Poetët dhe shkrimtarët e Facebook – ut

Naser Aliu November 9, 2014 01:18

Poetët dhe shkrimtarët e Facebook – ut

Dhjetëra herë kam lexuar këtyre viteve deponime poetësh dhe shkrimtarësh, që shkruajnë kundër “poetëve” dhe “shkrimtarëve” të facebookut. Para nja dy javëve lexova edhe një artikull tek “Zëri” me titull: “Një popull shkrimtar.” Nuk kuptohet frika. Nuk arsyetohet alarmi. Nuk merret vesh qëndrimi ironik dhe sarkazmi.

 

Më habisin këto revolta në një rend demokratik. A është në pyetje një shpërthim mallëngjimi ndaj metodave komuniste të mbikëqyrjes, të avangardës dhe disiplinimit, apo bindje të vjetra të mbetura pezull dhe bartura pavetëdijshëm në demokraci? A thua po na mungon partia, që priste me sëpatë artin e vërtetë nga ai reaksionar? A thua po na mungon autoriteti absolut, sepse demokracia po na duket e keqe dhe në këtë rend po përdor lirinë çdo njeri, edhe ai që sipas aftësive tona nuk ka një koncept të qartë mbi lirinë dhe nuk e meriton atë?

 

Kush ka të drejtë t’ i tregojë tjetrit se çfarë duhet të bëjë, çfarë të shkruajë? Kush ka të drejtën e tutorizmit? Kush ka këto atribute? Partia?

 

Shkrimtari dhe poeti i vërtetë nuk mund të ketë frikë nga një poet apo shkrimtar i facebook-ut, ashtu si një filozof që nuk ka frikë, kur një njeri anonim thotë një mendim të mirë apo të keq. Ne dëshiruam lirinë e të menduarit dhe të shprehurit, nëse kërkojmë t’ ia anulojmë dikujt tjetër sepse ne jemi të bindur se ai nuk dinë të shkruajë, atëherë shfaqet tjetri dhe përpiqet t’ ia pezullojë edhe atij që din, sepse tek ne gjithmonë gjendet dikush, që din dhe kupton më mirë dhe më shumë se tjetri.

 

Është koha kur njerëzit kanë zvogëluar të folurit, por rritur të shkruarit. Askush nuk dëmtohet nëse të gjithë shkruajnë poezi apo të gjithë bëhen shkrimtarë. Aq sa më shumë të rinjtë përpiqen të shkruajnë poezi, aq më shumë lexohen poetët e suksesshëm. Në fb nuk shkruajnë vetëm shqiptarët, por të gjitha kombet. Dhe fundi i fundit, me domestikimin e kafshëve egra në të kaluarën, nuk janë bërë të gjithë çoban, as sot nuk do të bëhen të gjithë shkrimtarë. As droja, as tallja nuk mund të përligjet.

 

Poetët dhe shkrimtarët e fb përpiqen të mësojnë nga poetët dhe shkrimtarët e vërtetë. Këta poet të vegjël lexojnë poetët e mëdhenj. Nëse ata shajnë dhe qortojnë këta shkrimtarë online, atëherë këta të fundit mendojnë se po shkruajnë mirë dhe po smirohen prej tyre dhe fundit i fundit, për vlerën e vërtetë të një poeti apo shkrimtari, flet shitja e librave, jo cilësori poet pas emrit apo para tij. Nëse ata qortohen, atëherë poeti qorton lexuesit e vet. Ky është bumerang.

 

Tek ne për fat të keq as kritika nuk flet për vlerat e librit, por është tregues i raporteve të shkëlqyeshme në mes shkrimtarit dhe atij që shkruan një kritikë letrare. Ndoshta kjo është arsyeja pse njeriu ka frikë të blejë një libër bazuar në kritikë. Ndoshta kjo është arsyeja pse shumë shkruajnë. Çdonjëri ka një mik. “Liket” e pasinqerta nuk u mungojnë as shkrimtarëve të facebookut as atyre të vërtetëve. Shkurt e shqip: askujt.

 

  1. L. James u bë shkrimtare e njohur në botë duke shkruar në internet. Ata që përpiqen të shkruajnë, ata edhe lexojnë, ata që nuk shkruajnë kurrë, ata nuk lexojnë kurrë: nuk i lexojnë as shkrimtarët e facebookut, e as ata të jashtmit. Nëse edhe nga fb nxirret një shkrimtar apo një poet, atëherë ia vlen të shkruajnë. Ai që shkruan përdor vetëm lirinë e vet, të garantuar me kushtetutë dhe nuk dëmton njeri. Askush nuk ka të drejtë të qortojë lirinë e tjetrit e as të përpiqet ta pezullojë atë. E as t’ i konsiderojë si debil dhe t’ u tregojë se çfarë duhet të bëjnë me jetën e e tyre.

 

Në facebook gjendet çdo gjë dhe gati është zhdukur sfera private. Ka poetë që shkruajnë për familjen e vet, tjetri për miqtë e vet, tjetri për vete, mirëpo në facebook ka vend për të gjithë si për poetët e vetëshpallur, për ata që mendojnë se janë, por nuk janë, ashtu edhe për ata që ekziston bindja e përgjithshme se meritojnë të quhen poet. Aq sa më shumë shkruhet një gjuhë, aq më mirë për atë popull. Aq sa më shumë shkruajmë, aq më pak kohë do të kemi për djallëzi.

 

Shkrimtarët dhe poetët nuk duhet të ndjehen të dëmtuar, të rrezikuar nëse çdo kush shkruan. Tregu kujdeset për filtrim. E mira gjithmonë mbijeton dhe do të lexohet, pa marrë parasysh kush e shkruan, shkrimtari i vërtetë apo ai që beson vet në aftësitë e veta. Shumë herë lexoj mendime më të thella, më filozofike nga njerëz, që ndoshta kanë mbaruar shkollën e mesme apo filloren, se sa nga të ashtuquajturit intelektual.

 

Le të shkruajnë të gjithë. Le ta thonë të gjithë mendimin e vet, me vargje apo në prozë, kjo nuk ka rëndësi, me rëndësi është më shumë të lexojnë, më shumë të shkruajnë: të mos shajnë, të mos shtypin, të mos diskriminojnë, të mos rrahin, më pak të smirojnë, më pak të xhelozojnë dhe, të dashurojnë më shumë dhe respektojnë lirinë e tjetrit. Lirinë si pasurinë më të madhe, që ka njeriu në tokë. Lirinë dhe autonominë private, të çdo njeriu, pa marrë parasysh seksin, orientimin apo bindjet tjera. Ky është viti 2014.

 

Facebook nuk është akademi, nuk është fakultet, nuk është amfiteatër, nuk është teatër, por vend ku takohen njerëzit, si në rrugë, si në kafene, si në diskotekë, si në spital, si në ndeja pasdarke, si në shesh, si në kino apo si para televizorit. Dhe, sjellja e këtyre njerëzve nuk ndryshon nga sjellja e tyre në shtëpi apo jashtë, sepse janë po ata njerëz dhe jo diçka tjetër. FB ka paraparë se mund të ketë njerëz që nuk pajtohen dhe prandaj ka mundësuar edhe shkyçjen dhe shpërfilljen e kësaj bote virtuale. Tek ne ka më shumë gjëra për t’ u kritikuar se sa lavdëruar, por është ofendim dhe denigrim të thuhet se jemi “popull dajrexhi e një popull letrarxhi.”

 

Naser Aliu November 9, 2014 01:18
Komento

2 Komente

  1. Cibuku November 9, 07:39

    Nje pene e mrekullueshme si e Naser Aliut, s’duhet te konsumohet me hajvanlliqe te tilla. Kush ua preu te drejten poeteve te FB? Te shkruajne sa te mundin.

    Reply to this comment
  2. gjermani i fundit November 9, 15:39

    shkrim i mire. Ku ta gjesh qe fejsbuku te teproje nga vargjet, sado qe e shumta jane tallash, por sidoqofte me mire se te mbushin lokalet.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*