Poeti me shpirt në rrënjët e kombit dhe atdheut

March 11, 2020 13:38

Poeti me shpirt në rrënjët e kombit dhe atdheut

( Shënime për librin “Korija e këngëve të mia” të Agron Agollit

Prof.As.Dr. Halim Bajraktari
Prodekan në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren

Më duhet ta them që në fillim se në këtë shkrim prezantohen katër vëllimet e para, të kësaj përmbledhjeje poetike pasi për vëllimin e pestë “Ç’ më vjen kujtim i largët”, vlerësimin ideo-artistike ka bërë me shumë dashuri dhe përgjegjësi ish mësuesi i letërsisë së Shkollës Pedagogjike “Pandeli Sotiri” të Gjirokastrës, “Mësuesi i Merituar” dhe studiuesi i vjetër Alqi Jani, i cili e ka ndjekur veprimtarinë e Agronit në vite. Vërtetë, koha, mosha nevoja e ecurisë së mëtejshme fizikisht poetin e largoi nga shkolla, shokët dhe mësuesit e dashur, por nga zemra nuk ia larguan kurrë, nuk e ndanë prej tyre ashtu sikundër nuk ndahet kurrë deti nga lumenjtë e burimet që e ushqejnë e i japin jetë.

“Kujtimi juaj kurrë nuk tretet/ zëri që vitesh pas më ndjek
Në shpirt e zëmër si një këngëz mbetet/udhëve të jetës, në grykë e shteg ” (Tek poezia “Shokëve të pedagogjikes”)
Shpesh thonë se poezitë e thurura mbi bazën e kujtimeve të rinisë, janë më të mira e të ngjallin më shumë emocione. Me thënë të vërtetën, vjersha lirike unë kam parë e lexuar në të pesë vëllimet, përfshi edhe poemat, por ato që vijnë nga mosha e rinisë së poetit, kanë një tingëllimë të veçantë pasi s’ndahen kollaj nga realiteti i asaj moshe që është e bukur, për sejcilin vjen njëherë, rri pak pastaj ikën e s’kthehet më kurrë. Edhe vargjet e mëposhtëme i vijnë në takim kësaj ideje që lidh rininë e moshave tek njeriu:

“Kujtime- ç’të kujton kjo fjalë/Kur je plak kohën kur ishe djalë
Kur je djalë kohën kur ke qënë fëmi/ Kur bëhesh burrë mallin që ndjeve në rini”.

Motivet nga kujtimet e çdo moshe, autori i ka përzgjedhur si ata gurët e çmuar me ngjyra të ndryshme, të cilat i duhen aq shumë përmbajtjes dhe mozaikut të këtij libri. Isha i vogël atëhere 12 vjeç, thotë ai, kur mbi fshatin tonë Dolan, pranë Stranjes e Çukës së Trarëve, shihja të kalonin tufat e dhënve të Çobenëve të Voskopojës e anës së Korçës për të veruar në kullotat alpine të pllajave të Lenies e Valamares, mbi krahinën e Gorës. Një ditë mes tufës pashë edhe një vllahe të bukur me emrin Nasta që ngiste dhëntë e mbante për dore një qen laraman e të madh nga ata që dinë të rritin e mbajnë vetëm vllehët. E vështroja po s’i afroheshja dot se të çanin qentë. Vite më von kur kuptova më mirë ç’ishin vllehët, punën që ata bënin dhe si e kishin ndërtuar jetesën e tyre – me shtëpinë përmbi mushkë, me jetën poshtë e përpjetë, ku dyshek kishin malet e mbulesë retë, shkrova një vjershë për vllahen e bukur tek “Erë e Vendlindjes”, ku ndër të tjera shpirttrazuar do të thoshte:

“Tringëllin malit një zilkë/Nga ato të stanit
Nënë dil mos është Nasta/ Vajza e çobanit “.

Qysh në vitet e shkollës 8- vjeçare në Barangat e Zvarishtit, kur bënte pjesë në korin e shkollës të drejtuar nga mësuesi i talentuar i gjuhë-letërsisë Petrit Eqeremi, synonte të njihte sa më shumë këngë popullore të kënduara nga fshatarët e tij në fejesa, martesa, festa dhe ngjarje të ndryshme historike, vargjet e bukura të të cilave dangadalë po i fuste në vjershat e tij të para dhe recitonte në orët letrare që organizoheshin në shkollë.
Ja ç’thuhet edhe në poezinë e parë që ka shkruar më 1967 kur shkoi për të kryer pedagogjiken e Gjirokastrës, ku pjesa më e madhe e shokëve dhe shoqeve në Qytetin e Gurtë, ishin nga jugu i Shqipërisë. Ai është një prezantim i hapur, i çiltër dhe tepër i sinqertë i Agronit dhe që do të ndikonte në rrugën e formimit poetike të tij, pse jo edhe me ndikime në ambientet e shkollës:

” Vij nga Gorë e largët/rritur jam në brinjë/Pranë Voskopojës/ unë e kam shtëpinë
Ndalu bukuroshe/hapin pse e shtyn/Flladn’ e malit kam/nuk e ndjen tek fryn?
Bashkë do t’ kalojmë/ ca vite t’ rinisë/Thëllëzë e Çajupit/lule e Zagorisë
Flokët thur gërshetë/supeve të rrinë/Po ta dish, moj xhane/për ty djeg shtëpinë “.

Dhe të mos harrojmë se do ta digjte shtëpinë një 17 vjeçar i ardhur nga malësitë e Gorës dhe që për herë të parë shihte ato vise, Kolonjën, rrapin e Leskovikut, Përmetin e Mentor Xhemalit, Grykën e Mezhgoranit ku ra Asim Zeneli, urën e Dragotit, të Leklit, Viroin e Kalanë e Argjiros. Luginat e Vjosës të Drinos, pllajat, qafat dhe vargmalet e larta përreth do ta magjepsnin dhe bënin për vehte banorin e ri të Gjirokastrës. Për Gjirokastrën, këtë krenari shekullore ku autori nisi këngët e para dhe morën udhë fillimet e mendimit poetik të tij, në pozinë “Gjirokastrës”, do të shkruante:

“Më zgjon kjo fëshfërimë e plepit/Era nder krahët poshtë në zall
Çapitem udhëve të qytetit/Në zemër thellë më djeg një mall.
Nga sytë e mi nuk të largova/Qytet i bukur mbrëmje, agim
Këngët e para këtu i shkrova/Dhe mori udhë mendimi im”.

Puna pasionante e të dy mësuesve të letërsisë Bekim Harxhit dhe Alqi Janit me nxënësit që kishin prirje për t’u marrë me krijimtari, si Qazim Shemaj, Kastriot Mahila, Hasan Bregu, Gjergji Melo,Vojsava Nelo, Thëllënxa Akcani, Violeta Kutra, Tatiana Lluri, Murat Memallaj, bënë që poetët e rinj, krahës mësimeve të njiheshim më shumë me njëri-tjetrin. Kështu mësuan nga vinin ata, cilat ishin krahinat e tyre, ç’valle luanin e këngët që dinin të këndonin. Kjo i bëri që të gërmojnë, përzgjedhin e mbështeten më mirë tek folklori i popullit, të organizojnë e disiplinojnë përmbajtjen e vjershave si dhe të rrisnin shkallën e muzikalitetit të vargjeve. Kontakti me librat e poetëve tanë e të huaj të përkthyer si Esenin, Lermontov, Pushkin, Bagricki, Shefçenko, Ricos, Neruda, Bërns, Hajne e Petëfi, bënë që të zgjerohej tematika e motiveve dhe gjeografia e heronjve të tyre. Kështu vijnë vargjet e ngrohta për Heroin e Kotës, Kanan Mazen, në një baladë të thurur enkas për të “Kanan, djalë i ri”:

“Shkel mbi shkëmb ku ece ti/ me hapin e rëndë
Dua fjalë të t’i mbledh/ të të thur një këngë.
Ç’bën kështu more Kanan/t’u prish bukuria
Ç’ka se mbeta unë pa gojë/ të rrojë Shqipëria”.

Kjo baladë, siç do ta shohim, do ta ndihmonte më von kur ai të shkruante për kapedanët e krahinës së tij, Shahin Matrakun, Kajo Babjenin, Malkë Zvarishtin, Bendo Shapërdanin, Ismail Dërdushën e sidomos për të thurur më von poemën “Djepi që përkundi këngën”, ndër krijimet më të mira të tij ku thotë:

“Mbi sup rri varur kohë e shkuar/Era shtyn retë në qafa e shtigje
Për ty nuk rri dot pa kënduar/Moj Gorë e bukur përmbi brigje” dhe më poshtë,për kapedanin që s’e zu dot Sulltani tregon,

“Kapedan o Kajo/kapedan me pallë
Te Kori e Pirgut/të zunë zagarë “, pa horruar trimin Malkë Zvarishti të cilit i drejtohet natyrshëm:

“Eh malkë Zvarishti/bre Malkë me halle
Lindur buzë një lumi/rritur mbi tre male”.

Kur ishte mësues në Çermenikë të Librazhdit, korespondenca e rregullt që mbante me shokët e shkollës, ia rizgjonte kujtimet e hershme dhe i sillte më pranë dashamirësit e tij. Ja disa vargje të një poezie të hershme lirikë për ato vite të vështira në Neshtën e largët të cilën s’di pse autori e ka lënë larg të tjerave. Kjo mbase edhe nga fakti që ai sapo kish filluar punë dhe që shumë gjëra e prisnin në vitet që do të vinin më pas:
“Ç’më ke sjellë kështu postier i fshatit/Mes malesh ku majat prekin retë
Kush për mua vallë i lutet fatit/Të jem mirë e gjallë në këtë jetë”?!

Shumë vite më von, siç pohon autori, kur poezia i ra në dorë letërdërguesit të hershëm, e ngazëllyer që Agroni e kishte ruajtur esencën e saj, i kishte buzëqeshur, e kishte falenderuar dhe i ishte lutur që të mund ta riprodhontegjithë poezinë pasi kishte të bënte me biografinë e tij, me kujtime e përjetime, dëshira e zhgënjime te moshës.
Po ta shikosh me kujdes, kjo vjershë tregon se poeti anon më shumë nga poezia lirike e me disiplinë metrike të vargut e rimës dhe që do të pëpiqej ta kishte si një tipar dallues e veçori të krijimtarisë së tij në të ardhmen. Kështu sa më shumë kalonte koha, aq më tepër autori bëhej i ndërgjegjshëm për atë që shkruante edhe kur kishte të bënte me diçka intime e që lidhej me të, si në vargjet e poezisë “Motiv i shkuar”:

“Kapërceve pragun duke psherëtirë/Ç’të bëja i shkreti qe kohë e vështirë.
Hëna zbiste lugut brinjës për matanë/Tek shkoje Bejaze ca lotë seç më ranë”.

Tashmë autori për të cilin flasim kishte përfunduar studimet e larta ushtarake, dinte më mirë të zgjeronte tematikën, përzgjidhte motivet, subjektet e duhura, lëmonte vargjet dhe rriste sigurinë e besimin në vetvete.Studentët ushtarak, ushtarët, oficerët do të ishin heronjtë e poezive të tij. Ka një sërë krijimesh tërheqëse nga fusha e mbrojtjes,që tingëllojnë bukur në kontekstin e përmbledhjes poetike me lirika, po ne zgjodhëm disa copëza të shprehura tek “Me ju studentët ushtarak”:

“Hapur do ta mbaj zëmrën time/Stinët të më futen si një fllad
Me to nga udhë e marshime/Të pushoni pak mbi rimë e varg.
Në m’u thinjën flokët, bënë borë/Ca rrudha ballit në kam më shumë
Për ju djem seriozë me shpirt gazmor/Stacion i pafund le të mbes unë “.

Interesant duket përpjekja e autorit për të gërshetuar stilet dhe parë pastaj raportin mes tyre duke qëndruar gjithmonë tek vargu i lëmuar, i organizuar e me alternim të gjetur i cili i shkon përshtat deri në fund. Këtë e dëshmojnë edhe vargjet e mëposhtëme të poezisë “Populli im”, ku tentohet kjo përçapje për ndonjë thyerje rime apo metrikë ndryshe të vargjeve:

“Populli im zëmërgjërë si deti/Sofrën shtruar për miqtë e ke patur,
Sa herë armiqtë kufijtë të kanë prekur/Armët ngjeshur në brez i ke mbajtur”.

Vendlindja e poetit, Gora, është vend kodrinoro-malor, me bukuri të rralla e histori të shumta, me komitë, kaçakë, kapedanë e komandantë, këngëtarë e valltarë virtuozë që kanë lënë mbresa të thella tek ai, si pjesë e bukurisë së Atdheut e maleve të tij, sikundër thonë edhe vargjet e mëposhtëme të poezisë së tij “Maleve shqiptare” tërësisht me varg të thyer:
“Male hijerëndë e kreshtëbardhë gjer në re/Ju këngëtarë luftrash e vuajtjesh/Ju djepi,shtëpia dhe kështjella e shqiptarëve”.
Për famën dhe qëndresën e këtyre trojeve, maleve e kështjellave që u bënë tmerr për pushtuesit e të gjitha kohrave me Krujën në ballë, gjëmimin e Rozafës, Drishtit, Beratit, Petrelës, Prezës, Gjirokastrës, Tepelenës, Sfetigradit e shumë të tjerave, në poezinë “Qyteti Hero”, me ghuhë metaforash e krahasimesh të gjetura, poeti do të shprehej:
“Obelisk të lartë i ke ngritur/Atij, që lirinë mbrojti pallëzhveshur
E që s’ju tremb asnjëherë mejda nit/Se zemrën dhe krahun ia bëre të hekurt.
Vitet shkojnë e nga rrjedhë e tyre/Emra mbretërish të dëgjuar fshijnë,
Ndërsa ty, Qytet i lashtë Hero/Koha vjen e ta shton lavdinë ” !

Nëse që në vëllimin e parë “Erë e vendlindjes” botuar më 1976, janë kaluar me sukses mangësitë e fillimeve poetike dhe në tërësi vëllimi është i plotë, tërheqës me zërin e autorit që premton për të ardhmen, kjo ka ardhur pasi disa cikle të tij, sipas dëshmive të autorit, janë diskutuar në rrethin letrar të Shkollës së Lartë Ushtarake më 1973 ku merrnin pjesë edhe poet e shkrimtarë të spikatur si Teodor Laço, Llambro Ruci, Fluturak Gërmenji, Demokrat Anastasi e Hysni Milloshi.Disa poezi ishin botuar në shtypin ushtarak, gazetën Zëri i Rinisë dhe Revistën Nëntori. Por ai që i dha mbështetjen e plotë dhe në kohë e duhur botimit të këtij libri, të poetit të ri, është gjeniu i letrave shqiptare dhe shkrimtari me përmasa botërore Ismail Kadare i cili pas një takimi rastësor me Agronin në Shkodër më 1975, ku ishte i pranishëm edhe profesor Vehbi Bala, i premtoi se do ta ndihmonte për të botuar vëllimin e tij të parë. Dhe ashtu ka ndodhur vërtetë, Kadareja bisedoi për këtë me shefin e poezisë të asaj kohe Isuf Nelaj dhe caktuan si redaktore përgjegjëse Iskra Tatën. Vlerësuesi i dytë pozitiv ishte poeti ushtarak Hysni Milloshi, njëherazi edhe mik i poetit ushtarak. Edhe pse ishte rrugë e vështirë deri në botim, dhe kërkesat qenë shumë serioze, ai u është mirënjohës të gjithëve pasi kjo ndihmoi për botimet e mëvonshme dhe formimin e tij poetik për të mos mbetur shpesh në sipërfaqe por për të depërtuar në brendësi të sendeve dhe fenomeneve.

Edhe pse në dy vëllimet që pasojnë, “Ëndërra që ndizen” dhe “Botës një lule i këputa”, kemi një panoramë më konkrete, tematikë më të gjërë, motive më të gjetura dhe teknikë më të lartë në paraqitjen e poezive me muzikalitet tërheqës, lirizëm të hollë, “A po vjen Adem Jashari”, ka një konceptim dhe organizim tjetër, është më epike, më baladike pasi është një buqetë këngësh kushtuar heroizmit madhështor të dëshmorëve të UÇK-së, që derdhën gjakun për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës martire. Duke parë vendin ku luftoi e ra heroikisht komandanti legjendar i Prekazit e Drenicës, gjatë vizitës së bërë në gusht 2002 në shtëpinë e Jasharëve, autori do të shkruante me mirënjohje e pasion vargjet e mëposhtëme:
“Kur re t’mos ketë qiell’ i krahinës/Dhe erë e luftës të ketë ndalë
Atje tek Ara e Gurinës/Së pari dielli do të dalë.
Atje kur ndizej e digjej Sharri/Përballë mësymjes së Sërbisë
Luftoi e ra Adem Jashari/Zëmërflamuri i lirisë “.
Ndjenja e respektit dhe dashurisë, figuracioni me të cilat arrihet të përshkruhen poezitë “Heroi i luftës së madhe” dhe “Djemtë që rrojnë më shumë se kënga”, tregojnë se mjaftë mirë autori arrin të identifikojë dhe qartësojë vehten e tij si krijues lirik edhe kur jeshilon bari edhe kur gjëmon topi e digjet Sharri. Shpesh pyetjet retorike e kanë ndihmuar të kuptojë dhe të zbërthejë esencën e ngjarjes së caktuar e cila edhe pse ka jehonë e dimensione kaq të mëdha, si pakuptuar vjen e qëndron në degë të këngës e pastaj futet edhe në shpirtin e poetit:
“Ku të kërkoj, o Elton Zherka/Ku të ta gjej varrin që të mban
Nëntori Junikut dëborë hedhka/Fryn veriu i egër në Gllogjan.
Zëri yt në degë të këngës sime/Më futet në shpirt, në zemër rri
Dhe të gjej kudo gjer në thërrime/Të kësaj toke djegur për liri”.

Po të kësaj natyre janë edhe vargjet e baladës liriko-epike për 12 luftëtarët e UÇK-së, të Gjakovës, Shalës e Bajgorës, rënë në përleshje kundër sërbëve pranë Reçakut, për të cilën autori, si njohës i mirë i ngjarjeve dhe dinamikës së veprimeve luftarake të UÇK-së dhe aleancës së NATO-s, kundër makinerisë sërbe, së cilës Kosova ia ndali vrapin, duke e bërë t’i humbi fama dhe lavdia e perëndojë ylli, ndër të tjera me dhimbje shkruan:
“Bre si ardhki kështu të dymbëdhjetë/ Pa u ndjerë më hyki brenda fjalës
E m’ja hapni lehtas portat zemrës/E kaq larg m’ja çoki zërin këngës.
Si t’i flas Prizrenit e Gjakovës/Dymbëdhjetë zambakë fletët s’kanë hapur
Çfarë t’i them Ballkanit dhe Europës/Bijtë e shqipes fat të keq kanë patur”?!

Për fat të mirë libri me poezi “A po vjen Adem Jashari”, është ndër të parët që iu dhurua Qëndrës Memoriale “Adem Jashari” të Prekazit, me gjithë vargjet e mëposhtëme për atë burrë që me veprën e tij bëri epokë dhe mbeti flakadan i fuqishëm i lirisë së kombit, duke i treguar botës se ka zot vendi në Kosovë dhe se trojet shqiptare janë të shënjta e s’mund të bëhen më plaçkë tregu si dikur më 13 qershor 1878 në kohën e Bismaarkut e të lordit anglez Bikënsfild. Këtë e tregoi më së miri formacioni ushtarak i UÇK-së që krijoi e në krye të së cilës qëndroi deri sa “Baca” mbylli sytë:
“UÇK- rrezja e shpresës/UÇK- zë i lirisë
Rrënjë e thellë e qëndresës/Shpatë mbi kokë të tiranisë
Urë që lidh brigjet e zëmrës/Shqipe përmbi palë flamuri
Bekim i fundit i nënës/ Bedenë me themele guri”.

Në buqetën e këngëve për të rënët në fushën e nderit gjatë çlirimit të Kosovës përveç baladave të Agim Ramadanit, Ardian Krasniqit, Agush Gjocit, Xhemajli Avdullahut, Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës, Halit Gecit etj, lipset të përmenden edhe dy poezi jo vetëm për gjetjen e objektit e shkëndijës poetike, fenomenit rajonal që trajton edhe kur s’duhet të ndodhte por edhe për mënyrën artistike të përshkrimit dhe analizës së tij. Ja çfarë thuhet në poezinë “Ra miti i përrallës së vjetër”:
“Një gospogjicë, grua e marrë//Nga Shumadia diku thellë
I thotë të birit mos u kthe gjallë/Një kokë shqiptari pa ma sjell.
Sulltani desh kokë veziri/Kokë luftëtari ti kërkon
Grua e çmendur nga fiqiri/Dhe pse në tjetër shekull rron”.

Dhe hajde bëj analizë shpirtërore e krahasim me qëndrimin burrëror të nënës së dëshmorit Agush Gjoci, nga Rashiqi i Pejës, plakës bujare, të zgjuar e trime Nepë Gjocaj, që ndërsa e priste të birin e saj, luftëtarin e lirisë rënë kundër bandave sërbe në Rugovë të Hasit më 29.01.1999, ta martonte, mori lajmin e hidhur të vrasjes në pritën e pabesë. Dhe heroi i luftës së madhe, për ta qetësuar nënën ja ç’i thotë nëpërmjet vargut të baladës thurur enkas për të që autori e sjell me shumë dhimbje:
“Medet dheu si do ta tretë/Atë lis me degë e fletë
Has i gjërë ti Qafë Prushi/Sytë kur mbylli ç’tha Agushi?!
Mos derdh lot e mira nënë/Mbaj fjalën që më ke dhënë
Në Rashiq shokët kur të vinë/Si për dasëm e shtro shtëpinë
Unë do vij bashkë me lirinë “.
Poezia tjetër ” Ç’deshe që erdhe kapiten” edhe pse duket sikur vjen mbas një përshkrimi të thjeshtë të jashtëm, të një mercenari rus me gradën e kapitenit, i cili vjen nga larg për të luftuar kundër shqiptarëve dhe le kokën në Koshare, në brendësi mbart një mesazh domethënës, konkret e të jetuar në fushën e luftës së trevave ballkanike, që duhet patur mirë parasysh në situatat dhe zhvillimet e sotme rajonale e më gjërë. Aja tregon se lirika është edhe atdhetare, edhe erotike edhe epiko-historike edhe goditëse e sulmuese:

“Nga vis i largët sa më s’thuhet/U nis për luftë një kapiten
Emrin s’ja di po ç’ka më duhet/Rëndësi ka që shkoi si qen.
Kosova s’është Afganistan/Kosova s’i ngjan Çeçenisë
Një luftëtar kosovar/Del e me plumb ballë ta qëndis.
Hero s’u bëre as gjeneral/Dekoratë s’more çuditërisht
Moskov i shkretë, njeri i marrë/Ballkanit humbe si sëpatë pa bisht “.

Pas një udhëtimi disi më të gjatë poetik, shtohen perceptimet e imazhet mbi ngjarjet dhe ndodhitë e realitetit, rritet shqetësimi për çka sheh e dëgjon, për të depërtuar në brendësi të tyre e ndriçuar ato. Ja si gjendet motivi poetike në vargjet e mëposhtëme të vjershës “Valltarët e anës sime”, ku nënkuptohet “Vallja Gorare”, jo vetë si visar i rrallë i krahinës por edhe një nga perrlat e valles shqiptare.

“Qeleshet ulur mbi ballë/jelekët plot zbukurime
Si dëborë e bardhë në mal/ju valltarë të anës sime.
Sup më sup si malet jeni/hark merr valja s’ka të çarë
Kë s’mahnitët kur kërceni/bij të Gorës hokatarë”.

Në poezinë e kësaj përmbledhje poetike, ajo që bie në sy është tendenca në rritje e autorit për të ruajtur linjën lirike të vargut si në këngët e fëmijërisë, të rinisë e të kohës së mëvonshme. Ky lirizëm i hollë, dalë nga shpirti i trazuar i poetit, shpesh përndez edhe petalet e ndjenjave në vargjet erotike, rrit përkushtimin, guximin, dhimbjen, forcën e zërit e magjinë e fjalës tek ata që i lexojnë:
“Prapa dritares në agim/Në troket flutura krahëshkruar
Jashtë mos e ler se me të unë/Puthjen e parë të kam dërguar “. ( Tek poezia “Kur të mos jem”)
” Në shkelsha besën që të dhashë/Ndër ato netë marsi me hënë
M’i merr, moj të dy sytë e zes/E flaki tutje përmbi shkëmb “. (Tek poezia ” Në qoftë se…)

” Si dy ujvara që kaltëronin/Binin mbi mua dy sytë e zi
Dridheshin buzët e s’di ç’kërkonin/Zëmra si zog të hidhej në gji “. (Tek poezia “Ti s’hyre dot në shpirtin tim”)

” Pas qetësisë së erës vjen stuhia/Retë e ulta shtërngatë i çojnë detit
Në më pyesni ç’u sjell poezia/Do them ka vetë zëmrën e poetit “. Tek poezia (“Poezia shpirti i poetit”)

Vendlindja për poetin ka qënë gjithmonë e dashur, e çmuar e afërt dhe e shënjtë. E ka futur në vargjet e tia për ta patur gjithmonë me vehte portretin e saj, gjëmimin e malit të Lenies, oshëtimën e pyjeve të Voskopojës, shushurimën e gjetheve të panjës mbi Vëlnisht, zhaurimën e lumit plak Devoll nëpër kanionet e thella të karahinës, brufullimën e thëllëzës çallmoke mbi Rrah, sokëllimën e veriut me erë pranë Kamjes, çdo gur çdo degë e çdo fletë në gjelbërim:
” Kodrën e fundit të fshatit po le/Me vehte diçka që s’ma jep kush kam marrë
Fytyrën e vendlindjes që në mendje më fle/Sot e deri sa të jem i gjallë “. (Tek poezia “Duke u larguar nga vendlindja”)

Dhe më tej, vendi ku linde e u rrite, ku qave, qeshe e këndove, ato shtigje e udhë mali nga u nise e çave në jetë përsëri mbeten të dashura, të shtrenjta, të krijojnë ngazëllim, emocion e mall të paparë. Vendlindja si diçka e çmuar, ka një ndikim të madh dhe le gjurmë të thella në vetëdijen e poetit. Kot nuk thonë që në qoftë se do ta kuptosh poetin, shko dhe shiko vendlindjen e tij, atë që thuhet edhe në poezinë “Pragu që s’harrohet kurrë”:
” Një prag i largët më thërret/ku yj të zjarrtë bien praruar
Çdo gur e dru i heshtur pret/shtegut që s’kam për ta harruar “.

Dhe më poshtë tek poezia “Për vehte”, me objektivitet, realizëm e figuracion të gjetur poeti pa drojtje thotë një të vërtetë të pamohueshme që e përjeton kushdo dhe që të bën ta dëgjosh pasi aty është origjina e tij dhe udha nga u nis në jetë:
” Unë linda në fshat buzë ugarit/Lëndinash u rrita mes pemëve
Dritaret m’i çelte erë e malit/Pranë më oshëtinte këmborë e dhenëve.
Linda një ditë kur marsi po delte/Manushaqja sa kish mbirë nën shkurre
Thana nga Korjet lulet po çelte/Dhe Lupi Vaitit lehte nën ahure “.

Dhe përsëri ai i kthen sytë nga lugina e lumit Devoll që ndan krahinën mespërmes, nga vendi që mall e brengë i shton pasi i duket sikur akoma në veshët e tij ndihet zhaurima e përroit në brinjë, fërfërima e fletës së ftoit dhe frashërit të bardhë,përkundja e degëve të mollës mbi çati, sikur jeton me ligjërimin e zogjve në korien e lisave përmbi fshat, apo e deh:
“Aromë e barit kositur në livadhe/ Fletë e ftoit që brinjës fëshfërin…
Ka bazë reale gjendja shpirtërore dhe emocionale e poetit kur vijnë e shkojnë stinët, kur fryn veriu me erë mbi Gurin e Kamjes, përkundet pisha qepallëgjelbër e Voskopojës, dridhet panja e frashëri i bardhë dhe gurgullojnë krojet që ushqejnë këngën. Për këtë tek “Lugina e lumit tim” thuhet:
“Kënaqem me nazet e tua moj luginë/Me lumin tim moshëmplakur mburrem
Eh gorare e bukur syçkat si rubin/Më shërojnë plagët, s’më lënë të sëmurem “.
“Hajde syri i bukur, çu bëre moj vetull/Sa më qënke ligur, sa më qënke tretur

Hajde dhe më thuaj ç’merak të ka mbetur/S’thahemi mbi tokë, kemi për tëvdekur “.. etj vargje të stolisura me ornamentet e poezisë lirike dhe erotike popullore krahinore.
Duke çmuar vlerë e poetit, dhe ndikimin që ka ai në botën shpirtërore të njerëzve, mençuria popullore me kohë është shprehur për të se poeti i duhet popullit dhe vendit të vet ashtu siç i duhen natës yjet . Nëse një ditë largohet nga jeta, ai mbetet në kujtesë, krahës shumë figurave të tjera të shquara që ka Gora, pasi rron për më gjatë vepra që le pas. Për atë që këngë i thur e këndon vendit dhe popullit të tij, s’ka lamtumirë por mirupafshim.
“Mos prisni t’u them lamtumirë thjesht/Fjalë e parë në gojën tuaj do mbetem
Nën gurin e ftohtë të ndarjes s’do hesht/Mbyllur në kështjellën e harrimit s’do tretem”.

Poeti është nga të parët që përqafon të renë, përparimtaren, dialektiken e jetës me mendje, me shpirt dhe me shije artistike.Krijimtaria e tij është prodhimi më fisnik i zëmrës së tij.” Popuj dëgjojeni poetin, dëgjojeni ëndërrimtarin e shënjtë “- thotë Viktor Hygo, ndërsa poeti gorar, tek poezia “Kam hapur dritaren”, me sinqeritet dhe guxim shprehet dhe le adresën e tij për ta kërkuar e gjetur një ditë:
“Kam hapur dritaren e këngës, të dëgjoj/Hapat e shekullit të ri mbi glob
Në qofsha përgjumur, le të më zgjojë/Në është vetëm, do t’i bëhem shok.
Po dhe në s’u zgjovsha më, shikoni/Kur ndrijnë yjet mbi viset e mia
Mes tyre dhe mua më kërkoni/Andej lash zëmrën, mbeti poezia”.

Koha e ka vërtetuar se poeti pavarsisht nga stili që përdor ai është lirik, pasi e tërheq e bukura, të cilën përpiqet ta përshkruajë me ndjenjë e sinqeritet edhe kur ka sukses edhe kur ka zhgënjim, duke qënë zëmërgjërë e shumë njerëzor si në rastin e mëposhtëm:
“Dua të harroj zhgënjimin e parë/E ta flak tej si pema fletën
Po qetas vjen një pulëbardhë/Çuket kujtimet s’më le vetëm.
Të mendoj keq në mend s’më shkon/As të të shaj jo kurrsesi
Në të vjen rëndë kur më shikon/Unë prap për ty ndjej dhemshuri”.

Edhe për poetin tonë dashuria është ndjenja më e lashtë në botë, që shkëlqen si xhevahir në lirikën poetike. Përvoja më e mirë tregon se kush tentoi të futet nga dritarja e shpirtit e shumta mund ta kesh në sy por zemra kurrë nuk i bën dot pjesë duke mbetur thjesht një mikeshë:
“S’e fsheh dikur ishe e bukur/Filli jot s’di pastaj si shkoi
Botës një lule i kam këputur/Po mur’ e zemrës kurrë s’e kaloi.
Tani për mua s’ka dyshim/Veç më pushton trishtim i vjetër
Ai që zuri vendin tim/ Vërtetë të do, a shkon me tjetër”?!
Dashuria është si zogu që këndon mbi sup e në zemër të poetit. Edhe për autorin e këtij libri dashuria e vërtetë është e rrallë ashtu sikundër s’ka as dy dashuri. Bukur thotë autori se dashuria sheh me shpirt edhe pse ajo lind, rron e vdes në sy. Është vështirë të besosh çdo gjë që thuhet, t’i zëshë besë një të pabesi, pasi intriga dhe mashtrimi- shprehet ai- flenë në një shtrat me dashurinë:
“Sot në botë mashtrimi dhe intriga/Në një shtrat flenë me dashurinë dhe më poshtë denoncon hapur dhe me forcë vesin e shëmtuar;
I pabesi të preu në besë/ O moj Shano, Shano, Shaniko,
Në s’je më ajo lulja me vesë/prap një lule mbetesh domosdo ” . ( Tek, “O Shano, Shano, Shaniko”)

“S’jep verë të ëmbël rrushi i tharë/Brenda një pike s’ka kurrë stuhi
S’bëhet nga çdo dru fyell e longar/Pa e njohur s’besoj më njeri “, është një mësim që e ka treguar vetë jeta- thotë poeti dhe duhet patur parasysh.Koha ikën dhe vitet dalngadalë varin mbi supet e poetit pleqërinë. Ndërsa të rinjtë ëndërrojnë e ushqejnë shpresat, i vjetri jetonkujtimet e kohës, gradualisht i afrohet plogështia dhe nis t’i largohen të tria rinitë që ka njeriu, rinia e trupit, e zëmrës dhe e mendjes. Dhe në këtë moshë diçka i nxit e i bën të flasin më shumë për çaste agimesh të jetës, për muzgun e mbrëmjen të cilat u sjellin më shumë prehje e qetësi si dhe të ruajnë freskinë e trurit me angazhimin e tyre, edhe pse janë të bindur që gjurmët e kujtimeve shuhen dhe lirika e shpirtit largohet e humbet si në “Dimri i moshës po troket”:

“Dimri i moshës po troket/Në gjurmë kujtimesh me nxitim
Lirikën e bukur e godet/E s’do t’ja dijë për shpirtin tim.
Po do të mbahem si një bredh/Që stinë më stinë bleron në mal
Poeti armët lehtë s’i hedh/Në ikën le pas këngën gjallë”.

Si përfundim le ta themi se përmbledhje me poezi lirike “Korija e këngëve të mia” e poetit Agron Agolli, shquhet për arkitekturën e organizimit të saj, origjinalitetin poetik, ndjenjën e fortë të dashurisë dhe figuracionin e pasur me të cilat përshkruhen ngjarjet dhe fenomenet, ndikimin e këndëshëm tek poezia popullore e traditës, kultura krahinore e më gjërë, motivet e thjeshta e të veçanta por me impulse e veshje të reja poetike e tepër tingëlluese, ku shkrihen dhe harmonizohen suksesëshëm elementët epikë e liriko – baladik. E përfundon e të mbetet në kujtesë një pasuri e një vlerë më shumë e një autori punëtor e të sinqertë, thellësisht krahinor e kombëtar, që di të flasë bukur me detaje të freskëta dhe qëndrime të përligjura estetike. Libri është tregues i një mjeshtërie në rritje të një autori me emër të njohur në botën letrare e pedagogjiko-shkencore, që di të dënojë ligësitë e privilegjet e pamerituara, lëkundjet shpirtëore, zhurmën për lavdi dhe erozionin e kohës.Punimi përcjell mesazhin se poezia lirike e vertetë, është e afërt dhe gjen vend në zëmrën e çdo lexuesi, se ajo kërkon kujtesë të mprehtë e të zgjuar të autorit për të ditur dhe ruajtur gjatë trojet e kujtimeve të çdo moshe. Duke shmangur ndonjë mangësi shprehje apo paraqitje teknike, përmbledhja me poezi lirike e autorit Agron Agolli, jo vetëm që i bën nder atij, por përbën edhe një pasuri me vlerë në fondin e poezisë së vendlindjes e më gjërë.

Prizren, më 31.12 .2019.

***

March 11, 2020 13:38
Komento

1 Koment

  1. demo March 11, 14:17

    Kisha degjuar prokonsull.Paska e dhe prodekan.
    Ky katundari sikur te shtonte bagetite ne Librazhd,mire do bente,te ulej kg mishit,se eshte rritur shume.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim