Poeti dhe filozofi Hamid Gjylbegaj në kujtimet e mia

November 7, 2019 13:32

Poeti dhe filozofi Hamid Gjylbegaj në kujtimet e mia

Xhahid Bushati

Ese

 

Hamid Gjylbegaj lindi më, 28.02.1889 (për datën e lindjes ka versione të ndryshme) në Shkodër dhe vdiq në Elbasan, tek e bija, më 24.02.1979, katër ditë para se të mbushte moshën 90-vjeçare. Edhe pse kanë kaluar 40 vjet që është ndarë nga kjo botë, në vetëdijen time, ai ‘frymon’, sepse… “m(a)err frymë ajrin e Atdheut”. Dhe kështu ndodh…, ndonëse rrallë për njerëzit e rrallë, që ajri i Atdheut bëhet monument.

Me emrin e Hamid Gjylbegajt lidhet një ngjarje e bujshme, aso kohe në Shkodër, e paparë në llojin e vet, aq e çuditshme sa dukej e pabesueshme, aq tronditëse sa dukej ireale, që thuhej me pak fjalë, trembshëm e pëshpëritej në fshehtësi të mos e dëgjonte kush. I vetmi që lidhej me këtë ngjarje jo të zakontë, pa bujë, pa fjalë, mendimtar, qëndrestar e vetmitar, ishte ky burrë, që dikush e quajti “kokëfortë”, dikush tjetër e quajti “kundër rrymës së kohës”; që në heshtjen e tij fisnike kishte gjetur mënyrën e vetme t’i bënte ‘hyzmet’ LIRISË, të kuvendonte me të, ta nderonte e ta çmonte, ta kishte të përshpirtshme, duke paguar haraç jetën dhe vuajtjet e ferrit famëkeq hoxhian, e për këtë ishte i vetëdijshëm. Dhe ngjarja ishte kjo… Ja, se si e rrëfen historiani Dashnor Kaloçi në një shkrim të tij: “… nga viti 1945 e deri në vitin 1979 ai nuk mori pjesë asnjëherë në votime, duke i bojkotuar rregullisht ato. I gjithë populli i Shkodrës dhe i Elbasanit, ku ai jetoi, e mbajnë mend fare mirë se Hamidi nuk shkoi asnjëherë pranë kutive të kuqe të votimit. … Ai ngrysej dhe gdhihej i vetëm në shtëpinë e tij, duke kaluar netët e gjata dhe të acarta të dimrit pa kushtet minimale të jetesës. Hamid Gjylbegu, shkodrani me bindje antikomuniste, që mbahet mend si rast i rrallë në të gjithë Shqipërinë për bojkotimin e rregullt që u bënte zgjedhjeve gjatë viteve të regjimit të Enver Hoxhës,…Ndërsa miku i tij i ngushtë i jetës, studiuesi erudit Izet Bebeziqi do të shkruante për të: “Vetun, në një karrikë, vrashëm në vedi, në ballë të rrudhun e me sye të tretun në kurrgjë, si i tretun n’agonie mejtimesh e andrimesh po pushote Hamidi. Burrë i naltë, i shëndoshë, ezmerë, me mustaqe të zie, me dukje t’errët, por me shpirtë të çelët e syni i tij shkëndie e pa-plakrueshëme e në të shtjerrun rrëfente nji bujarië të veçantë.”

Po kush ishte në të vërtetë ky burrë? Rridhte nga një familje me emër, nga më të vjetrat të qytetit të Shkodrës, siç ishte ajo e Gjylbegajve. Shkollën fillore dhe të mesme ushtarake i ndoqi në vendlindje. Vitin e fundit e bëri në Manastir. (Nuk di pse m’u kujtua Migjeni dhe vepra “Udha e Shkronjave” e prof. Tomor Osmanit). Akademinë Ushtarake e përfundoi pas tre vjetësh studimi në Stamboll. Në korrik të vitit 1912 emërohet instruktor i rekrutëve të regjimit të 38-të në Selanik. Gjatë Luftës Ballkanike u gjend në koopormatën e Selanikut në frontin me serbët dhe mori pjesë në luftime në Kumanovë, Qyperli, Perlep, Manastir e pastaj në front me grekët në Bilisht, Korçë, Janinë. Më 6 mars 1913 Janina ra në duart e grekëve dhe Hamidi dërgohet rob lufte në ishullin Zanta. Në tetor të vitit 1913 lirohet e kthehet në Stamboll. Më pas vjen në Shqipëri për të punuar për forcimin e shtetit shqiptar. Zgjidhet anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Klubit “Lidhja Kombëtare”. Me krijimin e Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Kosovës, më 1918 zgjidhet anëtar i Kryesisë së atij Komiteti. Bën pjesë në grupin e atyre që caktoi Komiteti për përgatitjen e Kongresit të Lushnjës. Në mars të vitit 1920, u emërua nënprefekt në Pukë. (Dhe për këtë moment, Hamid Gjylbegaj do të shkruante: “Me formimin e qeverisë qendrore në Tiranë, (pas Kongresit të Lushnjës) u morën masa të shpejta për bashkimin e Korçës e Shkodrës me të. Për këtë qëllim erdhëm në Lezhë bashkë me Hoxhë Kadrinë e Ahmet Zogun. Unë u dërgova si përfaqësues në qytet për t’u marrë vesh me administratën e Shkodrës, duke i premtuar dhe siguruar se qeveria qendrore do t’i lejonte të qëndronin në pozitat që kishin. Musa Juka si kryetar të bashkisë, Malo Beg Mylga si komandant të xhanarmërisë dhe Javer Lutfia si komisar të policisë. Propozimin që i bëra këta e pranuan me gjithë gëzim dhe hynë në bashkëpunim me qeverinë qendrore të Tiranës. …Me hyrjen në Shkodër u mblodhëm në Komitet për të vendosur për ndryshimin e administrimit të qytetit. U vendos që përkohësisht të bëhej një administratë e përkohshme e cila për dy vjet do të vepronte në bazë të Kanunit të Lekë Dukagjinit. U zgjodhën si prefektë Sulç beg Bushati dhe Shuk Serreqi. U shtrua dhe çështja e administrimit të Pukës. Unë mora përsipër të merresha me të. Kështu u emërova nënprefekt i Pukës.”)

Drejton veprimet luftarake në fazën e parë të Luftës së Koplikut (korrik – gusht 1920). Pastaj Qeveria e Fan Nolit e nxori në pension. Hoqi dorë nga veprimtaria politike. Arsyen e mbulon heshtja. Hamidi zotëronte: turqisht, italisht, gjermanisht, frëngjisht. I pajisur me një kulturë të gjerë ushtarake, filozofike e letrare, të cilat reflektuan në punën e tij, bënë që gjithë herë të udhëhiqej nga bindjet nacionaliste.

Poezitë e para i botoi në revistat “Agimi” dhe “Afrimi”. Më pas botoi librat: “Flutura ndër lule” (1924), “Pak a shum”, vjersha, Shkodër, (Ora e Shkodrës, 1925, 52 f.), “Fjala e Virtytit” (Imtime filozofije, Elbasan, shtypshkronja “Elbasani”, 1929, 16 f.); “Monument i Atdheut”, Elbasan, Shtypshkronja “Saide” Elbasan, 1930, 16 f.), “Kunora e Lumnis /  Caku i filozofis”, Shkodër,  (Shtypshkroja “Ora e Shkodrës”, 1931, 16 f.), “Fletra e jetës” (Shtypshkroja “Ora e Shkodrës”, 1932), “Drita e S’vërtetës” (1933), “Kopje origjinale”, Shkodër, (Shtypshkroja “Ora e Shkodres”, 1933, 16 f.), “Kuvendi i shqiptarit”, Tiranë (Shtypshkronja “Gutenberg”, 1934, 16 f.); “Hiret e shueme” (Vjersha në prozë, Tiranë, 1939, 16 f.),  “Fyelli i Barive”, Tiranë, 1943; “Zana e shitueme”, (Vejme popullore, Tiranë, 1943, 16 f.); “Harpa e thyeme”, 1943) etj. Në dorëshkrim i mbetën poezi të bëra pas çlirimit e disa përkthime. Mblodhi këngë lirike në trevat e Malësisë së Madhe. Një pjesë i botoi. Ka shkruar dhe artikuj politikë në gazetat “Populli” në Shkodër, “Dajti” në Tiranë, herë me emër, herë me pseudonim…

Hamid Gjylbegajn e kam takuar dy herë në jetë. Në të dyja rastet kam biseduar pak fjalë me të, por e kam fiksuar portretin e tij me sytë e fëmijërisë sime.

Shumë vite më vonë, lexova e rilexova gjithë librat e tij (me nga 16 faqe, a diçka më shumë), dhe sytë e fëmijërisë sime nuk e kishin tjetërsuar atë portret. Imazhi qëndronte i gjallë, i paprekur si atëherë… Serioz. Serioz tërë kohën. Të dukej sikur i kishte humbur buzëqeshja, sikur nëpërmjet bisedave e kërkonte atë… Fliste rrallë, duke tundur kokën. I ulur në një karrige shpesh meditonte në vetminë e ditëve fatin e shkruar dhe të pashkruar… I vrazhdë në vetvete. Me ballë të rrudhosur e sy të tretur deri aty ku s’arrin dhe pik’e lotit. Shpesh kërciste dhëmbët si shenja nervozizmi për t’i bërë sfidë kohës që e mundoi dhe e plagosi shumë për fjalën e lirë, për peshën e lirisë, për karakterin e vendosur e të admirueshëm. Esmer, me mustaqe që iu zbardhën në pleqëri, por me një shpirt të çelur që rrëfente një bujari të vërtetë. (Të mos harrojmë që ai shpirt mbante dramën që ia shkaktoi egër e torturuese diktatura e egër dhe e pashpirt, që ai shpirt qante në heshtje e mbante të ndezur dritën e shuar të të birit të vetëm, Virtytit, që e donte më shumë se sytë e ballit). Reflekset e tundimit shpirtëror, të krizës morale i gjejmë dukshëm të pasqyruara në librat “Zana e shitueme”, “Fyelli i barive” e “Harpa e thyeme”, botime të vitit 1943.

 Një bardhësi e bukur i mbulonte kokën. Siç duket kjo bardhësi si një lirizëm fatlum ishte krijuar enkas për të zbutur pamjen e zemrën të këtij njeriu që më shumë mendonte se sa fliste, që kishte rënë 27 herë në luftë e ishte plagosur 2 herë. Të dukej sikur Hamid Gjylbegaj me një botë poeti, jetonte diku mes kufijve të ireales me realen, të legjendës me mistiken, të amëshimit me pafajësinë, të ëndrrës që nuk arriti kufijtë e realitetit… Jetonte vetëm me “ajrin e atdheut”, të cilin e deshi aq shumë.

 Jeta e Hamid Gjylbegajt i ngjan një deti të trazuar, valët e të cilit e rrahën egër e në mënyrë të pamëshirshme, por nuk e gjunjëzuan dot. Kantian nga filozofia. Karakter i një edukate gjermane. I prerë në vendime si ushtarak i Akademisë turke, të cilën e kreu. I heshtur gjer në dhembje. E gjitha kjo ishte bota ku shëtiste Hamidi, parimet e së cilës nuk i cënonte, por nuk lejonte t’ia cënonte askush.

 Dhe… mendohem teksa prek librat e tij, teksa lexoj krijimet autoriale, ku shfaqen dukshëm: disa rrugë të jetës së tij, konceptet filozofike, filozofia poetike, mendësia dhe humori popullor, sentenca dhe urtësia, pengjet dhe porositë, polemikat, korrespondencat, kunora e lumnisë, caqet e filozofisë, nocionet e besës, bukurisë, dashurisë, shpirtit; flladet lirike e dallgët tragjike; theksimin e shumëhershëm të fjalës ‘Virtyt’ etj., etj. Dhe përsëri mendohem… Nuk më shqitet, veçanërisht në poezitë e tij se si sundon aq virtytshëm dritat e së vërtetës, si përhapet ajo, si reflekton përmes trinomit: E drejta, E mira dhe E bukura. Në këto hapësira mendimi e hapësira poetike “shëtisin njëkohësisht” madhështia e njeriut dhe njohja e vetvetes.

Dua t’i sillem edhe një herë fëmijërisë sime. E shihja shpesh atë burrë të plakur, teksa në vetmi hapte derën ngjyrë jeshile, me një karrige kërcure që mezi e mbante në dorë, dhe zinte vend, aty, pranë çinarit të moçëm… Se ç’bisedonin ata me njëri-tjetrin, askush nuk e di, por ama bisedonin… Dhe kishin kujtime… Dhe çdo ditë kujtimet shtoheshin!.. Por, ndoshta sot, ai çinar, tashmë i pluhurosur, i pakujdesur nga askush dhe i lënë në mëshirë të fatit, ndoshta është i vetmi që ka mbetur gjallë e, që në monumentalitetin e tij mban më shumë së të tjerët copëza kujtimesh e copëza historish, data, situata, rrethana, fragmente dialogjesh e emra personazhesh, etj. etj., që lidhen me këtë burrë e për këtë burrë që quhet Hamid Gjylbegaj. Dhe jetësisht e ëndërrisht, në një poezi, Gjylbegu shprehej: “Fletët e rame un i mblodha, / Ca nga vargu i gjatë i jetës; / T’gjitha bashkë ktu i radhova, / Për kujtimin e s’vërtetës…”

Shkodër, tetor 2019

November 7, 2019 13:32
Komento

1 Koment

  1. Shen Kozmai November 8, 19:33

    Ky Hamidi paska qene o i lajthitur, o i lene pas dore nga njerezit e tij, nga shoket dhe familjaret. Paska qene “gjeni” ky Hamid Gjylbegu!!!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*