Poetët bitnikë

May 8, 2018 15:37

Poetët bitnikë

Moikom Zeqo

Bitnikët janë kundër poezisë malameriane “të pastër”. Për bitnikët poezia moderne është një lloj tjetër proze, ose një muzikë dedakofonike si e Shenbergut e fjalëve. Më saktë bëhet fjalë për një muzikë fiktive.

Ata i psalmojnë ankthet e tyre. Kanë idhull Bllejkun por dhe muzikantët e xhazit. Poezitë e tyre janë të ngjashme me skulpturat moderne, shpesh të paplota.

Kanë një ironi të heshtur dhe një intensitet të nënkuptuar. Ata e besojnë idenë e Ezra Paundit që ka thënë se në kohën e dekadencës, poezia e ndan veten nga muzika dhe në këtë mënyrë bota shkon drejt ankthit të saj jo me këngë por me rënkim.

Poezia e bitnikëve ndryshoi tërë poezinë e planetit. Por shpesh protesta e tyre është keqkuptuar madje është politizuar. E kuptoj ndryshe këtë gjë. Poezia e bitnikëve është një performancë, ose si piktura dixhitale bashkëkohore.

Poezia e bitnikëve mua më kujton filmin “Matriks”, personazhin Neo, heroin e aventurës së re që lufton gjithmonë duke jetuar midis dy botëve, asaj reale, post atomike, ku inteligjencat artificiale kultivojnë “plantacione” qeniesh njerëzore për të thithur energjinë e tyre dhe asaj virtuale, pra Matrixi ku mendja njerëzore është shkëputur nga trupi jeton iluzionin e të përditshmes.

A nuk çon ky shteg ndjesor tek paradigmat e reja mendore? Poezia evropiane nuk është e ngjashme me atë të bitnikëve.  I fundmi poet i madh i Evropës është me sa duket poeti francez Sent Xhon Pers. Ai ka shndërruar psallmet biblike në një apoteozë.

Poezia evropiane duket sikur e ka humbur forcën për të mbijetuar ndërmjet një identiteti të përcaktuar. Poetët amerikanë janë më konkretë. Ata dinë se ç’kërkojnë. Poetët evropianë janë më abstraktë, ata nuk dinë se ç’kërkojnë. Natyrisht këto përcaktime janë tepër të thjeshtëzuara, pra nuk mund të parapëlqehen.

Poezia shqiptare është ende në fillim të modernitetit të vërtetë. Ajo ende nuk ka shpëtuar nga struktura pastorale, ose ka degjeneruar në një kaos egocentrik. Poetët shqiptarë nuk kanë projekte të mëdha të mëvetshme. Pa këtë vizion nuk mund të ketë poezi të së ardhmes.

Shumica e poetëve janë delirantë dhe mendjemëdhenj por pa krijime të vërteta dhe të spikatura. Liria e krijimit nuk ka çuar dot drejt farkëtimit dhe luçidimit të individualiteteve të spikatura.

Në të vërtetë liria e krijimit është kthyer në një iluzion të lirisë.

 

May 8, 2018 15:37
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*