për të shtuar njerëz të aftë në menaxhimin dixhital.

Dëshira për të ndërruar stafin e vjetër, me njerëz të rinj të përshtatshëm, të aftë për t`u përshtatur me riformatimin në kushtet dixhitale, dhe projektimi drejt audiencave të reja interaktive, pra drejt “Millennials”.

Përdorimi i shtuar i videove dhe grafiqeve interaktive, si përmbajtje dominuese në vend të artikujve të gjatë shterrues.

Trajtimi i mediave me frymën korporatiste, ku në majë qëndron CEO dhe ku media-kompania, duhet që të japë llogari ndaj aksionerëve për performancën ekonomike.

Gjenerata e re e pronarëve mërzitet shpejt – vë re revista shkencore prestigjioze “Columbia Journalism Review” në një postim të saj, – dhe nuk ka më kohë për editorët me peshë që të gjejnë balancën mes përmbajtjeve që kërkojnë hulumtim të thelluar dhe modeleve “click-driving”, pra të orientuara thjesht dhe eksluzivisht drejt maksimalizimit të angazhimit, në kurriz të cilësisë.

Nga Ervin Goci January 31, 2015 12:29
Komento

2 Komente

  1. plaku i mocem January 31, 14:10

    Per ke ke shkruar more djale?A e njihni lexuesin e Dita-s dhe nivelin mesatar te tyre?Po mere materjalin te perkthyer dhe trete per vehte njehere,pastaj jepe per ta kuptuar te tjeret.Di shume ai njeri qe kuptohet nga shume njerez.Kije parasysh kete aksiome i nderuar gazetar.Me vjen keq sepse disa here eshte folur per gjuhen qe perdorin gazetaret dhe ndjesine dhe efektet qe ka ajo tek publiku.Pergejgjesia e atyre qe shkruajne per publikun,eshte shume e madhe.Ata jane barinjte e gjuhes sone.Perdorimi i fjaleve te huaja u shterua tashme,ky fenomen i perket fillim viteve 90-te,per te treguar se sa te ditur ishin te rinjte ne raport me te vjetrit,(qe na lane shendene).Se sa te ditur ishin te rinjte qe perdornin fjale te huaja ne gjuhen shqipe,mjafton te shikoni si po shkojne sot punet ne Shqiperi.Po te pakten kujdes me gjuhen!

    Reply to this comment
  2. Blerina January 31, 15:52

    Ervin, shkrim interesant, mendoj se ne fjaline e fundit permblidhen te gjitha. Gazeta duhet te lexohet per nje analize te mire qe arrin te percjelle qarte idene, ska rendesi forma, por permbajtja, ndersa per lexuesin dembel dhe me inteligjence te diskutueshme le te levrohen forma te tjera.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*