Po sikur të ishim turistë në këtë vend?!

May 24, 2016 10:13

Po sikur të ishim turistë në këtë vend?!

Entela Resuli

Kaosi urban në kryeqytet ka frymëzuar artisten e re, Ledia Kostandini, që të sjell një ekspozitë të rrallë në Tiranë.  “Blockwrok” është një projekt në proces i cili këtë herë ndalet në Tulla Center (deri në datë 31 maj), por ka për synim të vazhdojë në mjedise dhe hapësira të tjera. Teksa futesh në këtë ambient, sheh copëza të gjalla të qytetit në mur, është një aplikim mural i cili ndërthur disa teknika. Fillon gjithçka nga imazhi i fotografuar, i zmadhuar afërsisht në dimension real. Pastaj zhvillohet si pikturë në mur. Nuk është një pikturim i mirëfilltë, por më tepër një përkthim grafik i materialit të betonit.

Imazhi përfundimtar synon të krijojë një përshtypje tri dimensionale të vetes si dhe iluzion strukturash të vëna realisht në hapësirë. Këto struktura shkëputen nga arkitektura e qytetit, hyjnë brenda në “galeri”, pra zhvillohen në kahun e kundërt; nga jashtë-brenda. Dritaret, shtesat, ballkonet janë reduktuar si blloqe betoni me synimin për të zënë një vend në hapësirë duke imponuar prezencën e tyre në një territor të mbyllur. Ekspozita ka një karakter të ngjashëm më vete arkitekturën informale, e cila shfrytëzon hapësirën e tjetrit, improvizon me forma e materiale, lind si iniciative spontane, me vetëdije për statusin e saj të përkohshëm.  Ledia na thotë se, fizikisht ekspozita u ndërtua disa dite para hapjes, tamam si ato ndërtimet tinezare që bëhen në ditët e zgjedhjeve. Ajo nuk mund të jetojë më shumë sesa kohëzgjatja e ekspozitës, pra do ç’bëhet pas pak kohësh.

“Së shpejti planifikoj të aplikoj në kontekste të reja këtë projekt. Duke qenë se është një projekt fleksibel, vetvetiu do të pësojë ndryshime dhe do të pasurohet si pasoje e vendeve ku do të rrijë”-thotë Kostandini për Dita-n.

Ne mes të këtij kausi urban, në bëmë një bisedë me Ledian, duke kuptuar më tepër atë çka e ka sjell artisten në këto punime, folëm më të për qytetin jetën që bëhet në të. Kostandini na jep gjithashtu edhe një formulë interesante për ta dashur këtë qytet i cili duket ndryshe, çdo mëngjes…

 

Ledia, këtë herë ke ardhur me një ekspozitë për qytetin, pse?

Sepse e kam të pamundur të mos impresionohem nga ky organizëm i gjallë dhe dinamik që ka aftësinë të vetëndërtohet e të vetëshkatërrohet pa kurrfarë kriteri.  Ekspozita nuk ka për qellim të fokusohet në ndonjë qytet specifik sepse nën këndvështrimin tim sot të gjithë qytetet shqiptare janë të ngjashëm në aspektin estetik. Ata kanë përjetuar po njëlloj valën e ndërtimeve pa leje,  zaptimin e territorit, dhe mungesën e autoritetit urban. Përveç qendrave modeste që sikur ruajnë ndonjë element të veçantë, pjesa dominuese e qyteteve karakterizohet nga “arkitektura e improvizuar”.  Problemi është se kur merr çdo ditë të njëjtin informacion vizual, nuk të bën më përshtypje. Sigurisht edhe për mua është e pamundur të jetoj çdo ditë si një turiste në vendin tim, megjithëse e stimuloj vazhdimisht këtë këndvështrim. Unë dal shpesh për të bërë foto, sidomos në Tiranë, dhe habitem sa shpejt ndryshojnë lagjet, rrugicat, fasadat. Ndodh që kur shkoj pas pak kohe për të rifotografuar një vend, e gjej të transfomuar, të prishur apo të zëvendësuar. Ka një energji kinetike të pandalshme e cila gjeneron forma e struktura pafund.

6Ke ekspozuar strukturat informale, e sheh mbytës këtë kaos urban apo artistikisht mund të trajtohet edhe ndryshe?

Arkitektura informale është tani jo vetëm një realitet por një identitet. Informaliteti ka një estetikë të tijën e cila rrjedh nga jeta brenda godinës dhe zhvillohet jashtë saj si improvizim i papërmbajtur. Është i qëllimshëm në synimin e tij zaptues.  Tani nuk kemi pse të qahemi për një kaos të ndërtuar kolektivisht. Sigurisht ka ardhur momenti t’i themi Stop kësaj logjike, sipas të cilës hapësira publike nuk është e askujt. Nga ana tjetër, lë ta trajtojmë këtë fenomen si një tablo unike që shpalos karakterin dhe temperamentin tonë. Mund ta cilësojmë sa të duam këtë pamje,  si një e metë e turpshme e modernizimit dhe një pushtim sfidues i hapësirës publike. Por në këto kushte nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shohim përtej karshillekut informal atë kolazh unik  që nxjerr në pah  natyrën e vërtetë të qytetit.

Ledia, cila është marrëdhënia jote me qytetin, me Tiranën?

Në Tiranë kam ardhur për studime në Lice kur isha 15 vjeç. Deri atëherë kam jetuar në Pogradec. Fatmirësisht shtëpinë e kisha shumë afër shkollës dhe nuk më duhej të bëja ndonjë rrugë të gjatë së Tirana më dukej një labirint, sidomos në krahasim me Pogradecin, i cili sado që mori goditje të ngjashme pas ’90, e ka ruajtur karakterin e tij natyror. Në Tiranë më duhej të përdorja shpesh elemente të zakonshëm për t’u orientuar, që mos humbisja ne kthim, për shembull ndonjë kosh plehrash, ndonjë tabele lokali, ndonjë shtylle etj. Këtë forme orientimi sot ia propozoj miqve kur vijnë nga jashtë. Iu sajoj ndonjë hartë me pika referimi të përkohshme. Këto të në funksionojnë më mirë sesa emrat e rrugëve. Tirana është qytet që të fton me dinamiken e tij. Megjithatë ka një dendësi të tepruar që të mbyt dhe nuk lejon qytetit të funksionojë normalisht. Por nuk i mungon as dimensioni intim dhe ndërpersonal. Në fillim më jepte përshtypjen e një vendi të ftohtë i cili s’të jep shumë koefidencë. Sa më shumë kalon koha, aq  më i afërt dhe më i vogël më duket. Tirana mund të mos i kënaqe ambiciet e gjithë banoreve të saj, por mbetet një qytet multidimensional. Është qytet i paizoluar i cili ka një frymëmarrje të vazhdueshme dhe komunikon i pari me “botën”.

Ledia, sa të ndergjegjshëm jemi ne (banorët) për qytetin ku jetojmë?

Duhet te kuptojmë se çdo element që nxjerrim jashtë shtëpisë, është një detaj në mozaikun e madh të peizazhit urban. Lulet në ballkon, rrobat në tel, tendat, grilat, suvatimet, lyerjet e pjesshme e shumë gjera të tjera janë ndërhyrje në një estetike e cila s’është vetëm e jona pavarësisht se fillon nga banesa private.  Problemi komplikohet kur flasim për ndërtime pa leje. Këto të fundit jo vetëm shpërfytyrojnë arkitekturën por cenojnë edhe hapësirën e tjetrit. Qyteti nuk e ka marrë këtë formë brenda një ditë. Është një proces që ka shoqëruar disa breza, dhe është rrënjosur në një nivel pandërgjegjshmërie. Na duhet një distancë nga e përditshmja për të vlerësuar siç duhet situatën. Pasi kemi shëtitur diku jashtë Shqipërisë, sapo shkelim këtu, shquajmë një vend të ri, jemi therës në kritikat që i bëjmë vendit tonë, shohim çdo gjë sikur ta kishin ndërtuar gabim të tjerët. Aty për aty harrojmë se jemi bashkautorë në këtë kaos. Pastaj mjaftojnë vetëm pak ditë për t’u futur në vorbullën e tij, duke e humbur sensin kritik dhe syrin vëzhgues.

7Sipas teje, çfarë e ka prodhuar këtë kaos?

Kryesorja është mungesa e autoritetit shtetëror, mosfunksionimi i rendit dhe ligjit. E dimë se kjo filloi pas 1990, kur koncepti i pronës private u keqinterpretua. Prona shtetërore u përdhos, u shkatërrua. Edhe sot vazhdon ai mentalitet sipas të cilit çfarë i përket shtetit është vend pa Zot. Ligji i vetëm që funksionoi dhe solli këto efekte ka qenë ligji i xhunglës. Në Shqipëri, klasa sociale nuk është një kusht që përcakton kufijtë e informalitetit. Në këtë “vepër” janë përfshirë thuajse të gjithë.

Shohim shumë dritare në ekspozitën tënde, pse?

Në ekspozitë nuk ka vetëm dritare, por ato dominojnë hapësirën. Strukturat e tjera janë dytësorë, në funksion dritareve. Unë i shoh dritaret si elementin më të rëndësishëm të godinës, zonë neutrale komunikimi mes privates dhe publikes. Dritarja është frymëmarrje, kontakt me mjedisin. Në fakt ajo mishëron organet tona shqisore në një banesë. Në projektin tim dritaret janë trajtuar si parafabrikate të jetueshme që presin të pozicionohen diku. Ato janë metafora e ndërtimit allogjik.

89

May 24, 2016 10:13
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim