Poezi e endur nga avlëmendi i shpirtit universal

June 29, 2020 13:39

Poezi e endur nga avlëmendi i shpirtit universal

 (Meditim mbi librin e fundit të Moikom Zeqos “Fata Morgana”, West Print, Tiranë,2020)

Vangjushi Ziko

Metafora e “avëlmendit” është një nga metaforat e spikatura, që përdor poeti Moikom Zeqo për procesin krijues poetik, metaforë e cila ka në themel konceptin aristotelian mbi Poezinë si rikrijim, riprodhim (mimesis).

Sipas filosofit të antikitetit,  instiktin e imitimit njeriu e ka prej natyre, por poetët e kanë të veçantë këtë prirje natyrale.

Por edhe poetët ndryshojnë nga njëri-tjetri, jo vetëm nga përmasat e këtij “instikti”, por edhe nga mënyra se si e konceptojnë Kohën.

Koncepti filozofik mbi Kohën bazohet në përjetimet e proceseve të pakthyeshme, në shndërrimin e pandërprerë të fenomeneve, në kujtimet mbi ngjarjet e kaluara dhe ato të supozuara në jetën e njeriut.

Në parathënien  e librit ai shkruan:  “ideja e vijimësisë së pambarimtë të Kohës sfidohet në poezi”.

Poeti Moikom Zeqo ndjek konceptin e  “ngrirjes së Kohës”.

Këtë concept gjuha e filozofisë e quan Koncept statik.

Sipas këtij koncepti, ngjarjet e së kaluarës, e tashmja dhe e ardhmja ekzistojnë realisht dhe, në një kuptim të caktuar, në gjendje statike në të njëjtën kohë.

Në këtë mënyrë poeti arrin atë  që pohon  M.Bahtin për këtë koncept: “Koha ngjishet, kompaktësohet, bëhet e dukshme artistikisht; hapësira intenstifikohet, i shërben lëvizjes së kohës. Shënjat e kohës zbulohen në hapësirë dhe hapësira merr kuptimin e kohës”.

Ai e sfidon, kështu, vazhdimësinë e Kohës në poezi.

Për poetin është i rëndësishëm Çasti:

“O, Çast, që s’të kam mbritur kurrë,

Mos më braktis!”

Çasti për poetin është një rast, që ndez shkëndijën e tij të frymëzimit:

“Gishtat e Rastit

Më kapin mbas flokësh!”

Ky çast për poetin nuk është imagjinar, por krejtësisht i ndërgjegjshëm dhe logjik.

Logjika , për atë, “është atú-ja e të papriturave”, që e frymëzojnë, jo vetëm që të përjetojë situata të ndërgjegjshme, por dhe e aftësojnë ndërgjegjësimin e përvojës së tij të thellë dhe të shumanshme jetësore :

“Kujtesa ime ringjallet

Në të gjitha moshat, –

Si në shtëpinë e braktisur

Befas u ndezën dritat!”

Poezia e Moikomit ngërthen në vetvete një hapësirë të brendshme, që realizohet në bazë të koncepteve mbi realitetin, konceptet që ka ai mbi kohën dhe hapësirën.

Çdo poezi lirike ngërthen në vetvete një hapësirë të brendshme, e cila realizohet nëpërmjet të gjendjes shpirtërore të heroit lirik, të kujtimeve të tij, që e ndihmojnë të navigojë në të kaluarën apo në të ardhmen dhe të krijojë kështu një realitet të ri.

Moikomi arrin kështu një ngjeshje dhe kompaktësim të paparë artistik.

Krijimet poetike të Moikom Zeqos janë krijime me intesitet të lartë emocional dhe intelektual, intesitet që  ka lidhje, në radhë të parë, me çastin e mbingarkuar me asociacione dhe kujtime të kësaj kohe të shumëfishtë (e tashme, e shkuar, e ardhshme) të “kompaktësimit artistik” dhe të ligjerimit lakonik në formën  adekuate  që i përshtatet këtij ligjërimi.

Moikomi, në poezitë e këtij vëllimi kultivon kryesisht poezinë e shkurtër liriko-filozofike me një numër të kursyer vargjesh: dyvargshe, katërvargshe, gjashtëvargshe e më shumë, me një spektër të pakufizuar kohor.

Avëlmendi i tij end “qilima fluturues” që të shëtitin nëpër epoka, qytetërime dhe kultura të ndryshme të historisë tokësore dhe në hapësirën kozmike.

Vegja e këtij “avëlmendi poetik” është metafora konceptuale moikomiane,

Në themel të saj është koncepti i hapësirës dhe kohës të bërë një, siç pohon teoria e relativitetit.

Me metaforat e tij ai ndërton një teatër modern nocionesh dhe fjalësh.

Poezitë e tij nuk janë lineare. Ato nuk ndjekin ecurinë e logjikës së zakonshme jetësore. Ashtu sikurse nuk ndjekin as vazhdimësinë e pandërprerë të kohës.

Çdo metaforë e tij është një shpërthim i papritur, “një kryengritje mendore”. Është një përmbysje e konceptit romantik apo realist të krijimtarisë poetike.

Moikomi shkruan:

 

“Irealiteti – shkalla ime

Për t’u ngritur tek Arti”

 

Ky “irealitet” nuk ka të bëjë aspak  me  misterin apo dalldinë. Poezia e tij nuk është një “sinops shpirtëror”. Moikomi nuk merret aspak  me sentimentalizma  dhe  me përshkrimin  analitik të ndjenjave.

Ai rendit koncepte dhe mendime, në dukje, të largëta midis tyre, kujtime të shkëputura, që rryma e ndërgjegjes së tij  i mbledh në shtratin e vet, i sintonizon, i orkestron sipas parimit të “përroit të ndërgjegjes’ të Xhojsit, ku çdo grimcë është edhe valë vetë edhe rrymë, njëkohësisht, një e tërë.

Logjika e ligjërimit të tij poetike  është logjika avangardiste e terrorise konceptuale.

Gjuha e tij poetike është vazhdimi i një mendimi të ndërgjegjshëm, mendim i cili është vështirë të kuptohet logjikisht pa patur parasysh shtratin filozofik të tij, “ngrirjen e kohës”.

Në logjikën e këtij koncepti rolin kryesor e luan  kujtesa dhe asociimi i mendimeve, përqasja dhe gërshetimi i epokave si dhe i tokësores me kozmiken, i abstraktes me realen, i logjikës dhe intuitës.

Moikomi vepron me nocione, me ide.

Bashkërenditja e tyre krijon poetikën e tij, në bazë të së cilës është logjika dhe jo emocioni.

Në poezinë e botuar në librin më të fundit, “Fata Morgana”, ai shkruan:

 

“Shkrimi i poezive, – më end, – të tërin mua, – si një avëlmend

i Shpirtit Universal!

Ditët më hedhin, – para syve, – kartëvizita vetëtimash!

Lastarët jeshilë të pjergullës, janë si tuba serumi, – për mua,

– në spital!

Në viset e lulëzuara, – Kerubinët – dhe mëllenjat, – krijojnë

– një specie të tretë!”.

 

Poezia e Moikom Zeqos nuk është poezi as e modelit metrik, që përcaktohet nga konstrukti intuitiv, melodios dhe rima.

Nuk është as poezia e vargut të lirë, që përcaktohet nga konstrukti sintaksor, ku sintaksa poetike përcakton edhe ritmin e poezisë.

Moikomi i përmbahet mendimit të Tesauro-s  për poetët dhe matematikanët të cilët kanë diçka të përbashkët  “këmbimin me njëra-tjetrën të fantazmave brenda metaforave dhe numërave”.

Poezia e Moikom Zeqos  është një “specie e tretë”, poezi e endur nga  “avëlmendi i një Shpirtit Universal” .

Ashtu siç bashkon  Universi sisteme, kostelacione, planetë e jetë në një të tërë e të vetme, ashtu bashkon edhe çdo poezi e tij “universin” e Çastit poetik, që sintetizon në një të tërë kujtime, mendime, ide që lidhen me atë çast sublim krijues.

Poezia e Moikom Zeqos ishte e pa parë në poetikën tonë kombëtare, poezi krejt e veçantë dhe thellësisht novatore, e rrallë edhe në poezinë botërore.

.

 

June 29, 2020 13:39
Komento

2 Komente

  1. Nji analize mjaft interesante kjo mbi Poezine Moikom-jane June 29, 18:16

    Jam i suprizuar mbi kte shkrim analize .
    Duket qe autori te jet njohes i mire i Letersise e Poezise
    ne vecanti .
    Me duket shume pozitive ka fakt ,qe aalizohet vepra e Te Nderuarit Akademikut Moikom Zeqo
    gje e cila ka nji rendesi te madhe per Literaturen dhe te pasionuarit e saj ne Shqiperi por edhe brezit te ri ,
    atyre qe o reh zemra per Letersi .
    Rrespekt …

    Reply to this comment
  2. Nji analize mjaft interesante kjo mbi Poezine Moikom-jane June 29, 18:17

    Jam i suprizuar mbi kte shkrim analize .
    Duket qe autori te jet njohes i mire i Letersise e Poezise
    ne vecanti .
    Me duket shume pozitive ky fakt ,qe analizohet vepra e Te Nderuarit Akademikut Moikom Zeqo
    gje e cila ka nji rendesi te madhe per Literaturen dhe te pasionuarit e saj ne Shqiperi por edhe brezit te ri ,
    atyre qe o reh zemra per Letersi .
    Rrespekt …

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim