PO NDODH / Refugjatja kryeneçe këmbëngul ta bashkojnë me të njëjtën familje që kishte pasur

July 10, 2018 18:43

PO NDODH / Refugjatja kryeneçe këmbëngul ta bashkojnë me të njëjtën familje që kishte pasur

Duke dhënë një shembull kuptimplotë sesi emigrantët e paligjshëm, të llastuar dhe trazovaçë po ua sjellin shpirtin në majë të hundës autoriteteve amerikane të Agjencisë së Emigracionit dhe Doganave, shtypi vendas pasqyroi dje rastin e refugjates honduriane, 5 vjeçares Blanka Diaz.

Siç bëhet e ditur, ky fëmijë, me një kapadaillëk sikur kishte zbuluar Amerikën, nguli këmbë si mushka që ta bashkonin me një njëjtën familje që kishte pasur para se ta ndanin nga prindërit dhe vëllezërit në kufirin amerikano-meksikan.

Ja çfarë tha për mediat agjenti i acaruar i AED-së, Patrik Bjuker:

“Nuk mjafton që po e lëmë të largohet, paçka se meriton burgun; po ky kalama i llastuar kujton se meriton trajtim të posaçëm, a thua se s’kemi punë tjetër? Zot i madh, prandaj s’bëjnë hajër këta njerëz!”

Bjuker sqaroi se Diaz kishte disa orë që ulërinte se donte familjen e saj të parë, fiks ata njerëz me të cilët ishte bashkë deri në kufi.

Ajo shkruante në një copë letër pa pushim, emrat e mbiemrat e gjithë anëtarëve të asaj familjeje, madje dhe numrat e telefonit të prindërve të parë. Ç’është më e keqja, refuzonte ushqimin.

“I gjetëm një mama perfekte, baba babaxhan e bile dhe disa vëllezër e motra. Për më tepër, dinë dhe spanjisht. Blanka nuk i donte, se demek qenkan me origjinë nga Guatemala, jo nga Hondurasi. Fëmijë më të llastuar nuk kam parë!” shtoi agjenti Bjuker, duke psherëtirë: “Ka faj presidenti ynë që është shpirt njeriu!”

Burimet mësojnë se nazelies Blanka Diaz po i bëhet një ofertë e fundit, që bashkë me familjen e re që i kanë gjetur, t’i shtojnë dhe një bebush të vogël për të luajtur, por ajo ende ngurron.

Shënim: Gojët e Liga është një rubrikë satirike që nuk i duron dot kokëfortësitë e fëmijëve të llastuar të Amerikës Qëndrore  

July 10, 2018 18:43
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*